SALÇI KULTUROR DHE HISTORIK I VETMUAR …

SALÇI KULTUROR DHE HISTORIK I VETMUAR …

Foto: Gazmend Çitaku

Salçi kulturor dhe historik i vetmuar ka rënë në qetësi të mërzitshme

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 22 maj 2022

Jo më shumë se shtatë – tetë  kilometra para se të hyhet në Ulqin, në anën e majtë të rrugës  e cila të çon për në Tivar, rrugës së ngushtë të asfaltuar arrihet në fshatin Salç. I vendosur nën malin Mozhur, 550 metra mbi nivelin e detit. Njeriu e ka të vështirë të besojë se këtu dikur  kanë ekzistuar  afro 45 shtëpi. Se nëpër këtë fshat është kënduar kënga e  vajzave dhe djemve , ku të rinjtë kanë shkuar  në mulli për bluarjen e grurit dhe vjeljen e ullinjve.  Se këtu  është dëgjuar zhurma e nxënësve dhe blegërima e deleve.   Sot gjithçka  është ndryshe.  Asgjë nuk është si më parë. Fshati është i vetmuar. E ka kapluar qetësia dhe monotonia  e mërzitshme. Tani këtu  nuk frymon më asnjë njeri, që nga tërmeti shkatërrues i mëngjesit të 15 prillit të vitit 1979. Prej atëherë janë larguar banorët e tij dhe janë shpërngulur në lagjet përreth, në Ulqin dhe shtete të huaja.  

Salçi është i banuar me shestanas që nga përudha osmane. Nuk dihet me siguri se a kanë qenë kjo popullsi gjysmë nomade, apo ka ardhur për të ruajtur bagëtinë dhe është kthyer përsëri në vendbanimin e tyre të mëparshëm. Nga biseda me  disa nga njerëzit e vjetër të këtij fshati atje kanë jetuar vëllazëritë Jankoviq, Dediq, Martinoviq, Briskoviq, Peciq, Pepiq, Kolloviq , Bardhoviq  etj),  të gjithë shqiptarë, nga Shestani (shestanas) dhe Ljarja (ljaras) të cilët u shpërngulen nga këto treva fillimisht si punëtorë të tokave të agave dhe bejlerëve  turq, ku kryesisht kanë dimëruar me kafshë dhe gradualisht kanë blerë  apo ndërtuar shtëpia, duke u bërë kështu banorë të përhershëm, të cilëve pushteti i kohës u ka imponuar sllavizimin e mbiemrave të tyre.

Ky vendbanim, ku gërshetohen bukuritë natyrore me trashëgiminë kulturore, materiale dhe shpirtërore dhe detin e ke në pëllëmbë të dorës, është i njohur, sipas  vendasve,  me afro 15 burime të ujit,të cilat nuk janë shfrytëzuar  e as hulumtuar si duhet. Nga këto burime, përgjatë përroskës së Braticës kanë punuar po aq mullinj uji. Burimi kryesor ka qenë në vendin e quajtur  “Meshkallë” (Më shkallet). Prej këtu e deri në afërsi të  mureve të një shtëpie  të një pashe te Qyteti i Vjetër (Kalaja e Ulqinit),  pohojnë vendasit,  ka filluar ndërtimi i ujësjellësit  të parë në Komunën e Ulqinit në periudhën e Perandorisë Turke. Tubacionet e ujit kanë qenë të punuara nga balta e pjekur. Ndërkaq, nga viti 1950 nga ky burim është punuar ujësjellësi i Ulqinit. Sipas kallëzimit të banorëve të vjetër të fshatit  ky burim ka pasur shtypje shumë të lartë, saqë  nga vërshimi i ka rrezikuar disa familje, të cilat për ta frenuar (zvogëluar) atë  e kanë mbushur me shtëllunga leshi.

Në këtë vendbanim ka objekte kulturore e historike.  Shkolla atje , siç pohojnë vendasit,  është hapur për herë të parë rreth vitit 1880 dhe ka punuar në shtëpinë e Nikë Jankoviqit. Nuk kemi të dhëna për numrin e nxënësve në atë kohë. Mund të jetë që shkolla ka punuar me ndërprerje. Me sa dimë  shkolla e parë e rregullt në gjuhën malazeze në Salç hapet në vitin shkollor 1941/42, kurse mësuesja e parë ka qenë kroatja Antonia Markoviq. Mësimi në gjuhën shqipe  zhvillohet deri në vitin 1945, kur  mbahet në gjuhën serbokroate dhe atëherë ndërtohet objekti shkollor në qendër të fshatit.

Ky fshat ka pasur famullin e vet të pavarur  dhe dy kisha.  Kishën  e  vjetër të Shën Pjetrit dhe Shën Palit e ndërtuar dhe e shuguruar, sipas dokumenteve kishtare, gjatë vitit 1841, e zmadhuar gjatë vitit 1885, e zbukuruar me afreske të pikturuara nga piktori i mirënjohur shkodran Kolë Idromeno.  Në këtë kishë  katër muaj ka shërbyer  edhe famullitari nga Trieshi, prifti i parë në Malësi, Patër Andrea (Patër Luli Gjurashaj), në vitin 1912. Nga regjistrat e patër Andresë dhe shkresat ( shënimet) e pasardhësve të tij Patër  Eustahi Tartaglia, ndër të tjera, figuron se në Kishën e Salçit bë vitin 1910 ka pagëzuar At Zef-Leonard Tagajn, fratin e Traboinit të Hotit, i cili  u vra barbarisht nga ushtarët serbo-malazez më 19 shkurt 1945, në Lugje të thella, në kufi të Hotit e Grudës. Pas  patër Andreut, gjysmë shekulli më vonë,  në kishën e Salçit ka shërbyer  edhe Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit,  Imzot Rrok Mirëdita. Përveç kësaj,  gjithnjë sipas burime kishtare, në këtë  lokalitet ndodhet edhe kisha e vogël, por e bukur  e  Shën Gjon Pagëzuesit në Sajmir ( Sojmir) e ndërtuar gjatë vitit 1889.

Siç tregojnë dokumentet kishtare nuk duhet  harruar  Patër Jak Salçin i cili si famullitar  i Salçit  e hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe në rrethin e Ulqinit.  Mësimi   në gjuhën shqipe gjatë  periudhës së  Austrisë (1915 deri në vitin 1917)  është zhvilluar në qelë, përkatësisht në shtëpinë e  famullisë në  Salç. Mësues  në  gjuhës shqipe  që dihet ishte Patër Jak Luka( Lukiq). Në këtë fshat tashmë takon vetëm gërmadhat e kishave dhe të shtëpive të dikurshme, të cilat duken se nga viti në vit bëhen një me tokën. Edhe pse ekziston në hartën e lokaliteteve të Ulqinit mund të thuhet se  ky vendbanim është “shuar” plotësisht, pavarësisht pozitës së mirë gjeografike dhe mundësive të mëdha për zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë dhe në veçanti turizmit malor. Atje tani kanë mbetur vetëm kujtimet se në këtë fshat jo shumë kaherë ka pas jetë e gjallëri. Natyrisht se për ringjalljen e jetës këtu edhe institucionet duhet të kenë përkujdesje maksimale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura