EJUP AJDINI: TREGTARËT POLITIK SHQIPTARË DHE KRYQOMANIA MADEDONASE

Tetovë, 09. 03. 2016: Ju zotëri të politikës në Maqedoni, më vjen keq që sot shkruaj në emër të të gjithë politikanëve shqiptarë dhe atyre maqedonas në tërësi, pasi te të dyja palët ka ndonjë përjashtim që nuk i meritojnë këto epitete, por marrë në përgjithësi, ky është problemi thelbësor që Maqedoninë e kanë lënë për 25 vjet në tran(s)zicion dhe gjendja e jonë vazhdimisht po keqësohet, në të gjitha fushat e jetës. Ajo nuk jep fare shpresa për ndonjë përmirësim të ri, apo për reforma të reja. Tranzicioni plotësisht e ka humbur kuptimin e vet!
Standardi jetësor e ka prekur nivelin më të ulët ekstrem (përveç pushtetarëve hajdutë), vuajtje, tmerre, vrasje pa nam e nishan, burgosje të dyshimta, nepotizëm të skajshëm! Gjithçka shikohet përmes tenderimeve. Njerëzit e dijes janë strukur në heshtje që të mos i gjejë edhe më e keqja. Viteve të fundit kanë ikur afër 100 mijë të rinj shqiptarë në botën perëndimore, sepse u thyen me shpatë shpresat e tyre. Pollogu po helmohet nga Jugohromi! Nëpër byrotë e punësimit (rolin e të cilave e kanë marrë zyrat e partive politike) presin punë me mijëra e mijëra njerëz, edhe atë, me dekada të tëra. Spitalet janë kriminalizuar në të shumtën e vendeve, përveç atij të Shkupit, që ende po e ruan kodin etik dhe funksionon në shërbim real të mundshëm me masat popullore në nevojë. Në disa qytete mungon edhe uji për pije. Qyteti i Tetovës është i vetmi qytet në botë që nuk menaxhon park të gjelbëruar, veçse një parku që e menaxhon Bashkësia Islame e qytetit, pasi hajdutët e politikës shqiptare, bashkërisht me atë maqedonase, i uzurpuan parqet dhe çdo skaj të qytetit ku mundej të merrej frymë.

Pa një kod etik e zhdukën gazetën ,,Flaka” me një traditë mbi 60 vjeçare; revistat për fëmijë, ,,Jehonën” etj. Krahinës së Dibrës i vërsulet politika për t’ia rrëmbye ujërat e sajë; Universiteti i Tetovës nuk kalon një dekadë që të mos preket nga politika dhe të lehet i lirë në autonominë tij. Një palë politikanësh hyjnë nga dera, të tjerët dalin nga dritarja; njëri ia ndërron emrin, tjetri logon, tjetri ia kërkon krahun e madh t’ia shkëpus nga trungu i tij dhe t’ia çojë foshnjës ende të pa lindur, apo të porsalindur dhe pa e kuptuar se foshnja e re do lindë me krahët e vet sipas rregullave të Perëndisë, e nëse do t’i mungojë qumështi deri sa të rritet, atëherë Universiteti i Tetovës patjetër se do t’i jep ushqim nga rezervat e veta, po pati nevojë edhe prej goje do ta ndajë, pasi do ta ketë vëlla të vogël, por jo edhe t’i shkëputet krahu nga organizmi, pasi ai krah është pjesë përbërëse e një uniteti tjetër organik, pa e kuptuar se kësisoj munden të dëmtohen të dy organizmat. Ministria e Kulturës e Maqedonisë tallet me kulturën shqiptare, apo injoron kulturën shqiptare në tërësi, pasi për te ndan vetëm 1.2% nga buxheti i përgjithshëm (nga 71 milion euro të buxhetit vjetor për kulturë, për shqiptarët ndahen vetëm 4-5 milionë), kurse për zhvillimin e kulturës nëpër komunat me popullatë maqedonase ndahen mbi 4 milionë euro, kurse për komunat me popullatë shqiptare ndahen vetëm 50 mijë euro, që në përqindje edhe në këtë rast i vjen vetëm 1.2 % për komunat shqiptare. Nga ana tjetër, vetëm “kryqomania” maqedonase me Shkupin 2014 ka harxhuar afër një miliardë euro etj., etj. E gjithë kjo dëshmon se kuptimi për tranzicionin real në Maqedoni e ka humbur përfundimisht kuptimin. Për këtë, lirshëm mund të themi që është imperativ i kohës që të dy popujt: maqedonasit dhe shqiptarët, si pjesa shumicë e këtij shteti, të kërkojnë alternativa të reja, dalje nga ky rrugëkryq dhe të gjejnë një zgjidhje reale, të mundshme dhe njëherë e përgjithmonë t’i bashkëngjiten civilizimit bashkëkohor të botës së përparuar.
Deri më sot, të gjitha favoret e respektit kanë çuar drejtë partive politike, qofshin ato maqedonase, apo shqiptare, të cilat populli i quante parti të dinjitetit kombëtar e njerëzor, por sot, me keqardhje po e them se të gjitha partitë maqedonase dhe ato shqiptare, varësisht nga koha dhe rrethanat e formimit të tyre, ato dolën nga kornizat ligjore dhe kuptimi real politik, pasi iu larguan ndjenjës së përgjegjësisë qytetare, dolën jashtë emancipimit politik evropian, ku për fat të keq, këto parti u shndërruan në parti snobiste, megalomane, tradhti të fshehta; gjithçka thirrej në popull dhe gjithçka punohej kundër interesave të popujve; pastaj edhe filluan të shkojnë drejt injorimit të popullit dhe dënimit të tij në forma nga më të ndryshmet. Ata me dekada iu drejtuan simpatizantëve të tyre dhe elektoratit në përgjithësi, duke bërë justifikimin e vetvetes me popullin dhe sa çudi!? Sërish, me dekada vepruan kundër interesave popullore dhe perspektivës së përgjithshme. Gjithmonë qëndrimi i tyre dukej se janë para vendimeve shumë të vështira, proceseve të mëdha, angazhimeve tejet të lodhshme, sikur gjithmonë e mbrojnë rënien e shtetit, se po na gjente më e keqja, prandaj duhej dëgjuar këta burra të ,,mençur”… Partitë qeveritare që nga fillimi vepruan rrejshëm dhe si pararojë, kanë vepruar kësisoj, jo për shtetin dhe më hiç për popullin, por deri sa t’i kryejnë hajdutëritë e tyre marramendëse nga arka e shtetit dhe pa e çarë kokën se shteti kthehej në regjim policor, antidemokratik, rritej dhuna ndaj turmave të pakënaqura; krijohen vrasje enigmatike nga të dy anët popullore, skenarë të çuditshme dhe tejet të errëta, ushtrime dhune, vrasje të pafajshme dhe shumë veprime të tjera. Dhe më e keqja qëndron në atë se askush deri më sot nuk dha dorëheqje, si akt moral për krimet e bëra nga pushtetet e kaluara, siç ndodh në shumë shtete të botës së civilizuar dhe personalitete të larta botërore, që pa një pa dy, për çdo tragjedi, padrejtësi, apo edhe diç më të vogël, japin dorëheqje, të cilën e konsiderojnë vlerë civilizuese. Me një fjalë, politika maqedonase-shqiptare nuk mori asnjë shembull të demokracive pro-perëndimore, as humane–njerëzore, pa asnjë përmbajtje kulturore apo fetare, përveç atyre maqedonase që politikën e tyre duke dashur ta mistifikojnë me krishterimin, ata u larguan nga vlerat e civilizimit njerëzor dhe iu kthyen kryqeve; jo pse ata janë fetarë, por vetëm të nxisin incidente duke i shpallur shqiptarët anti-kryq dhe të fillojë të zbehet përkrahja e botës përparimtarëve ndaj shqiptarëve. Komplet një politikë e sëmurë ballkanike, pasi bota e civilizuar e di mirë se toleranca ndërfetare midis shqiptarëve gjatë tërë historisë ka qenë e shkëlqyer.
Mbetet të shohim në zgjedhjet e radhës, të cilat vështirë se do realizohen, pasi nuk ka nam e nishan regjistrim të rregullt të popullatës. Do të presim të shohim se çka do të ofrojnë partitë politike, qofshin të krahut maqedonas, qofshin ato të krahut shqiptarë; çfarë do të kërkojë populli; cilat premtime do të jenë më afër së vërtetës dhe cilat do të jenë më afër rrenës së madhe mashtruese.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura