Në Maqedoninë Veriore, çështja është si të ndërtohet shteti, jo si të rrëmbehet pushteti
SHTETIN E NDËRTUAR KEQ, MBI BAZA TË DISKRIMINIMIT DHE PADREJTËSIVE, NUK E BËJNË FUNKSIONAL DREJTUESIT E PUSHTETIT, AQ MË PAK ATA TË PUSHTETIT LOKAL, POR KONCEPTI I NDËRTIMIT TË SHTETIT
Nga Dr.Abdulla Mehmeti Tetovë 21 tetor 2021
Për funksionimin normal të shtetit, reforma ekonomike e xhvillimore, demokratizimin e plotë të shoqërisë dhe shkapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe fillim të progresit, nuk është vendimtar vetëm ndërrimi i forcave politike në pushtet, por reformat thelbësore legjislative për shqendërsimin e pushtetit lokal nga ai qendror, ndarja e re administrative e rajoneve ekonomike e zhvillimore dhe ndarja territoriale e komunave sipas veçorive demografike, resurseve, lidhjet e natyrshme mes tyre, për zhvillimin normal të komunave, rajoneve dhe të shtetit, si një tërësi funksionale që nuk krijon pengesa dhe pabarazi brenda shtetit.
MAKINËN E NDËRTUAR KEQ NUK E BËJNË FUNKSIONALE DREJTUESIT E SAJ POR KONSTRUKTORËT
Si mund të zhvillohet një shtet normalisht nëse ka anomali të mëdha funksionale:
– mbi baza të padrejtësive dhe diskriminimit në baza etnike dhe rajonale;
– kur pushteti është plotësisht i centralizuar;
– me rajone ekonomike e zhvillimore të ndara mbi baza të interesave politike, jo sipas numrit të banorëve, resurseve dhe veçorive ekonomike;
– me krijimin dhe ekzistimin e më tepër komunave rurale se sa urbane;
– me gjendje demografike jonormale, ku gjysma e banorëve të shtetit jetojnë në 10% të territorit (Rajoni i Pollogut dhe Rajoni i Shkupit), ndërsa pjesa tjetër prej 50% jetojnë në pjesën tjetër prej 90% të territorit të shtetit;
– me numër tepër të pabarabartë të banorëve në komuna, ku në komunat rurale me shumicë shqiptare, numri i banorëve mesatarisht është mbi 20 mijë banorë, ndërsa në shumicën e komunave rurale të banuara me popullsis joshqiptare kjo mesatere është për 4 herë më e ulët, përkatësisht me 5-7 mijë banorë, kurse buxhetet dhe investimet në këto komuna janë tepër të pabarabarta dhe diskriminuese ndaj komunave me shumicë të banorëve shqiptarë. (Shih të dhënat e mëposhtme në grafikon)
Në këtë gjendje siç është, shtetin nuk mund ta vendosin në binarë normal e ta përparojnë as ekspertët më të mëdhenj të botës, e jo më politikanët diletantë të etshëm vetëm për pushtet, qoftë ai fiktiv, siç është pushteti vendor tepër i centralizuar në Maqedoninë Veriore.
Në Maqedoninë Veriore, çështja është si të ndërtohet shteti, jo si të rrëmbehet pushteti.
(21.X.2021)