ARBËR A.REXHAJ: IK KRYETAR I VOTAVE TË VJEDHURA!

(Prizren, 23. 07. 2012) – Është e padiskutueshme që ju kryetar duhet të shkoni në burg. Kjo duhet të ndodh pas kaq keqpërdorimeve të shumta të cilat i keni bërë duke shpërdoruar pozitën tuaj si kryetar i Komunës së Prizrenit. Thënë të drejtën nuk më brengos fare s’e ju do të shkoni në burg, nëse në këtë vend ka drejtësi dhe shtet ligjor sepse ju e meritoni këtë.
Ju duhet të paguani për dëmet që ua keni bërë qytetarëve të Prizrenit. Pushteti juaj politik është ngritur mbi votat e vjedhura nga të gjithë ata që në mënyrë të pandershme punuan dhe vodhën, që ju ta merrni pushtetin në Prizren, Jerusalemin patetik të partisë suaj.
Ju keni ngritur një qeverisje e cila mbështetet në shantazhin e përditshëm, të cilën e ushtroni me trysni ndaj punonjësve të administratës, mësimdhënësve, mantilbardhëve. Ju kryetar i votave të vjedhura keni tëhuajsuar pronën publike duke shpërdoruar detyrën zyrtare, keni toleruar drejtorët të cilët kanë vjedhur, manipuluar me tenderë dhe keqpërdorur pozitën zyrtare. Kryesuesi i Asamblesë së Prizrenit (Njazi Kryeziu) harxhon me qindra euro në telefon dhe ju përherë arsyetoni ata dhe vetveten.

……………………………………………..

Kryetari Muja përballë Arbër A.Rexhajt, në debatin publik, “Jeta në Kosovë”!

DEBATIN PUBLIK ME KRYETARIN MUJA, MUND TA SHIKONI KËTU:
http://vimeo.com/45842339

………………………………………………………..

Kryetar juve nuk iu ka mbetur edhe aq fytyrë që atë që shihet e bëhet të mos e pranoni. Kjo nuk çon edhe aq shumë peshë sepse edhe po qe se nuk e pranoni ju të gjithë jeni nën hetime, dhe gjëja më e vogël të cilën mund ta bënit, ishte të jepnit dorëheqje si shenjë e asaj që ne mund ta quajmë veprim moral.
Dua t’ua përkujtoj, për të qenë më objektiv me ju, kur ju donit të merrnit mandatin e dytë si kryetar komune përkatësisht në balotazhin me LDK-në ju fituat, Lëvizja VETËVENDOSJE! atëherë nuk garonte për Jerusalemin e juaj patetik. Megjithatë ju fituat. Por fitorja juaj nuk ishte fitore e drejtë. Ishte fitore e vjedhur. Ju ia vodhët pushtetin LDK-së. Ju s’jeni kryetar legjitim i komunës sonë. Ti je kryetar i ardhur përmes një procesi të vjedhjes masive të votave. Atëbotë këtë e thoshte edhe LDK-ja e cila jo s’e dallonte me ju në lidhje programin politik të cilin ua shtronte qytetarëve apo me drejtë për ta shtruar, ju s’kishit program ju kishit premtime, pra ju dhe LDK-ja…
S’do mend fare se ju do të mundoheni t’ia vidhni pushtetin edhe VETËVENDOSJES, sepse këtë e aplikoni për t’i fituar zgjedhjet. Nuk zgjidhni metoda për t’ia arritur qëllimit. Do t’i përdorni të gjitha ato të cilat ju kujtohen; vjedhjen, shantazhin, klientelizmin, krimin… Ju e bëni vazhdimisht këtë, do ta bëni edhe në të ardhmen. S’ke se si të mos e bëni Ramadan, jeni kryetar i PDK-së dega në Prizren.
Vazhdimisht krenoheni me të arriturat tuaja. Ligjërimi demagogjik ju shtyn të thoni se programi juaj, e në fakt premtimet tuaja janë realizuar të gjitha. Si të arritura ju shtroni disa…
Mjekësia familjare sipas jush ka bërë progres, është përmirësuar shërbimi, ulur korrupsioni, përmirësuar objekti etj. Të gjitha këto janë vetëm gënjeshtra. Brenda qendrave familjare po ashtu edhe në spitalin tonë qytetarët e Prizrenit zhvaten, sepse ndryshe duhet të vdesin. Brenda mjekësisë familjare, me të cilën mburreni ju keni bërë nepotizëm. Djali juaj Genci është kryeshef i të gjithë mjekësisë familjare në Prizren, dhe së fundmi edhe vajza juaj është kryeshefe e mjekësisë familjare numër 1. Fëmijët të cilët i keni shkolluar ndoshta me mundim dhe rrogë mësuesi, fatkeqësisht i keni bërë pjesë e keqpërdorimeve tuaja.
Ju sërish mburreni që keni shtruar rrugë dhe fatkeqësisht edhe gjatë përvjetorëve të dëshmorëve nëpër fshatrat e komunës sonë, ju e thoni këtë! Në të vërtetë qeveria lokale ka shtruar rrugë, por ama me përplot parregullsi tenderësh. Në rrugën “Tahir Sinani” që ju e merrni si të arritur, në rrugën 2 kilometërshe ju keni urdhëruar të bëhen 28 kyçje. Ju e dini se më së shumti mund t’i bënit 2 të tilla. Sigurisht që përmes kësaj rrugë ju keni pasur rastin të vidhni paratë tona…
Në këtë rrugë, kryetar kanë vdekur 2 vetë dhe 30 të tjerë janë plagosur. Kjo është e arritura juaj. Bilanci I dy të vdekurve dhe 30 të tjerëve të lënduar. Ju do të duhet të ndieni shumë krenar me këtë të arritur!
Po ashtu ju mburreni me Universitetin Publik të Prizrenit, i cili ende emër nuk ka. Po ashtu ju e dini mënyrën e pandershme të hapjes së tij. Së bashku me kryeministrin Thaçi vendimin për hapjen e këtij universiteti e keni ndërmarrë në fillimin e fushatës për mandatin tuaj të dytë. Ju do të mundeshit t’ia filloni këtij projekti edhe në mandatin e parë.
Kryetar brenda këtij universiteti pati dy rektor të ndërruar brenda një kohe shumë të shkurtër. Stafi akademik i këtij universiteti është jo profesional, administrata dhe mësimdhënësit janë zgjedhur mbi parimin e nepotizimit që e zhvilloni aq shumë. Studentët nuk kanë pasur indeksa deri vonë. Ligjëratat e tyre janë jo profesionale, madje gjatë vitit të kaluar nuk janë mbajtur me rregull. Ju keni ndërtuar një universitet që i shërben Thaçit dhe juve. Ky universitet, kryetar me urgjencën më të madhe duhet të depolitizohet.
Këtu po merremi vetëm me mburrjet patologjike tuaja kryetar dhe po vazhdojmë me arsimin dhe testin e maturës. Ju thoni se keni bërë ndryshime radikale në arsim. Ndërsa e vërteta është që arsimin e keni zhytur në sferë të militantizmit. Ju punësoni mësimdhënësit, por ama vetëm ata të cilët në një mënyrë i shërbejnë PDK-së suaj. Militantët, duke filluar nga drejtorët e shkollave, të gjithë janë pjesë e partisë suaj, përveç dy të cilët nuk e di se si kanë mundur të mbijetojnë me gjithë atë trysni të cilën e bëni përmes militantëve tuaj. Përdorni mësimdhënësit dhe nxënësit jo vetëm në fushata, por edhe në dreka e darka për t’ua imponuar votimin për PDK-në. Përqindja e lartë e kalimit të nxënësve në testin e maturës ju vetë e dini se si është bërë. Dhe jo vetëm në Prizren por në tërë Kosovën. Megjithëse ju, drejtoria e arsimit, drejtorët e shkollave kanë “motivuar” nxënësit që ta kalojnë këtë test.
Më nuk do të vazhdoj kryetar.
Por mund t’ju them diçka tjetër. Së shpejti, ju së bashku me drejtorët tuaj mund të jeni para drejtësisë, me gjasë dhe të dënoheni për veprat tuaja. Alibia e ardhshme e partisë suaj do të jetë e thjeshtë. Ata do të thonë ja keqpërdoruesit u ndëshkuan. Do të mund t’i marrin disa figura të reja në partinë tuaj dhe t’u thonë qytetarëve, këta janë të pastër, të papastërit i larguam. Votoni këta! A nuk ndodhi kjo nëpër disa komuna tjera? Veçse kjo nuk do të mund të zgjasë përgjithnjë.
Autori është Kryetar i Qendrës së VETËVENDOSJE!s në Prizren

……………………………………….

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KRYETARI I KOMUNËS RAMADAN MUJA NDIQET PENALISHT NGA PROKURORIA E EULEX’it!

Prokurori i EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk, më 23. 11. 2011 – i ka bërë një kërkesë Kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX’it, për caktimin e një Gjyqtari të EULEX’it për procedurë penale (PP.nr. 147/2011) kundër gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit: Ramadan Muja, Njazi Kryeziu, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri dhe Abdullah Tejeci.

Në vijim lexoni faqen e parë të kësaj kërkese të EULEX’it

OFFICE OFF EULEX PROSECUTORS IN PRIZREN
PROKURORIA E EULEX – it PRIZREN

PP.nr. 147/2011
Prizren, 23. 11. 2011
Prej: Cezary Michalezuk – Prokurori i EULEX-it
Për: Kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it
Lënda: Kërkesë për caktimin e Gjyqtarit të EULEX-it për procedurë penale
______________
Unë, Prokurori i EULEX-it, i nënshkruar më poshtë, sipas nenit 3.5 (b) në lidhje me nenin 3.3 (p) të Ligjit nr. 03/L-053 kompetencat për zgjedhjen dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, paraqes këtë:
KËRKESË PËR CAKTIMIN E GJYQTARIT TË EULEX-IT PËR PROCEDURË PENALE
PRETENDIMET:
Prokurori i EULEX-it pranë kësaj zyre është duke kryer hetime penale ndaj individëve në vijim:
1. Ramadan Muja, emri i babait Rizan, i lindur më 08. 02. 1939, në fshatin Zhur, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Prizren, rr. “Kolonel Ahmet Krasniqi” nr.18, Kryetar i Komunës së Prizrenit;
2. Njazi Kryeziu, emri i babait Ibrahim, i lindur më 18. 08. 1977, në Prizren, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, rr. “Bajram Curri” nr.57, Kryetar i Asamblesë Komunale të Prizrenit;
3. Sadik Paçarizi, emri i babait Istref, i lindur më 20. 04. 1965, në fshatin Dragobil, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Prizren, rr.”11 Marsi”, 2B=7, Drejtor i Komunës së Prizrenit;
4. Avni Ademaj, emri i babait Ramadan, i lindur më 16. 07. 1961, në Zhur, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, fshati Zhur, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;
5. Kadri Ukimeri, emri i babait Osman, i lindur më 25. 05. 1945, në fshatin Korishë, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, fshati Korishë, anëtar – Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;
6. Abdullah Tejeci, emri i babait Bilall, i lindur më 23. 10. 1961, në fshatin Gorozhup, mashkull, i nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Prizren, rr. “Enver Buqaj” nr.52, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;
Dëshmitë të cilat janë grumbulluar gjatë hetimeve dëshmojnë se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e lartëpërmendur kanë kryer vepra penale Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit, të dënueshme sipas Nenit 339, paragrafi 3 lidhur me pargrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës (KPK-së).

(…)
Shikoni dokumentin:

………………………………………….

(PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura