QAMIL ZEKOLLI: RINGJALLJA E TREFISHTË E ABETARES DHE NËNËLOKJA FAZILE

Bllacë, (Therandë) 27. 08. 2015: (Në 86 vjetori e lindjes së Nënë lokes tonë Fazile Gërdalla-Zekolli) – Fazile Zekolli ishte fëmija e dytë e Osman dhe Rabije Gërdallës. Ajo u lind më 4 gusht 1929 në fshatin Karvasari, (nga Karvan – saraj), Komuna e Therandës, tani komuna Malishevë. Babai i nënë Faziles qysh në rininë e tij ishte rënë në kontact me veprimtar të ilegales kombëtare dhe kishte fillue të shpërndante librin shqip në Kosovën e okupuar. Ai bashkë me Vesel Pagarushën nga fshati Pagarushë, Dërvish Bullakun nga fshati Nishor dhe Dërvish Sadrinë, rapsod nga fshati Karvasari kishin formuar një qelulë për shpërndarjen e librit në gjuhën shqipe nëpër një pjesë të Kosovës.
Vetëm Osman Gërdalla kishte njëmbëdhjetë pika shpërndarjeje ilegale duke fillue prej fshatit të tij të lindjes, pastaj në fshatrat Bllacë, Ngucat, Nishor, Topillë, Budakovë, Koshare, Javuer, Lloshkobare, Peqan, Berishë dhe Lladroc.
Siç tregonte nëna Fazile, ata kalonin kufirin ilegalisht , shkonin në Shqipëri me kuaj, iu hiqnin kashtën samarëve dhe në vend kashtës futnin libra pastaj i sillnin në Kosovë dhe i shpërndanin në vende të caktuara dhe të besueshme në konspiracion të madh, sepse në vitet ndërmjet dy laftave botërore në pjesën dërmuese të rasteve, për një shkronjë latine gjandarët serbë vranin njerëz pa kurrëfarë gjyqi dhe askush nuk kërkonte përgjegjësi prej tyre.

Fazile Zekolli (4 gusht 1929 – 12 prill 2015)

Vëllau i madh i Nënë Faziles , Zeqiri diku në moshën 12 vjeçare , duke ruajtur bagëtinë bashkë me bashkëfshatarin e tij, Pajazit Ismail Bytyqi i lagjës së Misinëve , kishte prerë një thupër thane.
Duke ia hequr nejtë thuprës Pajaziti i thotë:
– Je kah e ndreqë mirë një thupër thane me thikë dhe me shkopin e tij , të cilit i kishte ngjitë një gozhgë në fund e shkruan germën “th” mbi një rrasë. 
Zeqiri ishte më i ri kurioz, e pyet Pajazitin:
– Çka shkrove bre ?!…
-Jo more kurrëgjë, por vetëm e bëra një vijë të lakuar .- thotë Pajaziti
– Pasha t’madhin Zot kjo nuk është vetëm vijë, por kallxom çfarë germe është ? – ia kthen Zeqiri
-Zeqir ti je i ri , por në qoftë se e mbanë fjalën dhe ma jep besën se nuk i tregon askujt , unë të mësoj me shkrue dhe me lexue me germa shqip.
– Besën po ta jap se nuk i trgoj askujt. – ia kthen Zeqiri.
– Kjo është germa “th”, i thotë Pajaziti , E shkrova “th” mbi rrasë, sepse më erdhi ashtu kur të pashë se ti kishe në dorë një thupër thane dhe e rregulloje me thikë. Pra fjalët “thupër”, “thanë” dhe “thikë fillojnë me germen “th” dhe e fshiu shkronjën mbi gurë, sepse në atë moment panë se jo shumë larg tyre po kalonte një udhëtarë.
Prej asaj dite Zeqiri dhe Pajaziti u afruan edhe më shumë me njëri tjetrin dhe filluan të bashkëpunojnë në fshehtësinë më të madhe.
(Në vitet ’40-a Pajaziti burgoset dhe vritet nga sllavo-bullgarët në burgun e Idrizovës. Zeqiri dënohet dhe mban dymbëdhjetë vjet burg në kazamatet jugosllave. Zeqiri vdiç më 18 shkurt 2012 në moshën tetëdhjetë e tetë vjeçare, në këmbë e duarë të veta dhe me vetëdije të plotë deri në minutën e fundit të jetës së tij .)
Zeqiri ruante bagëtinë, kurse Fazilja gjashtë vjet më e re shkonte pas tij dhe ditë pas ditësh Zeqiri e kyqi edhe ate në mësimin e alfabetit të gjuhës shqipe . Zeqiri merrte gurë të butë , i bënte në formë shkumësi, uleshin me motrën Fazile dhe shkruanin shkrojat mbi rrasa , të cilat nuk janë të pakta në zonën tonë . Ata mbanin me veti guralecë dhe kur shihnin se po afrohej dikush , ose po kalonte aty pari, fshinin germat dhe fillonin të luanin guralecë . Kështu nuk mund të dekonspiroheshin dhe të zbuloheshin .
Duke filluar nga Gollusha në Bllacë deri në Malishevë e Rahovec, ajo pjesë malore kodrinore është e gjitha prej gurësh gëlqerorë dhe ka rrasa të dimenzioneve të ndryshme shumë të përshtatshme për të shkruar mbi to pasi sipërfaqja e tyre është mjaft e lëmuar.
Deri në fund të viteve gjashtëdhjeta të gjitha shtëpitë e fshatit Bllacë dhe të fshatrave për rreth kanë qenë të mbuluara me rresa .
Jo vetëm familja Gërdalla, por të gjitha familjet me autoritet bastiseshin shpesh nga gjandarmëria serbe dhe librat duhej të siguroheshin mirë , sepse po të zihej , jo një libër, por vetëm një shkrojnë latine, ishte më keq se sa të ziheshe me armë . Por as Zeqiri e as Fazilja nuk dinin gjë për punën dhe lidhjet e prindit të tyre , Osmanit në shpërndarjen e librit shqip. Edhe Osmani nuk dinte që fëmijët e tij kishin filluar të nxënit e alfabetit shqip tinza tij .
Abetarja të cilën e ka ruajtur nënë Fazilja , si tregonte Ajo, tri herë është shti në dhé e mbështjellur me mushama dhe tri herë është nxjerrë nga dheu . Prej lagështisë pjesët e jashtme të abetares kanë marrë ngjyrë kafeje të qelur , kurse fletët janë bërë shumë të ndieshme dhe nga pakujdesia e mund të grisen e të bëhen blozë.
Për fat të keq kjo abetare nuk i ka kopërtinat dhe nuk jemi të sigurtë për vitin e botimit, por si thoshte Nënëlokja , duhet të jetë botim i vitit 1936 deri 1940 .
Osmani kishte mësuar të shkruante në qirilice , por ende nuk dinte të lexojë shqip .
Në vitin 1937 ju kishte ardhur një letër nga një kushëri i tyre i cili jetonte në rrethin e Durrësit . Osmani kishte shkuar te Dërvish Sadria për ta lexuar letrën . Në të kthyer në shtëpi takohet me djalin e tij Zeqirin , i cili atë buzëmbrëmje po i kthente bagëtinë nga kullosa ditore .
– Hej more Zeqir , kusherini na ka shkrue letër prej Shqipnije . – i thotë Osmani
Zeqiri nga kurreshtja dhe gëzimi i kërkon menjëherë letrën.
– Ama bre ta shoh ! – kishte thënë Zeqiri .
Pasi e merr letrën fillon ta lexojë më zë dhe nga kurreshtja nuk e dinte se po dekonspirohej para prindit të tij.
“Kusheri të dashtun,
Ne jemi mirë me shëndet familjarisht , …., këtu te ne janë ra do mjegulla të dendura dhe të rënda dhe pa dyshim shpejt do të vijnë edhe kah ju në Kosovë… Të fala dhe mall kusheriri juaj ” – shkruante ndër të tjera në letër .
Kur mbaron së lexuari ngritë kokën dhe e sheh babain e tij me lotë në sy .
– Haj kuku për mue , duke e pasë djalin tim që din me lexue , unë kam shkue me e mërzitë Dervish Sadrinë me ma lexue letrën . – psherëtinë thellë Babë Osmani .
– Më fal baba, por nuk kam mujt me të tregue se kështu i kemi pasë fjalët , mos me i kallxue kërkujt. Pra Zeqiri kishte lexuar dhe shkruar shqip tri vjet rresht pa e ditur as prindët e tij.
Prej asaj dite edhe pse Zeqiri ishte i ri, sa i kishte kalue të pesëmbëdhjetat dhe prindi i tij fillojnë të bashkëpunojnë në nxënjen e dijes dhe pas një kohe shumë të shkurtër edhe Osmani do të mësojë të lexojë dhe të shkruaj shqip .
Pastaj edhe nënë faziles iu lehtësua qasja në libra shqip dhe abetaren e ruante me një dashuri të madhe sikur të ishte fëmijë e sajë .
Miqësia e bashkëpunimit në fushën e dijes i miqësoi edhe familjarisht Osman Gërdallën dhe Ali Bislim Zekollin, duke ia dhënë Fazilen për Latifin , djalin e vetëm të Aliut .
Nënë Fazilja me at Latifin kaluan nëpër sfida të mdhaja gjatë jetës së tyre . Ishin të margjinalizuar nga shteti okupues serbo-jugosllav gjatë gjithë ekzistencës së kësaj fantome me emërin RSFJ .
Ata lindën dhe rritën së bashku plotë 14 fëmijë , prej të cilëve dhjetë prej tyre janë me trashigimtarë. Libadja , Asllani dhe Libadja e dytë vdiçën pasi u bënë të ecnin vetë . Nuk kishte përkujdesje mjekësore dhe i mori vdekja. Kurse Aliu vdiç, (lexo: e vdiçn), në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare me 12 shtator 1968. Dyshimi për vdekjen natyrore të Aliut kurrë nuk na u hjek, sepse ndodhi në vigjilje të demonstratave të mëdha studentore e mbarëpopullore të vitit të këndelljes , vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit të popullit tonë. Ai sihte vetëm tre ditë i sëmurë dhe mendohej se ishte ftohur, apo kishte një lloj gripi. Kur shkoi të vizitohej te mjeku në Duhël, (mjek ishte një Aca nga Shkupi), i dha disa injekcione dhe në vend se të përmirësohej, gjendja e tij në ditën e tretë u keqësua aq shumë sa që heret në mëngjesin e dymbëdhjet shtatorit e dërguan në spitalin e Prizrenit , ku edhe ndrroi jetë rreth orës 15 e 5 minuta . Aliu nuk qëndroi asnjë ditë i shtrirë në shtat, përveç natën e 11 e 12 shtatorit që përpëlitej si zorra n’prush deri sa vdiç në spital.
Nënëlokja Fazile dhe at Latifi u mbajtën fort dhe i përballuan me forcën e madhe morale e njerëzore të gjitha dhimbjet dhe sfidat e jetës së tyre .
Me daljen e UÇK-së në skenë dhe fillimin e luftës për çlirim nga okupatorët serbo-çetnik , shtëpia e sajë ishte vatër e djemve dhe vajzave të luftës . Me mish e shpirt nënëlokja Fazile me djemt, të rejat , vajzat, nipat dhe mbesat iu përkushtuan luftës për çlirim, kurse vetë nënë Fazilja ishte dhe mbeti deri në vdekje një plakë e respektuar nga të gjithë ata që e njohën .

Më 23 gusht 1998, djemt e Bllacës luftuan për trembëdhjetë orë resht me forcat serbe , ku vetëm në një oborr në vendin e quajtur Te Shelgjet , vranë shtatë ushtarë serb , dëmtuan disa mjete të blinduara dhe plagosën një numër të konsiderueshëm ushtarësh të okupatorit serb . Në të njejtën ditë u vra djali i madh i nënë Faziles, Bislimi dhe u plague Destani . Të nesërmen plagohet edhe djali i vogël i nënë Faziles Zeneli, bashkë me dy bashkëfshatarë dhe bashkëluftarë Isuf Lumi dhe Ukë Guraziu .
Nënë Fazilja edhe në këtë rast u tregua shumë e fortë dinjitoze dhe kurajuese ndaj ushtarëve tjerë duke ju thënë se “… ju jeni të gjithë të bijtë e mi dhe mos mërziteni ju, se nana qëndron e fortë . Liria pa gjak nuk fitohet !….”
Ajo ju dha zemër dhe i priti dhe i përcolli të gjithë djemt dhe vajzat e UÇK-së të zonës tonë, por edhe më gjerë, sikur bijtë e sajë .
Nëna Fazile edhe pas mbarimit të luftës , bashkë me nënat e dëshmorëve kurrë nuk iu ndanë aktiviteteve për shënimin e festat kombëtare dhe përvjetorëve për dëshmorët .
Më 7 qershor 2000 , në Bllacë ishin prezente shtatë nënat e dëshmorëve të rënë në fshatin Bllacë . Papritmas mederatorja ia dha mikrofonin . Ajo u befasua , sepse nuk e dinte se do ti jepej fjala , por aty për aty e ngacmoi moderatoren:
– Bijo pse nuk më keni tregue më heret se edhe unë di me shkrue sa ju dhe e kisha shkrue edhe unë fjalimin tim .
Pastaj iu drejtua rreth 15 000 pjesëmarrësve të pranishëm, me një lehtësi shumë të madhe e një origjinalitet që vetëm pleqët tanë dinë ta kenë në raste të tilla . Ata nuk skuqen para kamerave dhe as që shikojnë në drejtim të kamerës .
“-Të nderuem pjesëmarrës, miqë dhe dashamirë ,
Të nderueme nana dhe familje të dëshmorëve,
Ju përshëndes të gjithëve nga thellësia e shpirtit dhe zemrës .
Nana të dëshmorëve , djemt tanë nuk kishin fatin të vishen ushtar dhe ti zgjedhin uniformat në depo ushtarake, por janë nisë në kambë , kanë shkue në Shqipëri dhe i kanë ble do pushkë të vjetra dhe do uniforma , e janë ardhë nëpër flakë të pushkëve për me i dalë zot vendit vet , Atdheut tonë . Kur u kthejshin , shkojshin te baci (vllau i sajë Zeqiri), dhe ai i rregullonte dhe i qitke në terezi pushkët e tyre me do dana të këqija . Pra ju nana qëndroni të forta dhe dijeni se të gjithë këta djem dhe vajza janë fëmijët tanë .
E gëzofshi Lirinë e ju falemnderës për ardhjen tuaj ! “
Ajo e përjetoi shumë rëndë rënjen e të madhit Komandant Kumanova-Ismet Jashari , më 25 gusht 1998, për të cilin sa herë fliste dhe e kujtonte shumë shpesh me respekt e dashuri prej një nëne , që vetëm ajo dinte të shprehte ato ndjenja aqë njerëzore për Ismetin.
Nënëlokja Fazile dhe at Latifi përjetuan bashkë me gjithë popullin tonë shtypjen sllave me të gjitha peripecitë shtypëse në periodat më të rënda kohore si , dita e zisë, (vdekja nga uria), “vishaku” e “otkupi” , akcioni i armëve e deri ta demonstratat e gjithëpopullore të viteve ’80-a e ’90-a .
At Latifi vdiç më 4 shkurt 1996 dhe nuk pati fatin të mbrrijë daljen e djemve dhe të vajzave tona në male për çlirimin e trojeve shqiptare . Ai nuk arriti të shoh as Kosovën e lirë . Ai ëndërronte vdekjen e tij nga plumbi në luftë kundër okupatorit serbo-sllav dhe kurrë nuk paramendonte një vdekje nga natyra .
Eshtë interesante se në kohën RSFJ-së familjet që kishin më shumë se shtatë fëmijë shpalleshin kumbarë me Titon dhe gëzonin disa privilegje , At Latifi dhe nënë Fazilja edhe pse kishin dhjetë fëmijë të gjallë , kurrë nuk u bënë kumbarë me ate që udhëhiqte shtetin okupues jugasllav. Thjeshtë ishin të padëshiruar dhe të pa përshtatshëm për okupatorin .
Nënë Fazilja dhe at Latifi nuk kishin frikë nga vdekja dhe nuk ishin praktikues të asnjë religjioni , bile shpesh edhe urrenin klerin muslimanë , të cilët sipas tyre ishin iformatorët dhe bashkëpunëtorët kryesor të oznës dhe pastaj edhe të udbës , pra sigurimit të shtetit okupues.
Nënë Lokja Fazile arriti të rris , të edukojë me dashuri të madhe e përkushtim katëmbëdhjetë fëmijët e sajë, arriti të bëhet 43 herë gjyshe dhe priti 36 stërnipa e stërmbesa .
Pikërisht sot një vit , ajo kishte kishte ditëlindjen e tetëdhjetë e pestë dhe na bashkoi puthuaj të gjithëve

Nënëlokja la ca prorsi me të cilat na e lehtësoi edhe përcjelljen e sajë në banesën e fundit me çka e falenderojmë dhe do ta çmojmë gjestin e sajë fisnik për jetë e mot .
**
3 janar 2015 , Tiranë
“- Këtë letër e shkrova në Tiranën e bukur shqiptare , në Shqipërinë e bukur , për të cilën babë e babgjysh janë djegë e përvëlue gjithë jetën….
***
– Mirë se vini miqë e dashamirë në varrimin dhe të pamen time ! Ju falemnderës të gjithëve për respekt e pjesëmarrje !…
****
– Zenel , a ban me të vetë ty , a mundesh me ma gjetë një flamur të vjetër dhe me ma qitë në shkam? Unë jam e vjetër, por flamuri është shumë ma i vjetër se unë.
Mos më qitni lule mbi flamur, se flamuri nuk duron kurgja mbi te , sepse flamuri është shenja ma e madhe dhe ma e vlefshme e kombit dhe e Atdheut …
***
– Imamë e hoxhollarë mos thirrni ! Në ardhëshin vetë pritni si të gjithë miqët e dashamirët tjerë !…
***
…Qamil , po të porositi ty se je ma i madhi . Të pamen ma mbani shtatë ditë , sepse kemi shumë miqë e dashamirë dhe kështu mujnë me ardhë të gjithë . Mos ju thuaj hoxhollarëve, jeni të poshtër e shpijuna , por pritni mirë si gjithë tjerët … Mos ma prish të pamen !…
***
…Ju falemnderës, së krejt anëtarët e familjes , që më kanë respektue dhe kurrë fjalë të keqe nuk më kanë thënë !… Veç Zeneli dhe Zejnija janë mundue ma shumë dhe janë harxhue ma shumë , i falenderoj të dytë ! …
***
Kur të më qoni te vorri, mos e ndalni kërkend , por le të vijnë çika e gra e fëmijë, nipa e mbesa sikur në përvjetore të dëshmorëve që po shkojmë . Afër vorrit ma së pari le të vendosen familja Gërdalla dhe ajo Zekolli , të me qesin nga një grusht dhé …
***
-Këtë letër jua kam shkrue djemve, çikave dhe krejt familjes …
Lamtumirë !…”
Nëna Fazile vdiç më 12 prill 2015 në ora 01 e 50 minuta në Bllacë . Ajo ishte në këbë të veta dhe me vetëdije të plotë deri 25 minuta para vdekjes
Nënëlokja Fazile vdiç , por Abetarja që u varros tri herë dhe ende jeton bashkë me kujtimet e shumëta të nënëlokes Fazile dhe do të jetojë për jetë e mot, në mesin e të gjithë familjes , miqëve dhe dashamirëve të familjeve Gërdalla dhe Zekolli .
Sa me fat jemi , që kishim një nënë, një gjushe e një nënëloke të dashur, të njohur e të respektuar nga aq shumë njerëz të mirë anë a mbanë trojeve shqiptare.
Shembëlltyra, edukata dhe virtytet e sajë do të jenë gjithëmonë e jetë udhërrëfyese për ne dhe gjeneratat që vijnë pas nesh.Përulemi me pietet, respekt të thellë dhe dashuri të madhe për Nënëloken Fazile !
U prehësh në paqe nëna Fazile!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura