Gjekë Gjonaj: Bajraktarët e Trieshit sipas kujtesës së popullsisë vendase

Ulqin, 10 shkurt 2021: Duke u nisur nga nevoja qytetare për të njohur të kaluarën e vendlindjes sime të organizimit të saj të vjetër shoqëror , si një pjesë e traditave historike të popullit shqiptar dhe si një vlerë universale të lirisë njerëzore po përpiqem të sjell në vëmendjen e lexuesve disa shënime për institucionin e bajrakut dhe bajraktarët e Trieshit.
I vetëdijshëm se kjo temë kërkon një studim serioz e shkencor nga historiografia shqiptare, e cila deri më tani nuk i është qasur asaj thelbësisht, dëshiroj vetëm të përmend disa nga bajraktarët e Trieshit, rolin dhe rëndësinë e tyre, duke u mbështetur vetëm në kujtesën e trieshjanëve, dhe ndoshta të nxis kureshtjen apo të zgjoj interesimin e studiuesve të mirëfilltë të kësaj fushë që në të ardhmen t’i qasen kësaj temë ende të pashtjelluar në mënyrë të dokumentuar. Pretendime të tjera s’kam.
Hershmëria e bajraktarëve
Çështja e bajrakut dhe udhëheqja e tij nga bajraktarët e Trieshit , është aq e hershme sa edhe në trevat ( malet) e tjera të Malësisë së Madhe. Mbështetur në kujtesën popullore ekzistimi i Institucionit të Bajraktarit apo shqip Flamurtarit në këtë krahinë malore, e cila shtrihet nga Qafa e Rozdecit e deri në fshatin Poprat, në kufi me Shqipërinë, duke vazhduar edhe nëpër luginën e lumit Cem, i cili buron nga bjeshkët e Kelemendit të shtetit amë, daton kaherë, nga fillimi i shekullit XVIII-të. Prej asaj kohë Bajraku ( Mali) i Trieshit njihet ndër bajraqet kryesore të Malësisë së Madhe. Meqë kemi të bëjmë me periudhën e sundimit turk mund të nënkuptojmë se krijimi i institucionit të bajrakut dhe zgjedhja e bajraktarëve është bërë me pëlqimin e autoriteteve të Perandorisë Osmane, por edhe të vetë banorëve të Trieshit.
Personat që trashëguan këtë pozitë shoqërore
Nga rrëfimet e trieshjanëve të vjetër flamurtarët ( turqisht bajraktarët) kryesisht zgjidheshin nga shtëpia më e njohur, më e fortë, më trime, më bujare, më fisnike, më zëmadhe. Domethënë krerë të bajraqeve zgjidheshin ata njerëz që shquheshin mbi të tjerët. Bajraktari ishte një person që e kishte trashëguar këtë titull, që i lihej djalit të madh nga i ati dhe, në mungesë të këtij, mashkullit më të afërm nga farefisi.Bajraktarët e parë në Triesh qysh se dihet për këtë titull nga popullsia vendase janë nga familja e Bonkeqit, Lucaj, prej fshatit Stjepoh. Sa për sqarim dua të shpjegoj se ky bajrak i Malësisë së Madhe përfshinë fshatrat: Rudinë, Nikmarash, Muzheçk, Buxë ( Budzë), Delaj, Poprat dhe një pjesë e luginës së rrjedhës së lumit Cem, që quhet Cemi i Trieshit. Në Triesh thuhet dhe tashmë dihet se nga familja që përmendëm më lartë ( sot barku Glmaçkaj , bajraktarë brez pas brezi kanë qenë : Peli, djali i Stojë Pontit, pastaj Nika , Luca, Bumçi ( Bupç), Ujka dhe Uci. Sipas rrëfimit të pleqve nga vëllazëria Lucaj , Uc Ujka nuk ishte bajraktari i fundit i kësaj shtëpie deri me ramjen e Trieshit nën administrimin e Malit të Zi, por atë e trashëgoi Gjon Maçku . Nga kjo vëllazëri bajraktarë kanë qenë edhe vëllezërit Lucë Gjoni e Martin Gjoni. Më pastaj këtë titull e trashëguan Nishkë Gila, Gjon Nishk Giladhe djali i Nishkut, Gjeka, i cili siç pohojnë pasardhësit e tij, ishte bajraktar i çetës së Stjepohit, deri në vitin 1904.
Përveç vëllazërisë ( fisit Lucaj, nga sa dimë nga trieshjanët e vjetër , bajraktarë kanë qenë edhe Nikë Lucë Dokë Ujkaj nga fshati Bëkaj dhe Baca Nikë Gjeloshi , nga fshati Muzheçk.
Roli që kanë luajtur
Nga brezi në brez përcillen rrëfime se të gjithë bajraktarët e Trieshit, gjatë veprimtarisë së tyre aktive prej më se dy shekujsh gjithmonë dhe në të gjitha rastet ishin në shërbim të interesave të popullit të vet, e asnjëherë nuk u nënshtruan të pushtuesve të kohës, të cilët i sollën shumë tragjedi kësaj popullsie shqiptare gjatë historisë së saj sa të dhimbshme, aq edhe krenare. Prej se mbahet mend krijimi i bajrakut në këtë cep të Malësisë së Madhe, krerët e bajrakut janë dalluar për trimëri, në mbrojtje të vendlindjes së vet dhe të qenies kombëtare, nën pushtuesin turk dhe nën pushtues të tjerë pas tij. Nga goja e shumë trieshjanëve kamë dëgjuar se bajraktarët bashkë me prijësit e tjerë të fshatrave në të gjitha periudhat e mbijetesës së tyre në këtë vend, për mua magjeps dhe të jashtëzakonshëm, i veshur me kurrize të thepisura malesh që ngërthen në vete gërdhata, shpella, qafa, , gryka, e pjesë tjera të relievit të saj të thyer, kanë luajtur rol të rëndësishëm për kohën patriarkale kur kanë vepruar.
Kontributi i tyre për lirinë e truallit të vet dhe të tokave shqiptare
Nga ato që kam dëgjuar nga të vjetrit bajraktarët kanë dhënë kontribut të madh në radhë në mbrojtjen e popullatës vendase, por edhe në bashkimin e forcave vullnetare për lirinë e truallit të vet, por edhe të tokave shqiptare. Këtë e dëshmuan duke marrë pjesë në shumë lufta të ushtrive të mëdha e mizore të pushtuesve të egër e gjakatarë, osmane, fashiste, naziste e të tjera, të para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, si dhe në luftat të tjera më vonë.
Po ashtu nga informatorët e shumtë kam dëgjuar se bajraktarët në Triesh kanë qenë shumë të njerëzishëm ( njerëzor) dhe njerëz me dinjitet , të cilët veprimet dhe vendimet e tyre i sollën në pajtim me kodin kombëtar të Lekë Dukagjinit, sipas të cilit administroheshin gjatë sundimit turk, i cili parashikonte deri në hollësi të gjitha rastet e jetës së rëndë të shqiptarëve në rrethanat e kohës. Në mbamendjen e familjeve trieshjane bajraktarët kanë mbetur të suksesshëm dhe shumë kontribues për çlirim kombëtar. Ata për trieshjanët kanë qenë dhe do të mbeten flamurmbajtës , që me shembullin e mirë të tyre e “ushquen” këtë krahinë martire me burrëri, me fisnikëri, me drejtësi, me atdhetari dhe me sakrificë gjatë gjithë zhvillimeve historike të saj.

——————————

Gjekë Gjonaj: Vojvodët e Trieshit, trashëgimi e kujtesës
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10863

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura