Pashtriku.org, 25. 01. 2017: “Fundjavë Ndryshe” është nisma e ideuar nga Arbër Hajdari dhe Ilir Hoxholli. Kjo nismë synon t’iu vijë në ndihmë familjeve në nevojë, duke i evidentuar fillimisht ato dhe më pas duke dhuruar. “Bamirësia nuk të varfëron” është motoja e kësaj nisme, e cila deri më tani ka ndihmuar plot familje në nevojë dhe ka nxitur të tjerë donatorë të dhurojnë.“Fundjavë Ndryshe”, sikurse rrëfejnë edhe dy iniciatorët për “Koha Jonë” ka nisur si rastësi. “Kishte kohë që ishte gatuar brenda nesh, pasi ne shpesh kemi bërë nisma të tilla individuale”, tregon Ilir Hoxholli, njëri nga nismëtarët. Në këtë kohë përmbytjesh “Fundjavë Ndryshe” është gjendur pranë familjeve në nevojë duke i dhuruar ushqime, veshje apo lodra për fëmijët. “Gjendja është alarmante. Shumë familje kanë humbur banesat e tyre dhe çdo gjë që kanë pasur.”, tregon Arbëri, nismëtari tjetër. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Arbri dhe Iliri tregojnë sesi lindi kjo ide, qëllimi i saj, aktivizimi i të rinjve në të tilla nisma dhe sesi secili prej nesh në fund të japë kontributin e vet për një fundjavë ndryshe
Arbër Hajdari dhe Ilir Hoxholli
Arbër Hajdari: “Çdo njeri në vetvete është bamirës, thjesht duhet një ngacmim për t’i nxjerrë pak nga rutina e obligimeve të ndryshme”.
K.J: Arbër, edhe pse në moshë tepër të re, jeni iniciatori i një nisme bamirësie që sapo ka nisur fuqishëm. Çfarë do të thotë kjo nismë për ju?
A.Hajdari: Mosha ime e bën këtë nismë edhe më të suksesshme, pasi rinia nuk është shumë e dhënë pas bamirësisë, po ashtu kjo nismë është një vlerë edukative në thelbin e saj. Kjo ka shërbyer në rregullimin e sjelljes time dhe mënyrës së jetuarit. Fundjava për mua nuk është thjeshtë një nismë, është pjesë e jetës time, një gjë për të cilën unë kaloj kohë dhe që e bëj me shumë dashuri. Kjo është mënyra ime e të jetuarit.
K.J: Keni një mesazh për të rinjtë e sotëm që ndoshta janë paksa indiferentë ndaj të tilla nismash?
A.Hajdari: Unë mendoj se bamirësia është shumë e rëndësishme në jetën e të gjithëve. Rinia duhet të mësohet që ta menaxhojnë më mirë kohën e tyre, duhet që t’i japin më shumë vlera jetës së tyre dhe bamirësia është një prej elementeve që ndryshon shumë gjëra pozitivisht në jetën e njeriut. Rinia shqiptare kalon një pjesë të madhe të kohës në kafene apo klube të ndryshme të Tiranës, por unë mendoj se të ndihmosh dikë është shumë më mirë se kaq. Të mendosh që jo shumë larg nga klubet më të frekuentuara të Tiranës ka fëmijë që nuk ushqehen është paska e rëndë, por kjo nuk do të thotë që rinia nuk mund të shkojë në këto vende, ama sikur të shpenzoj për bamirësi pak nga shpenzimet dhe nga koha e tyre, kjo do të ishte perfekte.
K.J: A kanë të rinjtë e sotëm kulturën e të dhuruarit jo vetëm materialisht, por edhe kohë nga koha e tyre për të qenë pranë familjeve në nevojë?
A.Hajdari: Shenjat e para janë pozitive. Ne kemi shumë të rinj që i janë bashkuar nismës dhe ndihen mirë që po ndihmojnë njerëzit në nevojë.
K.J: “Fundjavë ndryshe” ka qenë pranë familjeve në nevojë në këto ditë përmbytjesh. Si paraqitet gjendja?
A.Hajdari: Gjendja është alarmante. Shumë familje kanë humbur banesat e tyre dhe çdo gjë që kanë pasur. Është e frikshme të shikosh fëmijë që nuk dinë se ku do ta kalojnë natën e që nuk mbajnë mend se kur kanë ngrënë për herë të fundit.
K.J: Si ka qenë interesi i moshave të reja për t’iu bashkuar kësaj nisme bamirësie?
A.Hajdari: Pjesa më e madhe e rinisë në Shqipëri nuk ka se çfarë të dhurojë, ama ata janë shumë të dobishëm duke dhuruar kohën e tyre. Vihet re se interesimi është i madh nga shumë të rinj dhe kjo është diçka pozitive. Ka pasur shkolla të ndryshme që na kanë kontaktuar dhe duan t’i bashkohen nismës. Kemi pasur mes nesh edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare që kanë dhuruar lodra për fëmijët në nevojë.
K.J: Përveçse njerëzve të thjeshtë, kemi vërejtur që “Fundjavë Ndryshe” i janë bashkuar edhe figura të njohura. I keni ftuar ju apo ata ju kanë kontaktuar vetë?
A.Hajdari: Çdo njeri në vetvete është bamirës, thjesht duhet një ngacmim për t’i nxjerrë pak nga rutina e obligimeve të ndryshme. Ka nga ato figura publike që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e nismës e disa të tjerë janë të ftuar nga “Fundjavë Ndryshe” me qëllim sensibilizimin e shoqërisë shqiptare. Ne kemi venë re se shqiptarët janë bamirës dhe kjo nismë do të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë, sepse ne kemi një moto, “Bamirësia nuk të varfëron”.
Ilir Hoxholli: ” Zakonisht idetë formalizohen rrugës,…”
K.J: Ilir, “Fundjavë Ndryshe” është iniciativa më e re e bamirësisë që ka nisur. Si lindi kjo ide?
I.Hoxholli: Zakonisht idetë formalizohen rrugës, them kështu pasi sot që mendojmë përmasat që mori “Fundjavë Ndryshe” në momentin që nisi, nuk e kishim menduar të tillë. Arbri kaloi një fundjavë që përkoi me një festë duke shtruar një drekë për familjet në nevojë. Më pas ajo ndjenjë që ai kishte kaluar, e ndau me mua në kafe. Tani që e mendoj, kuptoj që ajo lindi si rastësi, por kishte kohë që ishte gatuar brenda nesh, pasi ne shpesh kemi bërë nisma të tilla individuale. E kuptoja mirë ç’kishte ndodhur në ato momente me Arbrin. Vendosëm ta vazhdonim, duke çuar ushqime në familjet në nevojë dhe aktivitetet e para nuk i pasqyruam në faqen tonë me të njëjtën emër “Fundjavë Ndryshe”, sepse ndjenja më e bukur është kur këto vepra nuk bëhen publike. E quajtëm “Fundjavë ndryshe”, pasi ajo që njihet zakonisht mes nesh është fundjava me shpenzime, nëpër restorante, për të cilat nuk jemi kundra, por në tërë ata shpenzime, mundet që njeriu të ndajë diçka për të afërmit, komshinjtë, për dikë që nuk e njeh, por që me pak kohë, pak ndihmë ta ndihmojë, t’i dhurojë buzëqeshje.
K.J: Ju si iniciatorë të kësaj nisme, përveçse i gjendeni pranë familjeve në nevojë, çfarë mesazhi synoni të përcillni në shoqërinë tonë?
I.Hoxholli: Për të qenë i sinqertë ata që përfitojnë më shumë janë dhuruesit. Ndjehen mirë, mbi të gjitha vlerësojnë gjërat për të cilat fati nuk i ka sprovuar të mos i kenë. I bën njerëzit më të mirë, më solidarë, më humanë. Nuk biem në grackën vetëm të denoncimit të rastit, por bëjmë diçka dhe mundohemi t’u jemi pranë njerëzve në nevojë. Kjo lloj nisme ka pjesën edukative brenda vetes. Shumë familje marrin fëmijët me vete gjatë dhurimit, për t’i edukuar të jenë bamirës ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, duke blerë lodra, artikuj shkollorë, duke ndarë rrobat e tyre me ta. I bën ata vlerësues për atë që Zoti u ka dhuruar dhe një shoqëri më e ndjeshme ndaj dikujt që nuk ka.
K.J: Si i identifikoni familjet në nevojë? I kontaktoni ju familjet apo ju kontaktojnë ato vetë?
I.Hoxholli: Tashmë mekanizmi i ndërtuar nëpërmjet FB-së ka marrë formë, aty vijnë familjet donatore dhe njerëz që na shkruajnë për familjet në nevojë. Të shumta janë rastet që vijnë nga mediat, ndaj gjej rastin t’i falënderojmë. Kjo është dhe arsyeja e vetme që ne vendosëm të hapim një faqe dhe t’i publikojmë rastet, për të nxitur frymën e bamirësisë.
K.J: Nga aktiviteti i deritanishëm dhe kontakti juaj me këto familje, si paraqitet bilanci i nevojave të këtyre individëve?
I.Hoxholli: Rastet janë të ndryshme. Ka familje të shumta që janë për mbijetesë, për orendi shtëpiake, për veshje, artikuj shkollorë etj.. Ka dhe raste abuzive që na marrin në telefon, por ne kemi vendosur një filtër të fortë, ku i bëjmë një vizitë përpara, pasi shumica e tyre mendojmë se jemi shoqatë që nuk interesohet më pas se ku shkojnë ndihmat, por ne ndihmojmë aq familje sa familje kërkojnë të bashkëngjiten me ne në fundjavën përkatëse. Kjo e bën dhe ndryshe këtë nismë, sepse transparenca është 100%, ku donatori kontakton direkt familjen në nevojë.
K.J: Aktivitetet apo individët që dhurojnë, i shoqëroni gjithmonë ju?
I.Hoxholli: Në disa raste ne, kur nuk mundemi, ata shkojnë vetë, pasi ne jemi siguruar që ajo familje ka vërtetë nevojë. Ne nuk bëjmë thjesht shou, por tek çdo familje çojmë më shumë se 70-80 kg ushqime bazë, sepse duam që ndihma të zërë sadopak vend. Familjet donatore ndjehen të kënaqura pasi e shikojnë veten të vlefshëm që kontribuuan për diçka të mirë. Ju ftojmë dhe ju ta ndiqni nga afër një fundjavë ndryshe dhe do të kuptoni, që do të dëshironi të riktheheni përsëri.
K.J: Si procedohet për ata individë që duan të të dhurojnë apo t’i bashkohen kësaj nisme?
I.Hoxholli: Shumë e thjeshtë, mund ta gjejmë ne ose ata vetë familjen, blejnë ushqime, veshje etj dhe ditën e shtunë dhe të dielën sipas kohës dhe mundësisë ne nisemi për te familjet në nevojë. E nisëm me dy familje me Arbrin, sot shkojmë në 20 familje, rasti në Pezë ishim një eskortë me familjarë që kishin mbushur bagazhet me ushqime dhe ndihma të ndryshme dhe ua dhuruan vetë familjeve të varfra. Kurse ne ndjehemi mirë, marrim falënderime nga të dy familjet, donatorët që falënderojmë që u bënë pjesë e “Fundjavës Ndryshe” dhe familjet në nevojë që u ndihmuan.
Nje vit “Fundjave ndryshe”, historia e Leonardit dhe Merushes! (12.11.2016)
“Shih Programin” Fundjavë Ndryshe me Ilir Hoxhollin dhe Arbër Hajdarin “7.04.2016”
Oktapod – Intervista ne KUB | Fundjave ndryshe – 22 Janar 2016 – Vizion Plus
Fundjavë Ndryshe FULL
“FUNDJAVA NDRYSHE”Nje nisme bamiresie – 16 Dhjetor 2015