KUJTIM NGA VIZITA NË VJENË TË AUSTRISË, NË VITIN 2002
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 26 tetor 2021
Në vitin 2002 në Vjenë të Austrisë vizitova miqtë: Qazim Berisha, Abdullah Abdullahu, Hamit Polisi, Ridvan Islamaj, Muhamet Kryeziu dhe shumë bashkveprimtarë tjerë me të cilët kisha punuar para dhe gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në Kosovën Lindore (2000) dhe në Maqedoni (2001).
Me këtë rast me Abdullah Abdullahun vizitova Muzeun Historik të Artit (Kunsthistorische Museum) ku janë të arkivuar: Shpata, Këllëfi i Shpatës dhe Përkrenarja (Helmeta) origjinale e Herotit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Shikoni videon:
I kam vizituar disa monumente historike në qytetin e vjetër të Vjenës dhe pastaj bashkë me, Hamit Polisin, Abdulla Abdullahun dhe Qazim Berishën vizitova edhe Selinë e BASHKËSISË SHQIPTARE “BESA”, pronë e Firmës së Hamit Polisit. Gjatë bisedës Hamiti, Qaza dhe Abdullahu më tregojnë se në, ambientet e BSH: “BESA”, janë organizuar e koordinuar pothuajse të gjitha aktivitetet politike e kombëtare të LPK’së, UNIKOMB’it, të Fondeve: “VENDLINDJA THËRRET” dhe “LIRIA KOMBËTARE”, demonstratat, ndihmat humanitare etj.
Për më tepër në selinë e BSH “BESA” janë mbajtur të gjitha takimet dhe konferencat me gazetarët dhe televizonet shtetërore austriake, nga përfaqësuesit politik të UҪK’së për diasporë, duke filluar me Fehmi Lladrovcin dhe Abedin Rexhën – Sandokanin, e më vonë me Sabri Kiçmari, Jashar Salihun, Bardhyl Mahmuti etj., me qëllim të internacionalizimit të luftës sonë çlirimtare si dhe për financimin, mobilizimin dhe fuqizimin e UҪK’së nga bashkatdhetarët tanë.…
Aktiviteti i Hamit Polisit dhe Qazim Berishës fillon qysh në vitin 1990, me organizimin për financimin e “Frontit të Rezistencës Kombëtare” në Kosovë, ndërsa pas burgosjes së krerëve të “frontit” ata vunë kontakte me Adem Demaçin, Halil Alidemën etj., dhe me këtë fundit themeluan UNIKOMB’in, ndërkohë që e kanë ndihmuar edhe PPD në Maqedoni, që e drejtonte Nevzat Halili.
Të gjitha këto aktivitete kanë vazhduar deri në vitin 2001, me përfundimin e luftës së Ushtrisë Ҫlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Me këtë rast përgëzoj të gjithë miqtë dhe veprimtarët e shumtë në Vjenë, të cilët kontribuan parreshtur për të mirën e vendit të tyre.
***