PROF.DR.IZET SHEHU&MA.Sc.MIFTAR MEHANI: KUJDESI NDAJ PUNËTORËVE ËSHTË NEVOJË E SHOQËRISË

Prishtinë, 28 prill 2017: Me rastin e ditës ndërkombëtare të mbrojtjes në punë dhe shëndetit të punëtorëve 28 Prilli.) – Njeriu sot, në botën bashkëkohore, konsiderohet vlera më e çmuar, ngase çdo gjë që krijohet dhe prodhohet, bëhet në emër dhe në të mirë të njeriut punonjës, prandaj në çdo proces teknologjik të punës është parësore dhe vendimtare, në radhë të parë, kujdesi për të, për jetën e tij, për sigurinë dhe shëndetin e tij, për mjedisin e tij punues dhe jetësor, për kushtet higjienike – teknike, për edukimin dhe pushimin e tij.
Në kushtet bashkëkohore, mbrojtja si veprimtari shoqërore, mund të trajtohet në kuptim të gjerë, por edhe të ngushtë të fjalës. Forma e saj e gjerë semantike perceptohet përmes legjislacionit të punës dhe me atë të politikave të sigurimit social, të cilët rregullohen përmes kufizimit të orarit të punës, shkurtimi i orarit të punës, pushimet dhe largimet nga puna, forma organizative dhe kushtet e punës, pagat dhe të ardhura e tjera, masat për punë të sigurtë në punë, pastaj mbrojtjes së veçantë për femra, për të rinj dhe për invalidë, mbrojtje shëndetësore, ndihma dhe kompensime, të drejta në rastet e invaliditetit, si dhe të drejta të tjera me të cilat garantohet siguria sociale dhe materiale në rastet e paaftësisë për punë. Në kuptimin e saj të ngushtë, ajo ka kuptimin e ndërmarrjes së të gjitha masave dhe aktiviteteve, me qëllim të krijimit të kushteve të sigurta të punës dhe të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve nga rreziku i cili shfaqet në mjedisin e punës dhe në vendin e punës.
Fillimet e mbrojtjes lidhen me përdorimin e masave mbrojtëse teknike në pajisje, të thjeshta, siç janë masat mbrojtëse nga makinat, stabilimentet dhe mjetet e tjera të punës, për mbrojtje nga lëndimet trupore. Pra, mbrojtje nga kërcënuesit akut të vendit të punës. Natyrisht, në atë stad -fillimi nuk ka patur dije për dëmet e shkaktuara në shëndetin e njeriut punues nga dëmtuesit e shumtë të mjedisit punues. Pra dëmtuesit kronik të vendit të punës, njihen shumë vonë dhe janë të lidhur me hovin e zhvillimit industrial. Ky zhvillim industrial e teknologjike, sidomos ndryshime në natyrën e punës, kah fundi i shekullit 20-të dhe në fillim të shekullit 21-të, kur arrihet një shkallë e lartë e automatizimit dhe teknologjisë informative, mundësoi që puna manuale (me dorë), të zëvendësohet me mekanizma punues që qenë produkt i kapitalit intelektual, gjë që mundësoi ndryshim edhe të sigurisë në vendet e punës. Këto avancime teknologjike kanë ndryshuar karakterin dhe thelbin e punës, krijuan kushtet të tjera punuese, porse edhe rreziqe të reja, e forma të reja të rrezikimit të punëtorëve. Automatizimi i lartë ka mundësuar futjen e një organizimi të ri në punë, lehtësira të madhe në kryerjen e punëve, produktivitet më të madh, standardizimin e vendit të punës dhe një varg ndryshimesh në raportet e punës. Përveç lëndimeve në punë dhe sëmurjeve të njohura profesionale, përherë e më shumë lajmërohen sëmurje që lidhen me punën, siç janë stresi dhe problemet psikologjike, të cilat zgjidhen me shumë vështirësi dhe janë të pranishme në të gjitha veprimtaritë dhe llojet e punëve. Prandaj në kushte bashkëkohore, vëmendje më e madhe u kushtohet rreziqeve dhe faktorëve të rrezikut, te cilët kanë të bëjë me organizimin e procesit te punës, me aftësitë psikofizike të punëtorëve, me marrëdhëniet sociale, si dhe sjelljen ndaj punës dhe jashtë punës.
Përherë e më shumë bëhet e nevojshme të ketë qasje shumë disiplinare, me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë, të cilat, përveç aspektit fizik, mundësojnë edhe ruajtjen e integritetit psikologjik e social të të punësuarit. Kjo nënkupton për të ndërmarrë aktivitete të ndryshme dhe zbatimin e masave të caktuara, siç janë: masat teknike, organizative, ligjore, ekonomike, arsimore, shëndetësore, sociale dhe të tjera. Teknologjia moderne, me përmbajtje të re të punës, kërkon njohuri të reja dhe risi të vazhdueshme, si për kryerjen e suksesshme të detyrave të punës, po ashtu edhe ato të kryhen në mënyrë të sigurt. Këto ndryshime, sigurisht, kushtëzojnë një mënyrë të re të organizimit dhe të funksionimit të të gjitha subjekteve, që kanë funksione të caktuara në sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë.
Dimensioni ekonomik i sigurisë dhe shëndetit në punë, i matur nëpërmjet pasojave të lëndimeve në punë, sëmundjeve profesionale dhe sëmundjeve që janë të lidhura me punën tregohen nëpërmjet disa treguesve financiar të cilët varen nga sasia dhe nga pesha e këtyre rasteve. Baza për krijimin e një sistemi nacional për sigurinë dhe shëndetin në punë, krijimin e politikave nacionale dhe rregullativave nacionale në ketë lëmi është ligji i Sigurisë në punë dhe direktivat e konventat e organizatave ndërkombëtare te cilat, ne ketë fushë, janë jashtëzakonisht te zhvilluara për arsye se ne boten bashkëkohore i jepet rendësi e veçantë, nga se shikohet nga prizmi human.
Një nga karakteristikat themelore te se drejtës bashkëkohore te organizatave ndërkombëtare dhe shteteve te zhvilluara është promovimi dhe futja e principit te bashkëpunimit dypalësh dhe ati trepalësh në fushën e Sigurisë dhe Shëndetit ne Pune ne te gjitha nivelet dhe e shprehur tek ne përmes Kontratës së Përgjithshme Kolektive. Me këtë mundësohet përfshirje e punëmarrësve dhe punëdhënësve përmes përfaqësuesve te tyre, si dhe kryeministrit te qeverise, ballafaqimin e mendimeve, zgjidhjeve me marrëveshje të problemeve që është mënyra më e mirë që të realizohen qëllimet e dëshiruara. Në këtë lëmi kjo qasje është veçanërisht e përshtatshme për arsye se të gjithë partnerët kanë interesa që të veprohet në mënyrë preventive në mënyrë që të evitohen pasojat e rrezikut profesional.
(Prof. dr. .Izet Shehu &Ma. Sc. Miftar Mehani – Kolegji “BIZNESI” Departamenti i Emergjencave në Prishtinë)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura