Shkup, 6 gusht 2020: Drama elizabetane u paraqit në Angli në periudhën e sundimit të Elizabetës I (1558-1603). Zhvillimi i kësaj drame që nga paraqitja e komedisë së parë të renesancës, rreth vitit 1550, e deri në shuarjen e saj në luftën civile të vitit 1642, paraqet një tërësi. Megjithëkëtë, në të mund të dallohen etapa të caktuara.
Termi “dramë elizabetane” (Elizabethan drama) përputhet plotësisht apo pjesërisht me termat e tjerë, siç janë “drama e Tjudorit” (1497-1603) dhe “drama e Stjuartit” (1603-1642), “drama e kohës së Shekspirit” (1590-1613), “drama e kohës së Xhejmsit” (Jacobean, 1603-1625) dhe e kohës së Çarlsit (Caroline, 1625-1642) – Elizabethan, Jacobean and Caroline drama; Elizabethan theatre.
Drama elizabetane lindi mbi bazën e traditës së dramës mesjetare dhe nën ndikimet e epokës klasike.
Publiku i arsimuar i oborrit, i universiteteve dhe i gjyqësisë kënaqej në komeditë e më të fuqishmit komediograf romak Tit Makcie Plaut (Titus Maccius Plautus, midis 254 e 251 – 184 para K.) apo në commedia erudita, siç janë “Mburraveci Ralf” (Ralph Roister Doister, rreth viti 1550) dhe komedia anonime “Gjilpëra e nënës Geton” (Gammer Gurton’s Needle, rreth viti 1560). Ky publik i zgjedhur kënaqej në imitimet e tragjedive të filozofit, tragjediografit dhe satirikut romak Senekës (Lucius Annaeus Seneca, Kordovë, rret 4 para K. – Romë, 65 pas K.). Publiku ndiqte me ëndje edhe komedinë “Gorbodaku” (Gorboduc, 1562) të poetit dhe dramaturgut anglez Tamës Sakvil (Thomas Sackville, 1536-1608) si dhe komeditë e dramaturgut Tamës Norton (Thomas Norton, 1532-1584). Këto drama i shfaqnin kryesisht amatorët: studentët apo anëtarët e gjyqësisë.
Rreth vitit 1580 paraqitet në Londër një grup shkrimtarësh të rinj të arsimuar në universitete (University Wits), të cilët talentin dhe dituritë e veta e vunë në shërbim të teatrit. Këta ishin Xhorxh Pil (George Peele, 1556-1596), Robert Grin (Robert Greene, 1558-1592), e sidomos Kristofer Marlo (Christopher Marlowe, 1564-1593) dhe Tamës Kid ((Thomas Kyd, 1558-1594). Marlo e përsosi dhe e përcaktoi blank vers-in (varg pa rimë) si varg themelor të dramës elizabetane, sidomos të tragjedisë dhe krijoi disa personazhe të rëndësishme, si: Tamerlani, Barabasi, Dr. Faustusi, të cilët ishin model për shumë personazhe të tragjedisë elizabetane të mëvonshme. Kidi shkroi veprën “Tragjedia spanjolle” (The Spanish Tragedy, rreth vitit 1589), prototip i njërit prej zhanreve më të popullarizuara të dramës elizabetane – tragjedisë së hakmarrjes.
Përveç kësaj, me themelimin në Londër të teatrove të përhershme dhe të shoqatave më të mëdha aktorësh, rreth vitit 1580 shkrimtarët fituan skenë të përhershme dhe publik të shkëlqyer që tregonte interesim për dramën, e që për nga përbërja klasore ishte tejet i gjerë.
Rreth vitit 1590 paraqitet edhe babai tragjedisë moderne Uilljëm Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616) i cili do të krijojë shembujt më të mirë pothuajse të të gjitha zhanreve të dramës elizabetane: të tragjedisë, të kronikës së dramës dhe të komedisë romantike.
Rreth vitit 1600, në jetën politike, shoqërore dhe shpirtërore të Anglisë lindin ndryshime të cilat manifestohen me të madhe edhe në dramë.
Para disponimeve pothuajse morbide, kritike dhe satirike të dramës së kohës së Xhejmsit dhe të Çarlsit, të cilat shprehjen e vet më të plotë e gjetën në komedinë satirike dhe në tragjeditë e përgjakshme të dramaturgut anglez Xhon Vebster (John Webster, 1578? – 1632?) dhe të dramaturgut e poetit anglez Xhon Ford (John Ford, 1586-1639), hovi, vrulli dhe kthjelltësia e dramës elizabetane dalëngadalë shuhen. Vebsteri dhe Fordi janë dramaturgë të epokës jakobine (Jacobine) dhe karoline (Caroline).
Përpos zhanreve të sipërthëna shfaqen edhe disa zhanre më pak të përfaqësuara, siç janë: drama shtëpiake e dramaturgut anglez Tamës Hejvud (Thomas Heywood, 1570/75 – 1641), komedia e Ben Xhënsënit (Ben Jonson, 1572-1637), ndërsa më vonë edhe pastorali.
Maska përjeton një lulëzim të plotë. Xhënsëni njëherazi ishte edhe ithtari më i zëshëm i idealeve klasike të dramës të cilat në dramën angleze të renesancës kurrë nuk zunë rrënjë.
Përkundër ndryshimeve në kapërcyell të shekullit, drama angleze e renesancës ruajti karakteristika të caktuara që nga fillime e veta primitive deri në rënien dhe shuarjen e saj. Pikërisht këto karakteristika e bëjnë të mundur përdorimin e kohëpaskohshëm të termit dramë elizabetane për tërë këtë periudhë. Këto do të ishin: liria e konsiderueshme në krahasim me kanonet klasike, përzierja në dramë e tragjikes dhe komikes, rëndom nëpërmjet thurjes së dyfishtë, mungesa e njësive dhe përdorimi më i shpeshtë i elementeve të posaçme sikundër janë drama në dramë*, pantomima, maskimi, kori, prologu, epilogu, maska, muzika dhe loja. Përveç kësaj, skena për të cilën është shkruar drama e tërë kësaj periudhe, përkundër ndryshimeve të vogla, në thelb ka mbetur e njëjtë: antiiluzioniste, me një raport më të drejtpërdrejtë midis aktorëve dhe spektatorëve.
Shënim: Dramë brenda dramës – Është një veprim i shpeshtë në dramën angleze të renesancës, në radhë të parë në tragjedi. Në rrjedhën e veprimit të dramës ndërfutet një pjesë e vogël të cilën e shikojnë personazhet e dramës apo në të cilën marrin pjesë vetë ata. I pari që vuri në dramë një shtojcë të tillë është Tamës Kid (Thomas Kyd) në veprën e vet “Tragjedi spanjolle” (Spanish Tragedie, 1587). Kjo shtojcë apo kjo ndërfutje është “maskë e vdekjes”, shfaqje apo skenë e maskuar në të cilën ndodhin një numër vrasjesh. Këtë skenë apo shtojcë e përdor personazhi kryesor me qëllim hakmarrjeje. Pas Tamës Kidit, “maska e vdekjes” u bë pothuajse tipar i përhershëm i “tragjedisë së hakmarrjes”, sidomos te bashkëkohësit e rinj të Shekspirit, përkatësisht te Xhon Fordi (John Ford), dramaturgu anglez i shkolluar në Oxford Tamës Midëltën (Thomas Middleton, 1580-1627), Tamës Hejvudi (Thomas Heywood) etj. Edhe “Hamleti” Shekspirit që i përket këtij zhanri, përmban një “kurth” të tillë. Kurthi apo dhokani që e përdor Shekspiri te tragjedia e sipërthënë është shumë më funksional se kurthi që e përdorin dramaturgët e tjerë të kohës. Dramën brenda dramës si mjet shprehës, Shekspiri e ka përdorur edhe në komeditë “Zemërakja e zbutur”, “Ëndrra e një nate vere” etj. Në dramën moderne, të shekullit XX, drama në dramë shfaqet në forma të ndryshme, tanimë si një veprim i rëndomtë.
* * *
Kah fundi i shekullit XIV, i pari poet që përdor rimën në vend të aliteracionit është Xhon Gouër (John Gower, jetoi në vitet 1330-1408), autor i tregimeve në tetërrokësh “Rrëfimi i një të dashuruari”. Por, poet më i madh i mesjetës angleze është Xhefri Çëusër (Geoffrey Chaucer, 1339 dhe 1346 – 1400), i cili në përmbledhjen me tregime, të papërfunduar, “Tregime kenterberike” (The Canterbury Tales, 1387-1400) jep pasqyrën bindëse të shoqërisë angleze të asaj kohe, duke paraqitur pelegrinazhin e një grupi burrash e grash të gjitha shtresave në Canterbury. Nën ndikimin e tregimtarit dhe romancierit italian Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio, 1313-1375), shkroi edhe njërin nga romanet më të mira angleze në vargje “Troilo dhe Kresida” (Troilus and Criseyde, rreth 1385). Në letërsinë angleze vuri në përdorim edhe pentametrin jambik që do të bëhet një ndër vargjet më të përhapura në poezinë angleze. Në shekullin XV shquhen poetët skocezë Uilljëm Danbër (William Dunbar, rreth 1460 – rreth 1513), mbreti Xhejmzi I (James I, 1566-1625), Robert Henrison (Robert Henrysoun, 1460-1550) dhe peshkopi e poeti skocez Gavin Dagllas (Gavin Douglas, 1474/75 -1522).
Në Angli ndërkaq shquhet poeti Sër Tamës Malori (Sir Thomas Malory, rreth 1408-1471) i cili i rrëfeu në prozë legjendat angleze dhe franceze për mbretin Artur dhe për kalorësit e tij.
Renesanca angleze (1485-1603) – Në këtë periudhë, nga mesi i shekullit XV fillon zhvillimi i gjuhës angleze moderne. Midis viteve 1485-1603 Anglinë e qeveris shtëpia e Tjudorëve.
Në kohën e sundimit të mbretëreshës Elizabeta I (1558-1603) letërsia ripërtërihet me të madhe, kështu që e tërë periudha e mban emrin e saj “periudha elizabetane”. Në këtë periudhë zbulohet letërsia klasike, zbulohen shkrimtarët grekë dhe romakë, të cilët do të ushtrojnë një ndikim të fuqishëm mbi shkrimtarët e kohës elizabetane. Në vitin 1476, Uilljëm Kekstën (William Caxton, 1415-1492) themelon shtypshkronjën e parë në Angli. Në këtë kohë paraqiten eseja, tingëllima (soneti) romani, pastorali, ndërsa drama arrin kulmin e vet.
Poeti Sër Tamës Uajt (Sir Thomas Wyatt, 1503-1542) i cili më 1536 u burgos si dashnor i mbretëreshës si dhe poeti Henri Hauard (Henri Howard, Earl of Surrey, 1516/17 – 1547), nën ndikimin italian e sjellin sonetin në letërsinë angleze, duke i dhënë formë elezabetane. Rreth vitit 1540 poeti anglez Henri Hejvord (Henry Howard, Earl of Surrey, 1516/17 – 1547) përktheu në anglisht “Eneidën” e poetit të madh romak, Virgjilit (Publius Vergilius Maro, 70-19 para K.). Kjo bëri të mundur përhapjen e blank verse (vargut pa rimë).
Në gjysmën e dytë të shekullit XVI, poeti anglez i cili studio në Oksford Sër Filip Sidnej (Sir Philip Sidney, 1554-1586) shkruan sonete, kritika letrare dhe me romanin “Arkadia” (Arcadia, 1590) është themelues i romanin pastoral.
Poezi narrative, ekloge dhe sonete shkruan poeti anglez i cili studioi në Cambridge Edmund Spenser (Edmund Spenser, 1552/53 – 1599). Arritje më e mirë e tij është epi alegorik “Mbretëresha e zanës” (The Faerie Queene, 1-3 1590; 4-6 1596).
Poezi narrative kanë shkruar edhe dramaturgët anglezë Shekspiri (“Venera dhe Adonisi”, “Rrëmbimi i Lukrecit”) dhe Kristofer Marlou (Christopher Marlowe, 1564-1593). Po kështu edhe poeti anglez i cili studioi në Oxford Majkëll Drejtën (Michael Drayton, 1563-1631) dhe poeti e kompozitori anglez Tamës Çempjën (Thomas Campion, 1567-1620).
Më vonë paraqiten edhe të ashtuquajturit poetët metafizikë (Metaphysical Poets), të cilëve u prin Xhon Done (John Donne, 1573-1631). Pasojnë edhe poeti anglez i cili ishte edhe prozator teologjik Xhorxh Herbert (George Herbert, 1593-1633), Riçërd Kreshou (Richard Crashaw, 1613-1649), poeti anglez Abraham Koulej (Abraham Cowley, 1618-1667), poeti anglez Endru Mervill (Andrew Marvell, 1621-1678) dhe poeti anglez Henri Vajgën (Henry Vaughan, 1621-1695).
Ben Xhënsëni (Ben Johnson, 1572-1637), i njohur si dramaturg dhe autor i disa komedive të njohura si “Valpone”, “Alkimisti” u prin poetëve të prirë për lirikë dashurie dhe idile (The Cawalier poets). Midis tyre bëjnë pjesë poeti anglez Tamës Kerej (Thomas Carew, 1595-1640), poeti lirik anglez Robert Herik (Robert Herrick, 1591-1674), poeti anglez Riçërd Laules (Richard Lovelace, 1617-1657) dhe Sër Xhon Saklin (Sir John Suckling, 1609-1642).
Prozatorët e kësaj periudhe shkruajnë, si për çështjet shtetërore dhe shoqërore, ashtu edhe për problemet e artit. Për herë të parë shfaqet edhe romani. Filozofi Sër Tamës Mur (Sir Thomas More, 1478-1535) shkruan “Utopinë”, më 1516 në latinisht, ndërsa më 1551, në anglisht. Edhe filozofi, shkrimtari dhe eseisti anglez Frensis Bejkën (Francis Bacon, 1561-1626), veprat si “Organoni i ri” (Novum organum, 1620) dhe “Eseje” (Essays).
Autor i të parit roman anglez është prozatori dhe dramaturgu anglez i cili studio në Oxford dhe Cambridge Xhon Lili (John Lyly, 1553? – 1606). Është dramaturgu i parë elizabetan i shquar. Fitoi famë me romancën pastorale në prozë, në dy pjesë “Eufus: anatomia e shpirtit” (Euphues: The Anatomy of Wit, 1578) dhe “Eufus dhe Anglia e tij” (Euphues and His England, 1580) Sipas kësaj vepre, stili letrar plot elegancë dhe zbukurime, do të quhet jufjuizëm (eufuizëm). Përpos Sër Filip Sidneit (Sir Philip Sidney), prozator i rëndësishëm anglez është edhe Tamës Nesh (Thomas Nashe, 1567-1601). Studioi në Cambridge. Në vitin 1597 u mbyll për komedinë “Ishulli i qenit” (The Isle of Dogs) të cilën e kishte shkruar dramaturgu anglez Ben Xhënsën (Ben Jonson). Komedia u shfaq në vitin 1597. Vepra ka humbur. Naesh ishte një polemizues i ashpër dhe autor i një sërë pamfleteve. Është përfaqësues më i rëndësishëm i prozës angleze të epokës së renesancës të stilit satiriko-realist.
Megjithëkëtë, letërsia angleze arriti kulmin në dramë. Në vitin 1576 Xhejmz Barbixh (James Burbage, 1531-1597) ndërton teatrin e parë anglez (The Theatre). Pason ndërtimi edhe i disa objekteve të tjera teatrore gjë që do të ndikojë dukshëm në intensitetin e jetës teatrore. Nën ndikimin e komedisë dhe tragjedisë romake lind drama erudite universitare me përfaqësuesit e shquar Robert Grin (Robert Greene, 1558-1592), Xhorxh Pil (George Peele, 1556-1596), Kristofer Marlou (Christopher Malrowe) dhe Tamës Kid (Thomas Kyd, 1558-1594), autor i pjesës “Tragjedi spanjolle”(The Spanish Tragedie, 1587, u shfaq më 1589). Në vitin 1593, i akuzuar për herezi dhe ateizëm, Kidi u arrestua. Vdiq në varfëri.
Figurë kryesore midis këtyre dramaturgëve që vijnë nga universitetet Oksford (Oxford) dhe Kembrixh (Cambridge) është Kristofer Marlou (Christopher Malrowe). Si autor tragjedish që pasqyrojnë karaktere të fuqishme të mbërthyera nga pasionet siç janë ”Temburleni” (Tamburlaine); “Doktor Faustus”, konsiderohet paraardhës i Shekspirit.
Uilljëm Shekspiri (William Shakespeare, 1564-1616) është personaliteti më i madh i kësaj periudhe dhe njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të historisë së letërsisë angleze. Dramat mbretërore të tij Rikardi III”, “Henriku IV” dhe “Henriku V”, komeditë Ëndrra e një nate vere”, “Tre mbretërve”, “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Si t’ju vijë më mirë”, pjesët nga historia romake “Tit Androniku” dhe “Jul Cezari”, tragjeditë e njohura “Hamleti”, “Otello”, “Mbreti Lir” dhe “Makbethi” përbëjnë kulmin e krijimtarisë së tij dhe janë ndër realizimet më të mira të artit dramatik në përgjithësi.