BESIM ZYMBERI: RRJETI I AUTOSTRADAVE NË GJEOGRAFINË SHQIPTARE, TË QUHET ‘ILLYRIA’!

Prishtinë, 11. 09. 2016: Propozimi im është kornizë e përgjithësuar e një projekti të rëndësishëm nacional e kulturor. Me këtë propozim, fillimisht, në mënyrë simbolike do të rivendosej vëmendja e botës tek rëndësia që ka gjeografia shqiptare për vendosjen, ruajtjen dhe balancimin e linjave kulturore të përbotshme. Po ashtu, do të bëhej një hap i rëndësishëm në drejtim të rimëkëmbjes simbolike kulturore të Gadishullit Ilirik dhe rrjedhimisht, edhe rinjohja e Evropës me djepin e origjinës së frymëzimit të arritjeve të saj!
Arsyetim i propozimit
“Rruga e Kombit”, “Ibrahim Rugova” dhe “Arbër Xhaferi”, janë segmentet e emërtuara deri tani të autostradës në shtrirjen e gjeografisë natyrale pellazge-ilire-shqiptare. Kemi edhe idenë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që autostrada Durrës-Prishtinë-Nish, të quhet “Rruga e paqes”. Vjet, është bërë e ditur që edhe Bashkimi Evropian, do të japë dhjetëra miliarda euro në vendet e Ballkanit, për ndërtim të austostradave që do të rrisnin efektivitetin e lidhjeve rrugore ndërkombëtare. Një pjesë e segmenteve të këtyre autostradave të reja, përveç në Shqipëri e Kosovë, do të kalojnë edhe nëpër territoret e banuara me shumicë shqiptare në shtetet fqinje dhe sigurisht se do të marrin emra përfaqësues.
Në kohën e nevojës së ri-identifikimit kulturor të qytetërimit shqiptar në Evropë e botë, emrat e përveçëm të historisë sonë të kohës më të re, përfaqësojnë botëkuptime që mund të konsumohen vetëm përbrenda shoqërisë shqiptare dhe kjo e fundit, në nivel të tillë, në përmasa ndërkombëtare zor se mund të ndjehet e respektuar kulturalisht në një plan meritor. Ndërsa, ideja e Edi Ramës, nuk gjen përfaqësim në esencën e nevojës së identifikimit kulturor specifik në hapësirën në të cilën do të përshkruhej. Rruga që na lidh me Serbinë, nuk guxon të reflektojë as edhe në emërtim kompleksin e shkrirjes kulturore, në emër të një kompromisi modernist…!

Gjithsesi, hapësira gjeografike shqiptare, pavarësisht kufijve të dhunshëm, ka në identitetin e saj monumente të shumta historike, etnologjike, arkitektonike e arkeologjike, që flasin për një substrat kulturor pellazg-ilir-shqiptar të njëjtë, hiç nuancat regjionale.
Sot, më shumë se kurrë, jo rastësisht, në epokën e një ridefinimi të ri kulturor të gjerë, kemi nevojë që t’i shpërfaqemi botës me linjën e trashëguar historike-kulturore të identitetit tonë, në mënyrë që të jemi të pakundërshtueshëm dhe madje përcaktues në kultivimin e platformës për fuqizimin e identitetit tonë kulturor, me autorësinë edhe të projektit mijëvjeçar të frymëzimit të vlerave e virtyteve demokratike e humane të Evropës e më gjerë.
Jo rrallëherë, ndeshim mendime të udhëpërshkruesve e analistëve të ndryshëm, që shprehen se gjatë qëndrimit në trojet shqiptare, kanë parë larushi imponimesh kulturore dhe ndonjëherë, vetë-injorim të përmasës monumentale të identitetit autentik e autokton kulturor.
Illyria, pos si nocion sociohistorik, është një nocion përfaqësues kulturor, i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht dhe si i tillë, është më lehtë i absorbueshëm në plan të përbotshëm.
Në drejtim të riafirmimit të kulturës sonë, por edhe në drejtim të sugjerimit përmbajtjesor që kjo kulturë, ka qenë dhe mbetet vija, herë ndarëse e herë mbrojtëse, por pashmangshmërisht dhe në mënyrë të pakundërshtueshme edhe balancuese në përplasjet kulturore ndërkombëtare, ndjehemi të thirrur si brez, të bëjmë hapat simbolikë, që në shpirtin e secilit prej nesh, të rizgjojmë natyrshëm ndjenjën e vetëbesimit kulturor, nocion ky, që aktualisht është shumë i tronditur.
Rrjeti i autostradave gjithëkombëtare-ILLYRIA
Rrjeti i autostradave në shtrirje gjithëkombëtare, do të duhej të emërtohej me emrin prestigjioz historik e kulturor, të respektuar e të vërejtur kudo në botë-ILLYRIA!
Segmente të saj të veçanta apo të orientuara në drejtim të shteteve fqinje, të cilat akoma mbajnë nën pushtetin administrativ territore pellazge-ilire-shqiptare, duhet të emërtohen sipas emrave të fiseve ilire që kanë jetuar në regjione të caktuara.
Shembulli i parë: Në zinxhirin e Autostradave kombëtare-ILLYRIA, traseja nga jugu i Shqipërisë e në drejtim të kufirit fundor të Kosovës, segmentet e caktuara do të emërtoheshin sipas fiseve ilire banuese në rajonet kah kalon autostrada, për shembull: Autostrada ILLYRIA, segmentet-Epiri, Molloscia Thesprotia, Dasaretia, Kaonia, Taulantia, Albania, Pirustia, Dardania, etj…
Segmentet e Autostradës-ILLYRIA, që (do të) shkojnë drejt Maqedonisë së sotme, do të emërtoheshin: Enkelea, Payonia, Lychnida (Liqeni i Ohrit), Thrakia etj…
Segmentet e autostradës-ILLYRIA, që drejtohen kah Mali i Zi, Kroacia e Bosnja, do të emërtoheshin: Ardiania, Dalmatia, Liburnia, Dokleatia, Breucia, Istria etj…
Segmentet e autostradës-ILLYRIA, që drejtohen kah Serbia, do të emërtoheshin: Dardania, Naisus, Misia, Panonia etj…
Njëjtë me shembujt e lartshënuar mund të veprohet edhe me segmentet e autostradave në drejtim të Greqisë e Italisë.
Nuk është e pamundur që me një presion të kuptueshëm, emërtimet të tilla, të zyrtarizohen edhe brenda shteteve fqinje, na rajonet me shumicë shqiptare të përqendruar.
Po ashtu, segmentet e autostradave brenda shtrirjes administrative të Shqipërisë e Kosovës, duhet të emërtohen sipas fiseve e nënfiseve ilire që kanë jetuar në rajonet kah kalojnë e shtrihen ato:
Në zinxhirin e autostradës kombëtare-ILLYRIA, segmente të veçanta, mund të emërtohen edhe me emra të qyteteve domethënëse, pellazge-ilire, fortifikatave a monumenteve të kulturës sonë antike, por edhe me emra të vendeve të njohura ndërkombëtarisht të kulturës sonë, deri në fundin e mesjetës së vonë.
Emrat dhe ngjarjet e pas shekullit të pesëmbëdhjetë, përmbajtjesisht mund të jenë emërtime të rrugëve urbane që lidhin qytetet e vendbanimet shqiptare sot.
Në linjat ndarëse të rrugëve urbane, mund të jenë edhe emra të personaliteteve ndërkombëtare që thanë të vërtetën përfaqësuese për qytetërimin shqiptar, si: Edith Durham, Gustav Myer, Milan Shuflay, Lord Bajron, Edvin Pears, Von Hahn e dhjetëra a qindra të tjerë.
Në zinxhirin e autostradës gjithëkombëtare-ILLYRIA, do të duhej të zinin vend në regjione të caktuara edhe emërtimi apo ekspozimi përfaqësues, monumental i figurave të mëdha, nga lashtësia e hershme e deri sot. Mund të ketë identifikim përfaqësues të vend-pushimeve apo objekteve përcjellëse të autostradës, përfshirë edhe portet e aeroportet, me emrat e: Lekës së Madh, Mbretëreshës Teutë, mbretërve e princërve, Pirro-Glauk, Bardhyl, Agron, Bato, Monun, Longar, Gent, Gjin Bua Shpata, Arianit, Topiaj, Dukagjin, Donika Kastrioti, Mamica Kastrioti, Marin Barleti, Gjin Gazulli, Frang Bardhi etj. Mund të ketë edhe emërtime sipas monumenteve domethënëse të kulturës antike e mesjetare pellazge-ilire-shqiptare, si Apollonia, Buthrintys, Rozafa, Dyrrahium etj. Gjithsesi, në shprehje mund të vine edhe emërtime me emra të liderëve të perandorëve romake me origjinë ilire, si: Dioklecian, Justinian, Konstantin, Anastas etj….
Figura e Skënderbeut
Figura e Skënderbeut, për shkak të lartësisë së veçantë të përfaqësimit, duhet të trajtohet në baza ligjore, si figurë unifikuese nacionale dhe evropiane. Do të ishte dinjitoze që Parlamenti i Evropës, në stemën e tij ta ketë Skënderbeun si krijuesin e idesë e platformës për një Evropë unike në dimensionin kulturor, gjeopolitik e ekonomik.
Si të realizohet propozimi?
Një këshill gjithëkombëtar, i përplotësuar edhe me këshilltarë ndërkombëtarë të dëshmuar, do të duhej të formohej për të vënë kornizat shkencore e formale të këtij propozimi, i cili do të duhej të dekretohej në formë ceremoniale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura