(Prishtinë, 09. 02. 2013) – AAK dhe koalicioni i huqur – Ishin të pafatë disa llaskucër në AAK që kishin mbetur në margjina prandaj i hynë reciklimit përmes metodës “nga prapa“ pasi që metoda ”nga para” kishte dështuar. Në fakt, këta persona kishin të bënin shumë pak ose aspak me AAK-në por këtë subjekt politik e përdornin si mriz dhe mundësi për të siguruar një imunitet për të kaluarën e tyre. Këta nuk e kishin fare parasysh interesin e partisë prandaj fshiheshin prapa krahëve të fuqishëm të liderit të saj Ramush Haradinaj ndonëse realisht nuk e kishin dhe nuk e kanë vendin as aty ku lirohen gazrat dhe kryhen disa procese fiziologjike. Jetonin dhe jetojnë jashtë realitetit. Apo duan ta krijojnë realitetin për t’i përmbushur intereset e tyre. Në vend se të punojnë dhe ta forcojnë partinë në kohën kur Ramushi ishte në Hagë ata preokupoheshin me dukjen e tyre dhe paraqitjen e qëndrimeve më radikale të mundshme ndonëse kaçiku i tyre ishte shumë i lodhtë! Nuk linin kënd pa e kritikuar, majtas-djathtas, poshtë-lartë duke mos i peshuar fare fjalët dhe duke menduar se këto fjalë, si në kohën e Ali Bungut do t’i bartë era në një hapësirë ku nuk kuptohet gjuha shqipe. Në Sahara psh. Pastaj, pak para lirimit të z.Ramush Haradinaj, shtyllës kurrizore të AAK kur me të madhe flitej për një koalicion të mundshëm me PDK-ën, ndryshuan fjalët krejtësisht! Hajnat e djeshëm dhe kriminelët e djeshëm u bënë partnerë të dëshirueshëm për” zogjtë e shqiponjave “të dalë nga vetë e qyqeve. Kjo skajshmërisht e ka dëmtuar AAK-në edhe ashtu të lodhur në mungesë të liderit të saj karizmatik Ramush Haradinaj. AAK-ë për mendimin tim i ka bërë dy gabime.
“Nënë Tereza” AAK e Ramushit – i rikthehet rivalit grushtues me PDK e Hashimit!
Së pari kur menjëherë pas zgjedhjeve nuk pranoi të bëhej pjesë e koalicionit me PDK sepse ky koalicion do të ishte shumë i natyrshëm midis dy partive të dala nga lufta. Prandaj u bë një koalicion jonormal dhe i çoroditur me KKR-në. Arsyetimi se nuk hyhet në koalicion me një parti të “kriminalizuar“ me plotë shikovca brenda do të konsiderohej parimorë po të bëhej fjalë se AAK do të ishte parti krejtësisht e virgjër sa i përketet korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po AAK ishte larg saj dhe në asnjë mënyrë nuk do të mund të luante rolin e “ nënës së Cezarit“. Ramush Haradinaj nga Haga nuk ka mundur për shkaqe objektive dhe subjektive ta forcojë partinë. Prandaj është dashur ta përkrahë koalicionin me PDK e jo të lejojë që pastaj Dell-i t’i fusë një “plumb“ Ramushit në çelinë e Hagës. Ishte i çuditshëm transformimi i AAK-së nga një parti shumë radikale në një nëndegë të Shoqatës Bëmirëse “Nëna Tereze“ pak para lirimit të Ramushit. Pasi AAK e bëri gabimin pas zgjedhjeve është dashur të forcohet si parti opozitare e pakompromis. Mirëpo pas lirimit të Ramushit u bë gabimi edhe më i madh me pranimin që të hyhej në koalicion me hajnat, kriminelët dhe shikovcat siç deklaronin “zogjtë e shqiponjave“ të AAK-së të dalë nga vetë e qyqeve . Madje ishin ndarë postet prandaj këta zhurmaxhinj e mbyllën gojën si peshku i hurdhës “Trofta“ duke u bërë më pozitë se vet pozita. Kësaj radhe, mendoj në mënyrë të pavetëdijshme i shpëtoi Ramushi duke luajtur vetëm në një letër , paraprakisht të djegur, pasi kërkonte vetëm postin e kryeministrit. Hashimi i gjallë kurrë nuk do ta dorëzonte vullnetarisht këtë post. As ndërkombëtarët nuk do ta pranonin këtë aq më parë që aktualisht për proceset që po kalon Kosova Hashimi nuk ka zëvendësim. Ate madje nuk mund ta zëvendësojë as një figurë aq e fuqishme politike si Atifete Jahjaga e lëre më të tjerët! Ndonëse ka përpjekje për këtë. Pse kjo nguti aq e madhe e Ramushit? A kishte mbështetje logjike dhe politike kjo kërkesë e vetme? Po del se jo. Pas kësaj aventure zërat në AAK deklarojnë se Ramushi nuk është djegur dhe se politikisht është edhe më i fuqishëm! Ëndrrat nuk mund të ndalohen. As në këtë rast. Politikisht Ramushi është dëmtuar, pa asnjë dyshim ! Pritjet dhe nderet që i janë bërë kanë qenë të merituara ndonëse ka shenja të devalvimit të këtyre ndereve. Sikur që është zingjiri apo xherdani nga Shqipëria e shpalljes së qytetarit të nderit. Pastaj, nuk mund ta kuptoj politikisht qëndrimin e Ramushit se ka dashur ta marrë përgjegjësinë ta zëvendësojë një qeverisje të keqe me një qeverisje të mirë e në ndërkohë që i përkrah thuaja të gjitha veprimet e kësaj qeverie që po qeveris tani ! Edhe pas dështimit të koalicionit me PDK-në! Pastaj, ta lë në pozitën e koordinatorit për bisedime politike për veriun e Kosovës me Serbinë, nënkryetarin e saj të parë dhe njeriun më të besueshëm të tij, z. Blerim Shala për të cilin jam shumë i sigurt se nuk i dhemb fort zemra për AAK! Këtu nuk po shoh se ka ndonjë kuptim apo interes strategjik për AAK-në! Sepse, nëse vlerësoni se kjo qeverisje është e keqe për vendin dhe se kjo qeveri në me krye Hashim Thaçin dhe zëvendësin e tij të parë, të madhin dhe të papërsëritshmin Behgjet Pacolli po punon keq, pse do të duhej të përkrahet?! Si do ta ngrisni në këmbë Kosovën në kuptimin me i marrë këmbët, në radhë të parë e pastaj ta largoni këtë qeverisje siç thotë Ramushi me këtë qeverisje?! Unë nuk po e kuptoj ose thënë shkurt nuk po ma rrokë fare. Të gjithë ata që në politikë bëhen as mish e as peshkë, në fund nuk i hanë as qeni e jo më që mund të forcohen politikisht! Ramush Haradinaj është dashur ta merr një qëndrim monitorues menjëherë pas lirimit. Dhe vetëm pasi ta ketë vlerësuar situatën është dashur të përcaktohet nëse do të hyjë në bashkëqeverisje apo të mbetet në opozitë! Dhe të luajë me disa letra sepse mundësitë rriten në proporcion me numrin e letrave me të cilat luani. Edhe në Bingo rrallë ndoshë që dikush të fitojë çmimin kryesor vetëm me një letër! Në një shkrim timin më herët pata shkruar se: ”kush ngutet merr në thua dhe përfundon në përrua “. Kështu ndodhi edhe në këtë rast. Ramush Haradinaj duhet t’i kthehet vetes duke vënë rregull në partinë e tij. Pasi nuk u bë pozitë, duhet të bëhet opozitë! Jo opozitë shkatërruese por opozitë ndërtuese. Duhet t’ua “ prejë kthetrat “ shqiponjave të dala nga vetë e qyqeve. Duhet t’i kthehet përcaktimit kombëtar duke u dhënë hapësirë vlerave kombëtare brenda partisë që e drejton. AAK e ka shtyllën kurrizore me kthimin e Ramushit por ka nevojë për freskim të gjakut dhe rimodelim të skeletit organizativ dhe veprues. Me këtë potencial që aktualisht e ka AAK nuk do të mund të luaj rolin e saj në skenën politike. Mund dhe do të luftojë për mbijetesë. Asgjë më tepër! Ramushi po duket se ka bërë një transformim shumë paqësor. Së paku në paraqitje. Po më duket një si kombinim brenda ujk dhe luan jashtë i veshur me lëkurën e qingjit! Te ne kjo nuk shkon. Sepse , ose nuk besojmë në këtë transformim ose nuk kemi kapacitet ta kuptojmë!
Isa Boletini në Londër, Atifetja në Bruksel
Janë dy figura historike në dy ngjarje historike. Isa Boletini i armatosur me kobure dhe jataganë si dhe i veshur me xhamadan shkoi në Londër në mbrojtje të Shqipërisë etnike. Atifete Jahjaga, presidente e shtetit, e veshur kuq e zi, e armatosur me këshilltarë të mençur dhe të urtë shkoi në Bruksel në mbrojtje të Kosovës multietnike! Rezultatet e Londrës vetëm po vërtetohen në Bruksel!
I biri i Millanit dhe i biri i Shabanit
Stojani i biri i Millanit është pizeveng. Babain e ka pasur polic të Jugosllavisë dhe naçellnik të UDB-së. Vet ka qenë polic edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ka rrahur, plaçkitur, burgosur, deportuar dhe dhunuar shqiptarë. Kryesisht fqinj dhe ata që i ka njohur. Që i kanë besuar. Edhe pas luftës u bë polic. Policë në robëri, polic në liri! Behxheti është biri i Shabanit. Aksidentalisht është dënuar me burg dy herë për faje politike. Jo shumë. Nja 15 vjet. Millani , babai i Stojanit e pati ndjekur politikisht Shabanin sepse ishin kundërshtarë në luftën e dytë botërore. Stojani ishte në anën e gjeneralit Drazha Mihajlloviq ndërsa Shabani në anën e gjermanëve dhe ballistëve. Prandaj e pati futur në birucë Shabanin. E tash, Stojani i biri i Millanit ka dëshirë të takohet me Behxhetin, birin e Shabanit. Qëllimi është normalizimi i marëdhënieve midis tyre pasi që Behxheti, i biri i Shabanit t’i kërkojë falje për të gjitha të këqiat që ia ka bërë brez pas brezi Stojanit, birit të Millanit. Besoni se humba durimin dhe thuaja isha fare duke shkretuar por nga situata më nxorri një ftesë nga baronesha Ashton e nënshkruar…..
Jam dorëlirë he më shitoft zëna
E kam zemrën e butë. Me gojë di të rëndoj por me zemër rëndom shëroj. Nuk mbaj inatë dhe nuk hakmerrem ndaj askujt Ja se ç’më ndodhi me dy mullah. Njëri nga Afganistani, tjetri nga Pakistani. U ankuan se kanë mbetur pa tokë fare. Shpejt i bëra zgjedhje. Dhe ashiqare. Ia fala 25 hektarë tokë të Floridës në Amerikë mullah Ibrahimit nga Kandahari sepse i gjori ka jetuar në mal pa i shijuar rrezet e diellit duke u rrezitur në rrezet e hënës prandaj ngrohtësia e diellit të Floridës ia rikthen dashurinë e nënës! Ndërsa për mullah Nasrallahun nga Peshevari i Pakistanit e bëra një kombinim praktik duke ia falur 25 hektarë tokë në qendër të Londrës përkatësisht Hajd Parkun dhe Pikadilin për të mbjellur hashash dhe për piknik. Disi më shikonin me mosbesim duke kërkuar dëshmi për pronësi mbi tokat e falura. Në vend të tapive ua dhashë hajmalitë e hoxhë Basri Peçanit e që janë shumë më të vlefshme se leja e UNMIK-ut me të cilën i falen 25 hektarë tokë Manastirit të Deçanit. Po e shihni se në këta katër shembuj hipotetikë, në vend se të zgjidhet lëmshi vetëm po ngatërrohet. Eksperimenti me ne po vazhdon, drejtësia po zbehet dhe historia po arrnohet ! Me arrna të vjetër, me arrna të rinj në lëkurën tonë me penj të zinj.