ANTON MARKU: LYPËSI I QYTETIT TIM

Vjenë, 28. 09. 2015: (Tregim i shkurtër) Gjithçka ndryshoi një ditë të ftohtë dimri kur mu në hyrje të ndërtesës ku punoj e takova atë. Ishte rreth të pesëdhjetave. I imët në trup. Vrimat përreth syve i kishte të mëdha ndërsa i dalloheshin mustaqet gri mbi buzë. Rrobat i kishte të shqyera. Dridhej nga të ftohtit. Në njërën këmbë ishte i çalë dhe e tërhiqte zvarrë. Me dorën e djathtë të shtrirë i afrohej pothuajse secilit kalimtarë. Ca dhe i ndiqte nga pas duke përsëritur refrenin ”bitte, danke, bitte …”. Shumica as që kthenin kokën nga ai. Disa e shikonin me nervozizëm. Me përbuzje. Të tjerët me neveri. Ca e shanin në gjuhën e tyre. Pak, shumë pak veta i falnin ndonjë qindarkë. Për një çast ndalova. Fillova të pyes veten se sa duhet të jenë të mëdha mjerimi dhe varfëria që t’i nxjerrë njerëzit në rrugë, sidomos ata në këtë moshë? Po sikur jeta ime të kishte marrë kahe tjetër? Po sikur unë të isha ai e ai të ishte unë? U tmerrova kur mendova se përtej asaj që unë jetoj fati do të mund të kishte qenë aq i pamëshirshëm me mua. E ai nuk ishte treguar aspak miqësor me të. Përkundrazi. Shikova gjithçka rreth vetes. Pastaj veten time. Isha i veshur si më mirë. Palltoja e shtrenjtë dhe e ngrohtë më mbulonte pjesën më të madhe të trupit. Rreth qafës kisha shallin e përhimët, në duar dorëzat e lëkurës dhe në kokë kapelën. Shikova dhe një herë atë. Pastaj prapë veten. Dhe u ndjeva keq. Aq sa më erdhi turp. Shumë turp. Vendosa dorën në kuletë dhe nxora disa monedha të metalta dhe ja dhashë atij. Ai i pranoi me mirësi dhe duke më shikuar me një butësi njerëzore më falënderoi edhe në gjuhën e tij. Nuk e di pse, por që nga ajo ditë unë fillova t’i lë nga një shumë të caktuar parash sa herë që e takoja. Ai më falënderonte në mënyrën e tij, ndërsa unë ndjehesha mirë. Suksesi në jetën profesionale dhe personale rritej edhe më tepër. E ndjeja se jam duke bërë një gjë të mirë. Se jam duke u plotësuar si njeri i cili në tjetrin sheh njeriun, krijesën e Hyjit të barabartë me të tjerët. Kjo situatë vazhdoi për disa muaj.

Një ditë ndodhi që dola disa herë nga zyra, por lypësin nuk e pashë gjëkundi. Mendova se mos ndoshta është duke bredhur në rrugët në afërsi. Por, pasi që nuk e takova as të nesërmen, e as të pasnesërmen fillova që në një kuti të vogël metali të mbledh po atë shumë që i jepja atij gjithmonë. Kaluan disa jave. Disa muaj. Ai nuk u kthye më në të ashtuquajturin ,,vendin e tij të punës”. Shuma në kuti po rritej, ndërsa mua më mungonte miku të cilit nuk ja dija emrin. Një zbrazëti shpirtërore filloi të më përcillte. Tani më shpesh se asnjëherë më parë tymosja cigare, ndërsa gotat e zbrazura të verës fillova të mos i numëroj më.
***
Para disa ditëve, bashkë me disa të njohur vendosëm të vizitonim një ekspozitë e cila sapo ishte hapur në qytet. Autorja, një fotografe e njohur kishte paraqitur realitetin modern përmes njerëzve të thjeshtë. Atyre që frymojnë afër nesh e ne nuk i vërejmë. Për një çast u shtanga. Në një kënd të galerisë, në njërën nga fotografitë e shumta takova një shikim të njohur. Ishte ai, lypësi që ishte larguar pa gjurmë. Në trup kishte po të njëjtat rroba si dhe përherë. Në njërën dorë mbante një fëmijë tre a katër vjeçar. Me tjetrën shtrëngonte duart e një vajze rreth dhjetë vjeçare. Dukeshin të lodhur. Të përgjumur. Të uritur. Shumë të uritur. Sikur të mos kishin ngrënë gjë për një kohë të gjatë. Ai kishte mbështetur trupin për hekurat e një ure të vjetër. Poshtë saj kalonte rrëmbyeshëm lumi që ndante qytetin në dysh. Menjëherë mu kujtua se ku është ky vend dhe kjo lagje. Kisha kaluar pranë saj kush e di sa herë. Fotografia duhet të jetë bërë para shumë javësh pasi që drunjtë ishin zhveshur pa gjethe. I ngulita sytë gjithë imazhit që kisha përpara. Në parapavijë dallohej një hotel. Shumë vetura luksoze. Pastaj një qendër e madhe tregtare. Shitësit duke ftuar blerësit në dyqanet e tyre. Dukej sikur kalimtarët nuk qanin kokën as për personazhet e fotografisë e as për autoren e saj. Të gjithë nguteshin për diku. Hapat i kishin të mëdhenj. Asnjëri nuk ndalonte. Pak kishte çifte. Shumë më tepër njerëz të vetmuar. Pa askë pranë. U mallëngjeva. Ndjeva të ftohtë. Ca pika loti më tradhtuan. Miqtë po shikonin fotografitë në pjesët tjera të galerisë. Mua më mjaftonte kjo që kisha përpara. Nuk doja të ndahesha prej tij. Prej fëmijëve që duhej të kishin qenë të tij. Nëna mund të ketë mbetur në vendlindje. Apo mund të mos ishte më në mesin e të gjallëve. Apo ndoshta dhe diku tjetër. Në një pjesë tjetër të qytetit duke bërë ”pjesën e saj të punës”.
***
Të nesërmen mezi prita të dal mëngjesi. Puna e parë që bëra ishte të shkoj tek ura që shihej në fotografi me dëshirën që ta takoj mikun tim që asnjëherë nuk ma tha emrin. Në të vërtetë as që e kisha pyetur ndonjëherë. Me vete mora dhe kutinë me monedha e cila tanimë peshonte kogja goxha shumë. Por, atë nuk e pashë gjëkundi. As atë ditë. As të nesërmen. As javë e muaj më pas. Por, unë vazhdoj ta kërkoj atë dhe të kaloj çdo ditë pranë asaj ure, gjithmonë me kutinë nën sqetull. Nuk e di nëse më shumë dëshiroj të ”rëndoj” me disa monedha metali sado pak atë apo të lehtësoj ndërgjegjen time.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura