ADNAN ABRASHI: BISEDIME APO LËSHIME ME SËRBINË?!

Prizren, 30. 09. 2012 – (“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”- Neni 1, pika 1, e Kushtetutës së RK) – Pas gjithë atij presioni ndërkombëtar, tanimë është e sigurt se shumë shpejtë do të kemi edhe një raund të bisedimeve me Serbinë. Krahasuar me ato parapraket, këtë herë nuk po tentohet t’i vihet ndonjë mbiemër i përshtatshëm kamuflues si mashtrim për opinionin (alla teknike apo diçka tjetër). Po tregohet drejtë: do të jenë puro politike! Do të jenë aq politike dhe me vendime kompromisesh, saqë edhe shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, në takime të ndara me kryeministrin kosovar Hashim Thaçin dhe me presidentin serb Tomisllav Nikolliq në Nju Jork, ua ka bërë të qartë se këto dy vende i presin “vendime të vështira”.
Po ashtu, siç paralajmërohet, ato do të jenë të nivelit të lartë të përfaqësimit politik-shtetëror, nga palët negociatore – në nivel presidentësh apo kryeministrash. Ndërsa, si lehtësues (ndërmjetësues) nga BE-ja do të jetë vetë shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, e nga SHBA-të sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton.
Së paku, varësisht nga niveli i paralajmëruar përfaqësues diplomatik, mbase këtë herë nuk do të ketë aq hapësirë për taktizime të qëllimshme zvarritëse të palëve dhe nga aty patjetër në fund do të del një marrëveshje e cila sigurisht nuk do ta kënaq në tërësi asnjërën nga palët bashkëbiseduese. Po ashtu, sikurse në këto situata parapregaditore të diplomacisë perfide ndërkombëtare diku në hije, veç po zhvillohen takime të fshehta bilaterale të nivelit më të ultë.

……………………………………….

Sa më shumë po afrohet dita zyrtare e mbajtjes së tyre, aq më tepër politikanët tanë në pushtet po na zotohen se në këto bisedime ata nuk do të lëvizin asnjë milimetër nga principet e përcaktuara si në “Pakon e Ahtisarit”. Dakord. Por, fare nuk e kam të qartë se pse ne po thirremi në “Pakon e Ahtisarit” kur pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë, edhe ato disa kompetenca që ishin të rezervuara për përfaqësuesin e ICO-së në Kosovë (ndërkombëtar), i kemi në Kushtetutë?! Pra “Pakon e Ahtisarit” e kemi qind për qind në Kushtetutë. Nga ana tjetër, ka edhe të tillë politikanë që thonë pak si më drejtë se në këto bisedime aspak nuk do të lëvizim nga parimet dhe dispozitat e Kushtetutës në fuqi.
Bukur! Ata po e thonë shpesh këtë si automatizëm duke harruar se mos shkelja në asnjë çast e parimeve dhe dispozitave kushtetuese është obligim i tyre parësor. Pse atëherë ju duhet që pandërprerë të përsërisin (posaçërisht kur është fjala për ndonjë bisedim dhe marrëveshje me Serbinë) një gjë që veç dihet dhe nënkuptohet? Ata janë të detyruar ta zbatojnë kushtetutën dhe pikë!
Të shkojmë më tutje!
Janë edhe shumë fakte dhe hamendësime tjera të bazuara të cilat neve qytetarëve të thjeshtë të Republikës së Kosovës na bëjnë që edhe më fuqishëm të kemi frikë se me këto bisedime të fundit me Serbinë, Kosova detyrimisht do të bëj edhe një kompromis të dhimbshëm karshi saj.
A nuk përcaktohet në të gjitha dispozitat e kushtetutës në fuqi se emërtimi i shtetit tonë është “Republika e Kosovës”?! Po! Pse atëherë u desh që në bisedimet e kaluara me Serbinë ashiqare të shkelet kushtetuta dhe dikush aty ta pranoj dhe nënshkruaj një marrëveshje, ku tash e tutje, ne, Kosova Republikë, në takimet rajonale do të paraqitemi me fusnotë (Kosovo*)?
Të mos harrojmë! Edhe atëherë zëshëm nga qeveritarët tanë pushtetarë premtohej se assesi nuk do të ketë kurrfarë shkelje të dispozitave dhe parimeve kushtetuese, por ja që ajo në këtë rast u shkel me të dyja këmbë dhe duar. E për të qenë e keqja më e madhe, as që u përgjigj dikush për këtë. As së paku me një përgjegjësi morale të dhënies së dorëheqjes.
Hajde t’i besojmë këtë herë politikanëve tanë se më në këto bisedime nuk do të shkelet Kushtetuta. Mirë, por pse atëherë shkohet në bisedime politike me Serbinë ku si tema në tavolinë do të jetë e shtruar edhe problemi i veriut?! Logjikisht, në këtë rast të veprohet së paku ashtu sikur po premtohet – të zbatohet në përpikëri Kushtetuta e Republikës së Kosovës në fuqi, dhe asgjë tjetër ( Neni 1, pika 1 – “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”).
Nga ana tjetër, e kam të qartë edhe atë realitet. Edhe këtë herë shkohet në këto bisedime me Serbinë, sepse ashtu po kërkohet prej nesh. Si gjithnjë, sepse ashtu po na imponohet nga ata që faktikisht edhe na kanë mundësuar dhe promovuar të jemi kësi shteti, çfarëdo që jemi. Por, nëse si rezultat përfundimtar i këtyre bisedimeve të imponuara, nga pala e jonë, eventualisht nënshkruhet ndonjë marrëveshje për shkëputje apo për ndonjë autonomi të zgjeruara alla “Republik Serpska” për serbët në veri, më nuk do të ketë kuptim arsyetimi se u deshtë të veprohet kështu për shkak të “respektit dhe garancive të forta nga ana e miqve ndërkombëtar”, “kompromisi të dhembshëm por të duhur”, për hir të “interesit të përgjithshëm të paqes së qëndrueshme në rajon” etj.
Të gjitha këto broçkulla të stërpërsëritura si pretekste, assesi më nuk mund ta baraspeshojnë, jo vetëm shkeljen flagrante të Kushtetutës, por edhe nivelin e lartë të tradhtisë që do të bëhet me këtë akt ndaj një interesi edhe më madhor kombëtar.
Krejt në fund, këtë artikull desha ta përfundoj me një mesele metaforike popullore si porosi. Kur një herë në shaka e kisha pyetur plakun e urtë të mëhallës sime, mixhën Dil, se çka mendon për bisedimet që do mbahen në mes të Kosovës dhe Serbisë, ai në mënyrën e vetë origjinale dhe tejet sarkazmatike mu ishte përgjigjur kështu: “Eh, more birë! Sikur edhe testikujt e tu t’i vesh në tavolinë për t’i negociuar me dikë, të jesh i sigurt se në fund, njërën prej tyre do humbasësh gjithsesi”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura