Prishtinë, 15. 03. 2016: Amnesty International iu dërgoi Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Kosovës dy herë kërkesë dhe konstatimin se duhen hapur hetime për dhunën e përdorur në 28 nëntor në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në letrën e fundit të publikuar nga mediat në Kosovë thuhej se në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës për të arrestuar Albin Kurtin më 28 nëntor 2015, ka pasur përdorim të tepruar dhe abuziv të forcës nga policia. Në raport thuhet se Amnesty International është e shqetësuar për këtë përdorim të forcës nga ana e Policisë. Në veçanti, Amnesty International vlerëson se angazhimi i policëve të armatosur në një nivel të tillë është krejtësisht i pavend. Raporti vë në pah se krejt ajo forcë e Policisë kishte shkuar në Zyrat e VETËVENDOSJE-s për të arrestuar një individ të vetëm. Çështje të cilën e kemi konstatuar që ditën kur ndodhi ngjarja.
Ende sot nuk është hapur rast për të zbuluar konkretisht kush ishte urdhërdhënësi dhe zbatuesi i këtij urdhri të paligjshëm.
Sulmi ndaj Albulena Haxhiut
Të gjithë jemi dëshmitarë të sulmit fizik brutal që iu bë Albulena Haxhiut në hollin e Kuvendit të Kosovës. Deri më sot zyrtarja e Policisë së Kosovës as nuk është arrestuar dhe madje as nuk është bërë publik emri i saj apo ndonjë masë e brendshme nga autoritetet e rendit.
Shkeljet e ligjit nga Policia në rastin e Albulenës kanë vazhduar edhe në spital, në QKUK ku deri në 10 zyrtarë të Policisë janë futur në sallën e reanimacionit dhe rëntgenit me ç’rast edhe është bastisur në trup Albulena, për sa kohë ishte pa vetëdije.
Sulmi ndaj Shqipe Pantinës
Nxjerrja me dhunë e deputetëve nga salla plenare, arrestimet dhe prangosja brenda hapësirave të Kuvendit si dhe dhuna e përdorur ndaj deputetes Shqipe Pantina gjatë arrestimit nga zyrtari policor janë tejkalim i kompetencave dhe përgjegjësi penale e personave zyrtarë që e kanë shkaktuar këtë.
Prezenca e njësive të policisë në sallën plenare gjatë seancave të Kuvendit, nxjerrja me dhunë e deputetëve nga salla dhe arrestimi i tyre brenda Kuvendit është e pabazuar dhe e paligjshme.
Janë evidente shkeljet e rënda nga ana e Policisë së Kosovës gjatë seancave plenare, ndaj të cilave asnjëherë nuk u ndërmorën masa.
Imuniteti dhe veprimet e paligjshme të Policisë së Kosovës
Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, çdo deputet gëzon imunitet ndaj masave të ndalimit, të arrestit, të ndjekjes penale. Por, as kryetari dhe as Kryesia e Kuvendit nuk është e autorizuar për të marrë vendime që lejojnë ndërhyrjen e policisë brenda Kuvendit e aq më pak keqtrajtimin, arrestimin dhe prangosjen e deputetëve.
Policia e Kosovës është e obliguar që të mos zbatojë urdhrat e kundërligjshëm të eprorëve të tyre. Me këtë rast, duke ju referuar Nenit 13. Paragrafi 2, i Ligjit të Policisë së Republikës së Kosovës, policët janë përfshirë në kryerje të veprës penale, përmes zbatimit të urdhrave të kundërligjshëm. Me këtë rast ju bëjmë thirrje edhe eprorëve të Policisë së Kosovës që para se të marrin çfarëdo vendimi për intervenim në Kuvend, të mos i pranojnë urdhrat politik që i fusin në lajthitje, pa e konsultuar bazën ligjore sepse shumë shpejt kanë për t’u përballur me përgjegjësi penale për veprimet e tyre.
Situata në mes protestave 9 Janarit dhe 17 Shkurtit
Pushteti i koalicionit vijoi të ushtrojë përveç të tjerash edhe terror psikologjik. Pas protestës masive të 9 janarit propaganda e pushtetit u fokusua në atë se protestën e radhës do të këtë “dhunë, eksploziv, pushtim të objekteve dhe institucioneve”. Këto të dhëna janë servirur si të dhëna “nga inteligjenca” e Policisë së Kosovës edhe i janë adresuar edhe KFOR-it dhe EULEX-it. Policia e Kosovës në ndërkohë ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të jenë reagues të parë në protestën e paralajmëruar të 17 Shkurtit si “të dhunshme”.
Çfarë po përgatiste pushteti për Protestën e 17 Shkurtit?
Përderisa pushteti fliste për eksploziv të mundshëm, në Fushë Kosovë u arrestuan tre persona me 12,5 kg eksploziv dhe 2 mitraloz, duke ardhur drejt Prishtinës. Të arrestuar ishin Sheremet Jashari nga Klina e Mesme e Skenderajt, Avdullah Rama nga Sankoci i Drenasit, dhe Naser Veseli nga fshati Braboniq i Mitrovicës. Ky rast u mbajt top sekret nga ana e Policisë së Kosovës. Çfarë paska qenë duke përgatitur pushteti për 17 shkurt? Të arrestuarit e këtij rasti u dërguan në arrest shtëpiak, masë kjo e njëjtë me atë të Albulena Haxhiut, por shumë më e lehtë se ajo ndaj Glauk Konjufcës i cili vazhdon të mbahet padrejtësisht në burg.
Gjatë protestës së 17 shkurtit pushteti përdori Policinë për ta ndezur një konflikt në mes të masës. Kjo u realizua si zakonisht me urdhrat e paligjshëm ndaj Policisë që jepen në mënyrë verbale dhe konspirative. Këto urdhra fals për rrezik rezultuan me futjen e policisë në mes të masës së protestuesve në sheshin Nëna Terezë duke shkaktuar provokim për protestuesit.
Protesta e Vazhdueshme me tenda në Sheshin Skënderbe 23-26 Shkurt
Gjatë gjithë kohës sa nuk kishte policë nuk pati asnjë problem. Protesta po vijonte duke mbledhur rreth vetes gjithnjë e më shumë qytetarë. Situata ndërroi plotësisht kur u bë thirrja e antimitingut e 26 shkurtit nga Hashim Thaçi. Ai tha se festa do të ishte më e madhe se protesta. Duke nënkuptuar përplasje të qytetarëve në të njëjtin shesh ku po mbahej protesta e qytetarëve dhe e opozitës.
Kjo thënie u pasua nga shtetrrethimi, e ku Kuvendi i Kosovës brenda dhe jashtë dukej si në gjendje lufte jo si seancë ku planifikohej të zgjidhej Presidenti i vendit, përfaqësuesi i presupozuar i unitetit të popullit.
Vendosja dhe pozicionimi i Snajperëve me 17 dhe me 26 shkurt
Snajperët përdoren vetëm në rast të pengmarrjesh, në raste të garantimit të sigurisë së lartë për personalitete botërore apo situata të ngjashme me këto.
Por ato u vendosën në ndërtesat e institucioneve të Kosovës në ditët e protestave ku në shesh poshtë tyre gjendeshin protestuesit të cilët asnjë rrezik nuk përbënin për të qenë në shënjestër të një snajperisti. Është e qartë se snajperët ishin shprehje e dhunës së pushtetit dhe kërcënim psikologjik ndaj masës.
Vendosja e snajperistëve mbi ndërtesën e Qeverisë teksa protestuesit kanë qenë poshtë në shesh, të paarmatosur, të pambrojtur, pa asnjë shenjë reale rreziku përbën shkeljë të rëndë dhe kërcënim për jetën e qytetarëve të Kosovës. Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e Policisë duhet të tregojnë se kush e ka hartuar raportin dhe vlerësimit e shkallës së rrezikshmërisë dhe kush e ka miratuar këtë plan të paligjshëm. Skënder Hyseni dhe Isa Mustafa duhet të përgjigjen para drejtësisë. Ata që ka urdhëruar pozicionimin e snajperistëve përballë qytetarëve të pambrojtur të Kosovës duhet sa më parë të dalë para organeve të drejtësisë.
Shkeljet e Policisë gjatë heqjes së kampit protestues
Pas asnjë arsye dhe motiv racional teksa ndodhte raundi i parë i votimit të Hashim Thaçit në Kuvend forcat e Policisë rrethuan kampin dhe dhunshëm filluan të nxirrnin nga tendat njerëzit e moshuar që gjendeshin aty. Goditën me shkopinj gome dhe sprej, ia hodhën përtokë kutitë më ushqim qytetarëve që po afroheshin tek tendat duke bërtitur “atyre po i jep bukë?”. Pasi i larguan forcërisht protestuesit filluan rrëmbimin e tendave dhe gjësendeve personale të qytetarëve duke na ofruar pamje si ato të dikurshmet kur policia e pushtuesit nuk mjaftohej më largimin e qytetarëve po bastiste dhe shtëpitë. Pak orë më pas u paraqitën publikisht me montimin e atyre elementeve që po i quajnë prova për të përligjur heqjen e kampit protestues. Për këtë ata zyrtarë policore kanë përgjegjësi direkte penale.
Ne jemi në dijeni se ka pasur plan operativ për të mos e lejuar kampin që ditën e parë. Ky plan është suspenduar. Më pas është zbatuar ditën e votimit të Hashim Thaçit madje pikërisht në orën kur filloi votimi i tij. Tendat u hoqën dhunshëm dhe paligjshëm për t’i hapur rruge militantëve të PDK-së për të festuar në shesh ani pse nuk u panë më shumë se disa dhjetëra.
Përdorimi i armëve nga Selia e PDK-së më 26 shkurt
Siç u pa nga publiku në Kosovë e jashtë saj nga selia e PDK në qendër të Prishtinës u qëllua më armë zjarri në një zonë të populluar me banesa e kalimtarë. Të shtëna ka pasur gati në të gjitha qytetet kryesore pranë ose në zyrat e PDK-së. Policia e Kosovës dhe Prokuroria duhet të përgjigjet nëse e ka realizuar këqyrjen e vendeve të ngjarjes. A i ka ekzaminuar gëzhojat? Nëse po a kanë qenë me leje apo pa leje armët që i kanë shkrepur ato gëzhoja? Ku është raporti i forenzikës për to? Nëse këto nuk ekzistojnë, kush ka dhënë urdhër që të mos mblidhen provat? Kryeprokurori i Kosovës sipas detyrës zyrtare tashmë duhet ta kishte hapur rastin.
Këto raste përbëjnë shkeljen flagrante të ligjit, shpërfilljen e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe rrënimin e kredibilitetit të organeve të sigurisë së Kosovës.
Hyrja në Kabinetin e Kryetarit të Komunës pa autorizim dhe pa paralajmërim
Arrestimi i Sali Zybës dhe punonjësve të sigurisë së Komunës të cilët ende sot janë në paraburgim ishte plotësisht i pavend dhe i paligjshëm. Askush nuk mund të futet në një institucion kushtetues pa lejen e drejtuesit të institucionit. E aq më shumë kur u kuptua se për Sali Zybën ishte kërkuar të arrestohej për ta dërguar ditë më pas në një seancë gjyqësore ku nuk kishte akuzë por insinuatë që lidhej me flamurin kombëtar. Aty paraqitej si “rast i dëmtimit të pronës publike” më 2013, fakt i cili nuk është as i vërtetë.
Përgjegjësit politik të shndërruar në urdhërdhënës
Pamë të hënën e kaluar se si Trim Gashi, aktivist i VETËVENDOSJE!-s i arrestuar në tetor të vitit 2015 teksa nënshkruante peticionin kundër “Zajednicës” dhe “Demarkacionit” me Malin e Zi dhe iu gritë aktakuzë për tentim sulmi ndaj eskortës së Kryeministrit. E gjitha doli të jetë e pavërtetë. Isa Mustafa e vartësit e tij dolën që kanë mashtruar publikun dhe kanë vënë nën presion edhe policinë edhe prokurorinë në rastin më të mirë më prova të fallsifikuara e në më të keqin pa prova fare. Pra kryeministri as që ka qenë i rrezikuar, në asnjë formë.
Këtë të hënë u arrestua në banesën e tij aktivisti Egzon Azemi pse kishte protestuar në Prizren kundër Kryetarit të akuzuar për korrupsion Ramadan Mujës dy vite më parë.
Secila prej ngjarjeve e veprimeve që ka lidhje me Policinë e Kosovës po bëhet çdo herë e më e lidhur me urdhra plotësisht privatë të pushtetit. Ato në një masë të madhe janë verbale, pa bazë ligjore dhe shumë shpesh zyrtarët policorë po zbatojnë urdhra të paligjshëm.
Për të gjitha këto shkelje, përgjegjëse është Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës, Drejtorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Operacioneve ne Policinë e Kosovës si dhe cilindo zyrtarë e policë i cili me vetëdije shkel Ligjin për Policinë e Kosovës dhe procedurat e funksionimit të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës është në një gjendje të rëndë e shkaktuar nga ndërhyrja brutale e Pushtetit dhe e njësive parapolicore të afërta me Qeverinë.