TAFIL DURAKU: TALLJE ME TUREÇKË!

 Burojë, 03. 02. 2016: Tallje e madhe, me tureçkë, u bë me ne shqiptarët, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur, për t’u tallur mirë me shqiptarët duhej mbledhur armët e tyre dhe atij aksioni i priu Fadil Hoxha&Co, i cili, i priu edhe aksionit tjetër famëkeq për mbledhjen e drithërave të bukës, dhe, për ta bërë talljen tjetër të radhës, me tureçkë jugosllave e shqiptaro-titiste, i përndoqi dhe i burgosi të gjithë shqipo-shqiptarët, për t’i detyruar shqiptarët që të nënshtrohen, poshtërohen e dorëzohen pa kushte. Krimi i organizuar jugosllav e shqiptaro-titist u bë vetëm kundër shqipo-shqiptarëve, kudo që ata jetojnë në trojet e veta gjeoautoktone, por, çudia është se këto dukuri të shëmtuara çnjerëzore dhe antishqiptare nuk ndodhën me popujt e tjerë të Jugosllavisë pushtuese e gjenocidale.
Kjo nismë për talljen me tureçkë të shqiptarëve e kishte fillin dhe burimin e saj tek “komunistët” shqiptaro-titistë, tash, “demokratë” dhe kjo ishte një nismë famëkeqe antishqiptare, për të cilët, krahas bukës së gojës, kishte vlerë të madhe edhe arma, për t’u mbrojtur nga pushtuesit fashistë serbomëdhenj e jugosllavomëdhenj, grekomëdhenj e bullgaromëdhenj, malazezomëdhenj etj. (që të gjithë: fashistomëdhenj dhe antishqiptarë të thekur, si shqiptaro-titistët LDK-istë tash)!…
Siç e sajuan “komunistët” shqiptaro-titistë të Fadil Hoxhës aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve shqiptarëve dhe përndjekjen sistematike të tyre e të bashkëluftëtarëve të Shaban Palluzhës e Mehmet Gradicës, ata e sajuan edhe aksionin për mbledhjen e drithërave të bukës shqiptarëve (që quheshin “teprica”) Dhe, për të qenë çudia e pakrahasueshme me asnjë kohë, ato aksione u kryen vetëm kundër shqiptarëve në Jugosllavi. Për ta ilustruar këtë po e them vetëm një të vërtetë të madhe, kur babai im, Shabani, që asokohe punonte në Sarajevë (Bosnjë e Hercegovinë), ishte lidhur me kusht (kishin vënë bast) me një kushëririn e vet, Murtezin. Dhe, Murtezi, të cilin e mbaj mend dhe e njoha mirë, thoshte: “Shabani e ka pasë dhe e ka mirë, sepse, aksioni për mbledhjen e armëve dhe për mbledhjen e tepricave të drithit ka ndodhur vetëm kundër shqiptarëve, nën pushtimin Jugosllav!” Po, ku do tjetër argument njeriu, për ta parë talljen me tureçkë të shqiptaro-titistëve fadihoxhistë në kurriz të shqiptarëve?… 

Më kujtohet axha Murat, një kushëri tjetër i yni, kur thoshte: “Mixhën Haxhi e pështoi një ëndërr, se mixha Haxhi i mençëm, se, pasha mixhën, na kanë rrehë si gjanë e gjallë! Vallahi, më k’cejshin bothtë gjysmë metre mbi tavolinë kur me binin (goditnin) me stupc. Na shtinin të vraponim mbasandej rreth “Zadruzhni Domit” (Shtëpisë së Kooperativës), nëpër borë deri n’shokë e kur na shtishin mren’a, prapë, na zdrugavshin dru, e, haj medet çka kemi hjekë!”…
Sipas skenarit udbasho-kosist të shqiptaro-titistëve ibrahimrugovistë (nazmirrahmaninoviçistë e da(m)utdemakuçkoviçistë) tallja me tureçkë filloi me nisjen e FARK-ut për pushtimin e Tiranës, respektivisht, forcat ushtarake të Ibrahim Rugovës dhe të Bujar Bukoshit, të majmura për ato qëllime dhe të cytura nga Beogradi, u nisën për të bërë grushtshtet në Tiranë, për ta pushtuar Tiranën shqiptare aleati i tyre, Dr. Sali Berisha-Fazlliç!… Dhe, të mos harrojmë se talljes me tureçkë kundër shqiptarëve dhe kundër UÇK-së i priu LDK-ja e Dr. Ibrahim Rugovës dhe vetë Ibrahim Rugova, i cili ishte nismëtari i aksionit të mbledhjes së armëve UÇK-së, nismëtari i përzënies së luftëtarëve të vërtetë shqiptarë nga vendet e tyre të punës (alias aksionit për dorëzimin e shqiptarëve) dhe nismëtar i ndjekjes dhe persekutimit të luftëtarëve veteranë të UÇK-së deri te burgojsa e tyre dhe për ta bërë talljen tamam me tureçkë inicoi edhe burgosjen dhe persekutimin e njerëzve të shtabit të UÇK-së, duke fabrikuar edhe “dëshmitarë të mbrojtur” të partisë së tij antishqiptare, me orientim serbo-jugosllav!…
Sipas asaj që informuan mediat, për qëllime të Gjykatës Spëciale kanë tubuar mbi 400 “dëshmitarë të mbrojtur”, të cilët i kanë rehatuar anekënd globit! A ka turp dhe marre më të madhe!? A ka tallje më të madhe, me tureçkë shqiptaro-titiste e serbo-jugosllave? Po të ishin vetëm 4 “dëshimtarë të mbrojtur” do ishte turp i madh për ne shqiptarët, por, ja që janë të sojit shqiptaro-titist, po edhe kjo na qet mjaftueshëm hije të zezë kombëtare…
Krejt natyrshëm, talljes me tureçkë kundër shqiptarëve gjithandej i priu udbasho-kosizmi shqiptaro-titist, ibrahimrugovist, i cili e futi tureçkën në Tiranë dhe u tallën me feçkë e me tureçkë gjithandej me shqiptarët, duke bërë për vete krejt çka u shkoi për dorë e krejt çka u shkoi në mendje, në emër të “shqiptarizmës” e të “bashkimit kombëtar”. Se udbasho-kosizmi i kishte shtrirë rrënjët e veta herët në Tiranë, nuk ka pasur as ka ndonjë dyshim, sepse, të gjithë UDB-ashët dhe KOS-istët “shqiptarë” të sistemit antishqiptar jugosllav shkonin në Tiranë dhe ktheheshin prej andej pa asnjë therrë në këmbë, e, madje, nuk e kursenin veten të “shisnin” as “patriotizëm”, as “shqiptarizëm” dhe populli i shkretë u besonte dokrrave të tyre me përulësi.
Dhe, tallja, përtallja e gjithëtallja me tureçkë në kurriz të shqiptarëve nisi gjithandej ku jetojnë shqiptarët dhe preku të gjitha shtyllat shoqërore të Shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve si qytetarë, në të gjitha trevat tona gjeoautoktone. Faji për këtë tallje me tureçkë, u përket shqipatro-titistëve LDK-istë të “Presidentit historik” të “Republikës së Kosovës”, Dr. Ibrahim Rugova dhe bandave “demokratike” të Sali Berishës andej kufirit që, fatkeqësisht, edhe sot ndanë shqiptarët. Dhe, nuk i besojmë asnjë versioni tjetër (në këtë pikëpamje) veçse atij se po të mos ishin shqiptaro-titistët fadilhoxhistë, Tirana shqiptare do të sillej me shqiptarët, me qytetarët e devotshëm të saj shqiptarë, siç u soll e siç po sillet tash e dy dekada e gjysmë, siç po tallet e po përtallet me tureçkë me ta dhe po njësoj nuk do të talleshin e përtalleshin me tureçkë në kurriz të shqiptarëve të gjithë ata “prijës” e “atdhetarë” të mëdhenj, kudo ku jetojnë shqiptarët. Tallja e tyre me tureçkë, fatkeqësisht, i ka prekur të gjitha shtyllat bazë të shoqërisë shqiptare, gjithandej shtrirjes së saj gjeoautoktone.
Sjellja e kësisojshme e tyre (e pushtetarëve), e talljes me tureçkë me shqiptarët kudo, ka prekur të gjitha shtyllat e Kombit dhe të Shtetit Shqiptar dhe kjo është e keqja kulmore prej të cilës duhet të dalim pa humbur kohë, prej të cilës duhet të heqin dorë ata që e kanë marrë votën e qytetarit të shumëlajthitur shqiptar. Kjo është e tëra. Vetëm të barabartë para Kushtetutës Shqiptare dhe para ligjeve, ecim drejt dhe të palëkundur, sikurse të gjithë popujt e Evropës e të botës demokratike. Po, si mund të arrihet kjo? Si mund të zbatohet një drejtësi e tillë unikate në tërë rruzullimin?… Fare lehtë, vetëm me një vullnet njerëzor e kombëtar: Të barabartë para ligjit, duke filluar prej bariut në tëbane (që është më i fismi qytetar) e deri të kryetari i shtetit!…
Tallja me tureçkë po vijon pa të keq tash e gati tri dekada. Dhe, më të këqijat tallje me tureçkë u bënë me “reformat” në Politikë, në Ushtri, në Polici, në Drejtësi, në Arsim, në Ekonomi, në Privatizim, në Shëndetësi, me pronat, në …, si në Prishtinë, si në Tiranë, si në Shkup, si në Podgoricë. Deputetët dhe komisionet përkatëse të të dy kuvendeve “shqiptare”, më shumë janë të interesuar të përpilojnë e të miratojnë ligje (diskriminuese) që mbrojnë interesat e tyre personale e korruptive, sesa interesat e Kombit e të Shtetit Shqiptar, sesa interesat e qytetarëve me të cilët po tallen me tureçkë plot një shekull e shkuar shekullit, vetëm në këtë fillimshekull të “ri”!…
Dhe, për të qenë të sinqertë, skajshmërisht të sinqertë, duhet ta themi të vërtetën se teatri i kësaj talljeje me tureçkë me shqiptarët ka një emër të përbashkët: LDK e Dr. Ibrahim Rugovës në Prishtinë dhe PD e Sali Berishës në Tiranë, me të gjitha simotrat e tyre në Shkup, në Preshevë, në Podgoricë e gjetkë, ku jetojnë shqiptarët! Artistët e komunizmit jugosllav e shqiptaro-titist vetëm po i ndërrojnë rolet sipas të gjitha marrëveshjeve të fshehta antishqiptare, si pasojë e të cilave po pësojnë shqiptarët dhe Shqipëria.
Jorendi do t’i fusë të tjerët në “rendin” e vet, duke i kushtëzuar dhe blerë, prandaj zgjatë loja dhe “tranzicioni”! Dhe, vazhdojmë të kemi edhe sot:
– Tallje me tureçkë “patriotike”
– Tallje me tureçkë “kombëtare”
– Tallje me tureçkë “kulturore”
– Tallje me tureçkë “politike”
– Tallje me tureçkë “diplomatike”
– Tallje me tureçke “partiake” e “demokratike”
– Tallje me tureçkë “ushtarake”
– Tallje me tureçkë “gjyqësore” e “juridike”
– Tallje me tureçkë “akademike”-“shkencore”
– Tallje me tureçkë “shkollore-universitare”
– Tallje me tureçkë “ekonomike”
– Tallje me tureçkë “financiare”
– Tallje me tureçkë “administrative”
– Tallje me tureçkë “sportive” dhe “muzikore”
– Tallje me tureçkë të përjetshme “tranzicioni”
– Tallje me tureçkë “republikash shqiptare”
– Tallje me tureçkë “institucionaliste”
– Tallje me tureçkë “teatrale”,
– Tallje me tureçkë “reformiste”
– Tallje me tureçkë “konfidenciale”, etj,
Për ta arritur kulmin e talljes me tureçkë me shqiptarët, pas të gjitha talljeve e përtalljeve me tureçkë të shqiptarëve në shekuj, pos rehabilitimit të të gjithë tradhtarëve u bë edhe një propozim marroç e bizar për ngritjen e kinse një shtatoreje për “Presidentin historik” të “Republikës së Kosovës”, Dr. Ibrahim Rugovën, në Tiranë! Kjo i kaloi të gjitha parashikimet dhe pritshmëritë e shqiptarëve që luftën për bashkim kombëtar e patën dhe e kanë alfa dhe omega të veprimtarisë së tyre shqipo-shqiptare.
Kjo do thotë se edhe Tirana shqiptare është në krahun e gabuar të historisë shqiptare, në krahun “patriotik” e “shqiptar” të shqiptaro-titistëve fadilhoxhistë e ibrahimrugovistë dhe ky është kulmi i talljes me tureçkë në kurriz të shqiptarëve që të vetmin ideal e patën dhe e kanë bashkimin kombëtar të Kombit e të Shqipërisë Natyrale.
Dhe, diçka tjetër që çuditë mëse shumti është fakti tjetër, se, shqiptaro-titistëve edhe po t’u flasësh është njësoj sikur mos t’u flasësh, edhe kur u flet sikurse nuk u flet, sepse, ata, janë të shurdhër në krye, ngjajshëm me jugosllavët që Xhaxhi Enver Hoxha ua kujtonte se ata nuk kishin vesh të dëgjonin ato që ua thoshte Shqipëria, sikurse nuk kanë veshë shqiptaro-titistët t’i dëgjojnë ato që ua thonë shqiptarët, me shkrimet e tyre tëbanore kombëtare, që janë një mal i tërë emrash për t’u thënë këtu, një mal i tërë lisash që qëndrojnë shqipo-vertikalisht. Dhe, kjo është ana tjetër e shqiptaro-titistëve që e dëshmon mëse miri talljen e tyre me tureçkë në kurriz të shqiptarëve dhe në kurriz të Shqipërisë Shqiptare.
Edhe diçka që duhet thënë këtu, është fakti se marrëdhëniet tona (të shqipo-shqiptarëve) me shqiptaro-titistët kanë qenë dhe janë si ato me pushtuesit jugosllavë (serbë, bullgarë, malazez e grekër), sepse, shqiptaro-titistët i ka paguar Titoja për të lehur kundër Shqipërisë dhe kundër shqiptarëve! Prandaj, shqiptaro-titistëve, nga një vesh ju hyn dhe nga tjetri ju del fjala e sinqertë e shqiptarëve për Shqipërinë. Atyre (shqiptaro-titistëve) u janë errësuar sytë dhe pështjellosur mendja nga lakmia dhe megalomania, prandaj, tallen kështu, me tureçkë, pa pushim, në kurriz të Shqipërisë dhe kundër shqiptarëve të fismë shqipo-shqiptarë.
Po, të gjithë shqiptaro-titistët dhe aleatët e tyre në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Podgoricë, Preshevë e gjetkë, duhet ta kenë parasysh thënien gjeniale të popullit të shumëvuajtur shqiptar, se: “Zullumi këputet prej s’trashi!”… Prandaj, n’daçi qeshmi me feçkë, n’daçi me tureçkë, do t’u vie një fund i turpshëm dhe i palavdishëm!…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura