SHEMSIJE ELSHANI: EGOIZMI ËSHTË SËMUNDJE – JO VLERË!

Bernn, 10. 04. 2016: Njëri prej instikteve më të fuqishme të njeriut, është ai i vetëmbrojtjes. Vetëm një i çmendur mund të qëndroj pasiv para rrezikut që kërcënon ekzistencën e tij. Pushtetarët, u muar vesh, nuk janë kaq të aftë të parashohin rreziqet, andaj nuk ndërmarrin asgjë, por habit fakti që as ata që i kanë besuar fatin këtyre pushtetarëve nuk ndërmarrin asgjë; përkundrazi, i përkëdhelin, i servilosen këtij pushteti deri në përulje. Andaj me të drejtë dyshoj që pos me vetëdijen, edhe me instiktet tona, ka ndodhur diç serioze.
-Si ka ardhur deri te zbutja e këtij instikti vetëmbrojtës në Kosovë?
Njëri prej shpjegimeve më banale sipas Erich From-it, është ai se udhëheqësit tanë bëjnë sikur ndërmarrin masa efektive, të cilat u japin mundësi atyre të parandalojnë rreziqet: konferenca pa fund, rezolucione etj. Krijojnë përshtypjen sikur ata i kuptojnë problemet dhe përpiqen t`i zgjidhin në një farë mënyre. Kurse në të vërtetë nuk ndodhin fare ndryshime serioze. Kështu udhëheqësit, vënë në gjumë vetëdijen dhe dëshirën për një jetë më të mirë, të atyre që udhëheqin, duke i krijuar përshtypjen atyre se ata i njohin të gjitha problemet dhe se janë në rrugë të drejtë për zgjidhjen e tyre.
Një tjetër shpjegim, sipas këtij autori është se ndryshimet e domosdoshme në mënyrën e të jetuarit duhet të jenë shumë radikale, sa që njerëzit më parë parapëlqejnë të jetojnë nën kërcnimin e një rreziku të ardhshëm sesa të sakrifikohen sot për një ndryshim shpëtimtar.

Ndërsa një shpjegim tjetër për ndrydhjen e këtij instikti vetëmbrojtës, sipas Erich Fromm është se egoizmi i cili lind si rezultat i sistemit, i detyron këta udhëheqës ta vënë interesin personal mbi detyrimin shoqëror.
Dhe shih ti, në Kosovë, ky interes ka arritur deri në atë shkallë sa askush më nuk habitet kur udhëheqësit politik marrin vendime që iu shërbejnë interesave të tyre personale, por që janë të dëmshme për shoqërinë.
Atëhere, nëse interesi është bërë baza e moralit ekzistues, në shoqërinë aktuale, përse ata duhet të sillen ndryshe (?!) thotë Erich Fromm.
Një gjë është e sigurtë (poashtu sipas Fromm- it), ata që sillen kështu, nuk arrijnë të kuptojnë kurrë që lakmia (e po ashtu edhe nënshtrimi) i bënë njerëzit më budallenjë, madje edhe atëhere kur sillen sipas interesit personal, duke u kujdesur për mirëqenien e tyre personale, të familjes së tyre dhe të të afërmëve të tyre.
Kjo mënyrë jete në Kosovë gradualisht ka marr formë edhe te anëtarët e thjeshtë të shoqërisë, të cilët janë zhytur në mënyrë egoiste në problemet e tyre personale, aq sa nuk i kushtojnë fare vëmendje asgjëje që del jashtë botës së tyre të ngushtë. Kështu edhe në rrethet e caktuara shoqërore, egoizmi ka filluar të konsiderohet vlerë.
***
Ka ardhur koha që ky sistem i kundërt i vlerave, i cili ka prekur edhe instiktin më të fuqishëm të njeriut, atë të vetëmbrojtjes, të ndryshojë. Klasa aktuale politike tashmë nuk është e aftë për ndryshime të tilla. Doemos duhen ardhur në shprehje atdhetarët e vërtetë, ata të cilët i kanë shpëtuar kësaj budallepsje të pushtetit.
Ndërsa anëtarët e thjeshtë të shoqërisë, të strukur në botën egoiste, do të duhej të provonin të ndryshonin, fundja për të mirën e vetë, pasi egoizmi është sëmundje, është infantilitet shoqëror, jo vlerë!

Erich Fromm – Der moderne Mensch und seine Zukunft

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura