RASIM BEDO: GJENERALI DHE POLITIKANI

Adison IL. USA, 06. 09. 2015 – Në shekullin e kaluar vendi ynë u bë arenë e dy luftërave botërore. Në luftën e parë patëm gjeneralin dhe në luftën e dytë Politikanin. As në të parën, as në të dytën, shteti ynë nuk doli fitues për SHQIPËRINË ETNIKE, për trojet ku i thuhet BUKËS, BUKË dhe UJIT, UJË. Sepse drejtuesit e tij ishin të njëanshëm. Kryengritjet shqiptare, që u bënë në Kosovë, 1908, 1910, 1911, 1912, praktikisht, ia shtruan rrugën Serbisë. Ndonëse u sfilitën, u harxhuan, u grinë me Turqinë. Sot nuk kemi të drejtë të mos i vlerësojmë ngjarjet siç duhet, që të mos bëjmë të njëjtat gabime. (A. B.) Kryengritja e këtyre viteve dhe sidomos e vitit 1912, ishte e përgjithshme, ajo u shtri në mbarë vendin, në Kosovë, në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Jugut, ku prej kohësh vepronin çetat e armatosura.
Por Shqipërisë i mungonte një komandë supreme, një shtab me 4 zëvendës komandantë, një për çdo vilajet, një komisar politik, një centralizim të fortë, një mobilizim dhe disiplinë luftarake, që të qarkullonte forcat e armatës sipas situatës. Duhej pa tjetër të ruanim ushtrinë, kur Turqisë po i vinte fundi dhe fqinjët bëheshin gati për Luftën Ballkanike. Fatkeqësisht këto mundësi nuk u arritën, për këtë nuk fituam. Kjo studiohet sot, pas njëqind e ca vjetëve. Kjo është historia që të tund e të shkund.
Marrëveshja shqiptaro-turke e 18 gushtit 1912
Komisioni qeveritar turk rifilloi bisedimet rreth kërkesave të parashtruara nga kryengritësit, në 14 pikat e Hasan Prishtinës. Më 18 gusht qeveria turke deklaroi se i pranonte ato, përveç kthimit të armëve.
Udhëheqja e kryengritjes në Kosovë, deklaroi se e pranonte këtë marrëveshje dhe shpalli ndërprerjen e kryengritjes. Hasan Prishtina njoftoi gjithashtu përfaqësuesit e Shqipërisë së Mesme dhe të asaj të Jugut, të ndërprisnin veprimet e armatosura kundër trupave qeveritare. Ai njoftonte, në këtë rast, se kërkesat e kryengritësve u pranuan për të gjithë Shqipërinë. Në këto rrethana kryengritja u ndërpre… Ndërkohë kryengritësit kishin filluar të ktheheshin në shtëpitë e tyre, në Elbasan, në Korçë e në qytete të tjera, të pritur kudo si fitimtarë, me manifestime popullore dhe me këngë patriotike. Në të vërtetë, në variantin e marrëveshjes, që qeveria turke botoi zyrtarisht më 23 gusht 1912, kërkesat e shqiptarëve, të miratuara edhe prej saj, ishin formuluar në mënyrë të errët e të papërcaktuar. Kjo tregon, se Porta e Lartë, nuk kishte ndërmend t’i zbatonte ato. Edhe pse në 14 pikat e pranuara nga qeveria osmane, nuk parashihej njohja e autonomisë, shqiptarët filluan t’u jepnin një kuptim më të gjerë koncesioneve të fituara dhe bënë përpjekje për realizimin e vetëqeverisjes. Shihet qartë, në këtë redaktim të marrëveshjes, se askund nuk përmendeshin emrat Shqipëri dhe shqiptarë. Përveç kësaj, qeveria turke, nuk jepte asnjë garanci për zbatimin e kërkesave të kryengritësve. Edhe kësaj here, Porta e Lartë, ashtu si më parë, ndoqi një politikë dyfytyrëshe.

Në marrëveshjen e arritur, nuk u pranua as kërkesa që në letërnjoftimet dhe në pasaportat të vihej, krahas cilësimeve fetare mysliman, latin a rom, edhe cilësimi etnik shqiptar. Pranimi i saj, do të çonte në njohjen e kombësisë shqiptare.
Përgjithësisht, marrëveshja shqiptaro-turke e 18 gushtit ishte gjysmake dhe e pasigurt. Isa Boletini sapo u kthye në Mitrovicë, pas përfundimit të marrëveshjes shqiptaro-turke, ngriti atje këshillin administrativ dhe në njoftimin telegrafik, që i bëri valiut të Kosovës në Shkup, i kumtoi: “Tash e tutje për çdo gjë populli do të vetëvendosë në mënyrë të pavarur nga pushteti osman”. Nikollë Ivanaj shkruante në ato ditë: “Të gjithë janë besnikë të idealit të pavarësisë, por arsyetimi ju thotë se për momentin e tashëm duhet të moderojnë kërkesat në mënyrë që të bëhen të realizueshme”.
Megjithëse Kryengritja e vitit 1912, ishte e përgjithshme dhe u shtri në mbarë vendin, në Kosovë, në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Jugut, ku prej kohësh vepronin çetat e armatosura, forca e veprimeve të saj luftarake nuk ishte kudo e njëjtë. Ajo qe më e fuqishme në vilajetin e Kosovës, krahasuar me territoret e tri vilajeteve të tjera (të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës). Përveç kësaj, nuk pati një bashkërendim në kohë të veprimeve luftarake, të cilat në viset e tjera, sidomos në Jug, filluan më vonë se në Kosovë. Në ecurinë e kryengritjes së përgjithshme, ushtruan ndikim negativ lëkundjet e përfaqësuesve të veçantë të parisë çifligare e bajraktare, që u shfaqën sidomos në qëndrimin ndaj kërkesave kombëtare. Disa prej tyre u treguan të gatshëm të shkëputeshin nga sundimi i huaj osman, ndërsa disa të tjerë u vunë në shërbim të qarqeve sunduese fqinje, u bënë përçues të politikës së tyre në udhëheqjen e kryengritjes dhe u përpoqën ta pengonin luftën e armatosur popullore. Edhe Shefqet Turgut Pasha, në intervistën që i pati dhënë gazetës “Progrès de Salonique”, deklaronte se Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 ishte një“kryengritje thjesht shqiptare mbi baza kombëtare”. Perandorisë Osmane, shënoi fundin e sundimit të saj në Ballkan dhe filluan politikat që kënaqnin lakmitë shoviniste të shpallura me kohë në programet e tyre nacionale, siç qenë “Naçertania”, “Megali Ideja” etj. Por ky proces i realizimit të vetëvendosjes, u ndërpre për shkak të fillimit, më 9 tetor të Luftës Ballkanike dhe të dyndjes së ushtrive serbe e malazeze në trevat shqiptare. Beogradi, Athina e Cetina, dëshironin që lufta e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, të përfundonte me sfilitjen e të dyja palëve. Kërkesa mbizotëruese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbeti edhe në këtë kohë, deri tri-katër javë para se të shpallej pavarësia, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, por jo pavarësia e plotë e vendit dhe shkëputja e tij nga Perandoria Osmane, siç ndodhi më 28 Nëntor 1912. Realizimi i autonomisë, mendohej si rruga më e mirë për t’i bërë ballë rrezikut imediat të copëtimit, tashmë tërësor të trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve. Por kjo kërkesë nuk e mbyllte perspektivën e arritjes së pavarësisë kombëtare, përkundrazi, në ato rrethana vetëm kështu mund t’i hapej rruga dhe të shpejtohej sigurimi i saj. Si e tillë, ajo ishte një kërkesë realiste dhe njëherazi kalimtare drejt pavarësisë.
Kryengritja pati edhe dobësi të karakterit organizativ. Çlirimi i qyteteve, që ishte një sukses i madh i saj dhe mund të çonte në çlirimin e gjithë Shqipërisë, nuk u shoqërua, përveç disa rasteve, me likuidimin e administratës osmane dhe me vendosjen e një administrate të re shqiptare. Kjo ndërgjegje politike, nuk u shfaq njëlloj në periudha të ndryshme dhe në treva të caktuara, të cilat patën veçoritë e tyre, të diktuara nga rrethanat e kohës. Dëshmi e qartë e një ndërgjegjeje kombëtare të shtrirë në gjithë rrafshin territorial të Shqipërisë, janë ngjarjet e Kryengritjes së vitit 1911. E zhvilluar në një zonë malore, jo fort të gjerë, siç qe Malësia e Madhe, kjo kryengritje, qysh në fillimet e saj, doli me kërkesa kombëtare dhe në emër të të gjithë shqiptarëve e të kombit shqiptar. (…kryengritja mars – maj 1912).
S. Manxhuni shkruan: “Marrëveshja e Isa Boletinit me Pop xhivkot e Vushtrisë, ishin reciproke, secila prej tyre është e munduar ta shfrytëzojë njëri-tjetrin për interesa të veta dhe të kombit të vet. Isai ishte trim i madh, ndërsa Popi i mençur dinak dhe i pabesë. Isai me anë të Popit mbante lidhje me Serbinë, kur kishte nevojë për para dhe armë dhe Serbia e realizonte për qëllimet e saj, me Isain komunikonte nëpërmjet Pop Xhivkut të Vushtrisë. “Çohu bre xhivkë, fort ju ka gërmue, shpejt një letër me marue, e Kral Pjetrit me ja çue”. Kështu u dërgoheshin ndihma për të dobësuar sa më shumë forcat shqiptare me Turqinë. Një shembull: (një telefonatë, “Hitler! Jam Çërçilli, bombën e ke nën tavolinë”. (Një çështje e Hojzingerit 20 korrik 1944. U duhej të dobësoheshin me tej të dy forcat ruso-gjermane. Shën im) Kur u vërsul ushtria e Kralit, të cilëve u printe edhe Pop Xhivko, ata bënë masakra të tmerrshme, po përmendim një rast: “Pasi pushtohet Kosova deri te Gryka e Kaçanikut, kalon Kral Pjetri me përcjelljen e tij, takon ushtarët e ushtrisë së vet, duke mbajtur të lidhur mbi 3000 shqiptarë. Ata e pyesin Kralin çka të bëjmë me ata shqiptarë të lidhur, Krali urdhëron: “Mbytini, por kurseni plumbat”, dhe të gjithë i mbytën me thika. Kur i sheh Isa Boletini të gjitha këto, i tmerruar, i tradhtuar, i prerë në besë, i kthehet popullit të vetë, i afrohet mbretit Vid dhe bëhet mbështetës i fuqishëm i tij. E kështu, në rastin e parë që iu dha serbëve, e vranë Isa Boletinin me 13 anëtarë dhe bashkëfshatarë të tij, ku ranë në altarin e lirisë, 8 pinjollë të familjes Boletini. (S. Manxhuni “Marrëveshja”, bot. 2011, f. 111, 114).
Edhe me luftëtarin e madh Azem Galica, që luftonte i pavarur të njëjtin armik me Isa Boletinin, Serbët “pranuan” marrëveshjen nëpërmjet njeriut të tyre Miliq Kërsta, por ky e bishtnoi, për të luftuar pushtuesin e të dy popujve. Rapsodi popullor në këngën kushtuar Azem Galicës, e këngë të tilla, mund të gjejmë qysh nga eposi i kreshnikëve, nga mesjeta e deri në ditët e tashme, thotë: “Pse bre Kërst kështu me marue, / Se tri vjet ke nejt me mue. / S’kam mshef motër. / S’kam mshef grue. / T’ka dashtë nana ma fort se mue”. Çetnikët serbë të prirë nga Miliq Kërsta bënë një terror të jashtëzakonshëm në popullatën shqiptare për t’i hedhur në puset e thella të oborreve shqiptare, duke vrarë e prerë shqiptarë, duke djegë kasollet e kullat e Kosovës. (S. Manxhuni, bot,2011, f. 118).
Mungesa e një komando – shtabi, me një komandant ushtarak të zot, me një disiplinë të çeliktë, për cilindo që devijonte të arrestohej dhe të gjykohej në emër të atdheut, të mblidheshin të gjithë të pasurit dhe të zgjidhnin qeset në tavolinë, për të blerë armë, ushqime dhe uniforma, nuk u mundësua. Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare më në zë, si Gjeneral ISA BOLELETINI u dolën përpara hordhive Osmane në Kosovë gjate viteve 1908, 1910, 1912. Beogradi, Athina e Cetina dëshironin që lufta e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane të përfundonte me sfilitjen e të dyja palëve. luftuan njëri me tjetrin, u harxhuan, u vranë, u grinë, u prenë, shqiptarët me turqit, kurse Serbi fërkonte duart, duke ndjekur me kënaqësi, se si këto dy forca po dobësoheshin dhe treteshin çdo ditë… Për këtë, qeveria serbe mbante lidhje nëpërmjet Pop Xhivkovin të Vushtrisë, dhe të quajturat “marrëveshje” me ISA BOLETININ, ishin reciproke, secili prej tyre ishte munduar të shfrytëzojë njëri-tjetrin për interesa të veta dhe të kombit të vet. Isai ishte një komandant, një gjeneral, një drejtues i zoti si strateg, por nuk ishte politikan…
***
Ndërmjet 20 vjetëve, mbarojnë dhe fillojnë të dy Luftërat Botërore 1919-1939 (për Shqipërinë) me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe më vonë nga Gjermania naziste. Filloi qëndresa: “Lufta antifashiste e popullit shqiptar”, në prill 1939-1944, JO nga komunistët, por nga atdhetarët si Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku, Gafur Jegeni, Nazif Mero etj. U rreshtuan shumë figura, patriotë nacionalistë me reputacion në luftën antifashiste, si Llazar Fundo, Hasan Reçi, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri etj. Për t’i dhënë një formë të organizuar kësaj përpjekjeje, u krijua BALLI KOMBËTAR, një organizatë Nacionaliste, antikomuniste dhe Republikane shqiptare me emër “Lëvizja Kombëtare e Rezistencës”. Kryetarë të tjerë e përqafuan atë si: Abaz Ermenji, Lef Nosi, Isuf Luzaj, Skënder Muço, Thoma Orollogaj, Bahri Omari, Hysni Lepenica dhe Safet Butka. Në Kosovë vepronte Arben Presheva, ndërsa në Maqedoni Xhem Hasa Gostivari.
Në vjeshtën e vitit 1939, në Tiranë, në shtëpinë e Fuat Dibrës: Mid’hat Frasheri, Fuat Dibra, Kol Tromara, Ali Këlcyra, Nuredin Bej Vlora, Hasan Dosti, Faik Quku etj. krerë të vendit u detyruan të organizoheshin për të luftuar okupatorin. Ata themeluan Komitetin e Organizatës së Rezistencës “Ballin Kombëtar”, i cili nxori traktin “Nacionalizmi Shqiptar” “Balli Kombëtar”. (“Albeu”, 15-8-2011).
Nacionalistët shqiptarë, ishin hedhur në luftë, kishin krijuar çetat e para, përpara qershorit të vitit 1941, me Muharem Barjaktarin, Major Abaz Kupin, Baba Faja Martaneshin, Myslim Pezën , Neshat Çalin e Konispolit etj. Më kohë u ngritën edhe 100 çeta të tjera, që ishin për shmangien e operacioneve të armikut në shkallë të gjerë, organizimin e pritave, kundra autokolonave italiane, kapjen e ushtarëve robër, marrjen e pajimeve luftarake dhe marrjen nën kontroll të zonave të kontrolluara nga armiku. U formua organizata e “Ballit Kombëtar” me në krye Mid’hat Frashërin.

Mit’hat Frashëri (25 mars 1880 – 3 tetor 1949)

Gjithë këta krerë të vendit, që lexuam më lart dhe shumë të tjerë, si nuk u kujtuan të merrnin edhe shembull nga historia 2000 vjet më parë kur (Oktavian Augusti, ndjeu rrezikun e Batos në vitin 9 të e. s., thirri patricët (Pasunarët) dhe u tha: Do të zgjidhni qeset dhe do të zgjidhni komandantin e ushtrisë, për t’i dalë Batos përpara se për ndryshe, Baton e keni këtu pas 10 ditëve. Qeset u zgjidhën, komandanti u zgjodh dhe Batua u shpartallua. (Shën. Im). Ju Zotërinj, në mbledhjet që bëtë, kur atdheu është në rrezik, nuk morët masat e duhura. Në vend që të zgjidhnit një komandant të zotë, që nuk i mungonte përvoja, me një shtab suprem të ushtrisë, që të kishte si kryesorë 4 z/vendës komandant, një për çdo vilajet, të krijonin shtabet e tyre luftarake. Komanda supreme të thërriste pasunarët të derdhnin paratë për organizimin e fortë të ushtrisë, me një disiplinë të hekurt, si e Gjin Bua Shpatës, e Mërkur Buas dhe e Skënderbeut të Madh etj. Forcat ushtarake të Zogut, t’i kishit kthyer për të forcuar Ballin Kombëtar. Me një cetralizim dhe me një manovrim, për të drejtuar grushtin dërmues aty ku e kërkonte situata. Kur do të lindte PKSH, ju mund ta mbytnit atë që në djep. Ndërsa Mit’hat Frashëri nuk ishte ushtarak, të qëndronte si komisar i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, i cili hyri si politikan pas pushtimit fashist të vendit. Mit’hat Frashëri nuk u tregua modest, që vendin e “Kryetarit” mos ta kishte pranuar ai vetë, por të zgjidhej një ushtarak akademik i zoti si Abaz Kupi, Muharem Bajraktari etj. Duhet menduar, se përpjekja me komunistët ishte e ashpër, për jetë a vdekje, secili të mendonte për vete, familjen, atdheun. Të gjithë krerët e kuptuan, por fama e tij i hipnotizoi dhe u mbylli u gojën dhe kështu e lanë. Mit’hati nuk kishte autoritetin e duhur, për të drejtuar luftën dhe për të urdhëruar komandantët e çetave. Disiplina në radhët e Ballit Kombëtar ishte përtokë. Mit’hat Frashëri nuk kishte një qëndrim të prerë, ndaj kundërshtarëve të tij: “Janë bijtë tanë – thoshte ai për kundërshtarët”, përgjithësisht u tregua pacifist e tolerant ndaj tradhëtarëve komunistë, “nuk mund ti vrasim se janë djemtë tanë.” Nga ana tjetër , nuk mund të mos përmëndim terrorin e zit të ekstremit të djathtë në pushtet, si masakrat e 4 dhe 28 shkurtit 1944 në Tiranë, kundrejt qytetarëve të pafajshëm, të kryer nga Xh. Deva, Xh. Staravecka e të tjerë si edhe masakrra e disa ballistëve të Mallakastrës, ndaj këshilltarëve të Hekalit, që u pushkatuan pa gjyg e pa faj sepse mbeshtesnin Nac. Çl.
Mit’hati konstatoi nga ana tjetër, se armiku kthehej me ashpërsinë më të egër, ndaj popullsisë së zonës, kur sulmohej nga çetat antifashiste dhe kjo, bëri që Balli të ishte i kujdesshëm, në luftë, të mos sulmonte armikun, kur ky mund të kundërpërgjigjej, me ashpërsi ndaj fshatarëve dhe popullsisë vendase. Mirëpo me këtë qëndrim, Balli nuk mund të tërhiqte pas vetes, rininë, që kërkonte luftë të vendosur, për të shporrur armikun. Qëndrime të tilla, si, të Ballit, nuk ndodhnin në PKSH; kjo luftonte, pa e vrarë mendjen, për reagimet e armikut, ndaj popullsisë; për atë, kishte rëndësi, vetëm, që populli të ngrihej në luftë. Përmendet lufta e Gjormit 29 –X-1942 e drejtuar nga Hysni Lepenica dhe Skender Muço, në bashkëpunim me çetën Plakë të Vlorës. Kryengritësit arrinin në 1600 vetë, përballë ushtrisë italiane prej më se 2000 vetë, të komanduar nga Franko Klementiku, i cili gjeti vdekjen bashkë me 180 ushtarë të tij. Në një kohë që PKSH-ja, sulmonte forcat armike, pa përjashtuar, këtu, kundërshtarët e vet politik. Mit’hati, ishte shpallur tradhtar, nga PKSH-ja, Tradhëti e tij” ishte se kërkonte me ngulm Kosovën.
Balli Kombëtar u përpoq të realizonte bashkimin me Partinë Komuniste, për të cilën ia arriti qëllimit nëpërmjet “Marrëveshjes së Mukjes”, të firmosur nga ballistët dhe komunistët, më 2 gusht 1943. Komunistët shqiptar nën presionin e P.K.Jugosllave e mohuan marrëveshjen në shtator 1943 dhe keshtu filloi lufta civile 1943-1944. (U. B.) Kur u nënvizua Shqipëria etnike, Miladin Popoviçi tha: “do fillojmë nga sopata dhe jo të bëjmë lidhje me qentë : pastaj “SHQIPËRI ETNIÇKA, JEBEMTI MAJKA” (Shqiperi etnike të q… nënën). Kështu Miladini dhe Enver Hoxha filluan të kërcënonin tinëzisht dhe të vrisnin pabesisht, vranë: Shyqyri Pezën, që Miladini e urrente, Mustafa Gjinishin, Dom Allën , Rexhep Mezinin etj. (“Libri i Zi i Komunizmit”, f. 588).
Masakra e parë, pas prishjes së njëanshme të “Marrëveshjes së Mukjes” ishte ajo e Devollit më 8 gusht 1943. Nacionalistët e shquar; Dr. Haki Kasimati, mesues Hytbi Kulla, officer Zija Gashi, dhe këshilltarët Feti Jasexhiu, Adil Grace dhe Hilmi Perona u masakrruan pabesisht, u therën me thika nga komunistat terrorist në Ziçishtë të Devollit, ku i kishin thirrur për bisedime të “Marëveshjes me Komunistë”.
Pullumb Xhufi shkruan: “Nga vera e vitit 1943, Balli kombëtar kaloi tërësisht në shërbim të nazistëve”. Dhe më shumë, ju përbaltni Ballin Kombëtarë, me në krye Mid’hat Frashërin: “kanë tentuar të bëjnë ujdira antikombëtare, në dëm të integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Në muajin maj të vitit 1944, Mid’hat Frashëri në kontakt me të djathtën greke, në fuksion të krjimit të një bashkimi federal mes Greqisë dhe Shqipërisë … nën drejtimin e shtabit grek” (Forumi 2, Luftar Galina 15 -3-2015) . Jo, Pullumb Xhufi, se ballistët me Muharem Barjaktarin, luftuan edhe pas largimit të ushtrisë gjermane. Ndërsa, Mit’hat Frashëri është cilësuar: “Figurë e madhe e kombit”, “Kollos i madh i kombit – dashuri “ekstreme”.
Por E.Hoxha, në mënyrë tinëzare dhe të pabesë, kishte dhënë urdhër që trimi i Lumës të vritej. Në urdhrin që i dërgonte gjeneral Dali Ndreut, në shtabin e divizionit të parë dhe që mban dt.26.08.1944, kërkoi që “Muharrem Bajraktari të provokohet dhe të likuidohet”. Muharrremi nuk mundet të pranonte që ushtria partizane të bënte reprezalje kundër popullit dhe të hynte në Kosovë për të ia dorëzuar Kosovën jugosllavëve. Për këtë arsye, Haxhi Lleshi, Liri Gega dhe Manush Myftiu e thërrasin në një darkë në fshatin Nangë, gjoja për bisedime, por e nxjerrin në pritë. Tradhtia e tyre dështoj me turp. Në një ndeshje të vështirë, Muharrem Bajraktari çau rrethimin, duke deklaruar luftë pa kompromis kundër komunistëve “që ishin shitur tek sllavi”.(Shih Rexhinald Hibert, fletore e hidhur f.144). Ndërkohë Enver Hoxha, i dërgoi më 1 tetor Liri Gegës një letër-qarkore, dhe për veprim të gjithë komiteteve qarkore të PKSH, për nisjen e luftës … kundër Ballit Kombetar.
Një nga aktorët kryesorë të kësaj lufte, Koçi Xoxe, në letrën që i dërgon Enver Hoxhës më 1-10-1943, shkruan: “Përveç goditjeve që u dhamë (nacionalistëve), po i ndjekim këmba këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç”. Por kjo luftë e nacionalistëve, 1939 – 1944, nuk mund të mohohet, as të tjetërsohet, as të përbaltet. Lufta Nac. Çl. E udhëhequr nga PKSH, është një pjesë e kësaj luftë. Nuk duhet ngatërruar e tëra me pjesën. Përpjekja për ta mitizuar dhe paraqitur L.Nac.Çl. si Luftën e vetme të shqiptarëve kundër nazifashizmit, është një mosmirënjohje e historisë. Enver Hoxha ka qenë një manipulator i madh, ai rriti numrin e dëshmorëve nga 4744 dëshmorë që ishin vërtetë, në 28000.
Misionet angleze, nuk vendosën dot lidhje me Ballin kombëtar, por me Abaz Kupin, kryetarin e Legalitetit. Një nga arsyet që fituan komunistët, ishte terrorizmi ekstrem i pratikuar prej tyre. Britaniku Hibbert e quan “fitore të hidhur”. Kristo Themelko pohon: “… ai (Enveri) më ka këshilluar, që kur të hymë në qytet, të pastrojmë elementin e rrezikshëm … unë kërkova një listë. Me hyrjen e forcave tonë në Tiranë u pushkatuan 60 vetë, por numri ka kaluar mbi 100 vetë.” Në ditët e fundit të rrokullimës, një pjesë e nacionalisteve sipas Prof. Dr. Isuf Luzaj: “Kur ikëm nga Shqipëria ishim 118 prof. Dr. tani jam gjallë unë dhe Abaz Ermenji (bëhet fjalë para vitit 2000). Disa vdiqën duke larë pjatat në Amerikë edhe pse kishin marrë doktoratat në Sorbonë, Berlin dhe Romë. (Vehbi Bajrami “Shqiptarët…”, bot 2003, f. 195).
PKSH-ja pati mbështetjen e Kominternit dhe të PK Jugosllave, që dërgoi në Shqipëri të dërguarit e vet, Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshen, dhe Vukmanoviç Tempo, të cilët krijuan PKSH. Në shtabin e Titos ishte si këshilltar, djali i Çuçillit Aleksandri.
Pse nuk fitoi SHQIPËRIA ETNIKE në të dy Luftërat Botërore? Sepse mungoi BASHKIMI DHE ORGANIZIMI. Tani Nacionalistët po shtrojnë rrugën për Shqipërinë Etnike.

Rasim Bebo, Adison IL. USA. Gushtt 2015. Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura