RUZHDI GASHI: ATDHETARIZMI DHE KRIMINALIZIMI I POLITIKANËVE TANË!

Therandë, 09. 02. 2016: Politikanët tanë, gjatë angazhimit të tyre për çlirimin e Kosovës dhe Shpalljen e Pavarësisë së saj e deri në ditët e sotme, treguan një atdhetarizëm të paparë. Por në mesin e tyre, edhe në ketë rrugëtim sublim, u gjetën element kriminal të cilët, nga etja për pushtet dhe për pasuri, eliminuan politikisht shumë atdhetar si dhe dëmtuan shumë pasurinë dhe ekonomin e Republikës së Kosovës. Dëmi ishte deri në atë masë sa që, Kosova përjetoi shumë plagë dhe zvarritje në shumë procese të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare. Kosova mbeti mbrapa dhe tani radhitet në vendin më të prapambetur dhe me të korruptuar në rajon dhe Evropë.
Shqiptarët e mbetur nën sundimin e Jugosllavisë nga viti 1912, asnjëherë nuk u pajtuan me robërinë. Vazhduan përpjekjet e tyre për çlirim nga Serbia deri me 11 Qershor 1999 dhe Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës me 17 Shkurt 2008.
Në këtë shkrim do të fokusohemi në periudhën nga viti 1990 e deri më sot për faktin se, edhe sot janë në skenë politike shumë politikanë të kësaj periudhe kohore të cilët janë pozicionuar në segmente të ndryshme politike, ekonomike e shtetërore. Këta, përveç meritave për veprime atdhetare, disa prej tyre, kanë edhe mëkate për veprime kriminale dhe si të tillë i kanë shkaktuar e i shkatojnë dëm të madhë Republikës së Kosovës.
***
Viti 1990, ishte koha kur të gjithë shqiptarët e Kosovës, edhe ata që deri atëherë ishin në shërbim të Beogradit, i thanë Jo Serbisë dhe u rreshtuan pas kërkesës për një Kosovë të Pavarur nga Jugosllavia dhe Serbia.

Në këtë përpjekje të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, dolën edhe udhëheqës apo udhëheqje e cila do ti printe popullit në këtë rrugëtim të gjatë me plot sakrifica. Që në fillim të kësaj periudhe, ishin dy koncepte të veprimit për çlirimin e vendit. Ai paqësor dhe ai, i luftës së armatosur. Pas shumë debatesh, në fund dominoi koncepti i politikës paqësore.
Që në këtë kohë, krahas angazhimeve atdhetarë, filluan të përflitej edhe për element kriminal që po i keqpërdorin mjetet financiare publike të grumbulluara për aktivitete kombëtare. U përfol se, janë vjedhë mjete financiare në Radiotelevizionin e Prishtinës dhe Sindikatën e Pavarur, si institucione fillestare të krijuara menjëherë pas ndryshimit me dhunë të Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe fillimit të suspendimit te institucioneve të saj.
Edhe udhëheqja e politikës paqësore, e LDK-së, që në hapat e parë të konsolidimit të saj, filluan të mbledhin financa për mbulimin e shpenzimeve për aktivitetin kombëtar. Brenda në Kosovë u krijua Këshilli për Financim kurse jashtë Kosovës u krijua Fondi i 3%-shit. Këto dy mekanizma financiare u krijuan me qëllim të financimit të institucioneve të Kosovës të krijuara nga udhëheqja e asaj kohe sipas platformës së tyre për çlirimin dhe krijimin e Republikës së Kosovës. U krijuan institucione paralele të shqiptarëve në Kosovë, krahas atij serb që vepronte nën udhëheqjen e Beogradit. Financoheshin Presidenti, Qeveria në egzil, Parlamenti në egzil, segmente të caktuara të pushtetit si arsimi, shëndetësia, kultura, sporti. Ndihmoheshin studentët dhe njerëz në nevojë sociale e shëndetësore.
Edhe në menaxhimin e këtyre fondeve, apo buxhet i Kosovës, i cili mbushej nga mjetet vullnetare të qytetarëve të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, u gjetën persona që, në këtë aktivitet atdhetar, nga etja për para, i keqpërdorën ato dhe në këtë mënyrë u kriminalizuan që në kohën e okupimit. Përflitej se ka pasur abuzime që nga blerja e Shtëpisë së Presidentit të Republikës së Kosovës e deri te Fondi i 3%-shit. Që nga kjo kohë, ende nuk është raportuar, as për Shtëpinë e Presidentit të Kosovës e cila është blerë me mjete publike për Presidentin e Kosovës e as për Fondin e 3%-shit. Flitej se, Shtëpia e Presidentit të Kosovës nuk i është dorëzuar institucioneve të Republikës së Kosovës si aset i saj, qoftë si kapital qoftë si monument historik. Flitej gjithashtu edhe për Fondin e 3%-shit se, është keqmenaxhuar dhe abuzuar, si para dhe gjatë luftës ashtu edhe pas çlirimit të Kosovës. Nuk u raportua dhe nuk u hetua asnjëherë deri më tani, sa para u tubuan, sa u harxhuan, sa mbetën, çka u bë me Dardania Bankë dhe kush i menaxhoi mjetet e mbetura nga pas lufta e deri më sot.
***
Në të njëjtën kohë, krahas luftës së politikës paqësore, në një masë më të vogël, zhvillohej aktiviteti politik i konceptit të luftës së armatosur nga e cila, më vonë u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me kalimin e kohës, morri mbështetje popullore dhe ndërkombëtare dhe udhëhoqi luftën çlirimtare deri në çlirimin e vendit. Edhe aktivistët e konceptit të luftës së armatosur, filluan të mblidhnin mjete financiare vullnetare dhe më vonë u krijua Fondi ‘Vendlindja Thërret’. Edhe institucionet e luftës së armatosur, UÇK dhe Fondi Vendlindja Thërret, i kishin udhëheqësit dhe udhëheqjet e tyre të cilat udhëheqshin luftën, respektivisht Fondet. Edhe pse, forma e luftës së armatosur ishte më komplekse për tu menaxhuar, deri më sot nuk është raportuar asnjëhere sa mjete u tubuan, sa u harxhuan, sa mbetën, si u menaxhuan nga pas lufta e deri më sot dhe nga kush. Edhe ky grupim aktivistësh për çështje kombëtare, bënë shumë punë dhe sakrificë deri në vetëflijim. Në mesin e tyre u gjetën njerëz që abuzuan me njerëz dhe mjete financiare. Këto veprime kriminale e dëmtuan në masë të theksuar luftën dhe proceset pas saj deri në manupulimin me lista të veteranëve të UÇK.
Rezultati i kontributit atdhetar të ardhetarëve dhe të popullit shqiptar nën udhëheqjen e mekanizmave të lartshënuar, si të atyre paqësore ashtu edhe të luftës, të mbështetura nga SHBA, NATO dhe BE, Kosova, në Qershor të vitit 1999 u çlirua dhe në Shkurt të vitit 2008 u shpall Shtet i Pavarur.
***
Pasojat e atdhetarëve me elemente kriminale dhe abuzive, para, gjatë dhe pas luftës janë se, një pjesë prej tyre, u ngritën në skenën politike e institucionale dhe u pasuruan shpejtë dhe në masë të madhe. Me këto dy pozicione të rëndësishme dhe me fuçi politiko-ekonomike, këta individ, eliminuan politikisht shumë njerëz atdhetar, profesionalisht të përgatitur, për të vazhduar konsolidimin dhe forcimin e institucioneve të pavarura të Kosovës. Gjithashtu, duke qenë në pozita të forta ekomomike me pasurim të dyshimtë dhe pozita të larta politike, këta individ të kriminalizuar kanë ndikuar në një formë apo tjetër, edhe në kapjen e shumë segmenteve të pushtetit dhe shtetit të Kosovë. E keqja tjetër ishte se, ky soj i atdhetarëve, ishte i pa shkolluar dhe i mungonte përgatitja profesionale për kryerjen e punëve konkrete në organe të pushtetit dhe shtetit. Këta keqbërës, shkojnë edhe më tej, duke blerë diploma, fillimisht nëpër fakultete publike e më vonë, në mënyre masive, në fakultete private.
Ky grupim i atdhetarëve të kriminalizuar, me sjelljet e tyre, para, gjatë dhe pas luftës, me injorancën, me kapjen e shtetit, me plaçkitjen e pasurisë së Kosovës, me privatizimin e keq të pronës shoqërore, me menaxhimin e keq të kompanive publike, me ndarjen e padrejtë të pasurisë dhe buxhetit të shtetit, e lanë Kosovën në gjendje të rëndë ekonomike, krizë sociale e politike, izolim nga bota e deri te humbja e shpresës tek qytetarë për të jetuar në Kosovë. Me këtë gjendje të keqe, Kosova përjetoi zvarritje në shumë procese kombëtare, rajonale e euroatlantike.
Kjo kategori e atdhetarëve të korruptuar dhe të kriminalizuar, vazhdon të jetë e rrezikshme edhe sot. Ata jo vetëm se nuk janë larguar dhe dënuar, por ata vazhdojnë të jenë ende në pozita të larta politike e ekonomike. E keqja e radhës edhe më e madhe është se, ky soj politikanësh, pretendon që të mbetet në pushtet edhe më tej, për të vazhduar me avazin e vjetër, me përpjekje që, për këto dështime dhe zvarritje të proceseve, ti fajësojnë qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, deri edhe miqtë tanë, SHBA.
Në mesin e popullit është folur dhe flitet vazhdimisht duke kritikuar, apo vetkritikuar se, ne jemi popull i keq, ne jemi hajna, ne nuk dimë të çlirohemi dhe të krijojmë shtet, se hajnin e kemi zakon e në gjene, e kështu me radhë duke e fajësuar veten si popull dhe duke e shpallur popullin kriminel si kolektiv. Ky konstatim popullit i bëhet nga inati dhe mllefi. Kjo sjellje e jona vazhdon ende, edhe pse me një masë më të vogël, dhe i konvenon vetëm atdhetarëve te kriminalizuar.
Krimi dhe krimineli kanë emërtim dhe emër konkret dhe si të tillë dënohen qoftë penalisht qoftë moralisht e politikisht.
Ka ardhur koha që, qytetarët e Republikës së Kosovës të heqin dorë nga kritika apo vetë kritika kolektive që, në një formë apo në një tjetër, popullit shqiptarë po i vejmë në barrë si kolektivitet, një krim apo hajni të cilën e kanë bërë disa individ të kriminalizuar.
Ka ardhur koha që, ne si qytetarë të Republikës së Kosovës, të fillojmë të bëjmë identifikimin dhe emërimin e krimit me emërtim të saktë edhe individualizimin e kriminelëve me emër e mbiemër, me qëllim që, të vazhdohen procedurat e mëtejme të dënimit të tyre qoftë nga organet e drejtësisë apo ti japim dënimin moralo-politik.
Në këtë mënyrë ti tregojmë këtyre atdhetarëve të kriminalizuar se, populli shqiptarë në gjithë historinë e tij ka ditur të dalloj kush është mik e kush është armik i tij, kush është ai që e ndihmon e kush është ai që e dëmton popullin dhe atdheun.
Ka ardhur koha që, atdhetarët e kriminalizuar të marrin dënimin e merituar kurse atdhetarët e vërtetë të zënë vendin e merituar.

– Ruzhdi Gashi është Avokat.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura