PËLLUMB GORICA: MBRËMJA E DASHURISË QË PUTHET VEÇ ME METAFORA

Tiranë, 07. 12. 2015: Agim Bajrami është një ndër poetët me profilin më të spikatur këto vitet e fundit në poezinë tonë. Një mjeshtër i vargut, i vlersuar nga kritika e mirfilltë letrare, por edhe i nderuar me dhjetra çmime në manifestimet poetike në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë. Poezia e Agim Bajramit është e natyrshme, njerëzore, e sinqertë, e ngjizur me një dashuri që mundohet të rrokë gjithçka. Dhe kjo shprehet thjeshtë, me një varg të shkëlqyer, pa sforcime e deklaratizma, ashtu siç është vetë Agimi, i shtruar e i qetë si valle çame, i butë si myshku i drunjve të Gramshit, valëzues si bregdeti jonian dhe ëndërrues si një djalosh prej Cërriku. Agim Bajrami i shkrirë me poezinë, herë duke bashkëbiseduar me dashurinë, dhe herë duke u grindur me të, herë duke u ndalur për të thithur fllad deti, e herë duke ndalur vështrimin në mëngjeset plot diell, ata ecin bashkë pa u lodhur për të rrokur maja të tjera.
Kështu mund të thuash me plot gojë edhe për vëllimin poetik të Agim Bajramit,“Mbrëmje të puthura”,një titull mjaft metaforik e i goditur, se mbrëmja nuk puthet lehtë, jo vetëm se është tepër fluide, por se shpesh herë e pjek figuracionin e tij poetik në një terren me shtrirje të madhe gjeografike.
Tematika e larmishme jo vetëm krijon hapsira për ta mbushur poezinë me një frymarrje të gjerë, por edhe për të pulsuar jetë e njerëzillëk në të, si punëtori e cigani, ashtu edhe varri i një të persekutuari, si dallga e butë e Shkumbinit, ashtu edhe emigranti e kënga e përmallshme e kumurisë së Elbasanit, si studenti me leksione nën sqetull ashtu edhe e krijuesit artist.

Poeti Agim Bajrami, nuk stonon as nga kërcënimet e vështirësitë, por ama preket thellë nga urrejtja e pavend dhe pasinqeriteti. Kështu me vështrim të sigurtë përpara, ai ndjen domosdoshmëri jetike dhe të kaluarën ,lashtësinë në udhën e tij poetike, ndaj shkruan: “ Unë kupën plot me diell e mbusha/ Dhe pi një gllëngë me lashtësi”. arrin ta shqiptoje ate kryeide lirike, qe shtegtoi.
Vargu i Agimit rrok serbes tokën dhe detin, ledhaton gruan e paputhur dhe vjeshtën e rënduar nga frutat, këndon në tavolina gëzimesh me miqtë, e cicëron me dallëndyshen në shtëpinë e vjetër edhe kur i këndon Çamërisë së pafat me copëza frymore:“Folmë pra, moj e uruar/ Ç’të zunë sytë asaj ane?”
Ditën e verës, festën popullore të elbasansve, ai e bën të këndshme më një gjetje të veçantë, i shqetsuar, dhe s’kupton se ku i humbi mëngjezi, por shpejt e gjen dhe e jep versionin e tij poetik:“Siç duket e ka thirrë në zyrë kuzhinieri/ T’ju bëjë nga një tavë ballokumi “.
Nganjëherë poezia duket sikur është deklarative dhe do të shprehë një sfidë ndaj jetës kryeneçe, por kjo thyhet shpejt nga uni poetik që është i shkrirë në gjithçka që ka jetë, dhe që është njerëzisht e pashmangshme. Edhe kur kallëzon padrejtësinë e një shtetari, edhe kur ndez kalimthi një cigare në udhë e sipër, edhe kur i merret goja t’i shfaqë dashurinë vajzës që do, edhe kur ulet në tryezë e pi një dopio raki me shokët, ai reflekton sinqeritet dhe rrezaton dashuri jete. Shumë e vret atë mungesa e sinqeritetit të shokut: “Më vratë mëngjeset /me nënqeshjen e ngrirë”.
Poezia e Agim Bajramit është si era dhe të përkëdhel në shpirt, ndaj ai nuk e harron mësuesin e tij të parë, por preket edhe “për një gjethë shelgu që vdes në fund të ujit”, drithërohet nga “fëshfërima e pishave të Gjinarit”ashtu siç bëhet melankolik kur kujton”muret e avllisë së vjetër”, i vjen keq edhe “për intelektualin që u persekutua” ashtu siç “përmallohet edhe për gjolin e shteruar”.
Ndjeshmëria është filli i artë i gjithë vëllimit poetik “Mbrëmje të puthura”. Poezi që gurgullojnë nga thellësia e burimit shpirtëror të ndenjave me plot frymëzim. Është meritë e autorit që krijon situata poetike të pëlqyeshme dhe të ndjeshme, në tematikë, në stil dhe në rritjen artistike. Poeti nga njëra anë me bukurinë shpirtërore krijuese, që në çdo varg është shpirti i tij, përcjell aq emocione, e lexohet rrjedhshëm me një popullaritet mendimi plot jetë e gëzim.
Nuk duhet të harrojmë asnjëherë, se poetët janë misionarë të ëmbëlsisë shpirtërore. Ata krijojnë poezi, në të cilat e paraqesin edhe portretin krijues, shpirtëror e jetësor të poetëve, paraqesin rolin e tyre. Agimi skalit si në shkëmb, vargje shpirti, të denja që u kushtohen krijuesve të fjalëve të shpirtit, poeteve. Të bukura, me frymë origjinale janë poezitë që u kushtohen: Naimit, Agollit, Kadaresë, apo poetëve fierakë te vdekur aksidentalisht ,ashtu edhe ata që u persekutuan nga diktatura e egër komuniste. Agimi nuk bën portrete të thata, por me intuitën poetike, ndjeshmërinë ndaj së bukurës shpalos mozaikun shumëngjyrësh përmes figurash dhe krahasimeve. Ndaj edhe kur e mbyt mallëngjimi hesht, mendon e mes mallit shkruan: “ka heshtur pena mbi fletore”dhe mundohet të gjejë forca për të bërë diçka për ta, të paktën t’u hedhë një tufë vargjesh si tufë lulesh.
Agim Bajrami penën e mban të mprehur, gjoksin e mbush me dashuri, thith frymëzim nga gjithçka njerëzore, dhe ashtu vrapon në garë me kohën, s’ka asnjë çast për të humbur, dhe mundohet të sfidojë gjithçka, ashtu siç përcjell mesazhin e madh me vargjet:“ Se koha rend si pa kuptuar/ Dhe mosha vetë si tren vrapon”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura