MEHMET HAJRIZI: KONTEKSTI POLITIK I VEPRIMTARISË SË AHMET HAXHIUT

Prishtinë, 30. 11. 2015: (Kumtesë në sesionin shkencor të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kolegjit “Biznesi”, “Veprimtaria ushtarake dhe politika kombëtare e Ahmet Haxhiut”, Prishtinë, më 25 nëntor 2015) -Fillimi i viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kur Ahmet Haxhiu nis veprimtarinë atdhetare, e gjente Kosovën në prag të pesëdhjetë vjetorit të pushtimit sllav. Komunistët jugosllavë u kishin premtuar shqiptarëve nën Jugosllavi respektimin e të drejtës universale për vetëvendosje, por pas Luftës së Dytë Botërore ua mohuan vullnetin e shprehur në Rezolutën e Bujanit, duke e shtypur në gjak kryengritjen e tyre të armatosur dhe duke aneksuar sërish dhunshëm Kosovën e territore tjera shqiptare. Për ta shuar aspiratën e lirisë dhe çdo formë të rezistencës së shqiptarëve, regjimi gjakatar i Tito-Rankoviqit, nën masat e një administrimi ushtarak, intensifikoi dhunën dhe terrorin në Kosovë. Studiuesi bullgar, Stefan Karastojanov, në veprën e tij “Kosova”, shkruan: “Që nga momenti i dëbimit të forcave gjermane nga Kosova, filloi një terror i vërtetë mbi popullsinë shqiptare…pushtimi i rajonit nga partizanët jugosllavë u pasua nga masakrimet e egra të shqiptarëve nga ana e serbëve”.1
Politika aneksuese, shtypëse dhe shfrytëzuese serbo-jugosllave e detyroi popullin e robëruar shqiptar të rezistojë, përkundër pasojave që kishte kjo rrugë, sepse ishte e vetmja mënyrë për të mbrojtur identitetin e ekzistencën dhe për të mbajtur të hapura shtigjet e lirisë që do të lindte një ditë. Rezistenca shqiptare kundër ripushtimit të Kosovës vazhdoi me organizimin ilegal, i cili gjatë viteve 1945-1953 identifikohet me Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare. Kjo organizatë politike-ushtarake i kishte vënë vetes qëllim çlirimin e tokave të aneksuara shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Figura të shquara kombëtare të kësaj Lëvizjeje, si Halim Spahia, Ajet Gërguri, Selman Riza, Imer Berisha, Marije Shllaku, Gjon Serreqi e dhjetëra të tjerë u ndoqën, u persekutuan, u dënuan ose u pushkatuan nga regjimi pushtues.

I pavdekshmi Ahmet Haxhiu (06. 05. 1932 – 06. 07. 1994)

Ndonëse vazhdonte ndjekja dhe dënimi i veprimtarëve të çështjes së Kosovës, Lëvizja e rezistencës, si feniksi, po ripërtërihej nga hiri i vet. Do përmendur Grupin ilegal të kryesuar nga Njazi Maloku (1950), Grupin e Aziz Spahisë (1954), Grupin e Gjakovës, të kryesuar nga Muhamed Brovina (1957), Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë, të Metush Krasniqit (1958), veprimtarinë patriotike të Kadri Halimit, Ali Aliut e Ramadan Hoxhës (1952-54), të Adem Demaçit (1958) etj.
Jugosllavia titiste, Kosovës mezi i kishte dhënë një status regjioni (Oblast), në kuadër të Serbisë, që nuk e barazonte madje as me Vojvodinën. Nga fundi i viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, xhelati Rankoviq, nëpërmjet të mekanizmave shtetërorë të UDB-së famëkeqe dhe me politikën e shfrytëzimit ekonomik të Kosovës e të shtypjes kombëtare të shqiptarëve, ishte në kulmin e veprimit shovinist. E çliruar nga ankthi sovjetik, pasi Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik ndryshoi kursin dhe e konsoliduar tashmë si subjekt i fuqishëm ndërkombëtar, Jugosllavia nën rrethanat e Luftës së ftohtë në botë, me një këmbë në Lindje dhe tjetrën në Perëndim, do të vendosej shpejt në krye të Lëvizjes së ashtuquajtur „të paangazhuarve“ që i jepte mundësinë të vepronte brenda shtëpisë si të donte pa u qortuar nga kush. Qarqet shoviniste serbe, duke shfrytëzuar klimën politike të brendshme dhe pozitën ndërkombëtare të Jugosllavisë, ringjallnin projektet e vjetra antishqiptare dhe hartonin të tjerë, për të rrumbullakuar doktrinën akademike dhe shtetërore për zhdukjen e shqiptarëve. Politika shfarosëse serbe e jugosllave kundër shqiptarëve ishte orientuar në shumë drejtime, duke filluar nga diskriminimi i egër që ushtrohej ndaj tyre, me deportimin masiv në Turqi, në Shqipëri, në republikat tjera jugosllave e gjetkë, me shfrytëzimin ekonomik e varfërimin e skajshëm dhe mohimin e të drejtave elementare demokratike, kombëtare, arsimore e kulturore dhe deri te përndjekja policore, dhuna e terrori sistematik.2
Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore, të cilën Marrëveshja e Jaltës e kishte vendosur në sferën e bllokut socialist, e rrezikuar seriozisht nga Jugosllavia, e varfër skajshmërisht, e izoluar fillimisht nga Perëndimi, kurse nga viti 1960 edhe nga Lindja dhe e përballur me problemet e njohura të brendshme e të jashtme, nuk paraqiste ndonjë faktor të fuqishëm mbështetës për viset e robëruara shqiptare jashtë kufijve të saj. Megjithatë në Tiranë që herët vepronte “Komiteti i çlirimit të Kosovës”, kurse pas prishjes së marrëdhënieve shqiptare-jugosllave më 1948, Shqipëria intensifikoi dukshëm denoncimin e Jugosllavisë për shkeljen e të drejtave elementare dhe terrorin që ushtronte mbi popullin shqiptar nën robërinë e saj.
Në këtë gjendje shtypjeje e shfrytëzimi, varfërie e mjerimi ekonomik e shoqëror, dhune e persekutimi, ndjekjeje e gjenocidi, shqiptarët nuk e shuan Lëvizjen Kombëtare për çlirim e shkëputje nga vargonjtë e robërisë. Në statistikat e fillimit të viteve gjashtëdhjetë thuhej se nga viti 1945 deri më 1960 kishin dalë para gjyqeve famëkëqija jugosllave mbi pesëqind organizata, grupe të mëdha e të vogla ose individë, të cilët janë akuzuar për “orvatje me e shkëputë Kosovën nga Jugosllavia dhe me ia bashkangjitë Shqipnisë”.3
Në vitin 1960 në Kosovë po vepronte organizata e mirënjohur, Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (KRBKSH), e drejtuar nga veprimtarët e shquar, Kadri Halimi dhe Ali Aliu. Siç ka shkruar Kadri Halimi, kjo organizatë, busull kishte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si dhe vendimet e Bujanit për vetëvendosje e bashkim me Shqipërinë.4 Organizata aplikonte veprim paqësor, por përgatitej edhe për formën më të lartë të rezistencës, atë të kryengritjes së armatosur. Për këtë qëllim, krahas propagandimit të ideve të lirisë dhe organizimit, duke zgjeruar radhët, ajo rekrutonte luftëtarë të armatosur dhe furnizohej me armë, si në Artakoll të Vushtrrisë, ku dy aradhe të armatosura ishin gati për veprime luftarake, nën komandën e tribunit popullor, Zenel Hajrizi. Grupe të armatosura ishin organizuar edhe në Preshevë e Bujanoc.5 Komiteti Revolucionar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ka rëndësi historike për programin e tij kombëtar e demokratik, për kohën veçanërisht të rëndë kur u organizua, për shtrirjen në tokat e pushtuara shqiptare, për përgatitjen e formave supreme të çlirimit me mjete të luftës së armatosur, për rolin ripërtëritës të Lëvizjes sonë Kombëtare të dërmuar nga goditjet e njëpasnjëshme që i kishte bërë regjimi pushtues, për vlerat e reja që i solli Lëvizjes Kombëtare, për përvojën e pasur dhe cilësore organizative që i la brezave të ardhshëm të Lëvizjes dhe për virtytet që mishëronin anëtarët e saj vetëmohues.
Komiteti Revolucionar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë u shua më 1961, por jo Lëvizja Kombëtare e Kosovës, e cila u përtëri me organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), formuar më 1963 me në krye veprimtarin e madh të çështjes kombëtare të shqiptarëve të robëruar, Adem Demaçi. Ahmet Haxhiu, në kërkim të mundësive për t’u angazhuar kombëtarisht, do ta gjejë veten në këtë Lëvizje. Këta dy veprimtarë, bashkë edhe me të tjerë nismëtarë, si Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri, Abdyl Lahu, Ilmi Rakovica, Fazli Greiçevci, Rexhep Elmazi etj., 6 përbëjnë bërthamën e kësaj organizate, e cila veproi gjatë viteve 1963-1964. Në ballë të Programit të saj përcaktohej karakteri i luftës në dy shtylla themeltare: I bashkimit kombëtar dhe i çlirimit kombëtar.7 Ndërkaq në Statut shkruante: „Lëvizja jonë për me mbërrijtë qëllimin e naltpërmendun, ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore – prej atyne politiko-propagandistike – mjete paqësore – e deri te lufta e armatosun dhe kryengritja e përgjithshme popullore – mjete jopaqësore.“8 Duhet theksuar këtu se organizata e konsideronte çlirimin si vepër të vetë popullit të robëruar, duke shprehur besim në forcën dhe energjitë kolosale që kanë popujt e robëruar, sado të vegjël qofshin, kur luftojnë për liri. Ky qëndrim strategjik formulohej në sintagmën domethënëse: „Nga mbrenda dhe nga poshtë“.
Ndonëse babain ia kishin vrarë pushtuesit e rinj sllavë, duke rezistuar kundër tyre, kurse vetë atë e kishin arrestuar, keqtrajtuar e mbajtur në burg me këtë sebep, Ahmet Haxhiu në veprimtarinë e tij, nuk ishte motivuar thjeshtë nga ndjenja hakmarrëse personale e familjare, por nga shkaqe shumë më të thella, që kishin të bënin me fatin e kombit të tij të rrezikuar. Ahmeti, sikur edhe shumë veprimtarë të kësaj organizate, arrestohet nga UDB dhe dënohet me shumë vjet burgim. Me t’u liruar nga burgu, ai vazhdon veprimtarinë, sepse gjendja e popullit të tij të robëruar nuk kishte ndryshuar.
Organizimi i Lëvizjes Kombëtare të fillimit të viteve gjashtëdhjetë, me Komitetin Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, do të kulmojë në fund të dekadës me demonstratat e njohura të vitit 1968 për shtetësinë e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, nën parullat “Kosova-Republikë dhe “Vetëvendosje”. Në demonstratën e Prishtinës, ra dëshmor Murat Mehmeti, u plagosën shumë të tjerë dhe u dënuan me shumë vite burgim organizatorët e demonstratave gjithandej në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavinë. Rënia e Rankoviqit më 1966 hapi shtigje, ndonëse të kufizuara, për avancimin e të drejtave elementare të shqiptarëve nën Jugosllavi. Demonstratat e gjashtëdhjetetetës e hapën me forcë çështjen shqiptare në Jugosllavi, e cila as mund të shtypej as të injorohej si më parë. Ky proces përmbyllet me ndryshimet kushtetuese më 1974, kur Kosovës i pranohen statusi i njësisë konstituive të Federatës jugosllave dhe kushtetuta e saj. Këto pak të drejta që fituan shqiptarët, u shfrytëzuan nga regjimi t’i paraqisnin si çlirimin e plotë të tyre dhe realizimin e aspiratave kombëtare. Vitet shtatëdhjetë në Kosovë karakterizohen në plan politik me mashtrimin dhe iluzionin për lirinë dhe të drejtat e arritura të shqiptarëve në Jugosllavi. Lëvizja Kombëtare dhe Ahmet Haxhiu vazhduan veprimtarinë për t’i bindur shqiptarët se ishin në robëri dhe se duhej luftuar për t’u çliruar prej saj.

Duke qenë në pozitë varëse ndaj kapitalit të huaj, Jugosllavia detyrohej të zbatonte në periudha të ndryshme kërkesat ndërkombëtare për njëfarë liberalizimi të sistemit dhe jetës shoqërore e politike në vend. Por, ndaj shqiptarëve, me ndonjë ndryshim të vogël, vazhdonte në mënyrë konsistente dhe sistematike politika shtypëse dhe shfrytëzuese koloniale. Varësisht nga koniunkturat ndërkombëtare, ndaj tyre ushtrohej herë dhuna e terrori, kurse në raste tjera, demagogjia dhe mashtrimi, politika e kërbaçit dhe e kulaçit, por pa e ndryshuar esencën e politikës antishqiptare. Në fakt, Kosova vazhdonte të mbetej një krahinë në kuadër të Serbisë, si koloni e saj. Populli shqiptar nuk barazohej me popujt tjerë të Federatës, ndonëse ishte i treti nga madhësia, sepse nuk i njihej statusi i kombit as i republikës. Studiuesi Marenglen Verli ka vërejtur me të drejtë se Kosova “Ndonëse me vetëm 4.2 për qind të sipërfaqes dhe 7.1 për qind të popullsisë, ajo përmbante mbi 10 për qind të të gjitha pasurive natyrore të Jugosllavisë” 9 Megjithatë, Kosova e diskriminuar dhe e kolonizuar ishte rajoni më i varfër i Jugosllavisë dhe Evropës.
Si veprimtar me përvojë dhe sens politik, Ahmet Haxhiu e kuptonte shumë qartë rrezikun e iluzionit për gjoja lirinë e fituar të shqiptarëve. Lëvizja Kombëtare shqiptare nuk u mposht as nga dhuna as nga demagogjia mashtruese, por po fuqizohej e konsolidohej edhe pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974. Serbia ndërkaq, përgatiste procese politike prapakthyese, si në dokumentin e quajtur “Libër i kaltër”, për t’ia suprimuar Kosovës edhe atë autonomi, siç bëri pesëmbëdhjetë vjet më vonë.10
Pas demonstratave të vitit 1968 dhe burgosjes së shumë veprimtarëve, Lëvizja Kombëtare u ripërtëri me themelimin e Grupit Revolucionar të Kosovës më 1973, megjithëse celula të tij kishin vepruar nga viti 1970. Grupi, i cili më vonë do të quhet Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK), veproi për 12 vjet rresht, duke organizuar shtypin e larmishëm klandestin dhe duke përgatitur kryengritjen e njohur shqiptare të vitit 1981. Në prag të demonstratave të vitit 1981, vepronin edhe disa organizata të tjera ilegale, si Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, Lëvizja për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, Fronti i Kuq Popullor, Grupi Marksist-Leninist për çlirimin e Kosovës, Grupi Marksist-Leninist i Kosovës-Llap dhe disa grupe e organizata të tjera më të vogla brenda e jashtë Kosovës.
Shkaqet historike që çuan në ngjarjet tashmë të njohura të vitit 1981, ishin, statusi prej robi i popullit shqiptar, pozita diskriminuese e tij në bashkësinë e popujve të ish-Jugosllavisë, gjendja e rëndë dhe pa perspektivë e ekonomisë së Kosovës dhe puna e madhe që kishte bërë lëvizja ilegale për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Në këtë kryengritje popullore Lëvizja Kombëtare e Kosovës po kalonte nga veprimi në konspiracion të thellë, në sheshet e hapura të qyteteve e të fshatrave, nga strukturat e kufizuara të veprimtarëve tashmë profesionistë, në masa qindra mijëshe, që përfshinte shtresat e shoqërisë së Kosovës dhe përtej saj. Baza shoqërore e lëvizjes kombëtare po zgjerohej me të shpejtë.
Klasa politike zyrtare e Kosovës e kishte rastin historik të riparonte dëmin e vitit 1974, sepse përveç forcës së argumentit tani kishte edhe argumentin e forcës së popullit të kryengritur, por ajo nuk u vu në ballë të tij, mbasi ishte në bisht të regjimit pushtues, prandaj në vend të shpalljes së republikës më 1981, Kuvendi i Kosovës e aprovoi suprimimin e autonomisë më 1989.
Më 1981 ndodhi demonstrimi plebishitar i vullnetit politik të shqiptarëve, kryengritja paqësore në njërën anë dhe lufta e pashpallur që organizuan forcat serbe e jugosllave kundër popullit duarthatë dhe të pambrojtur të Kosovës, në anën tjetër. Demonstratat paqësore u kthyen në ngjarje të përgjakshme nga makina shtypëse jugosllave që po i shërbente politikës hegjemoniste e ekspansioniste serbe, ndoshta pa kuptuar se oreksi shovinist serb nuk do të shuhej vetëm me Kosovën.
Rëndësia historike e Pranverës shqiptare të vitit 1981 qëndron në zgjimin shqiptar dhe në sensibilizimin e solidaritetin e gjerë ndërkombëtar. Duke qenë gati e harruar në pluhurin e historisë dhe problem i brendshëm jugosllav, çështja e Kosovës me gjak e sakrifica u shfaq para botës me gjithë mprehtësinë e saj. Akademiku Rexhep Qosja ka thënë: “Kam shkruar shumë herë se demonstratat e vitit 1981 e kanë rikthyer çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi në skenën politike botërore. Në saje të tyre është bërë ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe i çështjes shqiptare.”11
Kosova e demaskoi fytyrën e vërtetë të politikës pushtuese të Jugosllavisë, duke lëkundur themelet e saj dhe sistemin e kalbur të vetadministrimit. Kryengritja e vitit 1981 përbën rubikonin historik për Kosovën dhe Lëvizjen e saj Kombëtare, e cila mori përmasa të gjera sa të mos zhdukej më dhe të shkonte sigurt drejt triumfit të saj me Luftën çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gazeta amerikane “Boston Globe” e 18 qershorit 1981, pasi konstaton se më 1913 fuqitë e mëdha e bënë Shqipërinë të pavarur, por ia dorëzuan Kosovën monarkisë serbe, se Kosova është një metaforë për forcat centrifugale të historisë, gjuhës, fesë, kulturës dhe zhvillimit ekonomik, me të cilat do të ndeshet vazhdimisht Jugosllavia si një federatë e krahinave të fuqishme e të ndryshme nën një qeveri qendrore të dobët, përfundon në mënyrë profetike: “Kosova është bota e tretë e vogël e Jugosllavisë: e varfër, krenare, e fyer dhe e padurueshme. Mënyra se si do t’ia dalin mbanë pasuesit e Titos kësaj çështjeje do t‘i tregojë shumë botës mbi të ardhmen e Jugosllavisë”.12 Ahmet Haxhiu edhe në këtë lëvizje popullore ishte aktiv dhe organizator i përgatitur mirë. Ai po i shihte me sytë e vet rezultatet e Lëvizjes Kombëtare, pjesë e së cilës kishte qenë edhe vetë për vite me radhë, si ishte masivizuar dhe çfarë energjish ka brenda një popull i kryengritur.
Në themel të rezultateve të kryengritjes së vitit 1981 qëndron gjaku i dëshmorëve të saj dhe veprimtaria e Lëvizjes Kombëtare, si dhe shpirti i rezistencës së pashuar të shqiptarëve kundër robërisë. Nga radhët e Lëvizjes së organizuar ranë dëshmorë në ballë të demonstratave në Prishtinë, më 2 prill 1981, si organizatorë të shkëlqyeshëm të tyre, Naser Hajrizi e Asllan Pireva. Në Prishtinë po atë ditë ranë dëshmorë edhe Xhelal Maliqi e Salih Abazi, kurse më 3 prill në Vushtrri, Salih Mulaku e Ruzhdi Hyseni dhe në Ferizaj, Rizah Matoshi e Sherif Frangu. Më 13 maj 1981 në qëndresën epike në kullën e tyre, duke luftuar kundër hordhive policore e ushtarake jugosllave, ranë dëshmorë, babë e bir, Nebih e Tahir Meha, në Prekazin e rezistencës kundër pushtuesit serb. I riu, Nesimi Dervishdana u vra në Gjakovë më 26 korrik 1981 nga oficerë të Ushtrisë Jugosllave, kurse Ibrahim Krasniqin e Afrim Abazin, autoritetet e regjimit i mbytën në burgjet jugosllave. Në vitet vijuese vriten udhëheqës të shquar të Lëvizjes, si Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu etj.13
Pas vitit 1981 Lëvizja Kombëtare u godit rëndë, por ajo u ripërtëri dhe u rimëkëmb, jo nga e para, por mbi bazën e strukturave të ndërtuara organizative dhe të përvojës së pasur të deriatëhershme. Udhëheqja e lartë jugosllave u shpallte luftë shqiptarëve të Kosovës: “Kundër armikut do të luftojmë deri në fund vendosmërisht me të gjitha mjetet me të cilat mbrohet siguria dhe integriteti i një vendi të pavarur e të lirë”14
OMLK kishte hartuar Tezat e Frontit, të cilat shërbyen për unifikimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, brenda dhe jashtë atdheut. Një kapitull të veçantë të jetës dhe veprimtarisë së Ahmet Haxhiut e përbën angazhimi i tij i përkushtuar në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës.
Pas luftës së ftohtë dhe detantës në plan global, në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë fillon shthurja e të ashtuquajturit kamp socialist. Në procesin e shembjes së sistemit socialist, në Evropën Lindore ndodhën tronditje të fuqishme. Diku më qetë dhe diku me zhvillime dramatike, shtetet ish-socialiste po transformoheshin me shpejtësi.
Gadishulli ballkanik karakterizohej nga lufta për çlirim nga ideologjia komuniste, nga diktaturat e vendosura prej kohësh në vendet e tij, por paralelisht popujt me ndjenjën e ndrydhur kombëtare deri atëherë, përpiqeshin të fitonin pavarësinë kombëtare, shtetin nacional dhe sovranitetin e plotë. 15
Në Kosovë zhvillimet shkonin në kundërshtim me tendencat historike në rajon dhe botë. Në vend që në përputhje me transformimet demokratike dhe me përpjekjet e gjata të shqiptarëve, të avancohej statusi politik i Kosovës, Serbia u vërsul me të gjitha mjetet për t’i suprimuar edhe atë autonomi që kishte dhe vendosi aty një sundim të egër kolonial, duke përjashtuar popullsinë shumicë shqiptare nga jeta politike, ekonomike, arsimore, kulturore, informative etj. Populli shqiptar u ngrit sërish në demonstrata të fuqishme dhe masive, në të cilat ranë dhjetëra dëshmorë, kurse minatorët e Trepçës u mbyllën në grevë në horizontet e thella të minierës së Stantërgut.
Me humbjen e subjektivitetit politik e ekonomik dhe nën veprimet shtypëse e shfrytëzuese serbe, në Kosovë u shkatërrua i tërë sistemi ekonomik që çoi në varfërim të skajshëm të rreth 60 për qind të popullsisë. Që nga viti 1989, ekonomia e Kosovës pati normë negative të ecurisë së prodhimit shoqëror prej -7.2%, dhe të ardhurave kombëtare prej -7.4%., të cilat shumë shpejt ranë në rreth 400 dollarë për kokë banori. Instalimi i administrimit të dhunshëm serb mbi institucionet publike dhe ndërmarrjet e Kosovës, rezultoi me dëbimin nga puna të rreth 150.000 punonjësve shqiptarë dhe me rritjen e shkallës së papunësisë mbi 70 për qind. Si pasojë e mjerimit social, por edhe e përndjekjeve policore e ushtarake dhe e terrorit shtetëror, nga Kosova filloi një fluks i paparë deri atëherë i emigrimeve jashtë vendit, që përbënte rrezik serioz për të ardhmen e Kosovës, për më tepër që qindra mijë të ikur ishin kryesisht të moshës së re. Jugosllavia po vlonte nga kontradiktat e vjetra e të reja, derisa shpërthyen luftërat dhe u shemb Federata në pellgun e gjakut të popujve të saj. Populli shqiptar i Kosovës, jo vetëm ndiqej, vritej e torturohej, por edhe ishte dënuar me zi buke nga regjimi pushtues i Milosheviqit famëkeq.
Në këto rrethana, Ahmet Haxhiu, tashmë në moshë, e intensifikonte veprimtarinë, në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj. Kosova po përgatitej për luftë të armatosur, e cila kulmoi me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën Ahmet Haxhiu dha një kontribut të veçantë, jo vetëm në organizimin, por edhe për armatosjen e saj. Në krye të kësaj detyre, që përbën kurorën e veprës dhe jetës së tij, Ahmet Haxhiu arrestohet për të satën herë dhe më 1994 pushon zemra e veprimtaria e tij.
Periudha historike në të cilën veproi Ahmet Haxhiu karakterizohet me rrethanat tepër të rënda politike në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën ish Jugosllavinë. Ahmet Haxhiu, duke vepruar një kohë të gjatë në Lëvizjen Kombëtare ishte bërë bashkëveprimtar i shumë brezave të saj, duke pasuruar përvojën e tij, duke u ngritur politikisht dhe duke zhvilluar intuitën prej veprimtari profesionist. Kjo veprimtari e gjatë dhe e përkushtuar, sa vinte dhe e bënte atë më të vendosur, më të guximshëm, më të përgatitur dhe me besim të patundur në fitoren e sigurt të luftës së popullit të tij për liri dhe pavarësi, për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai nuk kishte përgatitje arsimore, por vetë jeta në Lëvizje dhe nëpër burgje e kishte kalitur e pasuruar me ide revolucionare dhe kulturë të gjerë. Ahmeti dinte t’i vlerësonte dhe të orientohej në situata politike ndër më të ndërlikuarat.

Ahmet Haxhiu nën përcjellje të Ramadan Shalës, Petrit Bytyqit etj., në Aeroportin e Gjenevës, më 01.07.1994 (vetëm 5 ditë para vdekjes së tij).

Gjatë gjithë këtyre dekadave të veprimit për liri, Ahmeti kultivoi vlera sublime njerëzore e kombëtare, politike e morale, të cilat e bëjnë shembull të atdhedashurisë dhe sakrificës për liri. Ai jetoi, veproi dhe vdiq pa bërë tregti me parimet, shpirtin dhe idealin e vet.
Ahmet Haxhiu një jetë dhe pasuri që pati ua kushtoi, popullit, atdheut dhe lirisë së tij. Nuk janë të shpeshtë shembujt e një përkushtimi kaq të gjatë dhe konsekuent çlirimtar, si ky i heroit, Ahmet Haxhiu. Virtytet e personalitetit të tij, përbëjnë një thesar edukimi patriotik dhe politik të brezave të sotëm dhe të ardhshëm të kombit tonë.
_________________
Literatura:
1. Stefan Karastojanov “Kosova” (një analizë gjeopolitike), Serembe, Shkup,2007, f.162
2. Vetëm në të ashtuquajturin “Aksion i armëve” në dimrin e viteve 1955-1956, u torturuan mbi 30.000 shqiptarë, prej të cilëve rreth 1.000 vdiqën nga pasojat e saj.
3. Programi i LRBSH, 1963, Dr. Hakif Bajrami: “Dosja Demaçi”, Brezi 81, Prishtinë, 2003., f. 100
4. Kadri Halimi, “Shkëndijë e lirisë”, Prishtinë, 1995, f.6 dhe 29
5. Po aty
6. Ibish Neziri, “Ahmet Haxhiu, korife i Lëvizjes Ilegale,” www.radiokosovaelire.com , 6 korrik 2015
7. Dr. Hakif Bajrami, “Dosja Demaçi”, Brezi 81, Prishtnë 2003, f. 88
8. Po aty, f. 86
9. Marenglen Verli “Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës 1970-1990”, Dituria, Tiranë, 1994, f.6
10. Mehmet Hajrizi, “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, Toena, Tiranë, 2008
11. Rexhep Qosja “Pa demonstratat e 81-shit nuk do të ishim këtu ku jemi sot”, Intervistë tek “Epoka e Re”, 4 maj 2006, f.10
12. “Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë”, “8 Nëntori”, Tiranë, 1981
13. Mehmet Hajrizi, “Lëvizja Kombëtare e Kosovës dhe demonstratat e vitit 1981”, Kumtesë në Simpoziumin shkencor të Institutit të Historisë dhe Departamentit të Historisë të Fakultetit Filozofik: “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë” Prishtinë, më 25 mars 2011
14. Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë, Rilindja, 1981, f. 42
15. Mehmet Hajrizi, Ismail Kastrati, Bajram Shatri “Këshilli Qendror për Financim i Kosovës”, Libri Shkollor, Prishtinë, 2007.

………………………………….

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura