OLSJAN TOPALLI: PËRSE PO BRAKTISET SHQIPËRIA?!

Elbasan, 24. 11. 2015: Shqipëria ky vend i vogël i gjendur në zemër të Ballkanit, në Jug-Lindje të kontinentit të vjetër të quajtur Europë, dhe midis dy korridoreve tepër të rëndësishme, siç janë korridori 8 dhe ai 10. E kufizuar me shtete të fuqishme nga ana ekonomike, dhe me një shtrirje të gjerë buzë detit Adriatik e Jon. Me një pozitë gjeografike mjaft të favorshme për turizëm, përballet sot me ditët e saj më të vështira. E quajtur ndryshe dhe si “perla” e Ballkanit nga çdo vizitor që ka shkelur këtë vend të mrekullueshëm me bukuritë e saj natyrore.
Por, drama është më vështirë në familjet shqiptare. Ndryshe nga çdo qytetar europian, shqiptarët përballen me një fenomen mjaft problematik, siç është ai i ekzistencës.
Shqipëria dhe shqiptari zgjohet në mëngjes vrapon me një dëshirë të madhe për në punë, dhe këtu fillon e gjitha… Menjëherë në mendje i kalon ideja që edhe sot është i papunë.
Del për të kërkuar punë dhe kupton që as sot s’ka asnjë shans apo mundësi punësimi. Madje s’do të ketë as nesër, as pasnesër…as javën tjetër…as muajin tjetër.

Kthehet në shtëpi i dëshpëruar. Rrugës për në shtëpi takon Shqiptarin tjetër që i thotë se është duke ikur diku jashtë shtetit, në Gjermani a ku të mundet pasi këtu nuk jetohet…
Shkon në shtëpi plot mendime… Sa hap derën, fëmijët e shohin drejt e në sy. Gruaja e shikon drejt e në sy. Ato nuk janë shikime, ata janë heshta helm të fortë që i ngulen drejt e në zemër…
Mundohet të hajë sa më pak por më kot asgjë si kapërdihet.
Por dhe dritat s’mund t’i mbajë ndezur. Energjia ka vajtur në çmime realitivisht ekstreme, gati të pa-përballueshme. Plus që tani të fusin dhe në burg për gjënë më të vogël, thua sikur të jesh duke jetuar vitet më të egra të komunizmit… Vjen momenti te gjesh rehati por nuk mundesh ashtu siç duhet, nuk të lënë mendimet dhe streset e shumta. Dhe me atë 2-3 orësh që i fal vetes kënaqësinë për të parë televizor,dhe sa hap televizorin dëgjon në lajme qeverinë:
– Çmimin e energjisë ua ulem.( Kjo sipas tyre, se realisht e ngritën)
– Hapem 300 mijë vende të reja pune për 1 vit.(Por harrojnë të përmendin se mbyllen 300 mijë nga krahu tjetër.)
– Çmimin e naftës e ulem.(Kur bëhet fjalë për ulje të naftës, gjithmonë rritet bursa.)
– Taksat ua kemi ulur më shumë se çdo vit.(Cilat taksa janë ulur, se ne se dimë akoma ?!)…
Në atë çast ashtu i menduar në mendje i kalon shqiptari tjetër që u nis sot për në emigrim, por ku? Se di dhe vete!.
Ashtu i vrare shpirtërisht e mendërisht zgjohet të nesërmen në mëngjes, shkon te agjencia e udhëtimit dhe me ato pak të holla që disponon blen një biletë vetëm vajtje, vetëm në Shqipëri mos të rrijë asnjë çast me… Por, me të mbërritur në shtetin europian njihet me fatin e hidhur që nuk do mbahet asnjë shqiptar në strehim, pasi Shqipëria bën pjesë në listën e vendeve të sigurta dhe këtu shpresat shuhen fare.
Kjo është drama e rëndë e të gjithë shqiptarëve. Nuk është histori me trafikantë a kriminelë. Eshtë histori me halle, varfëri, papunësi.
Nëse qeveria përpiqet ta shesë në publik si histori me trafikantë, do të thotë që po mundohet të mbulojë Diellin me shoshë. Por sado të mundohesh ta fshehësh pas shoshës, Dielli është shumë i madh për t’u fshehur.
Shqiptarët po ikin. Me mijëra po e bëjnë, me miliona po e mendojnë.
Një mesazh ka populli i vuajtur e plot halle për qeverinë, kur vjen puna tek eksodi – Prit se s’ke parë gjë akoma!!!
Ku po shkon ky vend ?!
A vallë qeveria do ti fusë të gjithë në burg që ti mbajë me bukë, se kështu do të vdesin të gjithë urie… Por nuk është kjo zgjidhja për një vend demokratik siç është Shqipëria. Të këqijat nuk kanë të sosur, protesta në çdo anë e në çdo skaj të vendit dhe askush nuk përgjigjet për këto njerëz të vuajtur ndër vite. Kjo nuk është jetesë, por mbijetesë! Kësaj i thonë të luash me jetën. Askush nuk ndjehet i sigurtë në vendin e tij, në vendin “mëmë”, këtë e tregon dhe fakti që sëfundmi aplikuan rreth 200 mijë shqiptare për Llotarië Amerikane.
Ditën që u shpall Lotaria Amerikane, më 1 Tetor, kjo është dita e vetme e vitit, që i bën shqiptarët të ëndërrojnë! Dhe nuk gabohemi : 200 mijë prej tyre kanë aplikuar këtë vit, duke shndërruar ëndrrën e tyre në letra aplikimi. E thënë ndryshe, një familje ka mesatarisht 4-5 anëtare dhe me një llogari të thjeshtë i bie që 1 milion shqiptarë duan ta braktisin këtë vend të shkretë!
Nuk ka nevojë as për analiza mediatike, as për sondazhe, as për testime, as për zgjedhje për të kuptuar çfarë ndodh në këtë vend, ku të gjithë duan të ikin me ç’të munden, të largohen nga ky vend që nuk premton asgjë, madje as gjërat minimale jetësore. Të largohen nga vendi i shpresës së thyer, ku varfëria është ulur këmbëkryq në odën e çdo Shqiptari.
Llotaria tani është shpresa e tyre e vetme tani, deri në Maj kur dalin edhe përgjigjet, por jo të gjithëve do tu buzëqeshë fati dhe jo çdokush do arrijë të prekë ëndrrën Amerikane…
Deri atëherë nuk mbetet asgjë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët, por vetëm të shpresojnë dhe të shpresojnë, siç kanë shpresuar për 25 vite me radhë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura