(Durrës, 02. 02. 2013) – Fjala PERFIDIA e latinishtes ka kuptimin: dinakëri, dhelpëri, tinëzi, pabesi, besëthyerje. Të gjitha këto forma, pra, dinakërinë, dhelpërinë, tinëzinë, pabesinë dhe besëthyerjen, sllavomalazezët i kanë përdorur edhe vitet e fundit kundër shqiptarëvet. Të gjendur nën trysninë e politikës perendimore në Ballkan, dhe të detyruar për t’u ndarë shtetërisht prej Sërbisë, sllavomalazezët po kërkojnë tash mundësi të reja, me efekt sa më optimal, për ta dëmtuar sa më rëndë atë pjesë të shqiptarëvet, gjegjësisht, atë pjesë të Shqipërisë, që është gjendur brenda kufijvet të atij shteti.
Ata u detyruan të ndahen nga Rep.e Sërbisë, ashtu si, nga ana tjetër, u detyrua edhe e quajtura Rep.Sërpska, të paktën sot për sot, të mos bashkohet me Rep.e Sërbisë. E pranuan këtë ndarje, por nuk hoqën dorë nga të bërit politikë sllave. Peshkopin prosërb Amfillohije, bëjnë sikur e kundërshtojnë, por nuk e përzënë, nuk duan ta largojnë, se u duhet. Ndaj katolikëvet sllavishtfolës të Grykavet të Kotorrit e të tjerë, ndjekin një politikë, të quajtshme “elektorale”. Ata, katolikët e atyre hapësirave, le të kenë “liri”, por le të kenë liri (pa thonjëza) edhe banorët pravosllavë, të cilët, përgjithësisht, janë të ardhur në ata vise. Sidomos në Hercegnovi e në Budvë, predominon elementi pravosllav, i ardhur, shumica si familje ish-ushtarakësh sërbë. Ndaj katolikëvet shqiptarë të Tivarit kanë vazhduar rrugën që e pat hapur Knjaz Nikolla qysh në dhjetëvjetëshat e fundit të sh XIX: shkombëtarizim, duke uzurpuar, me shërbëtorë të vet, Arqipeshkvinë e Tivarit, dhe duke mos lejuar, me gjithfarë mënyrash, shkollimin shqip të fëmijëvet shqiptarë. Ndaj malësorëvet katolikë të Mbishkodrës, pjesa e Malësisë së Madhe që ka mbetur nën sundimin malazias, është përpunuar një taktikë, ku vendin kryesor e ka zënë “lejimi” i shkuarjes në Amerikë. Një numër i madh malësorësh sot gjenden në SHBA, jo pa “meritë” edhe të pushtetit sllav të Podgoricës. “Le të shkojnë atje, le të bërtasin atje, le të bëjnë zhurmë atje, ose edhe le të vriten njëri me tjetrin, le t’i bëjë çorap ‘lobi’ ynë i atjeshëm! Vetëm këtu të mos i kemi!” Ndërkaq, për të mbeturit këtu, sa më shumë vështirësi, gjoja “proceduriale”, gjoja “ligjore”. Manovra deri në shantazhet fisnorë e individualë. Në kërkofshin komunë më vete për Tuzin, të mos u jepet. Të zvarritet deri në pafundësi krijimi i kësaj komune, gjersa edhe këta pak malësorë që kanë mbetur, të ikin përfundimisht prej këndej.
Zgjerimi i territorit të Malit të Zi mbi tokat shqiptare (1830 – 1913…)
Me partitë politike shqiptare, gjithashtu “demokraci”, por në thonjëza. Në krye të atyre partive të vijë, mundësisht, ndonjë gjoja mbrojtës i të drejtavet të shqiptarëvet, i cili të flasë “energjikisht” në parlamentin malazias, por të jetë i lidhur me kryepushtetarët, sidomos me interesa ekonomikë.
Të gjitha këto ndodhin me shqiptarët në Rep.e Malit të Zi, në një kohë kur me Rep.e Shqipërisë, po ata sllavomalazezë, përpiqen të reklamojnë një “miqësi” nga më “konstruktivet”. Përpiqen dhe ia arrijnë.
Pjesa myslimane e shqiptarëvet, në këto rrethana, ka specifikat e veta.
Në Vitet e Jugosllavisë Titiste, shumica e tyre patën hapur shkolla shqipe. Atje ku u hapën shkolla shqipe (përfshirë këtu edhe Malësinë katolike), ndjenja kombëtare erdhi duke u rritur. Dolën kuadro, dmth u krijua një shtresë nëpunësish mirëfilli shqiptarë, u krijua një inteligjencë shqiptare me vlera të panënvleftësueshme. Trevat shqiptare, qyteti i Ulqinit, Tuzi, Ana e Malit, Kranja, Gusia, Vuthajt, u kthyen në mjedise, ku kultura kombëtare ruhej e zhvillohej me përkushtim të veçantë.
Tash, në rrethanat kur shestanasit e tivarasit katolikë janë asimiluar thuajse tërësisht, dmth i janë nënshtruar procesit të sllavizimit, kur malësorët e Malësisë së Madhe janë shpërngulur drejt SHBA-së, elementi shqiptar mysliman në Rep. e Malit të Zi, ka rezultuar si elementi më problemor për nacionalistët sllavomalazezë. Ç’të bëhet me këta shqiptarë, të cilët, as po shpërngulen, as po pranojnë të sllavizohen?! Ç’të bëhet me këta shqiptarë, të cilët po shkollohen në gjuhën e tyre, madje në Shkodër e në Tiranë, duke e rritur përditë edhe prezencën ekonomike e politike, në një shtet kaq të vogël si Rep. e Malit të Zi?! Këta ia mundësuan këtij shteti, me 7-përqindëshin e tyre, shkëputjen nga Rep.e Sërbisë, por tash s’i duhen më. Tash duhet bërë diçka që forca e tyre, sa të jetë e mundur, të minimizohet. Kështu mendon politika e këtyre sllavëve fare të vegjël, përherë në shërbim realisht jo të vetëvetes, por në shërbim të sllavëvet më të mëdhenj.
Një varg veprimesh dhe dukurishë, prej të cilavet asnjë nuk ka rezultuar pa levërdi për politikën sllavomalazeze në këto hapësira, janë të pranishëm dhe të evidentueshëm. Në Vuthaj, Gusi e Plavë, midis tjerash, ka qenë edhe “zbritja në Kosovë”. Vuthjanët, gisianët dhe plavjanët, mbarojnë shkollat atje, gjejnë punë në Pejë apo në Prishtinë dhe nuk paraqesin më kurrfarë rrëziku për hegjemoninë sllave në këtë pjesë veriperendimore të Këlmendit. Të atij Këlmendi që dikur ka qenë i famshëm për rezistencë shekullore ndaj osmanëvet. Në Kranjë ka dhënë rezultatin e vet gjithkështu shpërngulja. Këtu, tashmë kanë mbetur fare pak banorë.
Më në fund, qendrat më të rëndësishme të qëndresës shqiptare janë Ulqini me rrethinë dhe Ana e Malit. Kuptohet, pa harruar as Tuzin, as Gusinë e Plavën, as Kranjën, pa lënë jashtë vëmendjes, madje, as edhe një familje apo individ, ku ende gjallon ndjenja kombëtare shqiptare. Sllavomalazezët kanë gjetur për këto qendra të qëndresës shqiptare, sidomos vitet e fundit, një mënyrë deshqiptarizimi të atillë që, mendojnë ata, nuk do të ketë asnjë forcë për t’i rezistuar.
Mënyra është kjo: Le t’i afrojmë, le t’i përziejmë dhe le të bëjmë “simbiozë” midis myslimanëvet tashmë të sllavizuar dhe myslimanëvet që ende po këmbëngulin për të mbetur shqiptarë. Ka një lëvizje të jashtzakonshme për t’u vendosur sa më shumë myslimanë sllavishtfolës në trevat e Ulqinit, në vetë qytetin e Ulqinit dhe në rrethinat. Në Tivar tashmë ka predominuar gjuha sllave edhe midis myslimanëvet shqiptarë. Në Tivar, përveç sllavizimit të katolikëvet dhe atyre pak shqiptarëvet ortodoksë që kishin mbetur, sllavizimi i myslimanëvet bëhet edhe me rrugë martesash me myslimanë sllavishtfolës, që s’dinë as si ta quajnë veten. Edhe në Podgoricë po kështu.
Ditët e fundit, kjo dukuri u evidentua në mënyrë demonstrative në qytetin e Plavës: Shqiptarë të deriparapakkohshëm, të cilët e kanë humbur gjuhën e gjyshërvet të vet, pozicionohen kundër shqiptarëvet që kërkojnë të drejtat e veta në shtetin e Malit të Zi.
Ç’duhet të presim prej një të këtillë zhvillimi?
Prej një të këtillë zhvillimi antishqiptar në Rep.e Malit të Zi, një republikë fare e vogël, e cila të ardhshmen e vet do të duhej ta kërkonte në aleancë me shqiptarët, duhet të presim që, pas disa vitesh, edhe në komunën e Ulqinit elementi mysliman sllavishtfolës, i quajturi rozhajas, të predominojë deri në atë shkallë, sa votat t’i marrin sllavët e jo shqiptarët. Të shkojnë në Ulqin sa më shumë myslimanë sllavishtfolës, të bëjnë martesa me myslimanët shqiptarë, në mënyrë që nesër të mos kërkojnë shkolla shqipe për fëmijët.
Po cila mund të jetë arsyeja, cila është logjika që i shtyn sllavomalazezët në politika të tilla? Mos është vetëdija që edhe vetë ata janë shumica me prejardhje iliro-arbërore dhe u bie më mbarë të bashkohen me myslimanët shqipmohues e sllavishtpërqafues?!
Vlladikë Radeja (Petar Drugi Petroviq Njegoshi) pat thënë: “Ne pita se ko se kako kërsti, no çija mu kërvca grije sërca” Përkthimi i lirë është ky:”Nuk duhet pyetur si i lutet njëri apo tjetri Zotit, por çfarë gjaku i rrjedh nëpër deje.” Thoshte kështu, por adhuronte Vlladikë Danillon, i cili i pat therur qindra bashkëkombës pikërisht sepse ishin myslimanizuar.
Kjo kujtesë nga e kaluara, nga fillimi i sh XIX, na shtyn të bëjmë edhe një supozim tjetër: Mos mendojnë kështu sllavomalazezët? Ta heqim njëherë qafet gjuhën shqipe, me të cilën nuk përballemi dot, se i ka rrënjët shumë të thella, pastaj shohim e bëjmë për myslimanët sllavishtfolës. Myslimanë që malazezëvet pravosllavë u pëlqen t’i quajnë muxhahedinë. Më mirë të kesh përballë kuaziboshnjakë muxhahedinë, thonë ata, sesa myslimanë shqiptarë që nuk pranojnë të quhen as muxhahedinë, as talebanë.
Situata për ne është e vështirë. Madje, në disa aspekte, shumë më e vështirë se ajo e shqiptarëvet në Rep.Ish-Jug. të Maqedonisë.
……………………………………………………
Komuna urbane e Tuzit nuk përmbush kërkesat e shqiptarëve!
……………………………………………
Të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi
……………………………………………
Ulqin, kërkohet kthimi i pronave
———————————————
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)