E DJATHTA DHE E MAJTA – VËSHTRIM TEORIK
Nga Xhelal Zejneli, Shkup 13.07.2022
Edhe e djathta edhe e majta, secila në anën e vet, tubojnë parti dhe lëvizje politike të ngjashme. Të djathtën rëndom e përbëjnë konservatorët, ruajalistët dhe monarkistët (ithtarët e rendit monarkist dhe të pushtetit mbretëror të pakufizuar), pastaj lëvizjet e ndryshme nacionaliste, fashiste, shoviniste dhe lëvizjet e tjera të ngjashme.
Të djathtën e përbëjnë reformistët (ithtarët e reformave në shoqëri), liberalët, demokratët, socialistët, socialdemokratët etj.
Në shtetet parlamentare dhe demokratike, pushteti vendoset në zgjedhjet e lira, në të cilat marrin pjesë partitë politike me orientime të ndryshme: që nga e djathta ekstreme, nëpër qendër, deri te e majta ekstreme.
Si lindën këto nocione të cilat kryesisht shkojnë bashkë, si një çift kundërshtues domethënës. Nocioni e djathta rrjedh nga përvoja politike franceze e fillimit të shekullit XIX. Në periudhën e restaurimit (1814-1830), pas rënies përfundimtare të Napoleonit I (Napoleon Bonaparte, 1769-1821), perandor më 1804-1814 dhe më 1815 – forcat politike në Francë ashpërsisht ishin të ndara në liberalë, në një anë dhe në konservatorë e monarkistë, në anën tjetër. Në sallën e kuvendit, liberalët uleshinnë anën e majtë të karriges së kryetarit (nga perspektiva e kryesuesit), ndërsa konservatorët dhe monarkistët, në të djathtë të tij. Në bazë të kësaj, të parët u quajtën e majta, ndërsa të dytët, e djathta. Me kalimin e kohës, këto nocione u përdorën edhe për të gjitha forcat politike të tjera me orientim të njëjtë. Sot, në shtetet parlamentare ekzistojnë e djathta dhe e majta, pavarësisht nga fakti nëse në sallën e kuvendit, deputetët e tyre ulen në anën e djathtë apo në anën e majtë.
Pjesëtarët e të djathtës quhen djathtistë, ndërsa të së majtës – majtistë. Këto nocione ekzistojnë në shumë gjuhë: Në gjuhën angleze, djathtist: rightist; në frëngjisht: homme de droite, në gjermanisht: Rechtsstehenden. Në gjuhën angleze, majtist: leftist; frëngjisht: homme de gauche; në gjermanisht: Linksstehenden. Djathtistë dhe majtistë ka në tërë botën.
Prej fjalës e djathta rrjedhin edhe fjalët djathtizëm, djathtist, djathtiste. Prej fjalës e majta rrjedhin fjalët majtist, majtizëm, majtiste.
E DJATHTA POLITIKE
E djathta politike është një sintagmë me të cilën në jetën politike të përtashme shënohen kryesisht rrymat konservatore brenda spektrit politik.
E djathta politike niset nga dallimet e individëve, kështu që mbështet ose e pranon hierarkinë shoqërore. Rrjedhimisht konsideron se pabarazia rezulton si e pashmangshme, e natyrshme, normale dhe e dëshirueshme. Dallohen qëndrime:
– të së djathtës klasike e cila i konsideron të arsyeshme dallimet midis njerëzve në bazë të trashëgimisë dhe të traditës familjare; dhe
– të së djathtës liberale sipas së cilës pabarazia është e arsyeshme po qe se është rezultat i garës së ndershme në treg.
Blloku i djathtë i partive politike përfshin një paletë të gjerë në të cilën bëjnë pjesë: partitë monarkiste, aristokrate, teokratike, reaksionare dhe kundërrevolucionare. E djathta ekstreme përfshin edhe fashizmin apo nacional-socializmin, përkatësisht nazizmin. Mirëpo, në ideologjinë e fashizmit ka elemente të së majtës dhe të së djathtës.
Në kohën moderne, të djathtës politike i përkasin edhe partitë të cilat mbështesin tregun e lirë apo ekonominë e tregut.
Historia e nocionit – Në zhargonin politik, antipod i së djathtës politike është e majta politike. Në fillim, nocioni e djathta politike kishte të bënte me pozitën e ulëseve në parlament gjatë monarkisë së korrikut në Francë, pas revolucionit të korrikut të vitit 1830.
Përpos të majtës politike dhe të djathtës politike, dallojmë edhe politikën e qendrës dhe qendrën e djathtë.
* * *
E DJATHTA
Krahu i djathtë, e djathta politike apo e djathta – është nocion politik që ka të bëjë me orientimin i majtë – i djathtë. Me fjalë të tjera, e djathta është orientim që është e kundërta e së majtës. Ekziston një numër i madh përkufizimesh. Me të njëjtën fjalë në politikë mund të emërtohen shumë gjëra. Megjithëkëtë, kryesisht përdoret për sqarimin e segmenteve të sektorit politik të cilat shpeshherë njëjtësohen me shkallë të caktuar të konservatorizmit, me konservatorizmin amerikan, me monarkizmin, me fashizmin, me liberalizmin djathtist, me anarko-kapitalizmin, me paleo-liberalizmin, me neoliberalizmin, me reakcionizmin, me tradicionalizmin, me ruajalizmin, me të djathtën religjioze, me nacionalizmin, me militarizmin, me producerizmin, me nativizmin, me realizmin.
Nocioni lindi në kohën e Revolucionit francez,kur liberalët e rendit të tretë të qytetarëve uleshin në anën e majtë të kolltukut të kryetarit, shprehi kjo që kishte filluar në vitin 1789. Anëtarët e rendit të dytë, bujaria apo fisnikët, uleshin në të djathtë. Në kuvendet legjislative të mëvonshme, monarkistët të cilët e mbështetnin regjimin e vjetër u quajtën djathtistë për arsye se uleshin në anën e djathtë.
Edhe sot është traditë në Kuvendin Popullor të Francës që deputetët të ulen në të majtë dhe në të djathtë të kryetarit, sipas orientimit politik të tyre.
Kur prejardhja e këtij termi u zbeh, domethënia e tij ndryshoi, duke shënuar orientimin e dikujt sipas ideve, qëndrimeve dhe pikëpamjeve. Sot ky term pothuajse gjithmonë nënkupton forma të caktuara të konservatorizmit.
Ka të tillë që thonë se e djathta politike i përfshin ato forma të liberalizmit që e mbështesin tregun e lirë më shumë se barazinë e pasurisë. Por ka edhe të tillë që thonë se kanë spektër politik dydimensional që i përshkruan më mirë pikëpamjet e tyre.
Shumë anarkistë, duke përfshirë edhe liberal-socialistët, po ashtu nuk parapëlqejnë t’i paraqesin pikëpamjet e veta, me spektër politik klasik.
* * *
QENDRA E DJATHTË
Qendra e djathtë në politikë dhe në teorinë politike shënon ideologjitë, lëvizjet dhe partitë të cilat për nga përcaktimet themelore të tyre i përkasin të djathtës, por për nga mënyra e realizimit të atyre qëllimeve apo pjesërisht edhe të programeve të tyre, i takojnë qendrës. Në platformat e veta kanë shumë përmbajtje të majta, ndaj nuk mund të konsiderohen të djathtë.
Partitë apo opsionet politike që konsiderohen qendër e djathtë shpesh synojnë të gjejnë kompromis midis ideologjisë konservatore dhe asaj liberale. Janë të rralla përpjekjet që nëpërmjet qendrës së djathtë të pajtohen konservatorizmi dhe socializmi, për arsye se socialistët më së shpeshti lidhen me qendrën e majtë. Në anën tjetër, në shumë shtete, e sidomos në Evropë, opsionet e qendrës së djathtë më së shpeshti lidhen me partitë demokratike krishtere.
Nocioni i qendrës së djathtë shpesh përdoret edhe për të përshkruar qeverinë e koalicionit të përbërë prej partive të së djathtës dhe të qendrës.
* * *
E MAJTA POLITIKE
E majta është nocion i përgjithshëm me të cilin shënohen lëvizjet politike, partitë politike dhe idetë politike që i përkasin spektrit politik të së majtës.
Qëllimet e përgjithshme të së majtës rëndom janë barazia shoqërore, egalitarizmi (barazimtarizmi), të drejtat e punëtorëve dhe demokratizimi, me theks të shpeshtë kundër hierarkive jovolontere. Në mënyrë tipike mbështet kujdesin për grupet e shtypura përballë të tjerëve në shoqëri, nëpërmjet zbutjes dhe zgjidhjes së pabarazive të padrejta.
Termat e majta dhe e djathta lindin gjatë Revolucionit francez (1789-1799) dhe kanë të bëjnë me ndarjen e ulëseve në Kuvendin e shtresave të përgjithshme. Ata që ishin ulur në anën e majtë, republikanët, i kundërviheshin monarkisë dhe mbështetnin revolucionin, duke përfshirë edhe formimin e republikës, ndërsa të ulurit në anën e djathtë, mbështetnin institucionet tradicionale të Ancien Régime (Regjimit të vjetër).
Termi e majta përdoret për shumë lëvizje, sidomos për ato të cilat gjatë Revolucionit francez ishin për republikë; për pranverat e popujve, për socializëm, që përfshin anarkizmin, marksizmin, socialdemokracinë dhe shumë teori të tjera të shekullit XIX dhe XX.
Që atëherë, e majta përfshin një spektër të gjerë lëvizjesh dhe idesh, përfshi edhe lëvizjet për të drejta qytetare, lëvizjet feministë, manifestimet kundër luftës dhe environmentalizmin dhe një sërë partish politike.
Ekonomisti amerikan, profesor në University of Wisconsin-La Crosse, ShBA, Beri Klerk (Barry Clark)thotë: “Të majtët konsiderojnë se zhvillimi njerëzor përparon kur individët përfshihen në marrëdhënie kooperative, të dakorduara ndër vete që gufojnë vetëm kur eliminohen dallimet e mëdha në statusin social, në forcë dhe në pasuri”.
Karakteristikat e të majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re për zvogëlimin e padrejtësive që i krijon kapitalizmi ekonomik:
– Në rrafshin e ndërmarrjeve kjo do të thotë zhvillim të mekanizmave të demokracisë në vendin e punës;
– Në rrafshin e ekonomisë kjo do të thotë zhvillim të bashkërendimit shoqëror dhe demokratik, në vend të prodhimit të verbët tregu;
– Në rrafshin e institucioneve shtetërore kjo do të thotë përhapjen e llojit përfaqësues të demokracisë me mekanizma të demokracisë së drejtpërdrejtë (p. sh. llogaritja e participimit, shkarkimi i përfaqësuesve dhe i krye-bashkiakëve, etj.);
– Në rrafshin shoqëror kjo do të thotë luftë kundër çdo forme të nënshtrimit dhe të shfrytëzimit, sidomos luftë kundër diskriminimit mbi baza racore, gjinie, orientimi seksual, përcaktimi kombëtar dhe etnik, pikëpamjesh mbi botën, hendikepi, përkatësie bashkësisë minoritare etj.;
– Lidhur me mjedisin kjo do të thotë harmonizimin e ekonomisë në përputhje me aftësitë mbartëse dhe ripërtëritëse të mjedisit, duke vënien në përdorim të teknologjive ekologjikisht të pranueshme.
* * *
Ithtarët e të majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re angazhohen për internacionalizëm, për zvogëlimin dhe kapërcimin e padrejtësive që i krijon kapitalizmi botëror, kështu që lidhen me lëvizjet dhe me partitë përparimtare të mbarë botës. Lufta përfshin lëvizjen antikapitaliste botërore, të përbërë nga lëvizje të ndryshme punëtore dhe sindikale, nga lëvizjet për të drejta dhe liri të njeriut dhe të pakicave, nga partitë, organizatat dhe individët majtistë bashkëkohorë.
Lëvizjet përparimtare rëndom organizohen në dy mënyra. Organizohen si parti të cilat dëshirojnë të fitojnë pushtet politik demokratik dhe të veprojnë si pushtet kundër sistemit, por edhe si lëvizje që luftojnë për tejkalimin e sistemit pa pasur dëshirë për të marrë pushtet politik.
Që të dyja strategjitë janë të rëndësishme: Ata që veprojnë prej poshtë dhe i tejkalojnë marrëdhëniet shoqërore të deritashme dhe ata të cilët në hapësirën politike formale, i ndërrojnë politikat nga lartë.
Termi e majta bashkëkohore, e majta e re ose e majta demokratike përdoret edhe si sinonim për lëvizjet, për organizatat dhe për partitë socialiste që e kundërshtojnë autoritarizmin dhe neomarksizmin, ndaj cilësori “demokratik-e” përdoret për t’i dalluar majtistët demokratikë nga bolshevizmi i shekullit XX dhe nga modeli marksist-leninist i ndërtimit të socializmit, që konsiderohet jodemokratik dhe autoritar dhe shtrembërim i idesë fisnike të drejtësisë sociale.
Karakteristikat parimore të së majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re janë: për demokraci dhe kundër autoritarizmit; kapitalizmit dhe militarizmit; për shekullarizëm dhe kundër klerikalizmit; për internacionalizëm dhe kundër nacionalizmit.
* * *
QENDRA E MAJTË
Qendra e majtë, qendra-e majta apo e majta e moderuar, në teorinë politike është emërtim për pozicionin në spektrin politik. Shënon idetë politike, partitë politike dhe lëvizjet politike të cilat për nga përcaktimet programore themelore të tyre i përkasin të majtës politike, por në platformat praktike të tyre kanë mjaft përmbajtje kompromisi gjë që i afron me politikën e qendrës. Për këtë arsye nuk mund të quhen e majtë politike në kuptimin klasik. Partitë dhe organizatat politike të cilat konsiderohen qendër e majtë, në programet e veta më së shpeshtë synojnë të gjejnë kompromis midis përmbajtjeve pragmatike dhe me përgjegjësi sociale. Prej tyre, më të njohura janë partitë, organizatat dhe lëvizjet me orientim socialdemokrat, të cilat më së shpeshti quhen qendër e majtë. Nocioni i qendrës së majtë shpesh përdoret edhe për të përshkruar koalicionet e përbëra prej partive të së majtës dhe të qendrës.
Në spektrin politik, qendra e majtë paraqet të majtën të kthyer kah pragmatizmi politik. Politika pragmatike e qendrës së majtë fokusohet vetëm në programin minimal me të cilin në kuadër të institucioneve të demokracisë përfaqësuese, parlamentare dhe të ekonomisë kapitaliste të tregut synon të zbatojë ndryshim të pjesshëm nëpërmjet rolit ekonomik aktiv të sektorit publik, të institucioneve dhe të shërbimeve publike të cilat do të duhej të punon për zbutjen e padrejtësive që i shkakton modeli liberal, i parregulluar i kapitalizmit. Realizimi praktik i një ndryshimi të tillë të pjesshëm në kuadër të institucioneve të demokracisë parlamentare dhe të ekonomisë kapitaliste të tregut, rëndom quhet shtet me përgjegjësi sociale apo shtet i mirëqenies. Në lëvizjen majtiste bashkëkohore, qendra e majtë konsiderohet rrymë e moderuar.
Karakteristikat e qendrës së majtë:
– Realizimi, respektimi, mbrojtja dhe përparimi i të drejtave dhe i lirive themelore të njeriut, pa diskriminim mbi çfarëdo baze qoftë, siç janë: raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja shoqërore, prejardhja kombëtare, përkatësia etnike, lidhja me popullin pakicë apo me bashkësinë pakicë, gjuha, përkatësia apo bindja fetare, mendimi politik apo ndonjë mendim tjetër – ndryshe, anëtarësimi në organizatë politike, sindikale apo në ndonjë organizatë tjetër, gjinia, identiteti i lindjes, orientimi seksual, karakteristikat gjinore, statusi martesor apo familjar, lindja, mosha, statusi shoqëror, gjendja pasurore, karakteristikat gjenetike, gjendja shëndetësore, invaliditeti apo ndonjë cilësi personale tjetër;
– realizimi dhe zhvillimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit dhe i përgjegjësisë sociale;
– zhvillimi i të drejtave dhe i lirive të personave, të grupeve dhe të shtresave të lënë pas dore dhe të shkelur;
– zhvillimi i të drejtave të njeriut për punë, për organizim sindikal, për mbrojtje shëndetësore, për arsimim dhe për mbrojtje sociale;
– zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, kundrejt zhvillimit të barabartë të zonave urbane dhe rurale;
– afirmimi i barazisë së lindjes;
– zhvillimi i shoqërisë pluraliste dhe solidare që e përparon cilësinë e jetës për punëtoret dhe për punëtorët, për shtresat e rrezikuara dhe për mbarë shoqërinë;
– përshpejtimi i përparimit shoqëror dhe teknologjiko-shkencor;
– afirmimi i parimeve të shekullarizmit;
– përparimi i zhvillit vendor dhe rajonal të baraspeshuar;
– mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, e mjedisit të jetesës dhe e kafshëve;
– promovimi i mënyrës paqësore dhe diplomatike të zgjidhjes së kontesteve dhe tëkonflikteve;
– shfrytëzimi i formave joviolente demokratike dhe parlamentare apo jashtëparlamentare të veprimit dhe kundërshtimi i të gjitha formave jodemokratike, autoritare dhe totalitare të veprimit.
Partia progresive e moderuar, e bazuar në demokracinë parlamentare dhe në ekonominë kapitaliste të tregut, me trup votues si në klasën e ulët, ashtu edhe në klasën e mesme, do të mund të përshkruhet si parti politike e qendrës së majtë. Ndërsa partia me kërkesa dhe qëllime më të mëdha që e ka trupin votues në atë pjesë të vogël por më të vetëdijshme të klasësë së mesme dhe të ulët, fizike dhe intelektuale, me histori të mbështetjes dhe të pjesëmarrjes në lëvizjet emancipuese dhe progresive, do të mund të përshkruhej si parti e së majtës së re, më radikale.
Partitë politke të qendrës së majtë, si dhe partitë e tejra majtiste bashkëkohore, rëndom i theksojnë këto vlera:
– liria – jo vetëm liritë njerëzore, por edhe liria nga diskriminimi, liria e participimit demokratik dhe liria nga varësia, nga varfëria e skajshme, nga frika dhe keqpërdorimi i pushtetit dhe i pozitës politike, ekonomike dhe i ndonjë pushteti dhe pozite tjetër;
– barazia – jo vetëm para ligjit, por edhe shanset dhe mundësitë e barabarta për të gjithë njerëzit në sferat e ndryshme të jetës, pavarësisht nga dallimet që kanë të bëjnë me identitetin, duke përfshirë edhe ata persona me vështirësi të çfarëdo lloji;
– solidariteti – të treguarit mirëkuptim dhe ndjeshmëri për personat që janë viktimë e ndonjë forme të diskriminimit, të shkeljes, të pabarazisë apo të rrethanave të rënda dhe gatishmëria personale për veprim të përbashkët me të tjerë, për të gjetur mënyrën për zvogëlimin dhe për parandalimin e dukurive të tilla. Ky parim nënkupton edhe zhvillimin e formave institucionale të solidaritetit si dhe të solidaritetit ndërkombëtar.
Qendra e majtë i kundërvihet çdo forme të autoritarizmit dhe të monopartizmit apo të monizmit. Me fjalë të tjera, qendra e majtë u kundërvihet koncepteve të sundimit njëpartiak të të ashtuquajturave parti komuniste të shekullit XX.
* * *
Politikanë të njohur të qendrës së majtë kanë qenë: majtisti i moderuar, kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 19945-1951, Klement Atli*; majtisti i moderuar dhe kancelari i Gjermanisë në vitet 1969-1974, Vili Brant*; majtisti i moderuar dhe kryeministri i Suedisë në vitet 1969-1976 dhe 1982-1986, Ulof Palme*; majtistja e moderuar dhe kryeministrja e Zelandës së Re në vitet 1999-2008, Helen Klerk*.
Shënim:
Klement Riçërd Atli (Clement Richard Atlee, 1883-1967) – politikan dhe kryeministër i Britanisë së Madhe; lider i Partisë Laburiste, në vitet 1935-1955;
Vili Brant (i lindur si Herbert Ernst Karl Frahm Brandt; Willy Brandt; 1913-1992) – politikan dhe kancelar gjerman;
Helen Klerk (Helen Elizabeth Clark, 1950-) – politikane dhe kryeministre e Zelandës së Re;
Ulof Palme (Olof Palme, 1927 – 28.02.1986) – politikan dhe kryeministër i Suedisë. Më 28 shkurt 1986, pak para mesnate, në të kthyer nga kinemaja në Stokholm me gruan Lisbet (Anna Lisbeth Christina Palme, 1931-2018), u krye mbi të atentat. U qëllua me dy plumba pas shpine. U qëllua edhe gruaja Lisbet, por ajo kaloi vetëm me plagosje. Ditën e vrasjes, Palme u kishte thënë truprojave se s’ka nevojë për sigurim. Atentatori nuk u zbulua kurrë. Kah fundi i vitit 1988, si vrasës i Palmes u dënua një person i varur nga lëndët narkotike. Pas ankesës së tij, për mungesë provash, instanca gjyqësore më e lartë – e liroi. Në vitin 2004, ky person e humbi jetën në aksident. Në vitin 2020, d.m.th. 34 vjet pas atentatit, prokurori shtetëror Krister Peterson e tregoi emrin e të pandehurit për vrasje. Ky paskësh qenë një diseinues grafik, suedezi Stig Engstrom (Stig Folke Wilhelm Engström; Mumbai, Indi, 26.02.1934 – 26.06.2000), i njohur si “Scandia men”. Sipas hetuesisë, në vitin 2000 ai kishte vrarë veten. Në vitin 2020, u ndërpre edhe hetimi.
Gjatë luftës së ftohtë, Palme angazhohej për afrimin me Bllokun lindor dhe për një korridor pa armë bërthamore në Evropën Qendrore.Konservatorët nuk e donin Palmen ngase e kritikonte ShBA-në.
* * *
POLITIKA E QENDRËS
Në politikë, përkatësisht në teorinë politike, qendra është emërtim që shënon lëvizjen, partitë dhe ideologjitë të cilat promovojnë qëndrime midis të majtës dhe të djathtës. Ato synojnë të gjejnë rrugën e mesme midis këtyre dy ideologjive. Ideologjia që e promovon politika e qendrës si alternativë e së majtës dhe e së djathtës – quhet centrizëm.
Shpesh përdoret edhe nocioni bashkëkohor rruga e tretë, i cili më shumë përdoret në ekonomi, duke shënuar sintezën e tregut të lirë dhe të ndjeshmërisë sociale, përkatësisht filozofinë e pajtimit ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit demokratik.
* * *
QENDRA RADIKALE
Qendra radikale është shprehje relativisht e re në politikë dhe në teorinë politike për përkufizimin e plotë të së cilës nuk ka përputhshmëri. Megjithëkëtë, kjo shprehje shpesh përdoret për të përshkruar ideologjinë politike, lëvizjet dhe partitë të cilat në mënyrë të prerë i hedhin poshtë skajshmëritë e të majtës dhe të së djathtës, si dhe kompromisin me variantet e tyre, siç janë qendra e majtë dhe qendra e djathtë, përkatësisht largimin nga e ashtuquajtura qendër politike e pastër.
Shprehja “qendër radikale” u popullarizua pas mbarimit të luftës së ftohtë, kur pushimi i luftës ideologjike të së majtës dhe të së djathtës i shtyri shumë njerëz që opsionet e qendrës politike t’i pranojnë si më të përshtatshmet për botën bashkëkohore. Me nocionin “qendra radikale” ndërlidhet edhe nocioni “rruga e tretë”, përkatësisht ideologjia e presidentit amerikan Bill Klinton dhe e kryeministrit britanik Toni Bler.
* * *
RRUGA E TRETË
Rruga e tretë është shprehje e cila në kuptimi më të gjerë përfshin të gjitha ideologjitë apo platformat politike të cilat synojnë t’i tejkalojnë ndarjet tradicionale midis të majtës dhe të djathtës, që kanë qenë karakteristike për shekullin XX, përkatësisht që kanë qenë të lidhura me kapitalizmin dhe socializmin.
Në kuptim të ngushtë, me këtë shprehje nënkuptohet ideologjia, tradicionalisht e ndërlidhur me konceptin e qendrës radikale që u zhvillua në botën perëndimore në fund të shekullit XX, e që e karakterizonte kompromisi midis politikës ekonomike neoliberale të derregullacionit dhe tregut të lirë, nga një anë si dhe ruajtjes dhe zgjerimit të rolit të shtetit të mirëqenies, nga ana tjetër. Ndonëse ky nocion popullaritetin e vet e arriti më së shumti në saje të librit “Rruga e tretë: Rimëkëmbja e socialdemokracisë” (The Third Way: The Renewal of Social Democracy, 1998) të sociologut dhe politologut britanik Entoni Gedins* (Anthony Giddens, 1938-), megjithëkëtë, ideologjia “e rrugës së tretë” më së shumti ndërlidhet me administratën e presidentit amerikan Bill Klinton (William Jefferson “Bill” Clinton, 1946-) në periudhën e viteve 1993-2001 si dhe me qeverinë e kryeministrit britanik Toni Bler (Sir Anthony Charles Lynton Blair, 1953-) në periudhën e viteve 1997-2007. Që të dy politikanët, partitë e veta – demokratët amerikanë dhe laburistët britanikë – u përpoqën t’i kthejnë djathtas, përkatësisht t’ia afrojnë qendrës politike, duke i bërë kësisoj të pranueshme për spektrin më të gjerë të zgjedhësve apo të votuesve. Sukseset ekonomike, karizma dhe popullariteti global që gëzonin Bill Klintoni dhe Toni Bleri kah fundi i viteve 1990, edhe ideologjinë e rrugës së tretë e bënë jashtëzakonisht tërheqëse për shumë parti të tjera si dhe për politikanët e orientimit socialdemokrat dhe socialist. Duhet shtuar se politikën e rrugës së tretë, kush më shumë e kush më pak, e pranuan të gjitha partitë e majta kryesore në Perëndim, përfshi edhe partitë komuniste të reformuara në Evropën Lindore. Ndjekës më të njohur “të rrugës së tretë” ishin Klintoni dhe Bleri.
Kah mesi i viteve 2000, ideologjia e rrugës së tretë gjithnjë më tepër është nën goditjen e kritikave, më së shumti nga majtistët tradicionalë të cilët e konsiderojnë si asgjë më tepër se një zbukurim kozmetik të liberalizmit të djathtë, përkatësisht alternativë koherente dhe konkrete e marrë nga politika ekonomike neoliberale. Këto kritika morën hov me shpërthimin e recesionit global para mbarimit të viteve 2000, që e bëri të paqëndrueshëm modelin e deriatëhershëm të shtetit të mirëqenies.
Shënim: Entoni Gedins (Anthony Giddens, Baron Giddens ka lindur në vitin 1938. Ka qenë profesor i sociologjisë në King’s College, Cambridge (Kolegjin Mbretëror të Universitetit të Kembrixhit). Prej vitit 1970 ka qenë këshilltar i Toni Blerit.