Berlin, 7 shkurt 2020:
1.
Ndërroi jetë Nexhmija, bilbili i Kosovës.
Ç’shprehje e veçantë, e pangjashme shqiptare.
Pikërisht ashtu: ndërroi jetë sepse Ajo nuk ka vdekur: as këndej në arkivin e shpirtit kolektiv dhe as andej në transmigrimet e ardhme të pafundësisë.
2.
Fillova këtë nekrolog me idenë e transcendencës, për arsyen e thjeshtë se askush s’do t’ma kujtojë më shumë poetin kelt Talies, që thoshte se s’ka formë jete në Gjithësi që t’mos ketë qenë e tij.
“Isha betejë”, shkruan ai, “urë mbi 60 lumenjë, shpatë në dorë, jam mbërthyer nga magjia e shkumës së ujit, isha yll, dritë dhe fillim i një libri..!”
Evokimi ishte kaq i vetishëm, natyral e kuptimplotë. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe, kur Të dy, Ai dhe Ajo, i përkisnin njëj race: artit të madh!
A nuk ishte dhe Nexhmija këngë, gurrë kroi, fije bari, gjeth i trishtë vjeshte, frymëzim bukurie, dhimbje, rezistencë, sepse pikërisht e bukura është trajta më e urryer e rezistencës për pushtues e sundtarë, ishte gurëthemel kujtese, lule, fjalë e Borëbardhë e Alpeve shqiptare…
Ishte, ndaj, vetë jeta me të gjashtë fatet e saj (demon, bimë…), si do shkruaj Borges, ku Ajo do të zgjedhte më të vështirin e tyre: fatin e të qenmit njeri!
3.
Por Ajo, ashtu si Taliesi, ishte dhe “fillim i një libri”.
Një bashkëbisedim At e Bir në blernajën e Toskanës, do merrte pamjen e një rrugëtimi në të kaluarën plot jetë, filozofi, kulturë, moskuptim Europe, mëkat, mendësi të vjetra, indiferencë, madje përbuzje e mortit, vetmi Tibeti…Vetë titulli simbolik shpjegon ngjyrnajën vezullore të valëzimeve të tij. “Fundi është fillimi im”, është libri kujtimor i Tiziano Terzanit: një dialog me Folcon, të birin që dëgjonte, pyeste e dëgjonte prapë i magjepsur dhe shkruante, ndërsa i ati, publicist i shquar, dridhej nga afrimi i vdekjes…
E, pra dhe fundi i Saj i këtejmë është, duhej të ishte fillim i një rrëfimi për Bilbilin. Një Kolos-Libër i thellë për një univers jete të Epërme që, si thërmija diamantësh e pluhnajë yjësh, ka lënë pas gjurmët e pazhdukshme për brezat e kombit me emrin shqiptar!
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: PROFILE HEROIZMI TË KOHËS SONË (NIKO STILLOJA, BRANKO MANOLOVSKI, SIMË DOBRECI)
Durrës, 24. 06. 2014 – Janë 3 (tri) pika gjeografike të Shqipërisë, që, me punën e veprën e…
AFRIM MORINA: NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT
Pashtriku.org, 12. 05. 2012 – Gjenit gjejnë forma për t’i artikuluar mendimet e veta dhe për t’i plasuar…
ZEQIR HAJRIZI (1940 – 2012)
Në 10 vjetorin e vdekjes ZEQIR HAJRIZI (1940 – 2012) Nga Mehmet Hajrizi, Prishtinë 10. 09. 2022 (Në…
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (27)
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (27) Nga Sabit Alidema – Pashtriku 26 Korrik 2021 HALIL ALIDEMA (1936-1996) KA…