SHQIPTARËT DHE PAVARËSIA E MAQEDONISË

SHQIPTARËT DHE PAVARËSIA E MAQEDONISË

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 12 shtator 2021

            Sllovenia e shpalli pavarësinë nga Jugosllavia më 25 qershor 1991. Po atë ditë, pavarësinë nga Jugosllavia e shpalli edhe Kroacia. Prej datës 29 shkurt 1991 deri më 1 mars 1991 në Bosnjë dhe Hercegovinë u organizua referendum për shkëputjen e saj nga federata jugosllave. Për shkëputjen e BH-së u deklaruan shumica absolute e atyre që dolën në votim. Serbët e bojkotuan atë. Serbia ndërhyri ushtarakisht në që tria nga këto ish-republika jugosllave.

            Më 2 korrik 1990 delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën kushtetuese, të njohur si Deklaratë e Pavarësisë. Me të Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave. Më 7 shtator 1990 po ata delegatë miratuan në Kaçanik Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të njohur si Kushtetutë e Kosovës. Me këtë, ata edhe formalisht Kosovën e shpallën republikë.  

*   *   *

            Më 8 shtator 1991, në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, u mbajt në Maqedoni Referendumi për shpalljen e pavarësisë nga RSFJ-ja. Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për një Maqedoni sovrane dhe të pavarur, me të drejtën për të hyrë në një federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”? Me po u përgjigjën 96,46% e votuesve, përkatësisht 72,16% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Me jo u përgjigjën 3.54%. Pjesëmarrja në votim  ka qenë 75,74% trupit zgjedhor. Referendumit të sipërthënë i parapriu Deklarata e pavarësisë që e aprovoi më 25 janar 1991 kuvendi i parë shumëpartiak i Maqedonisë.

Në kohën e mbajtjes së referendumit për shpalljen e pavarësisë nga federata jugosllave, një pjesë e sllavo-maqedonase ishin proserbë. Për këtë arsye pyetja e referendumit përmbante  edhe pjesën “me të drejtë për të hyrë në një federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”. Pikërisht për këtë shqiptarët e bojkotuan referendumin, d.m.th. nuk morën pjesë në votim.

            Kuvendi i Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 17 nëntor 1991 mori vendim për shpalljen e Kushtetutës së këtij vendi. Deputetët shqiptarë nuk e votuan kushtetutën.

            Më 11 dhe 12 janar 1992 u mbajt në Maqedoni Referendumi për autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Në të morën pjesë 383.539 shqiptarë. prej tyre, 360.928 votuan për.

*   *   *

            Sikundër shihet, Maqedonia, krahas Malit të Zi, u shkëput nga Jugosllavia pa luftë. Numri i serbëve në Maqedoni është i vogël ndaj Serbia nuk kishte si ta arsyetonte ndërhyrjen ushtarake të saj në Maqedoni, të cilën ideologët serbë të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX e quanin Serbi jugore.

            Me shkëputjen e Maqedonisë nga amalgama jugosllave, sllavo-maqedonasit e konsideruan veten trashëgues të vetëm të shtetësisë dhe mbartës të vetëm të shtetësisë. Duke e marrë veten trashëgues dhe mbartës të vetëm të shtetësisë, sllavo-maqedonasit i shpërfillën, i anashkaluan dhe i injoruan shqiptarët.

            Në fillim të pluralizmit, d.m.th. në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, shqiptarët në Maqedoni nuk kishin potencial politik dhe intelektual të mjaftueshëm. Pa institucione të veta dhe të papërfshirë në institucionet e ekzistuese të shtetit, shqiptarët s’mund të kishin kapacitet politik dhe intelektual më të madh.

*   *   *

            Me Kushtetutën e vitit 1991, Maqedonia, përkundër përbërjes dyetnike, përkufizohej si shtet kombëtar i sllavo-maqedonasve. Shqiptarët ndërkaq u konsideruan pakicë. Ndonëse në shtëpi të vet, u quajtën dhe u trajtuan qiraxhinj. Pikërisht për këtë arsye, deputetët shqiptarë nuk e votuan kushtetutën e lartpërmendur.

            Nga kjo kushtetutë antishqiptare u ndërtua sistemi politik dhe juridik unitar, monoetnik dhe centralist. I tërë shteti ishte në duart e sllavo-maqedonasve. Shqiptarët kishin zero pushtet. Nëpërkëmbja e shqiptarëve tregon se faktori politik dhe inteligjencia sllavo-maqedonase e viteve ’90 të shekullit të kaluar:

            – ishte thellësisht antishqiptare;

            – ishte e dobët dhe me njohuri të kufizuara;

– nuk kishte kulturë politike demokratike dhe evropiane;

– nuk donte të dinte se nuk ishim në vitin 1945 por në vitin 1991;

– nuk mund ta pranonte se ndikimit të Beogradit në Maqedoni i ka ardhur fundi;

– nuk mund ta pranonte dhe të pajtohej se në Maqedoni dhe në rajon janë të pranishëm Uashingtoni dhe Brukseli dhe jo Moska;

– nuk e mori parasysh faktin se rajoni synon BE-në dhe NATO-n dhe Moskën.

Maqedonia ishte shteti më i nacifikuar në botë. E tillë, vazhdon të jetë edhe sot.

Faktori politik sllavo-maqedonas duhej ta dinte se pa një marrëveshje historike me shqiptarët, Maqedonia:

– nuk mund të hyjë në strukturat euroatlantike;

– nuk mund të jetë e qëndrueshme.   

*   *   *

            Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, sidomos Uashingtoni e mbron Maqedoninë nga synimet hegjemoniste të fqinjëve – Beogradit, Athinës dhe Sofjes. Uashingtoni i mban shqiptarët nën kontroll, për aq për sa Shkupi synon NATO-n dhe BE-në dhe qëndron larg Moskës e Beogradit. Sikur Shkupi t’i afrohet Moskës dhe Beogradit, Uashingtoni sakaq do ta vinte në veprim faktorin shqiptar. Politikanë të caktuar sllavo-maqedonas deklaronin se Maqedonia do të ndjekë ndaj fqinjëve të vet politikën e ekuidistancës.

Në fillim të viteve ’90 faktori politik ndërkombëtar i sugjeronin faktorit politik shqiptar

të ndjekin politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese, ndërsa kërkesat e shqiptarëve t’i realizojnë në rrugën politike dhe me mjete demokratike. Është koha kur në Kosovë sundonte gjendja e jashtëzakonshme e vendosur nga Beogradi. Shqiptarët ngritën dhe ndërtuan sistemi paralel.

            Faktori politik shqiptar:

– hyri në kuvend, dhe

– hyri në qeveri, si në pushtetin vendor ashtu edhe në pushtetin qendror.  

Kalonin vite, por çështja shqiptare nuk bënte dot një hap para.

*   *   *

Si VMRO-ja, ashtu edhe LSDM-ja, ndaj çështjes shqiptare kishin të njëjtin qëndrim. Sipas tyre, Maqedonia është e sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq, nuk janë veçse pakicë, njësoj si vllehtë, romët etj. Cilado kërkesë e shqiptarëve, ndonëse e shprehur në rrugën politike dhe me mjete demokratike, pritej në teh të shpatës.

Shqiptarëve nuk u mbetej tjetër, përveç se disa veprime t’i ndërmerrnin jashtë institucioneve të sistemit. Ndaj veprimeve të tilla pushtetarët sllavo-maqedonas reagonin me mjete violente. Ndaj shqiptarëve ndiqej politikë diskriminuese dhe restriktive. Ndaj shqiptarëve ushtrohej opresion. Policia një-etnike e shtetit unitar, monoetnik dhe centralist ishte në shërbim të sllavo-maqedonasve.  

Ekspeditat policore dhe ushtarake në trojet etnike historike shqiptare në Maqedoni:

Dhuna në Bit Pazar – Më 6 dhe 7 nëntor 1992, në lagjen Bit Pazar të Shkupit ndodhën trazira të shqiptarëve. Si pasojë e ndërhyrjes së policisë, pati katër të vrarë dhe katërmbëdhjetë të plagosur. 170 qytetarë të tjerë shqiptarë u keqtrajtuan dhe ndaj tyre u ushtrua dhunë. Policia bastisi shtëpitë dhe shumë shqiptarë u arrestuan. 84 shqiptarë u dënuan për kundërvajtje;

Dhuna në fshatin Ladorisht të Strugës – Më 15 qershor 1992 rreth 1000 policë sllavo-maqedonas, të pajisur me armatime të rënda u futën në Ladorisht, fshat ky i banuar me pothuajse 100% popullsi shqiptare. Banorët e këtij fshati mblidhnin nënshkrime për një peticion për rihapjen e shkollave shqipe, të mbyllura pas demonstratave të vitit 1991. Mbi banorët e fshatit u ushtrua dhunë. Shumë prej tyre u dënuan me akuzën: “thirrje për rezistencë ndaj pushtetit”. Shumë shqiptarë të Ladorishtit ishin dënuar me dënime drakonike edhe në kohën e pushtetit antishqiptar monist, d.m.th. në kohën e komunizmit apo të socializmit, që nga viti 1945 e këndej. Dhuna mbi ta nuk kishte pushuar as në kohën e demokracisë. Faji i tyre kishte qenë dëshira për liri, drejtësi, barazi dhe demokraci; 

Afera e armëve – Në vjeshtë të vitit 1993 policia sllavo-maqedonase në aksionin e koduar “Baruti” arrestoi dhjetëra shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre ishin funksionarë të PPD-së. Ata u akuzuan si udhëheqës “të njësive paraushrtarake shqiptare”. Në pranverë të vitit 1994, në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkup, dhjetë të akuzuar u dënuan prej dy deri në 10 vjet heqje lirie;   

Dhuna policore ndaj Universitetit të Tetovës – Më 17 shkurt 1995, në Universitetin e Tetovës filluan ligjëratat e para. Universiteti i Tetovës, i themeluar më 17 dhjetor 1994, i filloi ligjëratat e para më 17 shkurt 1995. Po atë ditë, në orët e pasdites, në afërsi të ndërtesës së universitetit në Reçicë të Vogël, ndërhynë forca të mëdha policore. Me këtë rast u vra Abdylselam Emini, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Themeluesit e universitetit, në krye me rektorin Fadil Sulejmanin, u arrestuan dhe u dënuan;

Ngjarjet e përgjakshme në Gostivar – Më 27 janar të vitit 1997 organet komunale të Gostivarit morën vendim për ngritjen e  flamurit kombëtar para ndërtesës së komunës. Ky vendim nxiti reagimin e qeverisë. Më 21 maj 1997 Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë deklaroi se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit” dhe kërkoi heqjen e flamurit shqiptar. Më 8 korrik 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi një ligj me të cilin u lejua përdorimi zyrtar, i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, por vetëm në raste private dhe në ndonjë manifestim kulturor. Në orën 1 e 30 të mëngjesit të datës 9 korrik 1997, forcat speciale të policisë sllavo-maqedonase e hoqën flamurin shqiptar nga ndërtesa e komunës. Pas kësaj nisën protestat e shqiptarëve. Nga dhuna policore sllave u vranë tre shqiptarë, ndërsa mbi njëqind të tjerë u plagosën. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi edhe kryetarin e komunës, Rufi Osmanin si dhe kryesuesin e Këshillit komunal, Refik Dautin.  Në procesin politik të datës 16 shtator 1997 Gjykata themelore e Gostivarit e dënoi Rufi Osmanin me 14 vjet heqje lirie. Në shkallën e dytë dënimi iu zëvendësua me 7 vjet heqje lirie. Me Ligjin e amnistisë të vitit 1999, pas afro dy vjet qëndrimi nën arrest, R. Osmani u lirua.

Flamurin e kishte varur në ndërtesën e komunës së Tetovës edhe kryetari i komunës, Alajdin Demiri. Edhe ky u arrestua dhe u dënua bashkë me kryesuesin e këshillit komunal, Vebi Bexhetin;

Nata e kristaltë në qytetin e alfabetit, Manastir – Në natën e 28 prillit 2001 një pogromnacht ndodhi edhe në qytetin e Manastirit. Si pretekst i sulmeve kundër shqiptarëve të pambrojtur shërbeu vrasja e tetë pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Maqedonisë, që ndodhi më 28 prill të vitit 2001 në fshatin Vejcë të Sharrit të Tetovës. Katër prej tyre ishin nga Manastiri. Gjatë këtyre sulmeve të kryera nga turmat sllavo-maqedonase, u sulmuan shtëpitë, banesat, tregtizat dhe lokalet afariste të shqiptarëve të qytetit të alfabetit. Pogrome ndaj shqiptarëve u kryen edhe në Shkup dhe në Veles. Lidhur me ngjarjet e sipërthëna reagoi edhe Human Rights Watch:“Policia  nuk bëri përpjekje për të ndaluar turmat që shkaktonin trazira në qytetin e Manastirit të premten mbrëma. Madje pati policë që morën pjesë aktive në aktet e dhunës. Turmat dogjën dhjetëra shtëpi dhe dyqane të shqiptarëve”.

Lidhur me këtë masakër reagoi nga Brukseli edhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana. Për qetësimin e situatës bëri thirrje edhe presidenti i SHBA-së Xhorxh W. Bush, i cili kërkoi nga kreu shtetëror i Maqedonisë që dhuna mbi shqiptarët e pambrojtur të ndërpritet menjëherë;  

Rasti Monstra – Më 12 prill 2012 ndodhi një vrasje në Smilkovë të Shkupit. Mbetën të vrarë pesë qytetarë sllavo-maqedonas. Katër prej tyre ishin të rinj, ndërsa njëri ishte një peshkatar në moshë. Për vrasjet e sipërthëna, pesë shqiptarë u dënuan me dënime të përjetshme. Asnjëri prej të dënuarve nuk e ka pranuar veprën;

Pogromi mbi shqiptarët e Shkupit Më 26 maj 2014, në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit turma sllavo-maqedonasish thyen dhe demoluan tregtizat, restorantet dhe lokalet afariste të shqiptarëve. Një restoranti iu vu edhe zjarri. Pretekst i këtyre veprimeve barbare ishte vrasja e një të riu sllavo-maqedonas nga një i ri shqiptar. Turmat kishin tentuar të hyjnë në fshatin Saraj, të banuar kryesisht nga shqiptarë, por organet e rendit i kishin parandaluar. Organet e rendit nuk kishin reaguar në kohë për ta parandaluar demolimin dyqaneve dhe të restoranteve të shqiptarëve.

Zbardhja e rrethanave në të cilat kishte ndodhur ngjarja tragjike është detyrë dhe kompetencë e organeve të hetuesisë dhe të gjyqësisë. Lidhur me rastin e lartpërmendur, turmat sllavo-maqedonase e morën drejtësinë në duart e veta, dolën në rrugë, i thyen dhe i shkatërruan lokalet afariste të shqiptarëve. Gjatë sulmeve kundër shqiptarëve dhe pasurive të paluajtshme të tyre, turmat sllavo-maqedonase përdorin edhe gjuhën e urrejtjes,kërkojnë vdekje për shqiptarët;

Rasti i Kumanovës Më9 dhe 10 maj 2015 ndodhi gjakderdhja në Lagjen e Trimave. Mbetën të vrarë dhjetë shqiptarë të armatosur dhe tetë policë të shtetit. Sipas të dhënave të caktuara, kanë mbetur të plagosur një numër pjesëtarësh të forcave të sigurisë të shtetit. Ndaj shqiptarëve pasuan dënimet drakonike: 7 vetë – me dënim të përjetshëm; 13 vetë – me nga 40 vjet heqje lirie; 6 vetë – me nga 20 vjet heqje lirie; 1 person – me 18 vjet heqje lirie; 2 vetë – me nga 14 vjet heqje lirie 2 vetë – me nga 13 vjet heqje lirie; 2 vetë me nga 12 vjet heqje lirie; 4 vetë u liruan, d.m.th. nuk u dënuan. Shqiptarët u dënuan me 746 vjet burg.

Më 15 tetor 2015 policia arrestoi edhe shtatë të tjerë, të dyshuar si pjesë e logjistikës të grupit të Lagjes së Trimave. Më 28 tetor 2015 policia kryen bastisje në Kumanovë, në fshatin Hotle të Likovës dhe në Haraçinë. Operacioni u krye për t’i zënë të dyshuarit për të cilët prokuroria sllavo-maqedonase thotë se kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e 9 dhe 10n majit të vitit 2015, në Lagjen e Trimave të Kumanovës.

Dënime të këtilla nuk ka pasur as në mesjetë.

*   *   *

Nga pogromet e sllavo-maqedonasve kundër shqiptarëve që ndërmerreshin kohë pas kohe, mund të konstatohej:

– hendeku i thellë që ekziston midis dy bashkësie etnike – shqiptarëve, në një anë, dhe sllavo-maqedonasve, në anën tjetër;

– mungesa e tolerancës ndëretnike;

– mungesa e gatishmërisë për bashkëjetesë midis dy popujve;

– ngarkesa e të rinjve sllavo-maqedonas me paragjykime dhe stereotipe ndaj shqiptarëve;

Me një fjalë, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni ishin të ndera dhe të tensionuara. Nuk ishte vështirë të konkludohet se në këto raste organet e rendit gjithmonë kanë reaguar me vonesë, d.m.th. pasi të jenë shkatërruar pronat e shqiptarëve. Mosndërhyrja në kohë e organeve kompetente të rendit për t’i parandaluar turmat sllavo-maqedonase, nxjerr në sipërfaqe dilema të ndryshme:

– sulmet e kohëpaskohshme ndaj shqiptarëve, janë spontane apo janë të orkestruara nga qendra të caktuara ultranacionaliste antishqiptare?!;

– në ç’frymë vallë edukohen dhe formohen të rinjtë sllavo-maqedonas në arsimin fillor, të mesme dhe në atë universitar?!

Ky vend dyetnik nuk do të mund të shndërrohet në shtet të qëndrueshëm dhe demokratik, po qe se të rinjtë sllavo-maqedonase do të ushqehen me gjuhën e urrejtjes, të mostolerancës dhe me paragjykime e stereotipe ndaj shqiptarëve. Shkollat nuk janë institucione për shpëlarjen e trurit të fëmijëve, të nxënësve apo të studentëve. Ky shtet dyetnik kurrë nuk do të stabilizohet përderisa pala sllavo-maqedonase, rininë e vet e ushqen me ksenofobi.

Sulmet ndaj shqiptarëve ishin në kundërshti edhe me synimet e Uashingtonit dhe të Brukselit për një Maqedoni demokratike, multietnike dhe multikulturore.

*   *   *

Në rrethana të mësipërme shpërtheu lufta e 2001-shit. Kjo luftë duhej t’i jepte fund Maqedonisë unitare, monoetnike dhe centraliste. T’i jepte fund këtij shteti të nacifikuar. T’i jepte fund politikës diskriminuese dhe restriktive që ndiqte ndaj shqiptarëve faktori politik sllavo-maqedonas, me në krye antishqiptarin Kiro Gligorov. Të gjithë ata që erdhën pas tij fare nuk ishin më të mirë se ai.  

Lufta e 2001-shit rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit. Ky është një dokument me vlerë ndërkombëtare. është zgjidhur ose çështja shqiptare me të, këtë do ta tregojë historia. Edhe pas kësaj marrëveshjeje:

– shqiptarët figurojnë si numër apo si përqindje dhe jo me emrin etnik të tyre;

– flamuri i shtetit është simbol i sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq fare s’kanë të bëjnë me të;

– flamurin e këtij shteti nuk e respekton asnjë shqiptar, përpos funksionarëve të cilët i detyron ligji;

– himni i këtij shteti është himn i sllavo-maqedonasve, ndërsa shqiptarët fare s’kanë të bëjnë me të;

– asnjë shqiptar nuk e respekton himnin e këtij vendi, përpos funksionarëve nëpër ceremonitë apo protokollet zyrtare;

– ekonomia, banka dhe financat e Maqedonisë së Veriut 100 për qind janë në duart e sllavo-maqedonasve;

– industria e këtij vendi  99 për qind është në duart e sllavo-maqedonasve.

Duhet shtuar se në tri dekadat e kaluara të gjitha investimet kapitale janë realizuar në Maqedoninë lindore.

Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve mbi shqiptarët ka sunduar një popull me identitet të diskutueshëm, me identitet të mohuar si nga Greqia ashtu edhe nga Bullgaria. Kisha serbe ndërkaq, nuk e njeh atë sllavo-maqedonase.

Asnjë marrëveshje nuk është e përhershme. Varësisht nga rrethanat historike globale, ato mund të ndryshojnë dhe të plotësohen. Faktori politik sllavo-maqedonas duhet ta vlerësojë politikën paqeruajtëse dhe stabilizuese të shqiptarëve. 

*   *   *

Vitet e fundit bie në sy sikur filozofia politike e LSDM-së ka pësuar njëfarë ndryshimi. Kjo parti dëshiron të promovojë idenë e një shteti qytetar.

VMRO-ja ndërkaq vazhdon të jetë parti nacionaliste dhe antishqiptare, retrograde dhe anakronike. Ajo akoma ndodhet në shekullin XIX. Ajo duhet ta shohë se e ka shkelur koha. Duhet ta dijë se pa shqiptarë s’ka Maqedoni. pa shqiptarët, Maqedonia mund të zhbëhet si flluskë sapuni. Një Maqedoni pa shqiptarët shpie në një shtet me sistem paralel. Megjithëkëtë, koha e konflikteve apo e sistemeve paralele në rajon ka përfunduar. Ndryshe mendojnë vetëm Vuçiqi dhe Kisha Ortodokse fashiste Serbe.

Koncepti i shtetit qytetar nuk është në dobi të shqiptarëve. Në dobi të shqiptarëve është koncepti i shtetit dyetnik. Shqiptarët nuk kanë kërkuar ndarje territoriale por barazi. Këta s’të japin as territor, e as barazi. Këta të duan të nënshtruar. Këta duhet ta dinë se koha e nënshtrimit të shqiptarëve ka përfunduar.

LSDM-ja dhe lideri i saj Zoran Zajev me Marrëveshjen e Prespës bëri një akt madhor. Kjo i mundësoi këtij vendi të bëhet anëtare e NATO-s. Ky është interes jetik i shqiptarëve. S’ka dyshim se Zajevi do të arrijë zgjidhje kompromisi edhe me Bullgarinë. As ky kontest nuk zgjidhet pa Uashingtonin. Asgjë në Ballkan nuk zgjidhet pa Amerikën.

Marrëdhëniet e mira ndëretnike nënkuptojnë barazi të plotë midis dy popujve.

*   *   *

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit në Maqedoni kemi:

– korrupsioni në nivelet më të larta të shtetit;

– nepotizëm;

– administratë të politizuar dhe të partizuar;

– sistem gjyqësor kryekëput të korruptuar;

– diletantizëm aty ku kërkohet profesionalizëm;

– pasurim brenda nate të politikanëve;

– privilegje dhe favore të establishmentit;

– arsim të cilësisë së ulët në të gjitha nivelet;

– sistem shëndetësor primitiv;

– stërzgjatje të tranzicionit;

– dallime sociale të frikshme;  

– mitë dhe ryshfet në gjyqësi, në dogana, në spitale, në universitete, në administratat komunale, te ofiqari, në organet e urbanizmit, në shkollat e patentave të shoferit…

– lypës në udhëkryqet dhe në trotuaret e qytetit.

Kështu s’hyhet dot në BE. Mbi 50 për qind e punonjësve të zyrave, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, marrin rroga kot. Ata janë tepricë që s’i duhen kujt. Ata s’punojnë gjë, s’kanë se ç’punojnë. Janë të pasistematizuar ose të sistematizuar rrejshëm. S’ka shtet në Evropë ku njeriu rri në shtëpi dhe merr rrogë.   

*   *   *

Dhuna shtetërore ndaj shqiptarëve është ushtruar në kohën kur në qeveri kanë qenë partitë politike shqiptare, PPD-ja dhe PDSh-ja. Dhuna shtetërore mbi shqiptarët ka vazhduar edhe kur në qeveri ka qenë BDI-ja. Në institucionet e sistemit, në organin ligjvënës apo në atë ekzekutiv kanë qenë pothuajse të gjitha partitë politike shqiptare: PPD, PDP, PDSh, BDI, Besa, ASh, Alternativa. Me një fjalë, çdo parti shqiptare, që nga viti 1991 deri më sot ka synuar të hyjë në kuvend por edhe në qeveri. Partitë politike shqiptare – PPD-ja, PDSh-ja dhe BDI-ja kanë bashkëqeverisur, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO-në.

Gjatë dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve gjatë gjithë periudhës së pluralizmit, asnjë parti shqiptare nuk e la, as kuvendin as qeverinë. Nuk shkaktoi kurrfarë krize politike. Gjatë periudhës së lartpërmendur, si akt moral, nuk dha dorëheqje asnjë deputet apo ministër shqiptar. Nga kjo rezulton se në botën shqiptare mbizotëron një karrierizëm i verbët. Kjo tregon se shqiptarët janë të etshëm për pozita, për pushtet dhe për favore e privilegje.

Brenda tri dekadave të kaluara kauza shqiptare është përplasur nga skila në haribdë, kërkesat e shqiptarëve ndërkaq janë matur në shtratin e Prokrustit.

Çdo popull ka qeveri siç është dhe vetë. Është ky popull që i voton këto parti politike. I varfëruar dhe me arsimim cilësie të ulët, ky popull nuk ka vetëdije, kulturë dhe potencial politik të mjaftueshëm. I varfëruar, ai nuk është veçse popull social. Ideal i tij është ekzistenca dhe mbijetesa. Për të është i mirë secila parti që i mundëson një vend pune, qoftë edhe me një pagë prej 200 apo 300 eurove të mjera.  

Të etshëm për pushtet  – pa pushtet – me partitë politike shqiptare nuk është vështirë të manipulosh dhe t’i përçash. Faktori politik shqiptar, i fragmentarizuar dhe në konflikt me vetveten nuk mund të ishte në krye të përgjegjësisë historike. Një faktor i këtillë, i dobët nuk mund ta zgjidhte kauzën kombëtare. Një faktor politik i përçarë dhe i copëzuar lehtë mund të bëhet vegël dhe instrument i faktorit politik sllavo-maqedonas apo edhe i shërbimit të shtetit.

Nuk është e rastit që shqiptarët të drejtat kombëtare nuk ia dalin t’i realizojnë në kohë. Kërkesat e tyre zgjasin pa fund. Duke pritur Godonë tri dekada, të rinjtë shqiptarë i morën rrugët pa kthim të Perëndimit. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More
Osllo, 23 prill 2019: Për bashkësinë ndërkombëtare (paralelisht me faktorizimin e UÇK-s), ishte më rëndësi që UÇK-ja (veçanërisht…