OTOMANËT DHE ARABËT

Otomanët dhe arabët

Nga Daut Dauti, Londër 10. 10. 2022

Kundër Perandorisë Otomane, para sauditëve, janë ngritur jemenasit e më vonë edhe të tjerët në vendet arabe. Madje, në Jemen kryengritja ka qenë aq e fuqishme saqë sulltani i dërgoi njësitë shqiptare për ta shuar. Kjo nuk ishte vetëm për shkak se shqiptarët ishin njësi elitare, por sulltani e bëri këtë veprim edhe me qëllim që t’i largonte ushtarët shqiptarë nga Ballkani, ku lëvizja nacionaliste shqiptare po merrte hov.

Sulltani ka qenë kalif, por te arabët ky rol ka qenë tejet i zbehur. Madje, arabët as qe e merrnin sulltanin për mysliman e as nuk e konsideronin Perandorinë Otomane si të tillë. Dhe, kishin arsye se sulltani e as perandoria nuk ishte e interesuar për religjion. Nga 36 sulltanët otomanë që kanë sunduar perandorinë nga viti 1299 deri te i fundit më 1922, asnjë prej tyre nuk ka shkuar në haxhillëk. D.m.th. asnjë sulltan nuk e ka plotësuar njërin nga pesë kushtet esenciale për të qenë mysliman. D.m.th. kaq ka qenë injorimi i sulltanëve për Islamin, në sytë e arabëve të indinjuar me pushtetin e tij.

Megjithatë, lufta e arabëve kundër otomanëve nuk kishte mundësi të kishte karakter religjioz. Lufta e arabëve, sikur e shqiptarëve, nxitej nga nacionalizmi e jo nga religjioni. Megjithatë, te arabët edhe sot ekziston një ndjenjë anti-otomane, por kjo nuk është domosdo anti-turke e anti-islamike, siç manifestohet sot në rastin e vendeve ballkanike.

Arabët gjithmonë i kanë shikuar otomanët nga lart. Otomanët nuk kishin më shumë se ushtri të fuqishme dhe aftësi për të themeluar administratë e për t’i mbledhur taksat. Në vendet arabe otomanët nuk kishin mundësi të impononin kulturë e art, për shkak se nuk kishin më shumë se arabët.

Otomanët nuk patën mundësi që tek arabët as të ndërtonin diçka (xhamia, ndërtesa publike apo infrastrukturë) më të mirë se që kishin arabët. Ndikimi kulturor otoman te arabët ka qenë gati zero. Prandaj, sot te arabët nuk vërehet ndonjë gjurmë e rëndësishme otomane.

Një mik i imi që jeton në Arabi Saudite, një ditë më tha se në këtë vend ndjenja anti-otomane është aq prezente sa që ta merr mendja se otomanët janë ende aty duke sunduar apo sapo janë larguar.

Pra, kjo ndjenjë ekziston edhe sot, edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull nga largimi i otomanëve. As arabët nuk kanë kaluar mirë nën sundimin otoman. Arabët sot janë të ndarë në disa shtete, sikur edhe shqiptarët. Kjo është arsyeja, dhe otomanët nuk janë tërësisht të pafajshëm në këtë drejtim edhe pse intervenimi i jashtëm (përzierja e fuqive evropiane) ka luajtur rol primar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura