PROF.MURAT GECAJ: ME FRYMËZIM POETI, PËR PASURITË SHPIRTËRORE NË MALËSINË E GJAKOVËS

Tiranë, 26. 04. 2016: Një lajm shumë i dhimshëm u përhap nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), për ndarjen papritmas nga jeta, të arsimtarit e punonjësit të kulturës, studiuesit e krijuesit Avdyl Sulaj, lindur në fshatin Begaj të këtij rrethi. Pas mbarimit të studimeve të larta, ai shërbeu me devotshmëri, mësues në disa shkolla dhe drejtor i bibliotekës së qytetit “Bajram Curri”. Krahas kësaj, u mor me krijimtari artistike, në poezi e prozë dhe me studime në fushat e gjuhësisë, folklorit e traditave propullore. Përveç botimeve të shumta në shtyp e në revista shkencore, ka publikuar 8 libra, pa përmendur ata në dorëshkrim. Për disa vite ishte kryeredaktor i gazetës së krahinës, “Shkëlzeni” dhe më pas, “Rrezja e Shkëlzenit”. Me këtë rast, u shprehim ngushëllimet tona familjarëve e të afërmve, kolegëve, miqëve dhe dashëmirësve të shumtë të tij, duke qenë të bindur se ai do të ruhet i pashlyer në kujtesën e gjithë atyre, që e njohën.
Në nderim e kujtim të tij, po ripublikojmë një shkrim, që flet për përurimin e librit, “Larushia e fjalës në gojën e popullit”, organizuar një vit më parë në kryeqytetin tonë.

Tiranë, 31 mars 2014

Avdyl Sulaj (1945 – 2016)

1.
Siç është e njohur, njerëzit e shprehin në mënyra të ndryshme dashurinë për vendlindjen. Ndër format e njohura janë ato, që përdorin poetët e shkrimtarët, artistët e studiuesit e fushave të ndyshme. Dikush thurë poezi dhe, me ndjenjat e pastra të shpirtit të tij, i drejtohet asaj me fjalët më të zgjedhura. Një tjetër shkruan tregime, novela ose romane, me subjekt historinë ose traditat e çmuara të vendlindjes. Por ka edhe nga ata që, të frymëzar nga bukuritë e natyrës dhe pasuritë e shpirtit të popullit të vendlindjes, këndojnë ose luajnë valle karakteristike, vizatojnë ose pikturojnë etj.
Ndoshta, nuk do t’i kisha shprehur këto mendime këtu, po të mos kisha parasysh një koleg e mik të caktuar, bashkëkrahinës nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Ai është pikërisht mësuesi, bibliotekisti, poeti e studiuesi i njohur i atyre trevave, me tradita të shumta atdhetare, shpirtërore, kulturore e gjuhësore, Avdyl Sulaj. I frymëzuar nga këto tradita e të tjera dhe bukuritë e rralla të vendlindjes, ndjenjat e tij për të, ai i shprehu edhe në vargje të bukura. Kështu, poezitë e krijuara i mblodhi në vëllimin me titullin “Kristale alpine”(Tiranë, 2006). Nuk do të bëj ndonjë koment rreth tyre edhe sepse nuk jam i kësaj fushe. Por po përmendi vetëm vargjet e një poezie të tij: “Sot e dashur, për Shën Valentin,/ dhuratat do t’i bëj nga peizazhi alpin./Një fustan do ta end në vegjë të erës,/prej fluturzash bore, te Kroni i Verës./ Një ylber do ta mbërrij lart në bjeshkë,/me stofin e tij do të bëj një xhaketë./ Majë Shkëlzenit do të kap një vetëtimë,/ ta bëj fjongo flokësh të artë, vizëllimë./Gjerdan do ta bëj Valbonën shtatkristal,/ mbushur në muzg, yje dhe hënëza argjend e ar… (Nga poezia, “Dhuratë së dashurës, për Shën Valentinin”).
Më herët, duke jetuar e punuar mësues në fshatrat e krahinës së vet dhe bibliotekist e drejtues biblioteke në qytetin “Bajram Curri”, Avdyli nisi të qëmtojë si bleta dhe të mbledhë thesare të çmuara nga pasuria gjuhësore e kulturore e bashkëkrahinësve. Sigurisht, ai që është marrë me një veprimtari të tillë, e di se sa mund e djersë, por dhe aftësi profesionale duhen, që t’ia arrish mirë e plotësisht qëllimit të caktuar. Më në fund, ai arriti që ta përpunonte e sistemonte lëndën e mbledhur dhe ta dërgonte për botim, në një libër të veçantë. Por, para se ta bënte këtë gjë, u këshillua edhe me specialistë të aftë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, ndër të cilët ishin dhe prof. dr. Hajri Shehu e Pavli Haxhillazi. Librin ai e titulloi “Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës”. Vëllimi i parë i tij, me fjalë të rralla e një studim dialektologjik për të folmen e kësaj krahine, u vu në qarkullim në vitin 2000. Në vazhdim të atij libri, e botoi tre vjet më vonë vëllimin e dytë të tij me shprehje frazeologjike.
Populli e ka shprehur bukur me fjalët: “Oreksi vjen, duke ngrënë…”. Kështu edhe ky studiues i pasionuar nuk i ndërpreu kërkimet as punën studimore, sidomos në fushën e njohjes, studimit dhe botimit të pasurive gjuhësore të krahinës. Ndër të tjerët, kishte shembull për ta ndjekur, të ndjerin prof. dr. Xheladin Gosturanin, tashmë i njohur për kërkimet, studimet e botimet dialektologjike të së folmes së Malësisë së Gjakovës (Tropojës). Të mbledhura nga goja e gjallë e popullit, por dhe duke qëmtuar më herët, Avdyli arriti të publikojë 15 mijë fjalë e kuptime të reja fjalësh, tabu, eufemizma etj., në “Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore” (Tiranë, 2009). Botimi tjetër i këtij studiuesi tropojan e ka titullin “Shkrime dhe hulumtime gjuhësore”(Tiranë, 2012), me redaktor prof. dr. Qemal Muratin. Në këtë libër ai trajton çështje të gjuhës letrare standarde, të pastërtisë së shqipes nga fjalët e huaja të panevojshme, të leksikografisë sonë të sotme, për onomastikën e Tropojës etj.
Emrin e A. Sulës e gjejmë shpesh edhe në gazeta e revista dhe në shtypin elektronik, me shkrime rreth çështjeve të ndryshme, aktuale ose të së shkuarës. Kështu, p. sh, po përmendim atikujt me firmën e tij, “Gjuha letrare, proces i hapur në zhvillim”(revista “Perla”, Tiranë, nr. 4, 2004) dhe “Aspekte të origjinalitetit të Eposit Legjendar Shqiptar”(në VOAL, “Zëri i Shqiptarëve, shkurt 2012) etj. Shërbim të çmuar i bën ai vendlindjes edhe përmes drejtimit e botimit të gazetës periodike me emrin domethënës, “Rrezja e Shkëlzenit”.


Ballinat e një libri, nga autori A.Sulaj

2.
Libri më i ri i autorit Avdyl Sulaj është “Larushia e fjalës në gojën e popullit” (Tiranë, 2013). Në të, janë përfshirë fjalë të urta, urime e mallkime, betime e lutje, ngushëllime, fjalë të rralla e frazeologjizma. Kryesisht, ky libër ishte shkaku i tubimit, që u organizua këto ditë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Ishin të pranishëm akademikë e profesorë, bashkëkrahinës të autorit, mësues e studiues të fushave albanologjike, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Me tema të përgatitura posaçërisht për punën e përkushtuar dhe, në përgjithësi, për udhën 35-vjeçare kërkimore, studimore e botuese të tij, folën: prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-Akademik ass.; prof. dr. Hajri Shehu e prof. dr. Seit Mansaku, dr. Skënder Demaliaj e poeti Hamit Aliaj. Gjithashtu, e përshëndetën dhe e përgëzuan atë, për punën e bërë dhe botimet e deritanishme me tematikë nga vendlindja e vet: dr. Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”, studiuesi Sali Onuzi e publicisti Petrit Çeliku etj. Me këtë rast, u recituan poezi për bukuritë alpine dhe mësuesi veteran e botuesi, Nuredin Lushaj lexoi një poezi të tij, shkruar posaçërisht për mësuesin, poetin e studiuesin Avdyl Sulaj. Ndërsa vetë ky, në mbyllje të veprimtarisë, i përshëndeti e i falëndëroi nga zemra, si folësit e pjesëmarrësit në këtë tubim dhe të gjithë kolegët e miqtë, të cilët e kanë ndihmuar e kanë bashkëpunuar me të, gjatë kërkimeve, studimeve dhe botimit të librave të tij.
Tiranë, 31 mars 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

AROMЁ TRЁNDAFILASH

Aromë trëndafilash (Kushtuar fëmijëve shqiptarë në mërgim.) Aromë trëndafilash,e ëmbël si mjalti, freski shpirti,e thellë si deti, e…