MEHMET BISLIMI: (POEZI) PËR SHQIPËRI

Zvicër, 01. 02. 2013 – (Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së një të tretës së tokave shqiptare) – Sa e sa trima ikën me sy hapur/sa e sa trimëresha nuk i mbyllen sytë /sa e sa heronj nuk i prehu qetësia/sa e sa gjenerata toka nuk i qetësoi/as sot/nuk u bë Shqipëria/dhe sytë nuk i mbyllen dot nëntori erdhi/dhe do ikën prapë/e prapë do vjen nëntori i ri prapë do bien shqipet si me le/atdhedashësit do të bëhen fli/do biem për ty tokë arbërore/do biem deri atëherë/kur të bëhemi një/do biem për ty/nënë Shqipëri…

PËR PAK ҪASTE

flakë e verdhë kandili në venitje
nën hijen tënde
pak çaste kalova
strukur
fshehur
prehur
dehur

me ndjenjën e fshehjes
ai duket e nuk fiton asgjë
me ndjenjën e dukjes
ai humb
shumëçka nga qenësia e vet
në kapërcim të ylberit
jo
ai nuk humbi burrërinë
atë që nuk e kishte
nuk e humbi
për pasojë
mashkull mbeti

çaste trishtimi
vite pritjeje
të ardhjes në ikje
të hutuar
fjetur
e zgjuar

si në lojë
pak çaste ia fala ëndrrës tënde
ani pse sot nuk është ditë feste
festojmë
nuk është ditë ashuresh
ashurojmë
nuk është ditë çlirimi
marshojmë
nuk është kohë monarkësh
monarkët imitojmë
nuk është ditë martesash
dasmojmë
nuk është ditë trishtimi
vajtojmë
nuk është ditë morti
varre hapim
nuk është ditë ngushëllimi
ngushëllohemi
për pak çaste
nën dritën e kandilit të venitur
që dikujt po i rri te koka
edhe për pak çaste
përderisa ai nuk është fikur
dua t’i them
lamtumirë o njeri i lig
dua t’i them
por
jo pas vdekjes
shprehi kjo jo e mirë
pas vdekjes
edhe për të ligjtë themi
eh
ka qenë burrë i mirë

PËR SHQIPËRI
(me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së një të tretës së tokave shqiptare)

sa e sa trima ikën me sy hapur
sa e sa trimëresha nuk i mbyllen sytë
sa e sa heronj nuk i prehu qetësia
sa e sa gjenerata toka nuk i qetësoi
as sot
nuk u bë Shqipëria
dhe sytë nuk i mbyllen dot
nëntori erdhi
dhe do ikën prapë
e prapë do vjen nëntori i ri
prapë do bien shqipet si me le
atdhedashësit do të bëhen fli
do biem për ty tokë arbërore
do biem deri atëherë
kur të bëhemi një
do biem për ty
nënë Shqipëri

Kohë e pakohë

në kohë dimri
bora që nuk po bie
banalitet anakronik

në kohë vere
shiu harron tokën e vet
ndëshkim modern

gjithë ky zhvillim shkencor
qiellin hallakatin me zbulimin e galaktikave të reja
shpresë e njerëzimit për të gjetur shpëtimin e premtuar
këtu e pesëqind milion vite më vonë
ushqehemi me të arriturat e shkencës
botë fantastike
që të sotmen vret me helm e barot
me peshën e atomit
me ngjyrën e gjakut
me kripën e lotit

skelete të shkapërderdhura gjithandej
mbi dhe mbetur
kjo botë moderne
të ardhmen premton
premtim i tretur
për ta zhvendosur vëmendjen jashtë galaktikës sonë
atje ku mund të arrijmë
pesëqind milion vite më vonë
ku njerëzia shpëtimin do gjejnë
kokën do ta mbështesin mbi yllin polarë
gjumin rehat do bëjnë
do bëjnë pallë

bora që nuk po ngrin në kohën e vet
moti i thatë që shi nuk po sjell
lulja me buzët e plasaritura
në vend të aromës
tym po nxjerr

uroj që më në fund të shfaqet zoti
më tha miku im
të na dëshmojë ekzistencën e tij
për faktin se si lejon
që injoranca të çmohet si mençuri
makutëria si virtyt
grabitja si zotësi
cubnia si trimëri
anarkia si rregull
tirania si rend
imoraliteti si normë
pabesia si shkathtësi
hipokrizia si çiltërsi
mes hamendjes së ekzistimit të tij
e paça gabim
amen

Mehmet BISLIMI – Janar, 2013

=============================

KUSH ËSHTË MEHMET BISLIMI

Mehmet Bislimi u lind me 24 mars 1958 në fshatin Prekaz i Epërm, në Drenicë. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar shkencat e natyrore. Në vitin 1981, për shkak të veprimtarisë atdhetare arrestohet dhe dënohet me burg. Pas daljes nga burgu më 1986, veprimtarinë kombëtare e ka vazhduar në gjirin e LPK-ës. Në vitin 1994, për t’i shpëtuar arrestimit, është strehuar në Zvicër, ku vepron dhe jeton me familjen e tij. Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë ka kryer detyra më përgjegjësi. Me krijimtari letrare ka filluar të merret që herët. Shkrimet e para i ka botuar në gazetën”Bota e re”në Prishtinë, më vonë në revistën”Alternativa”, në Lubjanë dhe në disa numra të gazetës ”Rilindja”, që botohej në Zvicër. Disa vjet ka shkruar për organin e LPK-së “Zëri i Kosovës”që botohej në Zvicër dhe për të përkohshmen “Rruga jonë”- që dilte në Francë. Në “Zërin e Kosovës” dhe te “Rruga jonë” me vite është paraqitur në këndin e humorit me nofkat “Ngucakeqi” dhe “Gjembi”. Kohë pas kohe shkrimet e tij kanë gjetur vend edhe në gazetën “Epoka e re”, “Kosova sot”, “Gazeta Lajm” si dhe shkrime të shumta në dhjetëra faqe elektronike. Veprimtaria e tij letrare përfshin shkrime publicistike, anekdota, humor, satirë, poezi si dhe mendime autoriale të urta. Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Krijuesve Shqiptarë në Zvicër si dhe anëtar i të përsekutuarëve politik të Kosovës.
Krijuesi Bislimi deri me tani ka botuar këto libra:
1. ”Anekdota popullore dhe satira autoriale”, Prishtinë 2002
2. ”Trëndafila maji” – poezi, Prishtinë 2002
3. ”Fjalë dhe gurë” – poezi, Prishtinë 2003
4. “KËTU I THONË DRENICË” – Tahir Meha – Monografi, Prishtinë 2004
5. “Ironi e verdhë” – poezi, Prishtinë 2005
6. “Stinë e vonuar” – poezi, Prishtinë 2008
7. “Shkrime publicistike”, Prishtinë 2009
8. “Anekdota popullore dhe satira autoriale II” – Prishtinë 2010
9. “Mehmet Delia- alisa Mehmeti i Vogël”- Monografi, Prishtinë 2011
10. “Shpirtndrituri” – poezi, Prishtinë 2012
11. “Burrëri e lagur” – poezi satirike, Prishtinë 201
2

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura