SKËNDER KAPITI: POSTKOMUNIZMI NË SHQIPËRI DHE KAPITALIZMI BASTARD

Durrës, 11. 11. 2015: Demokracia , apo më saktë paskomunizmi , se vetëm demokraci në Shqipëri nuk ka, është një kapitalizëm grabitqar i politikës së grabitjes, anëkandit dhe shitjes së pasurive të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar, një kapitalizëm politik i pa interesuar për zhvillimin ekonomik, për mirëqenien sociale dhe aspak edhe për investimet dhe integrimin e Shqipërisë; kapitalizëm monopol politik që madje edhe provokon e spekullon me imazhin dhe krenarinë kombëtare; kapitalizëm politik që ka monopol autoritetin, pushtetin dhe drejtësinë duke i blerë dhe ato, dhe prandaj shqiptarët vetëm sa largohen nga Shqipëria.
Kapializëm politik që do të thotë se politika është në Shqipëri korrupsioni, pushteti dhe biznesi të pasfidueshëm nga demokracia, ligji e drejtësia. Fakti që pas vitit 1990 e në vazhdimësi deri më sot në Shqipëri nuk u ndëshkuan krimet e komunizmit, nuk u krye dekomunistifikimi i vëndit dhe pastrimi e dekriminalizimi i politikës, nuk u kompensuan desidenca antikomuniste, ish-të persekutuarit dhe ish-pronarët për padrejtësitë e së shkuarës së ish regjimit dhe nuk u integruan ata politikisht, kjo do të thotë se tranzicioni 25 vjeçar është një sistem hibrid demokratiko-komunist apo me sakt një komunizëm bastard. Faji për këtë është dhe i vetë këtyre të fundit, pra i desidencës antikomuniste që nuk diti dhe nuk qe e aftë të organizohet, por u përça dhe u manipulua nga politika, e cila luajti dhe u tall me kartën e desidencës antikomuniste, u josh prej saj me disa përfitime të vogla, u kënaqën me një përmirësim të vogël të gjëndjes së tyre, po që më shumë u tradhëtuan interesat e saj nga drejtuesit e atyre poli’shoqatave të quajtura antikomuniste që e penguan desidencën antikomuniste që të krijonte partinë e vet të mirëfilltë politike, të djathtën e vërtetë shqiptare.

Pra në Shqipëri fisnikëria e persekutuar nacional-demokratike nuk është e organizuar ende si parti politike dhe për pasojë as e integruar politikisht në strukturat politiko-shtetërore të Shtetit shqiptar. Ajo, pas vitit 1990 vetëm sa u lirua nga burgjet dhe nga kampet e internimeve dhe sot pas 25 vitesh endet poshtë e lart me dëshmi penaliteti dhe me letrat e ishpronave të tyre nëpër zyrat e nëpërkëmbjes së Shtetit shqiptar , nëpër Gjykatën e Strazburgut dhe shumica prej tyre azilojnë nëpër vëndet e BE duke kërkuar strehim politik dhe ekonomik edhe sot në vitin 2015. Në Shqipëri komunizmi nuk u shëmb nga ndonjë Revolucion apo Lëvizje Demokratike , po më shumë komunizmi u vetëshëmb, pasi hëngri dhe heronjt e “revolucionit”, regjimi u izolua nga populli i cili përfundoi në armik si pasojë e luftës së klasave, regjim që falimentoi politikisht dhe ekonomikisht, pra regjimi komunist vetëra ose u vetëshëmb sepse konsumoi vetveten. Regjimi komunist më shumë çuditi se si ra, se sa, se si erdhi. Po pas rënies së tij përsëri triumfatorë ishte komunizmi sepse pushteti u ndërrua dhe kaloi nga duart e komunistëve në ato të ishkomunistëve të konvertuar në demokratë.
Komunizmi vetëra si regjim në dukje, po nuk ka rënë dhe nuk është çrrënjosur nga tabani e trualli shqiptar ku i ka shtrirë rrënjët dhe që vegjëtoi filizat e tij: bijë, bija ,nipa e mbesa, trashëgimtarë ideologjikë dhe biologjikë të diktatures dhe të ateizmit komunist që e kanë mbërthyer shtetin dhe sistemin e “ri” në këto 25 vite tranzicioni. Komunizmi ekstremist u shndërrua në komunizëm kapitalist; ishkomunistët më të devotshëm të regjimit dhe agjentët e ishsigurimit dhe pasuesit e trashëgimtarët e tyre kanë kapur e mbërthyer , pronësuar dhe privatizuar ekonominë, politikën, qeverisjet, administratën, drejtësinë, pasuritë, financat, diplomacinë, institucionet e pavarura shtetërore, shoqatat e të gjitha llojeve me emërtesa politike, kulturore, artistike, ambjentaliste, feministe, OJQ etj.; pra tërë shoqërinë civile; kanë në pronësi shumicën dërrmuese të mediave: gazetat e televizonet; shkollat, universitetet etj . Shkaku, që edhe pothuajse, më shtyu për të shkruar këtë shkrim është përvjetori i grevës së urisë së të përndjekurve politikë që u ngujuan duke protestuar e kërkuar që të shkojë në vënd drejtësia dhe të kompensoheshin për padrejtësitë e së shkuarës komuniste.
Gënjeshtra, mashtrimi, hipokrizia , manipulimi dhe neglizhenca kriminale që ju është bërë të burgosurve politikë, të persekutuarve, pronarëve dhe desidencës antikomuniste nga politika dhe pushteti i këtij tranzicioni në mosplotësimin dhe kompensimin për padrejtësitë e së shkuarës dhe mosintegrimin politik të tyre është një ridënim dhe ripersekutim i dytë dhe më i keq akoma, dhe ky është shkaku që i shtyu ata në atë grevë urie. Po ta vërejmë me vëmendje ecurinë e këtij tranzicioni postkomunist në Shqipëri do të konstatojmë se në mënyrën dhe realitetin e realizimit të tij nga politika në përgjithësi deri ne vitin 2015 konstatojmë shëmbullin me të mirë të zbatimit të planit të Katovicës parashtruar nga M.Gorbaçov në vitin 1986, që udhëzonte që të krijohen parti të majta, të qëndrës e të djathta po në këto parti të jenë komunistët në krye.
A nuk është e vërtetë kjo ku tërë spektri politik shqiptar pothuajse pati liderë komunistë ku më shëmbullorja është PD e cila në krye të saj pati deri me 23 qershor 2013 një ishkomunist të thekur, e që u bë dhe kryeministër dhe më parë dhe president i shtetit shqiptar. Berisha ishte vetë shëmbulli më i mirë si pasues e zgjatim i enverizmit në demokraci. Tjetër, Katovica udhëzonte që partia që do të marrë pushtetin do të shajë me themel e çati komunizmin me qëllim që të fitojmë simpati te Perëndimi dhe te desidenca antikomuniste, dhe na intereson karta morale e tyre e do tu afrojmë punë të parëndësishme por kurrë nuk do t’u lëmë atyre pushtetin. Askush jo vetëm në Shqipëri po as në tërë ishkampin komunist, asnjë parti politike që e ka dominuar tranzicionin nuk e ka kryer e zbatuar në perfeksion edhe këtë direktivë se sa patite politike në Shqipëri, pasi dhe madje edhe pas 23 vitesh po me këtë kartë pretendonte akoma për të mashtruar desidencën antikomuniste dhe popullin me sharje e akuza ndaj të shkuarës komuniste e duke mos kursyer me lloj-lloj shpifjesh e intrigash ndaj dhe kundërshtarit politik me terma të dalë boje si bllokmenë, bij të etërve etj., e duke mos kursyer fjalë nga më ordinere ndaj të gjallëve po dhe të vdekurve që kemi dëgjuar nga goja e mësuar e këtyre ishkomunistëve dje kundër perëndimit e demokracisë, po që na u bënë antikomunistë demokratë pas rënies së tij. Dhe këto buçima të tyre antikomuniste j’u servirën popullit e veçanërisht të persekutuarve, fisnikërisë dhe desidencës antikomuniste si reforma dhe si “hakmarrje”kundër komunizmit për të fshehur trashëgiminë më të paskrupullt si shërbëtorë të regjimit dhe të mashtrimit të desidencës antikomuniste për tu marrë atyre votën , për tu grabitur pronat dhe për t’i mos integruar ata politikisht e për t’i mbajtur ata larg pushtetit.
Partia që do të marrë pushtetin porosiste Gorbaçovi në Katovicë do të bëjë propagandë kundër komunizmit me disa ndëshkime të vogla të nomenklaturës komuniste dhe në ekonomi, kapitalistë dhe pronarë të ardhshëm të jenë njerëzit tanë. Besoj se nuk ka nevojë për koment , se ky projekt më së miri është realizuar në Shqipëri sidomos nga PD që e ka dominuar politikisht tranzicionin, pasi askush dhe asgjë askujt nuk i hyri gjë në këmbë prej ishfunksionarëve më të lartë e më të zellshëm të komunizmit përveçse ndonjë gjyqi qesharak e ndonjë ndëshkimi të vogël siç ishte ai për kafe i bashkëshortes së ishdiktatorit, madje PD në pushtet de fakto u bë mburoja e nomenklaturës së kuqe sepse kanë qenë vetë shërbëtorë, ishspiunë e komunistët më servilë të diktaturës e ku kryetari i PD-së, Berisha ka qenë mik besnik i fëmijëve të diktatorit, privilegj që nuk e kishin as anëtarët e Byrosë Politike të PPSH-së. Ajo që vërehet pos të tjerash është shtirja e politikes për ndjesi e dhimbje ndaj të persekutuarve politikë, e jo vetem ndaj tyre, po edhe për të tjerët, po që nuk ishte gjë tjeter veçse ndjesi e dhimbje sipërfaqësore e mashtrim për të fshehur urrejtjen dhe neglizhencën kriminale të tij që vjen si pasojë se vete PD dhe gjithpolitika e pushtetit te tranzicionit kane pasur përvojën dhe trashëgiminë komuniste të pandjesisë, urrejtjes shoqërore dhe kënaqjes me vuajtjet e fatkeqësitë dhe varfërinë e të tjerëve; një politikë që ka montuar e shëmbëllyer e lënë si trashëgimi një sistem autokratik të moderuar ku si kryeligj të pashkruar ka vjedhjen, mashtrimin, korrupsionin e krimin (elektoral, ekonomik, politik, të drogës, të trafiqeve, ordiner etj.); pra një regjim mizantrop(që urren shoqërinë) pasi mashtron, përgojon, shan, kritikon, akuzon pa agument dhe i bën etiketimin e gjykimin kujdo që guxon të kundërshtojë e që nuk shërben e nuk lobon për të dhe nuk është dakord me dëshirimin e tij, ekzaltimin, gënjeshtrën e pranimin e realitetit fals të tij. Si pasojë e ketij tranzicioni, Shtetin shqiptar e ka pllakosur padrejtësia neokomuniste mbuluar me petkun e demokracisë; e kësaj demokracie komuniste: e lirisë dhe të së drejtës që ata të djeshmit dhe këta të sotmit trashëgimtarë të tyre, të këtij pluralizmi dhe të kësaj demokracie që përzgjedhin në politikë dhe në çdo sferë sociale këtë sërë njerëzish që e kanë degraduar në këtë gjëndje ekonominë, individin, shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Ky është tranzicioni i kapitalizmit politik grabitqar, i kapitalizmit të pandjesisë sociale dhe i korrupsionit që të kujton kapitalizmin e egër, të hershëm, paramodern: kapitalizëm politik i monopolit të ligjit, të drejtësisë, të korrupsionit, të manipulimit dhe spekulimit , pronësimit e privatizimit abuziv e me vjedhje të pasurive të shqiptareve dhe të shtetit shqiptar; kapitalizëm që e ka polarizuar tejskajshëm shoqërinë: në një pakicë të pasurish që e kanë blerë dhe drejtësinë dhe në një shumicë absolute të varfërish që nga mospasja e mundësisë për të realizuar prosperitetin, lumturinë dhe minimalisht as mbijetesën marrin rrugën e eksodit edhe sot.
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
SHERADIN BERISHA: ‘KATOVICA’ E GORBAҪOVIT DIKTOI TË ARDHMEN E ‘DEMOKRACISË’ NË SHQIPËRI! (FOTO * DOKUMENTE + VIDEO)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3493

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura