DR.ARBEN HOXHA: KARAKTERI CINIK I SHTETIT

Prishtinë, 9 mars 2019: (Reagim në lidhje me rastin “Kulla e Sylejman Vokshit”) – Të hënën që e lamë pas, më 4.03.2019, në Kuvendin Komunal të Gjakovës, pas dy dështimeve që pësoi brenda një harku kohor prej katër muajsh, për të tretën herë me radhë u rikthye për votim dhe u miratua Propozim-Vendimi për ndryshimin e Vendimit 01 nr. 011-78935/2015, datë 27.10.2015 për Shpallje të Interesit Publik të Monumentit Kulturor dhe Historik “Kulla Sylejman Vokshi”.
Si është e mundur që në një hark të ngushtë kohor të votohet tri herë i njëjti Propozim-Vendim?
Pse u dashka të votohet e rivotohet e njëjta materie?
Pse dy votimet e para, të cilat e pamundësuan kalimin e Propozim-Vendimit, nuk u dashkan marrë parasysh, ndërsa i treti – po?
A do të thotë kjo se dy votimet e para nuk paskan pasur validitet juridik, ndërsa i treti po?
Ku qëndron “inferioriteti” i validitetit të dy votimeve të para, që e hodhën poshtë Propozim-Vendimin, në raport me “forcën superiore” të validitetit të votimit të tretë, i cili e bën të kalueshëm e të zbatueshëm Propozim-Vendimin?
Hendeku midis fuqisë dhe pushtetit
Rikthimi për tretën herë për votim të Propozim -Vendimit për rastin “Kulla e Sylejman Vokshit” në Kuvendin Komunal të Gjakovës flet për gjendjen anomike, konfuze e shpërbërëse të institucionit të votimit, si procedurë demokratike të vendimmarrjes tek ne. Akti i përsëritjes së disahershme të votimit e shpërfaq brishtësinë e karakterit të raporteve të institucioneve formale të shtetit tonë. Kjo brishtësi diktohet nga hendeku që tashmë ekziston midis fuqisë dhe pushtetit. Ndërsa fuqia, si dominim i dhunshëm, nuk ka legjitimitet; pushteti që buron nga raporti i institucioneve legale, ka legjitimitet. Ndërsa në shtet e së drejtës, me demokraci të konsoliduar, fuqia dhe pushteti janë unitare dhe reciprokisht ndërvepruese në funksion të përmbushjes së interesave të përgjithshme, në vendet ku mungon komponenti i shtetit të së drejtës, ato ekzistojnë si dy entitete të ndara, ku pushteti i subordinohet fuqisë. Përsëritja e votimit, si akt dhe si sjellje, në rastin e “Kulla e Sylejman Vokshit”, buron nga dominimi i dhunshëm i fuqisë së prodhuar nga raporti i forcave të vullneteve joformale kundrejt raportit të institucioneve formale pushtetore. Në rastin “Kulla e Sylejman Vokshit” fuqia joformale votimin – si instrument legal dhe legjitim për ushtrimin e pushtetit nga institucionet formale – e përdori për t’i dhënë legjitimitet dhe legalitet interesave parciale të një grupi joformal në dëm të interesave të përgjithshme të qytetarëve.

Shteti, si entitet i civilizimit njerëzor, është një mekanizëm, qëllim i të cilit është krijimi dhe siguria e mirëqenies se popullit që e përbëjnë atë. Pra, një mekanizëm, i cili i shërben ruajtjes dhe zhvillimit të llojit njerëzor kundrejt natyrës. Shteti ndërtohet mbi tri shtylla: a) shtyllën e bazës materiale ( territori, pasuritë natyrore, popullsia); b) shtyllën e institucioneve (parlamenti, qeveria, gjykatat, policia, ushtria); dhe c) shtyllën e bazës emocionale, shpirtërore (arti, feja, etika, kultura, tradita, historia, shkenca, ideologjia). Qeverishmëria është mekanizmi i cili e bën strukturimin dhe sistemimin funksionalisht të përdorshëm të të gjithë elementeve të këtyre përbërësve për përmbushjen e nevoja të të gjithë qytetarëve që qeverisen si dhe sigurimin e mirëqenies së përgjithshme të tyre. Strukturën dhe qëllimet e qeverishmërisë i përcakton karakteri i marrëdhënies midis fuqisë dhe pushtetit.
Mjeti që e kamuflon dhunën
Në shtetet totalitare është “serioziteti i dhunës” ai që e garanton “lojalitetin” e qytetarëve kundrejt shtetit. Në shtete autoritare, cinizmi, si përmbajtje e karakterit të qeverishmërisë, është mjeti që e kamuflon dhunën e përjashtim të popullit nga vendimmarrja, dhe e siguron lojalitetin e tij duke e përdorur naivitetin. Rasti “Kulla e Sylejman Vokshit” fletë për forcimin e logjikës autokratike, e cila qeverishmërinë, si gjendje të përgjithshme të institucioneve, të procedurave, të analizave, të përcaktimeve të prioriteteve, të interesave për ushtrimin e pushteti kundrejt qytetarëve, tek ne e pajis me përmbajte cinike. Cinizmi tashmë është bërë formë e pamundësimit të shtetit të së drejtës në logjikën e qeverishmërisë së shtetit tonë. Vullnetin e përgjithshëm, si aftësi e virtytit moral të individëve apo të grupeve të caktuar për t’u ndarë nga egoizmi i tyre në funksion të përmbushjes së një të mire të përgjithshme, nga karakteri i tij politik, cinizmi e shndërron në aspekt teknik për nënshtrim dhe dominim të një grupi të vogël në dëm të mirëqenies së përgjithshme.
Cenimi nga brenda
Cinizmi është thelbi i shfaqjeve të fenomeneve analoge që burojnë nga fusha të ndryshme të komponentëve të shtetit. Për shkak të cinizmit, si thelb i karakterit të qeverishmërisë së shtetit tonë, ne sot mund të gjejmë analogji dhe ndërlidhje reciprokisht të kushtëzuar midis shfaqjeve të fenomeneve anomike në rrafshin e komponentës materiale të shtetit, siç është territori, kufiri, dhe komponentës shpirtërore, siç është historia, trashëgimia jonë materiale e shpirtërore. Ndërsa të parat cenohen nga jashtë e nga brenda (Vuçiqi e Thaqi), të dytat cenohen nga brenda. Ndërsa, në njërën anë, flitet me lehtësi të padurueshme për korrigjimin e kufijve me Serbinë, në anë tjetër, cenohet thelbësisht trashëgimia jonë kulturore e historike, siç është rasti me Kullën e Sylejman Vokshit, dhe jo vetëm. Rasti “Kulla e Sylejman Vokshit”, e pasqyron katërçipërisht “sinqeritetin” e çjerrjeve e të vajeve tona të para pak kohëve me rastin e futjes në UNESCO të Lahutës si pjesë e trashëgimisë kulturore të Serbisë.
Ka një raport gati proporcional midis aspiratës për ta reduktuat hapësirën e kujtesës sonë kolektive e të vetëdijes historike duke i shpërfillur objektet materiale e shpirtërore që e përbëjnë atë, siç është me rastin “Kulla e Sylejman Vokshit”, dhe vetëvullnetit për tkurrej të territorit të Kosovës si hapësirë fizike objektive, siç është rasti me mbi 8 mijë hektarë tokë dhënë Malit të Zi dhe tani rasti me “korrigjimin e lehtë të kufijve me Serbinë”. Nëse aneksimi i pjesës veriore të Kosovës do të ishte aneksim i territorit dhe pasurive natyrore, si komponent i bazës materiale të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë (me vetëvullnetin tonë!), ndërtimi i komplekseve banesore përreth Kullës së Sylejman Vokshit është një lloj i aneksimit nga brenda që ne i bëjmë një prej pamjeve më të rëndësishme që e formon tërësinë vizuale të vizionit mendimor që ne duhet të kemi për veten tonë si komb.
Ndërtesa shumëkatëshe, tashmë në ndërtim e sipër në Bagigë (një hapësirë kjo e cila e përbën historinë e kulturës së sportit të qytetit të Gjakovës) bashkë me restorantin e ndërtuar brenda hapësirë ku është Varri i Mehmet Ali Pashë Maxharit, përbëjnë objektet më përdhunuese kundrejt përfytyrimit tonë për veten tonë si komb. Në analogji me urën mbi Ibër në Mitrovicë, e cila tashmë është bërë simbol i ndarjes së qytetit, ndërtesa shumëkatëshe në Bagigë si dhe lokali afarist mu pranë Varrit të Mehmet Ali Pashë Maxharit, janë objekte që e copëtojnë, e fragmentojnë deri një zhbërje hapësirën model, e cila, jo vetëm që i modelon perceptimet që i formojnë përvojat e kujtesës personale të vetes sonë në raport me qytetin, por përmes tri objekteve, me vlera të paçmuara të trashëgimisë sonë kulturore, si: Kulla e Sylejman Vokshit; Sarajet e Abdullah Pashë Drenit dhe Varri i Mehmet Ali Pashë Maxharit; e modelojnë funksionalisht tërësinë organike të vizionit vizual mendor për një nga momentet më të rëndësishme të lindjes së kombit shqiptar. Të ndërtosh banesa shumëkatëshe në hapësirat, të cilat e ndajnë lidhjen organike midis tri monumenteve të tilla të trashëgimisë sonë kulturore, do të thotë ta thyesh ekranin e televizorit që e transmeton dhe e shfaqë vizuelisht rrugën e lindjes dhe të rritjes së kombit tonë. Sa më shumë dobësohen komponentët shpirtërorë të shtetit (historia, trashëgimia), për aq të tjetërsueshme bëhen elementët e komponentës materiale të shtetit, siç është territori, pasuria, apo popullata. Cenueshmëria e sotme e identitetit shtetëror të Kosovës bazën e ka në cenueshmërinë e trashëgimisë kulturore, e cila është kodifikuar në Planin e Ahtisarit (ku kishat dhe manastiret në Kosovë cilësohen si pjese e trashëgimisë së Serbisë) për t’u shndërruar kjo cenueshmëri, pastaj, në kategori kushtetuese brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Identiteti shpirtëror i shtetit është përcaktues i qëndrueshmërisë së identiteti të material shtetit (pasurive natyrore, territorit etj.)
Interesi partikular me tipare universaliste
Dhuna e qeverishmërisë që bazohet në cinizëm, interesin partikular e ambalazhon me tipare universaliste. Cinizmi i qeverishmërisë në rastin “Kulla e Sylejman Vokshit” në Komunën e Gjakovës, është shfaqja e thelbit të qeverishmërisë në nivelin qendror. Të kujtojmë këtu rastin e aprovimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili pas mos aprovimit në votimin e parë, u rikthye për votim dhe u aprovua për herën e dytë vetëm pasi fuqia hegjemone e vendosi raportin e forcave të institucionit të Kuvendit të Kosovës në favor të saj. Pa të drejtën, partikularitetet përkohësisht mund të ambalazhohen me tipare universaliste, por vetë mungesa e të drejtës shpejtë ato i bën të demantueshme e vetëdemantuese.
Kulla e Sylejman Vokshit, si objekt, i takon një sektori të rëndësishëm të veprimtarisë njerëzore – artit të arkitekturës. Si në asnjë art tjetër, arkitektura nuk mund të veprojë dhe ta përligjë veprimin e vet të sotshëm pa e pasur paraprakisht një gjykim historik për gjendjen paraprake (Leonardo Benevolo). Gjykimi historik e përcakton orientimin dhe vlerën praktike të produkteve arkitektonike të sotshme dhe qëndrueshmërinë e ekzistencës së tyre materiale e estetike në të ardhmen. Vlera e akteve dhe produkteve arkitektonike nuk matet duke u bazuar në komponentin e rezultatit “tash dhe këtu”. Jo! Në rastin “Kulla Sylejman Vokshi”, u dëshmua se vullneti i vendimmarrësve politikë të Kuvendit Komunal të Gjakovës ishte në funksion të pajisjes së fuqisë së grupeve joformale me legjitimitet institucional “tash dhe këtu”.
Korrelacion i tre shënjuesve
Çështja “Kulla Sylejman Vokshi” nuk është një çështje “procedurale” e zakonshme. Jo! Ajo është një çështje që prek ndjenjat më të thella lartësuese që qytetarët e komunës së Gjakovës (dhe jo vetëm) kanë për të drejtën, historinë dhe lirinë. Kulla e Sylejman Vokshit nuk është një objekt i izoluar material. Kulla e Sylejman Vokshit është korrelacion i tre shënjuesve: shënjon një objekt arkitektonik të krijuar në një kohë dhe hapësirë të caktuar; shënjon figurën e Sylejman Vokshit; ndërsa vetë Sylejman Vokshi shënjon idenë e lirisë dhe të krijimit të Shtetit Kombëtar Shqiptar. Liria dhe Shteti Kombëtar Shqiptar është konstantja vlerore, e cila, edhe sot e kësaj dite, vazhdon t’i përcaktojë kapacitetet e racionalitetit tonë për orientim në kohë dhe hapësirë në procesin e bërjes dhe të zhvillimit të të tërës së vetes sonë si komb. Qëndrimi shpërfillës e nënçmues ndaj Kullës së Sylejman Vokshit është qëndrim shpërfillës e nënçmues ndaj idesë së lirisë së Kombit Shqiptar.
Edhe sikur të ekzistonin komplekset banesore përreth Kullës së Sylejman Vokshit tash e 50 vite më parë, në kushtet e lirisë të krijuar pas luftës së fundit, me qëllim të respektimit dhe kultivimit të kujtesës kolektive, si pjesë përbërëse e vetëdijes kombëtare, ato bashkërisht, pa as më të voglën mëdyshje, do të duheshin rrënuar.
Gjakova, si në të kaluarën e largët ashtu edhe në atë të afërt, ka prodhuar histori. Koha sot atë e ka vënë në istikamin e parë moral e intelektual të qytetarisë për ta mbrojtur Historinë kundër atyre që po përpiqen ta zëvendësojnë atë me Natyrë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura