FARUK DAKAJ: KRIMI INSTITUCIONAL NË PRIZEN

(Prizren, 09. 01. 2013) – Fatkeqësisht për rastet e korrupsionit dhe kriminalitetit, ashtu siç po ndodh dhe siç po kemi praktika në terren, nuk po inicohen hetime. Kjo tashmë është evidente edhe në komunën tonë, por se kjo praktikë tashmë është e pranishme edhe në nivele lokale gjithandej nëpër Kosovë. Për “kriminelët” institucionalë e për raste të shkallëzuara kurrupsioni kanë filluar hetime, të cilat zvarriten më kot dhe poashtu kanë tendecë të izolimit të menjëhershëm, më pastaj për t’u mos u dëgjuar më. Dhe kjo mund të ketë këtë përgjigje formale; policia dhe prokuroria janë vënë në shërbim të kurrupsionit në Prizren. Kjo do të jetë kështu, derisa të mos jetë ndryshe, sepse krimi, parregullsitë dhe shkeljet nuk po ndalen, ashtu siç nuk po ndalen kallëzimet penale ndaj qeveritarëve lokalë në komunën e Prizrenit. Nëse ne si shoqëri mendojmë në vlera institucionale, atëherë duhet që institucioni i drejtësisë të thotë verdiktin e vet.
Qytetarët e Prizrenit, subjektet politike në Prizren dhe OJQ-të e ndryshme, kanë ngritur një mori kallëzimesh penale në prokurorinë komunale në Prizren, të bazuara për të inicuar hetimet kundër disa zyrtarëve komunalë të këtushëm, të cilët dyshohen për korrupsion dhe shkelje të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, por për çudi edhe pas gjitha atyre provave të depunuara deri më tash asgjë nuk ka lëvizur nga vendi, kurse të apostrofuarit në ato kallëzime penale vazhdojnë të mbajnë po ato pozicione udhëheqëse komunale.

Në vendet me demokraci të zhvilluara për këso raste ku ka korrupsion të shkallëzuar, të dyshuarit do të jipnin dorëheqje nga postet që udhëheqin, duke mundësuar një hetim të paanshëm dhe të drejtë, por meqë kemi të bëjmë me struktura politike të kriminalizuara, të cilat janë të organizuara dhe të ndihmuara edhe nga instutucionet që janë të thirrura ta mbrojnë ligjin dhe rendin e të kujdesen për sigurinë e qytetarit, fatkeqsisht po ndodh e kundërta.
Se këta pushtetarë vjedhin edhe në emër të dëshmorëve të kombit, dëshmon fakti se drejtori i arsimit në komunën e Prizrenit Nexhat Çoçaj në organizimin e javës “Remzi Ademajt” të dëshmorit të kombit, mjetet e financuara nga komuna i përvetëson në llogarinë e tij private. Këta vjedhin mbi dëshmorët, i përvetësojnë ata, më pastaj për të vjedhur mbi ta. Poashtu kryesuesi i asamblesë komunale të Prizrenit Nijazi Kryeziu i ndërron lokacionin tregut nga ana e djathtë në të majtë, duke shkelur rregulloret në fuqi dhe vendimet e asamblesë komunale. Për të gjitha këto flasin faktet e dorëzuara në prokurori, por një gjë e tillë tashmë ka mbetur vetëm në letër, as edhe një hap të vetëm nuk e ka marrë prokuroria për të zbardhur këto raste dhe as për raste të tjera të depunuara nga qytatarët e ndryshëm dhe OJQ-të e qytetit.
Pas të gjitha këtyre akuzave, kallzimeve penale, parregullsive dhe kriminalitetit të rritur në komunën tonë, gjendemi përballë dyshimit edhe për punën e policisë dhe prokurorisë, e cila më shumë i gjason një sektori për mbrojtjen e korrupsionit dhe kriminalitetit institucional, se sa që është e interesuar të zbatoj ligjin dhe të ketë sundim të mirëfilltë të ligjit, për çka edhe janë të thirrura. Nëse dikur policia e Kosovës e formuar menjëherë pas luftës në Kosovë e kishte besueshmërine nga qytetarët në shkallën më të lartë krahasuar me institucionet tjera, tashmë edhe ky sektor i këtij institucioni mund të shihet si mjaft i shantazhuar nga grupet kriminale, duke mos ofruar siguri. Ndërsa për gjyqësorin jo vetëm në Prizren, por edhe në shkallë vendi është parë dhe vazhdon të shihet me skepticizëm dhe mosbesueshmëri të plotë.
Për të ndërruar këtë sistem të padrejtë të instaluar në institucione udhëheqëse, në gjyqësor dhe polici, çdo ditë e më tepër po bindemi se denoncimet tona ndaj krimit të organizuar po hasin në vesh të shurdhër, prandaj na duhet një mobilizim qytetar, që nënkupton të gjitha format demokratike deri në protesta dhe demonstrata gjithëpopullore. Deri sa në të gjitha vendet demokratike tranzicioni merr fund me kalimin e kohës, në vendin tonë çdo ditë e më shumë nuk ia shohim fundin, kjo si pasojë e këtij sistemi të kalbur, të instaluar me vite në pushtet.
Sundimi i ligjit tashmë po ndodh vetëm për qytetarët që janë njerëz të zakonshëm, por jo edhe për “peshqit” e mëdhenj, që çdo ditë e më shumë po duken të jenë peshkaqenë, që u trashet qafa në kurriz të taksapaguesve prizrenas. Mundësinë e vetme për të mbetur në skenën politike këta pushtetarë e shohin vetëm përmes korrupsionit.
– Autori është sekretar organizativ i qendrës së VETËVENDOSJE’s! në Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura