SALÇI KULTUROR DHE HISTORIK I VETMUAR …
Foto: Gazmend Çitaku
Salçi kulturor dhe historik i vetmuar ka rënë në qetësi të mërzitshme
Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 22 maj 2022
Jo më shumë se shtatë – tetë kilometra para se të hyhet në Ulqin, në anën e majtë të rrugës e cila të çon për në Tivar, rrugës së ngushtë të asfaltuar arrihet në fshatin Salç. I vendosur nën malin Mozhur, 550 metra mbi nivelin e detit. Njeriu e ka të vështirë të besojë se këtu dikur kanë ekzistuar afro 45 shtëpi. Se nëpër këtë fshat është kënduar kënga e vajzave dhe djemve , ku të rinjtë kanë shkuar në mulli për bluarjen e grurit dhe vjeljen e ullinjve. Se këtu është dëgjuar zhurma e nxënësve dhe blegërima e deleve. Sot gjithçka është ndryshe. Asgjë nuk është si më parë. Fshati është i vetmuar. E ka kapluar qetësia dhe monotonia e mërzitshme. Tani këtu nuk frymon më asnjë njeri, që nga tërmeti shkatërrues i mëngjesit të 15 prillit të vitit 1979. Prej atëherë janë larguar banorët e tij dhe janë shpërngulur në lagjet përreth, në Ulqin dhe shtete të huaja.
Salçi është i banuar me shestanas që nga përudha osmane. Nuk dihet me siguri se a kanë qenë kjo popullsi gjysmë nomade, apo ka ardhur për të ruajtur bagëtinë dhe është kthyer përsëri në vendbanimin e tyre të mëparshëm. Nga biseda me disa nga njerëzit e vjetër të këtij fshati atje kanë jetuar vëllazëritë Jankoviq, Dediq, Martinoviq, Briskoviq, Peciq, Pepiq, Kolloviq , Bardhoviq etj), të gjithë shqiptarë, nga Shestani (shestanas) dhe Ljarja (ljaras) të cilët u shpërngulen nga këto treva fillimisht si punëtorë të tokave të agave dhe bejlerëve turq, ku kryesisht kanë dimëruar me kafshë dhe gradualisht kanë blerë apo ndërtuar shtëpia, duke u bërë kështu banorë të përhershëm, të cilëve pushteti i kohës u ka imponuar sllavizimin e mbiemrave të tyre.
Ky vendbanim, ku gërshetohen bukuritë natyrore me trashëgiminë kulturore, materiale dhe shpirtërore dhe detin e ke në pëllëmbë të dorës, është i njohur, sipas vendasve, me afro 15 burime të ujit,të cilat nuk janë shfrytëzuar e as hulumtuar si duhet. Nga këto burime, përgjatë përroskës së Braticës kanë punuar po aq mullinj uji. Burimi kryesor ka qenë në vendin e quajtur “Meshkallë” (Më shkallet). Prej këtu e deri në afërsi të mureve të një shtëpie të një pashe te Qyteti i Vjetër (Kalaja e Ulqinit), pohojnë vendasit, ka filluar ndërtimi i ujësjellësit të parë në Komunën e Ulqinit në periudhën e Perandorisë Turke. Tubacionet e ujit kanë qenë të punuara nga balta e pjekur. Ndërkaq, nga viti 1950 nga ky burim është punuar ujësjellësi i Ulqinit. Sipas kallëzimit të banorëve të vjetër të fshatit ky burim ka pasur shtypje shumë të lartë, saqë nga vërshimi i ka rrezikuar disa familje, të cilat për ta frenuar (zvogëluar) atë e kanë mbushur me shtëllunga leshi.
Në këtë vendbanim ka objekte kulturore e historike. Shkolla atje , siç pohojnë vendasit, është hapur për herë të parë rreth vitit 1880 dhe ka punuar në shtëpinë e Nikë Jankoviqit. Nuk kemi të dhëna për numrin e nxënësve në atë kohë. Mund të jetë që shkolla ka punuar me ndërprerje. Me sa dimë shkolla e parë e rregullt në gjuhën malazeze në Salç hapet në vitin shkollor 1941/42, kurse mësuesja e parë ka qenë kroatja Antonia Markoviq. Mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet deri në vitin 1945, kur mbahet në gjuhën serbokroate dhe atëherë ndërtohet objekti shkollor në qendër të fshatit.
Ky fshat ka pasur famullin e vet të pavarur dhe dy kisha. Kishën e vjetër të Shën Pjetrit dhe Shën Palit e ndërtuar dhe e shuguruar, sipas dokumenteve kishtare, gjatë vitit 1841, e zmadhuar gjatë vitit 1885, e zbukuruar me afreske të pikturuara nga piktori i mirënjohur shkodran Kolë Idromeno. Në këtë kishë katër muaj ka shërbyer edhe famullitari nga Trieshi, prifti i parë në Malësi, Patër Andrea (Patër Luli Gjurashaj), në vitin 1912. Nga regjistrat e patër Andresë dhe shkresat ( shënimet) e pasardhësve të tij Patër Eustahi Tartaglia, ndër të tjera, figuron se në Kishën e Salçit bë vitin 1910 ka pagëzuar At Zef-Leonard Tagajn, fratin e Traboinit të Hotit, i cili u vra barbarisht nga ushtarët serbo-malazez më 19 shkurt 1945, në Lugje të thella, në kufi të Hotit e Grudës. Pas patër Andreut, gjysmë shekulli më vonë, në kishën e Salçit ka shërbyer edhe Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirëdita. Përveç kësaj, gjithnjë sipas burime kishtare, në këtë lokalitet ndodhet edhe kisha e vogël, por e bukur e Shën Gjon Pagëzuesit në Sajmir ( Sojmir) e ndërtuar gjatë vitit 1889.
Siç tregojnë dokumentet kishtare nuk duhet harruar Patër Jak Salçin i cili si famullitar i Salçit e hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe në rrethin e Ulqinit. Mësimi në gjuhën shqipe gjatë periudhës së Austrisë (1915 deri në vitin 1917) është zhvilluar në qelë, përkatësisht në shtëpinë e famullisë në Salç. Mësues në gjuhës shqipe që dihet ishte Patër Jak Luka( Lukiq). Në këtë fshat tashmë takon vetëm gërmadhat e kishave dhe të shtëpive të dikurshme, të cilat duken se nga viti në vit bëhen një me tokën. Edhe pse ekziston në hartën e lokaliteteve të Ulqinit mund të thuhet se ky vendbanim është “shuar” plotësisht, pavarësisht pozitës së mirë gjeografike dhe mundësive të mëdha për zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë dhe në veçanti turizmit malor. Atje tani kanë mbetur vetëm kujtimet se në këtë fshat jo shumë kaherë ka pas jetë e gjallëri. Natyrisht se për ringjalljen e jetës këtu edhe institucionet duhet të kenë përkujdesje maksimale.