Prishtinë, 29. 02. 2016: (Refleksione për librin ”Kompasi moral i politikës mashtruese” të autorit dhe publicistit Argjend Hasani-LLASHTICA) – Libri më i ri i autorit dhe publicistit Argjend Hasani-Llashtica është një reflektim dhe shqyrtim teorik krejt ndryshe nga modelet që jemi mësuar t’i dëgjojmë dhe praktikojmë në terenin e sotëm politik shqiptar, ku përmes argumentesh solide ngrihet zëri kritik ndaj veprimeve kaotike dhe sociologjike të strukturave udhëheqëse ( pa kursyer asnjë palë) siq jane: Korrupsioni, mitoja, instrumentalizimi, keqmenagjimi, imponimi, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, degradimi i figurave të luftës, dhuna dhe kercënimi publik, moskomunikimi publik dhe jotransparenca, të cilat sipas autorit janë tregues të një demokracie të brishtë dhe të pakonsoliduar dhe jashtë konceptit real të politikes kosovare, të cilat veprime na sjellin deri në stadin e arrogancës politike. Kryetemë e gjithë kësaj sipas autorit është ”Rezultimi me mashtrim dhe shfrytëzim qytetar’’. Këtu qëndron edhe epiqendra e analizës së autorit Argjend Hasani-Llashtica, i cili përmes metodës hulumtuese, krahasimtare, statistikore si dhe literaturës, informacionit elektronik dhe shqyrtimit shkencor të lexuar dhe të përpunuar mirë, reflekton para lexuesit me një mesazh ndryshe nga autorët e tjerë të cilet duke ndjekur ‘’Vijën e mesme’’ analizojnë dhe kritikojnë keto fenomene por në mënyrë periferike dhe telegrafike.
Kryetemë që zë vend në këtë libër është edhe fenomeni i nepotizmit ku këtu takohen subjektet politike në shkallë vendi. Të gjithë këta faktor sipas autorit marrin tërësinë e tyre në tematikën e absurdeve shoqërore, këto jane shkaqe dhe pasoja (sipas autorit) që na largojnë nga realiteti dhe qasja drejtë politikave të BE-së dhe integrimeve, qofte ato ekonomike, kulturore emancipuese, të standardeve moderne që kërkon Evropa e mileniumit të trëtë. Në këtë libër vihet një theks i veqantë standardit të keq socio-ekonomik, si gjendja e rëndë e të moshuarve, pensionistëve, familjeve me asistencë sociale, si dhe mos shpërndarjes adekuate të resurseve kombëtare, struktures gjinore, ku të gjitha këto dukuri sjellin deri tek krizat sociale, duke filluar nga pakënaqësia e deri tek vetëvrasja e shumë personave si pasojë e mungesës së perspektivës për jetë. Aspak më mirë sipas autorit nuk mbetet as gjendja sigurisë së gazetarëve dhe fenomeni i rrezikshëm i fundamendalizmit fetar si dhe tendencave teo-kreatike dhe ideologjizmave të rinj jashta traditës dhe mentalitetit shqiptar. Të gjithë këta faktor autorin e shtyjnë te mendoj dhe të nxjerr një konkluzion se politikanët e trajtojnë dhe shfrytëzojnë politiken si mjet për arritjen e qëllimeve për pasurim dhe autoritet, dhe për ta: “Politika është biznes’’ e jo ndonjë ideal i lartë për të mirën e kombit, se synimi kryesor i tyre është metoda makiaveliste. Sipas autorit këtë situatë e kanë sjellë deri tek kolapsi edhe në arsim dhe universitete ku nxjerrja e kuadrove inerte – pa shpirtë, do ketë pasoja per brezat e ardhshëm. Kjo është situate e status-quo, sipas autorit ku mbi qdo interes kolektiv, kombëtar qëndron ai interesi personal që dërgon në vetë-përbuzje, degradim, mosintegrim dhe vetëshkatërrim kolektiv dhe dezintegrim. Ky libër në shikim të parë duket si një‘’utopi kritike’’ por në fakt në vete përmban disa esenca e realitete të përjetuara të ushtrimit të politikave obskurantiste si në aspektin kolektiv, ekonomik, etnik, kulturor, diplomatik, civilizues dhe jo integrues të cilat fenomene me gjithë dorën e zgjatur të Bashkësise Ndërkombëtare, tabanin tonë politik dhe diplomatik e hendekëzojnë, margjinalizojnë, dezintegrojnë për ta shndërruar edhe elementin politik dhe diplomatik shqiptar në një ,,violinë të dytë ‘’para syve të Botës dhe Ballkanit i cili edhe pse me hapa të qalë, prapë se prapë nuk ngec mbrapa në integrimet e tyre Europiane.
Ky është mbërthimi politik, moral dhe ideologjik që lëkundet mes lindjes dhe perëndimit te cilën autori Argjend Hasani-Llashtica me gjithe hulumtimet e tij, ende se ka gjetur në aureolën politike të pasluftës. Autori ngre zërin e kritikës dhe nuk pajtohet me fenomenin e eksperimentimit me masat dhe fatet njerëzore. Këtë se lejon sipas tij sakrifica dhe gjaku i derdhur ndër shekuj i martirëve dhe iluministëve shqiptarë që edhe në rrethana të jashtëzakonshme u munduan të krijonin shtet dhe komb të integruar shqiptar sidomos në fazën e Rilindjes Kombëtare. Këtë tjetërsim moral,politik dhe vetëmashtrimit ideologjik autori e pandeh si shkakun kryesor të këtyre stagnimeve integruese tek elementi politik kosovar, ku e përkohshmja e dominon vizionin dhe egoizmin , altruizmin kolektiv, ku të gjitha këto të mbledhura së bashku prapë na dërgojnë tek “portat e vjetra” të diplomacisë dhe kancelarive që dinë të demtojnë fate etnike shpesh edhe me fajin tonë.
Si përkufizim mund të konstatojmë se ky libër paraqet një kronikë të një ecje kolektive të një shoqërie e cila e ngërthyer në antagonizmat e një historie të regresit dhe hedhjes përtokë të vlerave morale e kombëtare dhe zatën mu për këtë ka mbetur në gjendjen status-quo, prandaj autori kërkon që këto antagonizma të lëshojnë rrugën e zhvillimit dhe prosperimit shoqëror , ekonomik dhe politik .
Ecja e kësaj shoqërie rrezikohet pikërisht nga këto dukuri si pasojë e kapërcimit të kufirit të kompasit moral nga politikat mashtruese të përfaqësuesve politik dhe publik në vend. Prandaj kjo pasqyrë e librit është një rubikon të cilin duhet kaluar për hirë të zhvillimeve pozitive dhe brezave në pritje të orientimeve për zhvillim ekonomik dhe shoqëror .