(Pashtriku.org, 26. 01. 2013) – “Afërsisht 10 mijë qytetarë ju përgjigjen ftesës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në protestë për t’u solidarizuar me Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.” kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.”Qytetarët marshuan përgjatë rrugëve të Prishtinës për t’u mbledhur në sheshin Nëna Terezë para Teatrit Kombëtar ku të pranishmëve iu drejtuan Vlora Shaqiri, përfaqësuese e shoqatës “Vatra”, shoqatë kjo që mbledh dhe përfaqëson shqiptarët e shpërngulur nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, Belgzim Kamberi, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Preshevë, dhe kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE, Albin Kurti.
Znj. Shaqiri u foli protestuesve për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginë dhe u bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që mos të takohen me Daqiqin. Ajo poashtu kërkoi nga Presidentja Jahjaga që mos të takohet me Presidentin e Serbisë Nikoliq. Në fjalimin e tij, Belgzim Kamberi kritikoi mungesën e reciprocitetit të Shqipërisë dhe Kosovës në marrëdhëniet e tyre marrëdhëniet me Serbinë. Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE, Albin Kurti, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës për braktisjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, përsëriti edhe njëherë kërkesat e protestës, pa të cilat gjendja e shqiptarëve në këto tri komuna nuk mund të përmirësohet.
………………………………………….
Solidarizimi i qytetarëve me shqiptarët e Preshevës Medvegjës e Bujanocit.
* * *
Protesta kishte katër kërkesa:
1. Respektimi i të drejtave civile dhe kolektive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe kthimi i lapidarit në vendin e mëparshëm.
2. Ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovës me Serbinë.
3. Kthimi i rezolutës së Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë që menjëherë do të sillte tek ndalimi i mallrave serbe në Kosovë.
4. Ndërmarrja e veprimeve konkrete për shtrirjen e sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.
Lëvizja VETËVENDOSJE përmes kësaj komunikatë dëshiron t’i falenderojë pjesëmarrësit në protestë që treguan zërin e fuqishëm të solidaritetit me popullatën shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, posaçërisht duke ditur se shqiptarët atje janë të rrezikuar vazhdimisht dhe kanë nevojë për përkrahje nga shqiptarët kudo që janë. Mbështetja jonë nuk do të ndalet vetëm në këtë protestë.” – përfundon Komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.