ILIRIANA SULKUQI: ZHGËNJIM, PËR NJË DEKORATË!?…

Nju Jork, 29. 01. 2016: (Vetëm për ata, ata që kanë kohë, dëshirë dhe mirëkuptim, për të lexuar) – Mund të jem e gabuar në mendimin tim, miq të dashur. Në qofsha, do t’ju kërkoj falje! Së pari: Ju Falenderoj që me leximin tuaj për Dr. Prof. Betim Muço, bëtë një Homazh – Kujtese! Së dyti: Kini durim dhe mirësi të lexoni sa më poshtë! – Faleminderit!:
E vërteta e një propozimi…
Filloi dhe vazhdoi aty dhe atje, në Filadelfia, te “Bijtë e Shqipes”, te të përkushtuarit, që në krijimin e kësaj Shoqate Atdhetare mirëfilli të vërtetë, pa interesa vetiake: Llazar Vero, Vlash Fili…etj. Atje, ku, fëmijët shkollohen shqip; atje, ku Biblioteka “Anastas Dodi” është prona legjitime e lexuesve të autorëve shqiptarë; atje, ku kujtohen, ditë e pas dite, vlerat gjithëkulturore të Kombit tonë; ku janë të pranishëm autorë (ose jo), me botimet e tyre, si Kulla (Pëllumb), Myrtaj(Faruk), Gjoza (Roland), Traboini (Kolec), Hyzoti (Vaid), Gjini (Ramiz), Luzaj (Isuf dhe Dalan), Mëlyshi (Albana), Marku (Elinda), Jaku (Pjetër), Moisiu(Rajmonda), Pajo (Fation),… të gjithë, të gjithë… këndej dhe andej; aty, ku Festa e Përvjetorëve të ditëlindjeve (je apo nuk je në këtë Botë), festohen tradicionalishte bukur, që nga fjala deri te “stomaku”; aty, atje, ku çdokush është i mirëpritur, bujarisht dhe ekskluzivisht…

– Prof. Dr. Betim Muço –

Pra, aty dhe atje filloi “Odisea” e një Propozimi për Dr. Prof. Betim Muço. Në përkujtimoren e gjashtëmujorit të ikjes së tij, ku të gjithë sa ishim, firmosëm një Lutje: Të bëhej “NDERI I KOMBIT”. Sapo vumë një firmë, na u lehtësua Dhimbja… Firmat u pasuan me Firma, anë e kand globit, ku jetojnë miq, kolegë, shkrimtarë dhe artistë, intelektualë të të gjitha profesioneve, lexues dhe dashamirës të njerëzve me vlera, (bashkëkohës apo të rinj)…, aq sa “lista” e firmave u bë sa një “çarçaf”, pa limit metrazhi…( sa çdo “deputet”, do ta kishte zili, po ta përkthente në vota).
Nejse!
Që ta dini mirë, kjo “listë”, bashkëngjitur me veprimtarinë e Gjithëjetshme Prof. Dr.Betim Muço (edhe me shumë “yçkla” e “pyçkla” burokratike), u dërgua në Presidencën e Vendit tonë, pra në Shqipëri. Sa shumë formalitete për t’i thënë “Prindit”-Qeveri: Ky është Biri yt!(!!!) (Një apo dy “skuadra” me nëpunës, nuk i mjaftojnë Qeverisë, për të ditur pakëz për emra të përveçëm të “Sofrës” së tij Kombëtare!!!).
Por nuk mbaron këtu…
U deshën muaj e muaj, që, më në fund, më 21 Janar (Ditën e lindjes, Dr. Prof. Betim Muço (pas vdekjes), të “meritojë” Titullin”Mjeshtër i Madh”…
Më thoni, ju lutem, cili vend në botë, i jep një shkencëtari të përmasave Kombëtare dhe Ndërkontinentale, Titullin “Mjeshtër……”?
Mos vallë, kanë vlerësuar vetëm fjalën e latuar të tij si poet, shkrimtar, përkthyes…?, që nuk ishte profesioni i tij, por dëshirë, talent dhe domosdoshmëri frymore.. Mos vallë, paragjykimet, na lenë të mos vlerësojmë të Vërtetën e Madhe të një Njeriut të Madh?!!! (Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm me Betimin…,por edhe me shumë personalitete të tjera shumëdimensionalë në kohë dhe hapësirë… Herë tjetër, rrëfej për emra të përveçëm).
Profesioni i parë dhe deri në frymën e fundit, Dr. Prof. Betim Muço ishte Shkencëtari (sizmiolog, fizikant..), unikali në gjenezën shqiptare dhe i shumëvlerësuari nga çdo Institut Shkencor i Globit. “Shqipëria nuk e di se çfarë ka humbur…”!?- është shprehur një nga kolegët e tij amerikanë…
Miq të dashur, lexues të hershëm dhe të sotëm, po t’ua përcjell Jetëshkrimin e plotë të Prof.Dr. prof. Betim Muço, ku më shumë se 20 faqe format e bëjnë jetën e tij prej Shkencëtari – Shqiptar për Shqipërinë, Shqiptari shkencëtar për Botën (sikur të kish jetuar 300 e ca vjet…).
Në këtë flurudhë të shkurtër Jete, Betimi ynë jetoi: Jetë paralele, me kullme barazlartësie: shkencëtar, poet, përkthyes, botues… me Aureolën mbështjellëse – Njeri.
Lexues i nderuar, sa kam shkruar më sipër, nuk ishin emocionale. As ata dhe ato, që firmosën, nuk u nisën nga emocionet e rastit… Të gjithë ishim saktësisht të ndërgjegjshëm, në atë që kërkonim dhe shpresonim të miratohej nga “kryefamiljari” i Kombit tonë.
Do të vijë një ditë, kur brezat, më të ditur dhe pa komplekse, si ne, do t’i studiojnë personalitetet e Kombit tonë, do të “rrëmojnë’ nëpër arkiva, do të rivlerësojnë Figura, që në Heshtje bënë Kombin e tyre. Ndërsa tani mbetet: Turp për ne!
Faleminderit, të gjithëve ju, që patët durim të më lexoni!
Nju Jork, 29 Janar 2016

……………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura