Tiranë, 8 maj 2017: Duket sikur politika është bërë realiteti gjithëpërfshirës dhe absolut i shqiptarëve. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një iluzion optik dhe aspak absolut.
Për shkak të virtualizmit të medieve, shumëfishohen subjekte politike, të paktën të dy-tre emrave të quajtur politikanë kryesorë. Midis tyre ekziston një luftë e pandërprerë, e skajshme, e fryrë, kundërmonjëse, e paparimtë, që i ngjan më tepër një grindje të egër dhe primitive.
Ky nivel i politikës shumëfishohet si kulturat bakteriale, zotëron tërë “kohën e humbur” të secilit prej nesh, përmbys ekuilibrat e vërtetë të arsyetimit, të psikikës, të emocioneve, dhe shfaqet gati si edhe një sindromë ndaj një depresiviteti të “kalorësve me fytyra të vrerosura” të politikës shqiptare.
Në të vërtetë kërkohet një demitizim i politikës dhe një kuptueshmëri popullore dhe kombëtare e saj. Duke qenë situata me një shpërndarje kapilare, të kudogjendshme, krijohet vetvetiu dhe ideja se populli shqiptar është i kapur peng jo vetëm nga disa politikanë që i ka votuar vetë, për fat të keq, por gati edhe për fajin e ndërkombëtarëve, të diplomatëve, të cilët po ta dëgjojnë apelin e drejtuar ndaj tyre nga thellësia e zemrës dhe e mendjes, e kanë në dorë të reagojnë, për të kapërcyer Rubikonin, për të bërë transformimin e realiteteve nga negativizmi apokaliptik drejt një pozitivizmi historik. Ka në këtë thirrje apelike diçka të vërtetë. Por e vërteta thelbësore ndodhet në vetëdijen e qytetarëve shqiptarë. Ata duken sikur janë jashtë loje në të vërtetë.
Duke patur parti që fitojnë vota për të qeverisur, apo dhe për të qenë në opozitë, krerët e këtyre partive mendojnë se çështja e ndeshjes së opinioneve midis tyre është një çështje e retorikës sa më absurde dhe sa më sarkastike, duke mos përmendur asnjëherë elektoratet, njerëzit e thjeshtë, duke “harruar” qytetarët e varfër nga më të varfrit e Europës, që politika nuk i pyet fare, duke e transformuar pikën inkandeshente të debatit në grupime e të pasurve (jo më kot deputetët në Kuvend sa vinë dhe zgjidhen përherë nga radhët e më të pasurve), duke treguar kështu haptazi krizën më të madhe të institucionit të partive, krizën e partive tradicionale me elektorate tradicionale. Ky vështrim më i epërm, më i thellë, është i domosdoshëm, nuk është aspak një luks mendor. Ky vështrim mund të shpjegojë gjithçka.
Le të më lejohet ta shtjelloj arsyetimin tim. Në 7 maj ishte caktuar me dekret të Presidentit të Republikës, Nishanit (që u tregua një militant partiak i spikatur i PD, duke mos u ngritur në pikën e pavarësisë të simbolit të unitetit kombëtar, d.m.th mbi partitë) zgjedhjet në Kavajë. Ky dekret është ligjor. Juridiciteti i këtij dekreti nuk varet as nga Kryeministri Rama as nga Basha i opozitës. Është jashtë kompetencave të tyre ligjore. Për shkak të luftës politike, të skenarëve destabilizues, të të ashtuquajturave “shpërthime” të revolucioneve demokratikë imagjinarë, Rama tërhiqet dhe zgjedhjet në Kavajë nuk bëhen.
Pra në vend të ligjores u kalua në një status të joligjores. Që në kohën e mendimtarit të mrekullueshëm Monteskje, postulati se “zhvillimi i qytetërimit është respektimi i ligjores, duke e kapërcyer joligjoren, është një kryeide për të treguar vetëdijen juridike të qytetarëve.” Por nuk ndodh kështu në Shqipëri.
Në 18 shkurt u mor leja ligjore për një miting të madh të opozitës, por nga kjo datë e deri më sot në sheshin para Kryeministrisë, duke e ndaluar përdhunshëm dhe pa asnjë kuptim trafikun e makinave dhe të njerëzve është ngritur Çadra e mbiquajtur si e Lirisë. Policia e Shtetit duhet të respektojë situatën ligjore, që rrugët dhe sheshet nuk mund të zaptohen më shumë sesa 24 orë, sepse kalojmë kështu në një dhunim të të drejtave të njerëzve për lëvizjen e lirë, për të krijuar një castrum beteje verbale.
Por Rama heshti, sepse në të vërtetë edhe ai kishte bërë të njëjtën gjë kur jashtë ligjeve të shtetit ngriti çadrën e tij para disa viteve për grevën groteske të urisë e cila krijoi një ngërç politik të madh. Gjithsesi një drekë konvencionale në restorantin me emrin e habitshëm “Krokodili” krijoi një lloj alibie triumfale, por edhe groteske për të çliruar pikërisht atë shesh para Kryeministrisë që është zënë sot.
A ka të drejtë opozita të protestojë?
Padyshim që ka të drejtë. Absolutisht ka të drejtë. Nuk mund të konceptohet opozita pa protestën. Pa protëstën opozita është e vdekur.
Por për çfarë proteste bëhet fjalë? Bëhet fjalë për zërin e lirë të opozitës. Bëhet fjalë për publicitetin maksimal të verbeve dhe akuzave të opozitës. Por kjo fare mirë mund të bëhet nga foltorja e Kuvendit. Kjo fare mirë mund të bëhet në të gjitha studiot e mediave, jo vetëm në kryeqytet, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sepse nuk mund t’i ndalojë askush.
Nuk është e thënë se një pikë e caktuar siç është Çadra, e bën me mençuri më të koncentruar fjalën e Bashës, apo opozitarëve të tjerë. Pra, ligjorja ekziston për këtë liri të shprehjes. Kurse joligjorja, bllokimi urbanistik i qytetit është një formë joligjore, që nuk shton, as distilon dhe as sublimon asgjë.
A ishte tërheqja e Ramës nga zgjedhjet në Kavajë një shenjë e mençurisë? A ishte kjo gjë një formë e metaforës së shahut siç e tha edhe ai vetë? Unë nuk e përjashtoj rastin, që pa qenë dogmatik të një ortodoksie rigoroze të ligjit, të ketë në politikë edhe taktika, madje edhe lëshimë, kompromise të dyanshme, sepse në të vëretetë kemi të bëjmë me materien e tillë të vetë politikës.
Tërheqja e Ramës nga Kavaja trumbetua si fitore e madhe e opozitës. Në fakt nuk është aspak fitore, por është një situatë e tretë midis një fitore ligjore dhe një humbje po ligjore. A mundet që nga kërcënimet e opozitës të ketë patur një reflektim negativ, madje dhe psikologjik tek Kryeministri? A mundet që në këtë mënyrë të sulmit agresiv të mundet me të gjitha mënyrat kundërshtarin?
Le ta organizoj akoma me disa detaje analizën time. Është pozitive që Rama dhe Basha u takuan disa herë, ndonëse kanë mbetur në pozicionet e tyre gati antagoniste. Për mua takime të tilla janë vetëm të dobishme. Madje takime të tilla janë forma adekuate të politikës.
Por kur dëgjoj se Rama duke u hequr dhe si shahist politik, bën lëshime të çuditshme, si përshembull propozon për opozitën postin e zëvendëskryeministrit, të disa zëvendësministrave, apo dhe të disa posteve të tjera të larta shtetërore, unë e ballafaqoj këtë gjë të pabesueshme me Kushtetutën e Shqipërisë.
Sipas Kushtetutës të Shqiëprisë nuk është aspak ligjore që një partie qe i ka humbur zgjedhjet e përgjithshme politike në 2013, në 2017 t’i propozohet numri 2 i qeverisë, që është zëvendëskryeministri. Si ka mundësi? Si mund të ndodhe një kompromis i tillë joligjor?
Natyrisht që këto ishin propozime potenciale të Ramës dhe Basha i skualifikoi.
Por në rastin e një pranimi do të kishim një virtualizëm të ri politik. Madje kjo do të hapte një perspektivë të habitshme të një qeverisje të përbashkët në të ardhmen të PS-së me PD-në.
Precedenti vetëm e përforcon dhe e fuqizon këtë fakt. E bën më të besueshëm dhe konkret. Atëherë pse do të duheshin zgjedhjet e përgjithshme politike?
Pse në këto zgjedhje duhet të ketë parti fituese dhe parti që humbin zgjedhjet?
Dhe në fund të fundit pse duhet të ketë opozitë? Pse duhet kriticizmi i opozitës? Perspektiva e një qeverisje të përbashkët midis PS dhe PD madje dhe partive të tjera të vogla do të bënte që në Shqipëri të brishtëzohej, të copëzohej, të eliminohej fare koncepti i opozitës.
Arsyetimet mendore janë gati si ekuacionet algjebrike.
Kështu atë që nuk e arrin ligjorja, mund ta arrijë për ta zhbërë joligjorja.
A është tërheqja nga zgjedhjet në Kavajë dhe një paralajmërim për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit?
Kjo duket gati si një pyetje hamletiane, pra gati në një ankth shekspirian, por nuk është aspak e tillë. Le ta qetësojmë mendjen. T’i hedhim tutje emocionet. Data e 18 qershorit është dekretuar nga Presidenti Nishani dhe është ligjore. Është absolutisht kushtetuese. Askush nuk ka të drejtë ta anulojë, apo ta zhvendosë në kalendar. As Kryeministri dhe as Kryetari i Opozitës nuk e posedojnë këtë të drejtë. Kushtetuta nuk ua njeh këtë të drejtë.
Atëherë si mund të mendohet që me lehtësi dhe si në një lojë pokeri të vendoset që data 18 qershor të mos jetë data e zgjedhjeve politike të përgjithshme në Shqipëri? Çdo tentativë joligjore nuk ka fuqi ta zhbëjë joligjoren.
Pyes: kush do ta shprishë dekretin presidencial për 18 qershorin? A mund ta bëjë këtë njeriu që e ka mbaruar mandatin e Presidentit, d.m.th Nishani?
Presidenti i ri Meta ende nuk e ka bërë betimin në Kuvend. Normalisht ai nuk e ka kushtetutshmërinë e zhbërjes së dekretit të paraardhësit të tij.
Nuk është normale që një President i ri ta zhbëjë dekretin e një presidenti para tij, aq më tepër dekretin e datës së zgjedhjeve që përbën pikën konceptuale më të rëndësishme dhe të pakundërshtueshme të një shoqërie demokratike.
Po atëherë ç’do të ndodhë?
A munden qytetarët e Shqipërisë “poshtë” t’u thonë vetëm “Amen” për çdo ndryshim apo kapriçio që bëjnë politikanët “sipër”?
A nuk zmadhon kjo gjë hendekun midis popullit, elektorateve dhe kastës politike?
A nuk krijon kjo një dizonancë të vrazhdë dhe absurde midis ligjores dhe joligjores?
Unë mendoj se të gjitha pandehmat për të ndryshuar datën e zgjedhjeve të përgjitshme politike të 18 qershorit duhen marrë me rezervë dhe të shmanget çdo panik i kotë, për të realizuar sipas standarteve demokratike zgjedhjet në Shqipëri.
Këtë gjë duhet ta mendojnë dhe politikanët. Ndryshe tërë populli shqiptar ka të drejtën e një bojkoti të plotë për të mos zgjedhur asnjë nga kandidatët për deputet të propozuar nga listat e nëmura dhe klienteliste të kryetarëve të partive. Kjo do të thotë që establishmeti i sotëm politik jo vetëm që nuk ka shkëlqyer dhe nuk është emancipuar, por përkundrazi reflekton retrograde, primitivizëm, mllef provincial dhe një banalitet politik herë herë të frikshëm.
Ky establishment politik ka 26 vjet që ka krijuar sektin e vet të të pasurve dhe poseduesve gati privatë të sektorëve të politikës publike. Është e habitshme që në luftën politike të sotme dallohet një manikeizëm, ku alternohet vetëm ngjyra e zezë dhe e bardhë, d.m.th vetëm një po dhe një jo, një filozofi e hershme fetare ku ai që fiton është gjithmonë i Miri dhe ai që humb është gjithmonë i Keqi.
Në këtë aspekt narrativa retorike e Bashës nuk i është shmangur dot disa elementëve romantikë, për të treguar një “kryengritje” apo “revolucion permanent” kundër establishmentit të vjetër politik që shprehet në formulën e bujshme të shkatërrimit të Republikës së Vjetër dhe të krijimit të Republikës së Re.
E kam theksuar se dhe Basha i takon establishmentit të vjetër. Historia e Shqipërisë i ka reflektuar disa herë vonesat historike. Kriticizmi ndaj establishmentit të vjetër politik në Itali dhe në Greqi, në Shqipëri arrin të paktën me disa vite vonesë. Kjo do të bëjë të mundur lindjen e partive të reja politike.
Është një e vërtetë e pakundërshtueshme se partitë lindin dhe vdesin. Është e pamohueshme se partitë nuk janë të përjetshme.
Shikoni ç’ndodhi me Partinë Socialiste në Itali të Kraksit! Apo ç’ndodhi me Pasokun në Greqi. Kujtoni dhe Partinë Socialiste franceze. Kjo parti që imitoi idetë e neoliberalizmit, të privatizimit të skajshëm të çdo sektori publik, sot nuk është ajo partia e famshme dhe e madhe e dikurshme. Në Francë ka shtuar ndikimin e tyre idetë e ekstremizmit të djathtë. Nuk besoj se ndikime të tilla nuk do të mbërrijnë kurër në Shqipëri.
Përkundrazi, mund të thuhet si një klonim realiteti fakti se ajo që ndodh në Europë do të ndodhë dhe në Shqipëri, pavarësisht vonesave, apo konceptimeve.
Ne nuk arritëm dot të kemi një klasë politike të mençur dhe burra shteti të vërtetë në këto 26 vjet. Diletantizmi politik, improvizimi, mungesa e profesionalizmit dhe e kulturës së shumëfishtë politike ka bërë që deputetët në Kuvend, kryeministrat, ministrat, figurat e administratës publike të largohen përherë e më tepër nga formati i personaliteteve të vërtetë, ose të përqendrohen në alkiminë e fabrikimit të katapultimit të figurave publike në postet kryesore të shtetit shqiptar.
Ky është një problem shumë serioz, më saktë problemi i problemeve për ardhmërinë e Shqipërisë.
Ka filozofë sot në botë, mendimtarë të cilët flasin për “vdekjen e bardhë të politikës”. Ata thonë se politika nuk është më tashmë një profesion, apo disiplinë “shumëdimensionale”.
E kam në shtëpi dhe e lexoj herë pas here librin e mendimtarit amerikan Francis Fukuyamas “The end of histori and the last man” të botuar më 1992 që pati një jehonë të madhe ndërkomëbtare, madje të jashtëzakonshme.
Ky mendimtar shpalli urbi et orbi se me Rënien e Murit të Berlinit, të shkatërrimit të bipolaritetitm, të Luftës së Ftohtë, nuk do të ketë më histori të mirëfilltë politike. Në këtë mënyrë ai mendon se njerëzimi do të përjetojë Fundin e Historisë.
Kjo do të arrihet nga bollëku dhe parajsa kapitaliste që i bën të panevojshme kundërvëniet e sistemeve politike dhe ekonomike, pra ekonomia do zëvnedësojë përfundimisht historinë.
Sot në të gjitha nivelet akademike, por dhe të metropoleve të politikës të gjithë nënqeshin për tezat e këtij libri i cili u quajt nga autori si “Ungjilli i Mirë” (“Good Gospel”).
Njeriu, që e kritikoi me të drejtë, qe mendimtari francez Jacques Derrida i cili kritikoi këtë “Marrëzi eskatologjike”, apo “teleologji gnostike” të propagandës.
Jacques Derridas nënvizoi se: “Kurrë në histori horizonti i gjërave, i dukurive, mbijetesa e të cilave festohet, s’ka qenë më i errët, kërcënues dhe i kërcënuar.”
Koha po e vërteton përherë e më shumë brishtësinë edhe të projekteve të mëdha të njerëzimit. Ideja e Europës së Bashkuar, profetizuar nga Victor Hugo në shek.XIX si “Agimi i ri i qytetërimit njerëzor” me goditjen e Brexit nga ana e Britansië së Madhe, pra të largimit separatist nga strukturat e BE-së e kanë vënë në dyshim të ardhmen e BE-së. para disa vjetësh kishte lexuar librat e sociologut të njohur Antony Gidens, që e kritikonte projektin e Europës së Bashkuar, si “një organizëm që i mungojnë aksesorët dhe instrumentët funksionalizues dhe përmbajtësorë.”
Përfaqësuesja e ekstremit të djathtë në Francë Le Pen është shprehur qartazi se në rast se do të zgjidhej presidente e Francës do të bënte një gjë të ngjashme me Britaninë, pra një Franxit. Me këtë do të merrte fund Bashkimi Europian. Nuk do të ketë frymëmarrje sepse humbet partneriteti evropian dhe prishet ekuacioni te gjymtyrët kryesorë të mbijetesës mendore.
Për shqiptarët prishja e projektit të Europës së Bashkuar do të ishte diçka shumë e keqe dhe do krijonte vështirësi të mëdha në të gjitha kuptimet. Ky është një proces i ndërlikuar. Është ende herët për të folur në mënyrë përfundimtare, apo fataliste.
E rëndësishme është që shqiptarët dhe përfaqësuesit politike të tyre ta kenë të qartë se shpërbërja e Bashkimit Europian do të sillte dhe një humbje të kauzës për politikën e brishtë shqiptare. Natyrisht një popull i kulturuar dhe me vizion politik të madh mund t’i përballojë të gjitha sfidat. Por për fat të keq për shqiptarët vizioni politik nuk është aspak ai që duhet të jetë.
Të mos harrojmë se kombi shqiptar është një komb policentrist, pra ka disa qendra të organizimeve shtetërore, si në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, por ka pjesë të kombit shqiptar edhe në shtete të tjera të Ballkanit.
Kjo e bën më të ndërlikuar procedurën dhe konceptimin e ardhmërisë politike, por jo krejt të pamundur.
Po i rikthehem dhe njëherë tezës logjike të ndryshimit midis ligjores dhe joligjores. Në këtë aspekt ne kemi vetëm një kod konceptual: që është Kushtetuta (me gjithë rrënimet dhe ndryshimet e padrejta që i kanë bërë).
Kushtetuta demokratike është përmbledhje rregullash veprimi, për jetën shoqërore por dhe për luftën për pushtet. Kushtetuta mund të konsiderohet edhe si administrim i konflikteve civile.
Një Kushtetutë demokratike përmban disa konsensus themelor, që janë të drejtat themelore që janë ligjërisht detyruese por njëkohësisht dhe të drejta, që i hapin hapësira por dhe i vënë disa kufi veprimit politik. Shumica nuk ka të drejtë të bëjë gjithçka, ajo s’ka të drejtë të arrijë deri në mohimin qenësor të pakicës. Në këtë mënyrë Kushtetuta njeh parimin e anëve komplementare të subjekteve dhe të aktorëve kryesorë të politikës. Vetëm konceptimi kushtetues mundet të krijojë të tëra kushtet dhe mundësitë për një zhvillim progresiv.
Kjo gjë nuk duhet harruar asnjëherë, aq më tepër kur në luftën verbale politike si nga partitë qeverisëse, ashtu edhe nga opozita ngrihet një antagonizëm gati animalesk, duke harruar të gjitha atutë dhe elementët përbashkues të qenies dhe të identitetit tonë qytetar dhe kombëtar.
Unë shpresoj me qetësi se do të bëhen zgjedhjet e përgjithshme politike më 18 qershor. Të tërë ndërkombëtarë, partnerët tonë kryesorë të BE dhe Amerikës janë shprehur se edhe pa pjesëmarrjen e PD-së zgjedhjet politike do të njihen. Kushtetutshmërisht, nga ana formale e ligjit nuk është se është skualifikuar PD-ja nga zgjedhjet.
Një skualifikim i të tjerëve të PD-së nga zgjedhjet e përgjithshme politike do të përbënte një krim kushtetues dhe pse jo dhe shtëtëror. Me rastin konkret PD është vetëshpallur e përjashtuar.
Ky është një gabim i madh. Ky gabim është i dyfishtë.
Së pari, ligji për zgjedhjet e përgjitshme politike është detyrues nga pikëpamja juridike për tërë qytetarët e Shqipërisë., pra jo për partitë. Janë qytetarët e Shqipërisë që ligjërisht vendosën mbi partitë dhe kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e partive të cilët ata mendojnë se i plotësojnë kushtet e tyre të jetës dhe të perspektivës.
Së dyti, gabimi i PD në këtë rast ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të votuesve të tyre, të cilët e kanë të drejtë ligjore votimin po aq sa e kanë dhe detyrim. A është vendimi i PD për të mos marrë në zgjedhje edhe tërë vendimi i tërë votuesve të saj? Kjo nuk mund të saktësohet dot. Më normale është të mendosh se votuesit e elektoratit të djathtë nuk mund të provohen kurrsesi nga e drejta për të votuar. E drejta për të votuar është substanciale. Është e patjetërsueshme.
Për sa i përket monitorimit të zgjedhjeve kjo gjë instrumentalizohet nga institucionet ndërkombëtare dhe përcaktohet prej tyre, vetëkuptohet dhe nga publiku shqiptar.
Por le të mos mbetemi vetëm në rrafshin e formalitetit, qoftë ky dhe formaliteti i mirëfilltë politik, apo dhe juridik.
Unë jam shprehur se nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhje, zgjedhjet mund të njihen nga ndërkombëtarët, por megjithatë mbas një viti ,ose më herët apo dhe diçka më vonë duhet kaluar në zgjedhje të parakohshme, duke bërë kështu të mundur procesin e fermentimit dhe të reflektimit të mendimit të opozitës dhe të PD-së për të mos u shmangur historisë së sistemit demokratik, për të konkurruar dhe për të qenë pjesëtarë jo vetëm konceptualë, por dhe fizikë në zgjedhjet e përgjithshme politike.
Unë mendoj se kështu mund të ndodhë. Por natyrisht ky është një mendim i imi modest.
Nga ana tjetër mendoj se opozita është një institucion kushtetues. Opozita as nuk mund të klonohet, as mund të zëvendësohet.
Mungesa e opozitës do të ishte një fatkeqësi kombëtare dhe shoqërore.
Prandaj në pikëpamje kushtetuese unë do të mbetem përherë një mbrojtës i subjektivitetit dhe mbijetesës së çdo opozite.
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: ËSHTË KOHA QË PATRIOTIZMI I SHQIPTARËVET TË MENAXHOHET ME MENÇURI
Durrës, 21. 06. 2016: Nata midis 19 e 20 qershorit 2016 ishte natë deliri për shqiptarët. Armando Sadiku…
DILAVER GOXHAJ: REAGIM NDAJ EMISIONIT TË TV-DUKAGJINIT, TË DATËS 10 TETOR 2018!
Tiranë, 12 tetor 2018: Duke ndjekur emisionin e TV Dukagjinit , me titull: “Të pathënat për UêK-në”, të…
ELIFE LUZHA: GJUHA E URREJTJES DHE PASOJAT E SAJ
Marrëdhëniet e mira ndër njerëzore, ku hynë: toleranca si dhe respektimi i tjetrit, pa marr parasysh nacionalitetin, gjuhën…
MBAJTJA E MASKËS NË MAKINË ËSHTË NJË MASË ABSURDE!
Nga arkivi i Facebookut, më 31 dhjetor 2020 MBAJTJA E MASKËS NË MAKINË ËSHTË NJË MASË ABSURDE! Nga…