NË TETOVË SHOQATA “TRADITA” E SHËNOI 137 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Pashtriku.org, 13. 06. 2015 – Më 10 qershor, në Tetovë Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, e shënoi 137 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Për nder të këtij përvjetori të rëndësishëm, Shoqata “Tradita” organizoi manifestimin kulturor tradicional ,,Lidhja na bashkon”. Në këtë eveniment, jo vetëm që u përkujtua 10 qershori i vitit 1878, por njëkohësisht u promovuan edhe vlerat kulturore të popullit shqiptar.
Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, Selam Sulejmani. Ai, me këtë rast theksoi se në kuadrin e përcaktimeve tona programore për avancimin e veprimtarive kulturore, kultivimin e traditës, realizimin e aktiviteteve shkencore dhe manifestimeve artistike, e organizojmë sot këtë manifestim që përkon me 137 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në këtë mënyrë e kujtojmë lëvizjen e fuqishme shqiptare të organizuar në mënyrë politike dhe ushtarake. “Në këtë përvjetor, të 137-in me radhë, Shoqata ,,Tradita” u bashkohet dhjetëra aktiviteteve që mbahen gjithandej në hapësirën shqiptare për të përkujtuar 10 qershorin e vitit 1878, kur në qytetin e Prizrenit, Kuvendi i Lidhjes i hapi dyert për të pritur delegatët e katër vilajeteve shqiptare, të Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. 137 vite më parë u ngrit zëri i arsyes, zëri protestues i shpirtit shqiptar. Kjo ishte Lidhja e Prizrenit, e cila e hodhi idenë e lirisë dhe të bashkimit kombëtar, duke i tejkaluar ndasitë fetare e krahinore dhe interesat meskine. Pikërisht këtu qëndron rëndësia historike e saj”, tha Selam Sulejmani.

Ai, po ashtu tha se në kuadër të manifestimit ,,Lidhja na bashkon”, do të promovohet libri ,,Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. dr. Ali Vishkos’’, dhe njëherit Shoqata ,,Tradita” do të ndajë Çmimin kombëtar “Ali Vishko”, ndërsa më pas do t’i zhvillojë punimet Konferenca shkencore, me temë: ,,Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”.
“Ky çmim jepet në bazë të Vendimit të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, me seli në Tetovë, dhe i njëjti do t’u ndahet personaliteteve nga vendi, rajoni e bota, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. Programin e manifestimit të sotëm, do ta vijojmë me konferencën shkencore, shtoi më tej Selam Sulejmani, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”.
Për rëndësinë e librit ,,Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. dr. Ali Vishkos’’ foli redaktori i librit, Doc. dr. Salajdin Saliu.
“Sot ndjehem i privilegjuar që flas për librin e konceptuar si krestomaci, me titullin “Kontributi shkencor dhe arsimor i Prof. dr. Ali Vishkos”, të botuar nga Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”. Ky libër përmbledh studime të ndryshme mbi punën mendore të një personaliteti të çmuar të botës shkencore dhe arsimore shqiptare, sikurse është profesor ynë. Konferenca e vitit të kaluar, botimi i librit me kumtesa për kontributin e profesor Ali Vishkos dhe çmimi kombëtar me emrin e tij, që do t’u ndahet studiuesve për të arritura jetësore në sfera të ndryshme shkencore, janë akte fisnike dhe domosdoshmëri për botën shkencore shqiptare”, deklaroi Doc. dr. Salajdin Saliu.
Në manifestimin tradicional kulturor ,,Lidhja na bashkon”, Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” për herë të parë e ndau Çmimin kombëtar “Ali Vishko”. Kryetari i komisionit për ndarjen e këtij çmimi, prof. Abdullah Mehmeti e paraqiti referatin me arsyetim për dhënien e Çmimit kombëtar ,,Ali Vishko”, për laureatin e këtij viti. Ai tha se Çmimi kombëtar “Ali Vishko” u jepet personaliteteve për vepër jetësore, kontribut të shquar dhe të arritura me rëndësi të veçantë në lëmin e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. “Pas shpalljes së konkursit dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni për ndarjen e Çmimit kombëtar ,,Ali Vishko” vendosi t’ia ndajë Prof. dr. Avzi Mustafa, me motivacion për veprimtari jetësore dhe kontribut të veçantë në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Në vazhdim, para jush kam kënaqësinë të paraqesë referatin me arsyetim për ndarjen e këtij çmimi për laureatin e këtij viti”, theksoi kryetari i komisionit, Abdulla Memeti.

Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”, laureatit Prof. dr. Avzi Mustafës ia ndau kryetari i Shoqatës ,,Tradita”, Selam Sulejmani. Pas marrjes së çmimit, Prof. dr. Avzi Mustafa deklaroi se, megjithëse i ka fituar disa çmime nacionale dhe disa herë ka qenë në epiqendër të opinionit me ato raste, tha që sinqerisht marrja e një çmimi të këtillë nuk ia ndryshon jetën për asgjë, por, kjo ditë nuk është si të gjitha ditët e tjera kur Avzi Mustafa merrte një çmim, shtoi ai. “Të marrësh çmimin që mban emrin e doajenit të historisë shqiptare në Maqedoni, të marrësh çmimin që mban emrin e pedagogut brilant e vetëmohues, të marrësh çmimin e mikut me të cilin vetëm para pak kohësh ke pirë bashkë kafe dhe ke mësuar shumë gjëra prej tij, kjo nuk është njësoj. Me falni që mund të jem emocional dhe të mos e përmbaj veten, por Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, që po më ndahet sot, është për mua kujtimi dhe nderimi më i mirë që mund të kem pasur gjatë jetës sime profesionale. Nëse doni ta dini më saktë mendimin tim, do t’Ju thosha miqësisht se, pas këtij çmimi nuk kisha dashur më mirënjohje tjetër, sepse më mjafton vetëm kjo. Unë ju falënderoj shumë për këtë nder që më bëni dhe uroj që këtë ta përjetoni edhe gjithsecili nga ju”, tha Prof. dr. Avzi Mustafa, laureati i Çmimit kombëtar ,,Ali Vishko”.
Manifestimi tradicional ,,Lidhja na bashkon” u begatua edhe me një program të pasur artistik ku performuan violinisti Shkëlzen Pajaziti, këngëtarja Elita Ziberi, si dhe pianisti Ilir Abdurahimi. Ndërsa gjatë ditës i ka vazhduar punimet Konferenca shkencore ,,Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura