SHEMSI REÇICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (VII)

Pashtriku.org, 12 korrik 2018:
“LUFTA“ E QEVERISË BUKOSHI DHE LPK-së PËR FONDE DHE PËR KONTROLLIMIN E UÇK-së
Pasi i siguruan fondet, krerë të LPK-së dhe Bukoshi, filluan “luftën“ tjetër mes tyre, tani për marrjen e komandës dhe kontrollimin e UÇK-së. Bukoshi, pas ndonjë prove të hershme, mund ta ketë kuptuar me kohë, se përballë rivalëve të rryem të tij, krerëve të LPK-së, ai nuk do të mund ta fitonte “luftën“, për komandën dhe kontrollimin e UÇK-së. Bukoshi i vonë, prandaj, hoqi dorë nga UÇK-ja dhe, krahas saj, nxitoi në formimin e FARK-ut, ushtrisë tjetër të Kosovës, ndërkohë që drejtuesit e LPK-së, pas formimit të FARK-ut, u identifikuan plotësish, madje edhe “zyrtarisht“, me UÇK-në.
***

Fondet dhe rëndësia e tyre për të bërë shumëçka, madje gjithçka, mund të thuhet, janë e vetmja gjë që e kanë kuptuar drejt dhe që e kanë shfrytëzuar maksimalisht, dr. Bukoshi dhe drejtues të LPK-së. Aktiviteti i tyre, prandaj, është përqëndruar kryesisht në grumbullimin e sa më shumë fondeve, të cilat, mërgimtarët shqiptarë i kanë dhënë, në formë të ndihmave për ta financuar, fillimisht, paqjen dhe, më vonë, edhe luftën në Kosovë.
Grumbullimi i fondeve, pra, ishte suksesi kryesor i tyre, por edhe ky sukses, më shumë se me aftësitë dhe me aktivitetin e dr. Bukoshit dhe të drejtuesve të LPK-së, lidhet me gatishmërinë normale dhe të natyrshme të mërgimtarëve tanë, për ta ndihmuar financërisht çështjen kombëtare në Kosovë.

Ndihmat financiare të mërgimtarëve shqiptarë për Kosovën, janë rritur ose kanë rënë, kryesisht, në varësi prej gjendjes në Kosovë, por edhe prej suksesit dhe rezultateve të LPK-së, përkatësisht të Qeverisë Bukoshi.
Kur është rënduar gjendja në Kosovë dhe kur mërgimtarët tanë janë bindur se ndihmat e tyre nuk po shkonin kot, ata i kanë shtuar ato, por kur ata kanë dyshuar për keqpërdorimin e ndihmave të tyre dhe janë bindur se në Kosovë nuk po lëvizte asgjë për të mirë, bashkatdhetarët tanë i kanë reduktuar në minimum, ose, pothuaj, i kanë ndërprerë ndihmat e tyre financiare për Kosovën.
Në prag të fillimit të luftës në Kosovë, grumbullimi i ndihmave financiare të mërgimtarëve shqiptarë, kishin zbritur në shkallën më të ulët. Fondi i Qeverisë së Kosovës ishte në krizën më të madhe të tij, ndërkohë që drejtuesit e LPK-së, po mundoheshin ta gjallëronin fondin e tyre, në emër të UÇK-së.
Në këtë kohë, krerët e LPK-së dhe kryeministri Bukoshi ishin të gatshëm të bashkëpunonin me çdokë, që do të siguronte ndihma financiare për fondet e tyre, por, bashkatdhetarët tanë, të pakënaqur me mosmarrëveshjet ndërmjet kryetarit Rugova dhe kryeministrit Bukoshi, të kësaj kohe, dhe ndasitë e përçarjet e krerëve shqiptarë, në përgjithësi, po jepnin fare pak, ose s’po jepnin më, ndihma financiare.
Në këtë gjendje të rëndë financiare të LPK-së dhe të Qeverisë Bukoshi, që pretendonin ta mbanin flamurin e gjithë shqiptarëve, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ndodhi masakra e bandave policore serbe në Familjen Jashari, në Prekaz të Drenicës. Kjo masakër vërtetoi, më së miri, se sa të papërgatitura ishin zënë grupimet Bukoshi dhe LPK, për luftën që po fillonte në Kosovë.
Mërgimtarët tanë, në Perëndim, e përjetuan rëndë masakrën serbe në Familjen Jashari. Ndër ta, spontanisht, u krijua një gjendje mobile e fuqishme, e paparë ndonjëherë, por ata nuk dinin si të vepronin e ku të drejtoheshin, për ta ndihmuar Famijljen Jashari, Drenicën dhe Kosovën.
Grupimet Bukoshi e LPK, u zunë ngushtë para kësaj gjendjeje. Si “rezultat“ i saj, ata u zbutën dhe, bashkë me LDK-në e disa grupime të tjera, u afruan me njëri-tjetrin, për herë të parë, në mars 1998, për të bashkëvepruar përballë gjendjes së rëndë, të krijuar në Kosovë, por afrimi i tyre për bashkëveprim, nuk zgjati shumë.
Kur e panë gatishmërinë e mërgimtarëve tanë për të ndihmuar financërisht dhe kur e kuptuan se do të kenë fonde të mëdha, ndërmjet kryeministrit Bukoshi dhe krerëve të LPK-së, prapë plasi sherri, kësaj radhe, për fonde. Ata u egërsuan përsëri dhe e ndërprenë, që në fillim, bashkëpunimin mes tyre, tani përfundimisht.
Pasi i siguruan fondet, krerë të LPK-së dhe Bukoshi, filluan “luftën“ tjetër mes tyre, tani për marrjen e komandës dhe kontrollimin e UÇK-së. Bukoshi, pas ndonjë prove të hershme, mund ta ketë kuptuar me kohë, se përballë rivalëve të rryem të tij, krerëve të LPK-së, ai nuk do të mund ta fitonte “luftën“, për komandën dhe kontrollimin e UÇK-së. Bukoshi i vonë, prandaj, hoqi dorë nga UÇK-ja dhe, krahas saj, nxitoi në formimin e FARK-ut, ushtrisë tjetër të Kosovës, ndërkohë që drejtuesit e LPK-së, pas formimit të FARK-ut, u identifikuan plotësish, madje edhe “zyrtarisht“, me UÇK-në.
Kjo është njëra anë, ajo që mund të quhet ana publike e raporteve Qeveri Bukoshi-krerë të LPK-së, kundrejt UÇK-së dhe, përgjithësisht, luftës në Kosovë, por ato kanë edhe një anë tjetër, atë që mund të quhet ana e heshtur e tyre.

(VAZHDON)

________________
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7825
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7826
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (III)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7827
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (IV)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7828
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (V)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7837
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (VI)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7841
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (VII)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7846
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (VIII)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7850

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura