BEHXHET SHALA BAJGORA: ISMAIL SYLA, ADEM DEMAҪI ISHTE KUNDËR MARRËVESHJES SË RAMBUJESË, AI NUK ISHTE ZËDHËNËS POR PËRFAQËSUES POLITIK I UҪK!

Prishtinë, 06. 05. 2016: (Këshilltarin e mirë leximi i keq e bënë këshilltar të keq) – Universiteti Shtetëror i Tetovës e shpalli Adem Demaçin siç e njohin politikanët karrieristë dhe injorantë apo Bacën Adem siç e njohin idealistët dhe miqtë e paktë të sinqertë të Bacës “Doktor Nderi” të këtij Universiteti apo “Doctor Honoris Causa” për të tingëlluar më fuqishëm sepse kemi krijuar një vartësi për (keq) përdorimin e shprehjeve të huaja duke menduar se në këtë mënyrë bëhemi më intelektualë dhe më të dijshëm, ndonëse në shumë raste nuk e kuptojmë shprehjen e përdorur. Duket se ky zinxhir i ndarjes së nderimeve pati filluar nga bishti kur, së pari Baca i Madh u nderua nga Universiteti “Hasan Prishtina” nga një rektor me profil intelektual të dyshimtë dhe i ngulur në atë post nga politika. Tash ky nderim u bë nga USH i Tetovës në ndërkohë që, sipas mendimit tim, Universiteti i Tiranës është dashur t’i paraprijë këtij procesi shkaku se Baca karrierën politike dhe kombëtare e pati filluar për bashkim kombëtar dhe bashkim me Shqipërinë nga i cili qëllim kurrë nuk hoqi dorë! Po, ne shqiptarët gjithmonë kemi qenë në bisht të zhvillimeve politike andaj edhe kemi mbetur aty edhe sot e kësaj dite. Organizimi i kësaj ceremonie në Tetovë ka qenë i shkëlqyeshëm, që nga pritja e mysafirëve, të ftuar dhe të paftuar, nga studentët e këtij manifestimi e deri te përfundimi i programit artistik që përbëhej nga tri pika të mahnitshme të korit muzikor të UTSH-së, Elita Ziberit dhe Selami Kolonjës. Duhet gjithsesi të përmendet edhe kontributi i zotit Lazim Destani që i bëri bashkë shqiptarët rreth tavolinave të shtruara me ushqime dhe pije.

Për mua ishte i habitshëm fakti se shumë politikanë të klasës së dytë dhe të tretë (në mungesë të politikanëve të klasës së parë për të cilët shqiptarët ndjejnë mungesë të madhe) shtyheshin të ulen në rreshtin e parë, kurse familja e ngushtë e Bacës Adem, i biri Shqiptari, e reja Arbëria që dikush e quajti Abetare dhe nipi Dielli u degdisën nga organizatori në fund të sallës apo në rreshtat kah fundi. Dikujt iu kujtua ky lëshim protokollar andaj ua ndërruan vendin duke i vendosur, jo në rreshtin e parë sikur që do të ishte normale, por në rreshtin e tretë sikur që nuk ishte normale. Neve kosovarëve na vendosën në rreshtat e fundit sipas parimit të Tiranës për “vëllezërit serbë dhe miqtë kosovarë”. Kanë pasur mundësi ta bënin ndonjë vend në Kodër të Diellit (Popova Shapkë) dhe nga aty, me një teleskop kemi mundur ta përcjellim ceremoninë. Pastaj, nuk e kuptoj pse është dashur që diploma e Doktorit të Nderit për Bacën Adem t’i dorëzohet ministrit të MASHT-it, z. Arsim Bajrami, e jo birit të Bacës Adem, Shqiptar Demaçit, i cili ishte aty për ta përfaqësuar Bacë Adem Demaçin. Realisht, aty ishin edhe disa pafytyra që Bacën Adem Demaçin e kanë dashur aq sa kripën në plagë të hapur. Po kështu e ka koha! Kam qenë pjesëmarrës në ngjarje të ngjashme në Kosovë mirëpo, të jem i sinqertë, organizimi në Tetovë ka qenë larg më i mirë se në Prishtinë sikur edhe diskutimet që dallonin si nata me ditën, në favor të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Një diskutim më bëri ta shkruaj këtë shkrim sepse pata menduar ta përfundoj shkrimin për formimin e partisë së re nga bijtë dhe bijat e Jugosllavisë dhe të Serbisë, që aq shumë i duhet sot Kosovës.
Nga rreshti i fundit, në rreshtin e parë
Ismail Syla, njeri i letrave dhe i shkrimeve, por edhe këshilltar i Shkëlqesisë së Tij, presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, në këtë ceremoni ishte si përfaqësues i SH. T., duke e lexuar një letër të cilën, me gjasë e kishte shkruar vetë, por e lexonte në firmë të tjetrit! Çuditërisht, për shkrimin që, me gjasë e kishte shkruar vetë, kishte pasiguri gjatë leximit. Edhe unë, e pranoj, kam shkruar shkrime për të tjerët duke mos qenë i nderuar të shkruaj për një personalitet siç është Shkëlqesia e Tij, por kurrë nuk më ka ndodhur e as që do të pranoja që shkrimet që i kam shkruar për të tjerët, t’i lexoj vet. Është vështirë të shkruash për të tjerët sepse duhet ta përshtatësh shkrimin me kapacitetin intelektual të atij për të cilin e shkruan e që, për rrethanat tona, është sfidë e madhe dhe aventurë me vete. Si shembull për këtë dua t’ua rikujtoj lexuesve se, edhe një Shkëlqesi tjetër e pati lexuar shkrimin e shkruar nga një këshilltar duke e bërë një gabim të papërfillshëm sepse në vend të Luigj Gurakuqit, e lexoi Luigj Karakuqi e që fajin nuk e kishte Shkëlqesia, por këshilltari sepse është dashur ta gjejë një emër më të shkurtër dhe më të lehtë për ta lexuar aq më parë që gjeneratat e reja të shkolluara sipas planprogrameve historike, kombëtare dhe patriotike jugosllave, pak ose aspak nuk kanë pasur njohuri për Luigj Gurakuqin sa kanë pasur njohuri për Jusuf Karakush(q)in, prandaj erdh deri te ky incident intelektual.
Ismail Syla, duke e lexuar shkrimin e SH. T. z. Hashim Thaçi (Ismail Syla apo të ndonjë këshilltari tjetër analfabet, gjysmanalfabet apo edhe me njohuri bazike të shkrimit), i bëri dy gabime apo dy dezinformime, që fort e dhunojnë të vërtetën! Nëse këtë shkrim e ka shkruar SH. T. atëherë Ismaili mund të lahet nga përgjegjësia mirëpo një intelektual i vërtetë, dinjitoz dhe i ndershëm, kurrë nuk do të pranonte t’i lexonte të pavërtetat edhe kur janë shkruar nga dikush tjetër. Detyra e intelektualit të vërtetë është ta denoncojë të pavërtetën e jo të shndërrohet në faturë për mbulimin e kësaj të pavërtete. Nuk e besoj se Shkëlqesia e Tij, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shkruar këtë shkrim sepse nuk është stili i tij i të shkruarit. Në këtë shkrim, përveç lavdërimeve për Bacën Adem e që Bacës më së paku i duhen, ishin dy të pavërteta të mëdha.
E para, se Marrëveshja e Rambujesë qenka nënshkruar pas konsultimeve me Bacën Adem. Nuk duhet të lëvrojmë në arkiva të shteteve të ndryshme për të mësuar se Baca Adem nuk e ka përkrahur kurrë Marrëveshjen e Rambujesë dhe se ka qenë kundër kësaj Marrëveshjeje e që ka mbetur edhe sot në këto qëndrime. Pikërisht vendimi për të shkuar në Rambuje ka qenë arsyeja pse Baca Adem pati dhënë dorëheqje nga përfaqësuesi politik i UÇK-së. Kjo është e ditur për të gjithë dhe të spekulosh në këtë mënyrë kur Baca Adem, për shkaqe shëndetësore, nuk mund ta bëjë demantin, aspak nuk është e ndershme. Edhe Ismaili, si njeri i letrave dhe i dijes, si i përndjekur politik, e di mirë këtë të vërtetë. Ne jemi të gjithë miq, veprimtarë për çështje kombëtare dhe bashkëvuajtës në llogoret e ish-Jugosllavisë por kjo nuk nënkupton se duhet ta fshehim të vërtetën dhe ta madhërojmë mashtrimin.
Bacën Adem e lavdëruan shumë në këtë shkrim duke ia kujtuar aktivitetin politik, kombëtar dhe njerëzor sikur edhe sakrificën gjatë 29 vjetëve burg në Jugosllavinë dhe Serbinë e bijve dhe bijave që po duan, nëpërmjet formimit të partisë së re, ta shpëtojnë Kosovën dhe kombin kosovar! Mirëpo, në një vend, kur duhej të ngreheshin mbi Bacën e që kurrë nuk do të arrijnë ta bëjnë këtë, tinëzisht por botërisht nëpërmjet Demostenit të SH. T. u përpoqën ta relativizojnë rolin e Bacës Adem duke i dhënë një rol teknik, rolin e zëdhënësit të UÇK-së sikur të ishte Arban Abrashi apo Memli; i pari zëdhënës i qeverisë e i dyti zëdhënës i PDK-së. Adem Demaçi e pati hapur zyrën e UÇK-së në gojën e armikut në qendër të Prishtinës dhe ai nuk ishte zëdhënës i UÇK-së (Jakup Krasniqi ishte zëdhënës, përveçse ishte edhe komandant), por ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zëvendës ishte Skënder Kastrati, kurse sekretar ishte Albin Kurti. Kjo ishte dhe është e vërteta dhe jo shkarravinat e Ismajl Sylës dhe të tjerëve që duan të zënë vendin për të cilin, kur është dashur nuk kanë pasur bythë për atë karrige. Mos të harroj ta përmend se shofer personal i luftës i Bacës Adem ka qenë një patriot i madh, njeri i hijes, por njeri i guximit që para një jave iku në amshim dhe Panteonin e Vlerave Kombëtare dhe Njerëzore, Shasivar Makolli-Qali. Pra, lini pallavrat se Baca Adem Demaçi paska qenë zëdhënës i UÇK-së sikur Muharrem Nitaj që është zëdhënës i AAK-së. Po të ishte kështu, pse do të duhej që autoritetet e atëhershme dhe vendosëse ndërkombëtare të takohen me një zëdhënës dhe a ka ndonjë rast në botë që, për procese dhe projekte të mëdha politike, të vendosin zëdhënësit? Çmenduri fare! A ishte niveli i Gellbartit, Hollbrukut, Hillëve dhe Ollbrajkës të takohen me një zëdhënës të UÇK-së, për ta marrë pëlqimin e tij për vendime të mëdha politike. Çmenduri fare! A nënkupton kjo se nënshkrimi apo mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë qenka varur nga një zëdhënës apo se ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Kuk, qenka takuar në Shkup me një zëdhënës për ta bindur të shkojë në Rambuje. Çmenduri fare! Prandaj, Ismajl Syla, si këshilltar dhe trumbetë e SH. T., duhet të distancohesh botërisht nga këto të pavërteta, t’u kërkosh falje Bacës Adem dhe atyre që e kanë kundërshtuar Rambujenë, familjes së Adem Demaçit dhe opinionit. Në të kundërtën, do të legjitimohesh dhe identifikohesh si autor i këtyre të pavërtetave. Ka ende të gjallë që kanë qenë afër Bacës dhe që kanë informata të mjaftueshme dhe të cilët nuk i lëvirën pushtetit si zvarranikë!
Në këtë mbrëmje ceremoniale pata fat sepse e takova një mik timin të idealit dhe zemrës, Tahir Hanin dhe që shpëtova pa më shkelë truprojat e Ali Ahmetit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura