… KJO MURTAJË E ZEZË E BALLKANIT

 … KJO MURTAJË E ZEZË E BALLKANIT

– ideologjia serbomadhe –

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 26 korrik 2023

Serbia e Madhe ose ideologjia serbomadhe është ide irredentiste e cila ka për qëllim t’i bashkojë në një shtet të përbashkët të gjitha territoret në të cilat jetojnë apo kanë jetuar dikur serbët. Gjatë historisë, kjo ide shfaqet në forma të ndryshme dhe me emërtime të ndryshme.

Ideja e krijimit të shtetit të madh serb ka lindur në shekullin XIX, në kohën e zgjimit kombëtar në mare Evropën dhe të luftës së popullit serb për pavarësi. Në mënyrë më të qartë është formësuar në vitin 1844 në “Naçertanien” e politikanit dhe kryeministrit Ilija Garashanin (Ilija Garašanin, 1812-1874). Ky është program politik sekret i Principatës së Serbisë. Sipas tij, shteti i ri serb do t’i përfshinte edhe rajonet   shumetnike të Ballkanit, si Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën, viset shqiptare etj. Gjatë shekullit XIX inteligjencia serbe, me përjashtim të mendimtarëve të së majtës të cilët kanë qenë për krijimin e Federatës Ballkanike, kryesisht e kanë pranuar idenë e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet të madh serb. Një program të këtillë e kanë pranuar edhe shumë sundimtarë dhe shtetarë serbë, duke përfshirë princin Aleksandar Karagjorgjeviq (Aleksandar Karađorđević, 1806-1885), princin Mihaillo Obrenoviq (Mihailo Obrenović,1823-1868), themeluesin e Partisë Radikale Serbe, kryeministrin Nikolla Pashiq (Nikola Pašić, 1845-1926) dhe shumë të tjerë. Të gjitha partitë politike të Mbretërisë së Serbisë, me përjashtim të partisë socialdemokrate, kanë pasur për qëllim krijimin e Serbisë së Madhe, përkatësisht “bashkimin e serbëve”. Deri në Luftën e Parë Botërore, territori i Serbisë është zgjeruar vazhdimisht.Pas Luftës I Botërore, elita politike serbe është përcaktuar për krijimin e Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, bashkësisë së proklamuar të popujve jugosllavë, të cilën shumë studiues e kanë konsideruar krijim serbomadh. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërmjet partizanëve, në një anë dhe çetnikëve serbë, mbrojtës të krijimit të Serbisë së Madhe në kuadër të Jugosllavisë së madhe, në anën tjetër – në Jugosllavi u zhvillua luftë qytetare. Me dështimin e çetnikëve në Luftën II Botërore, dështoi edhe politika serbomadhe, RSF e Jugosllavisë ndërkaq, u ndërtua mbi parimin federativ. Pas vdekjes së Josip Broz Titos (1892-1980), në vitet ’80 të shekullit XX, synimet e serbomëdhenjve që me dekada ishin të mposhtur – tani ringjallen. Gjatë luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX, elita politike serbe, me ndërmarrje kriminale të bashkuar në hapësirën e Jugosllavisë, tentoi të krijojë shtet që do t’i bashkonte të gjithë serbët. Kjo rezultoi me krime lufte masive dhe me spastrime etnike.

Karakteri agresiv i idesë së Serbisë së Madhe si dhe i projekteve të tjera të krijimit të shtetit të madh manifestohet në përpjekjen e sendërtimit të objektivit të parashikuar, që bie ndesh qartas me vullnetin e artikuluar prerazi të shumicës, të pjesëtarëve të kombeve të tjera, për të mos jetuar në atë shtet. Popujt e Ballkanit me shekuj jetojnë të përzier njëri me tjetrin, ndaj është e pamundur të krijohet një shtet kombëtar i madh pa përfshirë shumë grupe etnike kundër vullnetit të tyre. Gjatë historisë, të gjitha përpjekjet e tilla për krijimin e Serbisë së Madhe kanë përfunduar me krime të spastrimit etnik, me dëbimin e popujve joserbë, madje edhe me gjenocid.         

Shënim: “Doktrina serbomadhe” apo “ideologjia serbomadhe“ nënkuptojnë idenë nacionaliste të bashkimit të serbëve. Me termin “politikë serbomadhe“nënkuptohet politika që synon krijimin e Serbisë së Madhe. “Agresion serbomadh” është luftë pushtuese e ndërmarrë për krijimin e Serbisë së Madhe. Ky term ka hyrë në përdorim të gjerë që nga koha e luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX. Me termin “borgjezia serbomadhe” nënkuptohet elita politike serbe e cila promovon ideologjinë e Serbisë së Madhe. Termin e vuri në përdorim Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) gjatë Jugosllavisë së parë. Termi “hegjemoni serbomadhe” nënkupton epërsinë e Serbisë në shtetin e përbashkët jugosllav. Termi është përdorur sidomos gjatë Jugosllavisë së parë.

Sipas serbëve, termi “politikë serbomadhe” na qenkësh floskulë austro-hungareze që duhet të bëjë të mundur copëtimin e Serbisë.  

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në shekullin XIX – Ideja e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet është formësuar në fillim të shekullit XIX, si program i integrimit kombëtar dhe i krijimit të shtetit kombëtar në kufij maksimalë. Kjo dukuri e fillimit të shekullit XIX ka qenë e zakonshme ndër popujt e Evropës të cilët zgjimin kombëtar e kanë përjetuar në periudhën gjatë Revolucionit Francez dhe luftërave të Napoleonit (Napoleon Bonaparti, 1769-1821; perandor i Francës) dhe pas saj. Në kohën e rilindjes kombëtare në shekullin XIX, dijetarët serbë kërkonin modele historike për rimëkëmbjen e shtetësisë serbe. Kjo “e drejtë e shenjtë historike” bazohet kryesisht në Perandorinë serbe – kohëshkurtër -të Dushanit*, të shekullit XIV, e cila ka qenë shteti mesjetar serb më i shtrirë. Bujarët kishtarë kanë vajtur në Rusi për t’ia propozuar perandorit rus planet e rimëkëmbjes së “perandorisë sllavo-serbe”. Shtrirje me ndihmën e Rusisë ka kërkuar edhe peshkopi malazias Pjetri I Petroviq Njegosh (Petar I Petrović Njegoš, 1748-1830), duke e zgjeruar Malin e Zi në Hercegovinë, në Dalmaci dhe në Dubrovnik, që do të bëhej edhe kryeqendër.

Shënim: Dushani (Stefan Urosh IV Namanjić, i njohur edhe si Dušna Silni, rreth 1312 – 1355), në vitet 1331-1345 ka qenë mbret mesjetar serb, ndërsa në vitet 1346-1355, perandor i parë serb.  

*   *   *

“Naçertania” (Projekti, 1844) e Ilia Garashaninit ishte program sekret i politikës së jashtme dhe kombëtare të Serbisë. E shkroi kah fundi i vitit 1844 ministri i Punëve të Brendshme Ilia Garashanini (1812-1874) për princin Aleksandar Karagjorgjeviq (1842-1858).

“Çerta është bazë e politikës serbe; ajo nuk kufizohet në kufijtë e tashëm të saj, por synon t’ia bashkëngjit asaj të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”  – Ilia Garashanin, “Naçertanie”.  

Sipas “Naçertanies”, Serbia duhet të punojë për çlirimin e serbëve dhe të sllavëve të tjerë si dhe për bashkëngjitjen e rajoneve fqinje – Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë veriore, që nënkuptonte edhe Kosovën, që atëherë ishin në përbërje të Perandorisë Osmane. Më vonë, Serbia duhet të punojë edhe për bashkëngjitjen e Sremit, Baçkës dhe Banatit – atëherë në përbërje të Austro-Hungarisë. Veprimtaria propagandistike kryesore e Serbisë do të bazohej në përgatitjen e popullsisë së këtyre rajoneve për t’u bashkuar me Serbinë. Lufta për bashkëngjitjen e këtyre rajoneve do të zhvillohej duke cunguar gradualisht territoret që ishin nën sundimin otoman, në procesin e rënies së pandalshme të perandorisë. Sipas Garashaninit, për këto vende Serbia ushtron të drejtën e shenjtë historike”, që bazohet në Perandorinë serbe të Dushanittë shekullit XIV. Mbi këtë bazë duhet ngritur sërish shtetin e madh serb:

“Serbia duhet të përpiqet që nga ngrehina e shtetit turk të heqë nga një gur. Nga ky material i mirë, mbi themelin e vjetër dhe të mirë të perandorisë së vjetër serbe, të ndërtojë sërish shtetin e ri serb”

Në vitin 1848, Ilia Garashanini dhe politikani e historiani serb Konstantin Nikollajeviqi (Konstantin Nikolajević, 1821-1877) bashkërisht hartuan programin politik të njohur si Shtetet e bashkuara serbe, që parashikonte ndarjen e Perandorisë Osmane në dy nënmbretër: në Turqi aziatike dhe në Shtete të bashkuara serbe, ku do të bashkoheshin të gjithë sllavët e pjesës evropiane të perandorisë. Në fillim, Garashanini ishte ithtar i luftës për shtet të madh serb. Më vonë, si ministër i Punëve të Jashtme i princit Mihaillo (Mihailo Obrenović, evoluoi kah zgjidhja jugosllave. Vendosi lidhje me lëvizjen jugosllave dhe ilire në Monarkinë e Habsburgëve (me ipeshkvin kroat Shtrosmajer) si dhe me organizatat revolucionare bullgare.        

Shënim: Shtrosmajeri (Josip Juraj Strossmayer, 1815-1905) është ipeshkëv kroat, teolog, politikan, themelues i institucioneve shkencore dhe kulturore kryesore kroate.

*   *   *

 Si një dokument sekret, “Naçertania” e Garashaninit ka qenë program zyrtar i dy qeverive serbe      – i princit Aleksandar Karagjorgjeviq dhe i princit Mihaillo Obrenoviq. programin e “Naçertanies” e kanë ndjekur të gjitha formacionet djathtiste serbe të dhjetëvjeçarëve të ardhshëm.

*   *   *

 Një tjetër ideolog i idesë së Serbisë së Madhe është Vuk Karaxhiqi (Vuk Stefanović Karadžić, 1787 – Vjenë, 1864). Ka qenë filolog serb, reformues i gjuhës serbe. Në vitin 1849 botoi në Vjenë artikullin “Të gjithë dhe kudo serbë” (Srbi svi i svuda). Këtu mbron tezën se të gjithë që flasin në dialektin shtokav, pavarësisht nga përkatësia fetare, tradita apo përkatësia rajonale, janë serbë.Artikulli është pjesë e librit “Kornizë për historinë, gjuhën dhe zakonet e serbëvetë të tri feve”. Sipas të dhënave, artikulli qenkësh shkruar qysh në vitin 1836. Për këtë arsye, disa studiues e konsiderojnë si të parin projekt të Serbisë së Madhe. Në këtë artikull ai pohon se serbë janë të gjithë që flasin në gjuhën serbe, ndërsa gjuhë serbe i quan të gjitha dialektet dhe të folmet shtokav. Ai vjen në përfundim se ekzistuakan “serbë të tri feve”, por e quajnë veten serbë vetëm ata të “fesë greke” (të fesë ortodokse), kurse të tjerët nuk duan ta pranojnë këtë emër.

Me këtë tezë, Vuk Karaxhiqi do të thotë se myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës janë serbë të fesë islame, ndërsa kroatët kudo qofshin – serbë të fesë katolike.               

Vuk Karaxhiqi konsideronte se dialekti shtokav është serbishte, ndërsa gjuhë popullore kroate e vërtetë mund të jetë vetëm dialekti çakav. Sipas tij, dialekti kajkav është gjuhë i gjuhës sllovene. Sipas kësaj teorie të Vuk Karaxhiqit, territori në të cilin jetojnë shumica e kroatëve është reduktuar në Istër, në pjesën veriore të bregut lindor të Adriatikut dhe në shumicën e ishujve të Adriatikut.       

Në vitet në vijim u publikuan vështrimet kritike të shumë autorëve kroatë në të cilat hidhet poshtë panserbizmi gjuhësor i Karaxhiqit. Duke i shpallur të gjithë shtokavistët serbë, autorët bashkëkohorë kroatë konsiderojnë se është pikërisht Vuk Karaxhiqi ai i cili i ka vënë bazat e ambicieve serbomëdha

Duke komentuar “Naçertanien” e Garashaninit dhe “Të gjithë dhe kudo serbë” (Srbi svi i svuda) të Karaxhiqit, historiani britanik i Universitetit të Oksfordit Noel Malkolm* (Sir Noel Malcolm, 1956- ), midis tjerash  thotë: “…ka pasur shumë intelektualë kroatë, si Ante Starçeviqi* dhe Eugen Kvaterniku*të cilët kanë mbrojtur ideologji të ngjashme, por me shenjë të kundërt, sipas të cilës të gjithë boshnjakët kanë qenë kroatë”.

Shënim:

Ante Starçeviq (Ante Starčević, 1823-1896) ka qenë politikan dhe shkrimtar kroat;

Eugen Kvaternik (1825-1871) ka qenë politikan nacionalist kroat;

Noel Mlkolm  (Sir Noel Malcolm, 1956- ) është autor i librit “Kosovo: A Short History”, New York: New York Univesity Press, 1998; Botuar në vitin 1998 nga shtëpia botuese “Macmillan”; “Kosova: Histori e shkurtër”, përkthyer nga anglishtja nga Dr. Abdullah Karjagdiu; ripunuar nga Pirro Misha, botimi i dytë; shtëpia botuese “Koha Ditore”, Prishtinë dhe Shtëpia e librit, Tiranë, 2001, f. 514. 

*   *   *

Programit politik të “Naçertanies” iu mbështet princi Mihaillo Obrenoviq, me Ilia Garashaninin si ministër i Punëve të Jashtme. Politika e princit, e prirë nga “ideja e madhe” synonte që Serbia ta merrte Bosnjën dhe Hercegovinën. Porta i refuzonte propozimet e Mihaillos që BH-në t’ia bashkëngjitë rajonit vasal të saj, duke i konsideruar synimet e tij si pjesë të aspiratave ruse në Lindje. Politika e princ Mihaillos e kishte mbështetjen e Perandorisë Franceze me në krye Napoleonin III (1808-1873), plani i të cilit për zgjidhjen e çështjes lindore në Ballkan, e merrte Serbinë për Piemont* rreth të cilitdo të duhej të tuboheshin të gjithë popujt sllavë të Ballkanit, përfshi edhe bullgarët. Por, pas disfatës në luftën franko-pruse (1870-1871), politika franceze për një kohë të gjatë e humbi rolin në Ballkan. Pas vdekjes së princ Mihaillos, regjimi rus, epiqendrën e politikës ballkanike filloi ta mbart te bullgarët. Austria që në krye të herës ka qenë kundër. Tanimë asnjë fuqi e madhe nuk e mbështeste një rimëkëmbje të tillë të “perandorisë serbe”.

Shënim: Piemont – krahinë në Italinë veriore (Piemonte); në mesin e shekullit XIX ka luajtur rol të madh për bashkimin e Italisë.                                                    

*   *   *

Ndër serbë, politika serbomadhe ka hasur edhe në kritika. Shprehjen “Serbi e Madhe” për herë të parë, madje në mënyrë kritike, e ka përdorur socialisti serb Svetozar Markoviq (Zajeçar, 1846 – Trieste, Itali, 1875). Ky ishte veprimtar politik, kritik letrar, mendimtar socialist dhe publicist.

Ai thotë: “Sapo qeveria monarkiste u vendos në vend, ajo sakaq filloi të mendojë sesi t’i shtrijë kufijtë e pushtetit të vet edhe përtej kufijve të Serbisë… Ideja që Bosnja dhe Hercegovina të bashkohet me Serbinë filloi të përhapet edhe në Serbi edhe te populli i atjeshëm. Ky ka qenë parim i politikës i njohur me emrin Serbi e Madhe”.

Pretendime të njëjta si Serbia, ndaj Hercegovinës, Bosnjës dhe Serbisë së Vjetër ka pasur edhe Mali i Zi i pavarur. Sipas Svetozar Markoviqit: “Është e pamundur që Bosnja të merret në rrugën paqësore, po qe se bujarisë së saj nuk i garantohen të drejtat e vjetra. Por, në anën tjetër, kjo do të thotë që raja boshnjake të lihet nën robëri”. Markoviqi konsideronte se rreziku i ndërmarrjes së Serbisë së Madhe qëndron në faktin se “populli serb jeton i përzier me popuj të tjerë, pa kufij gjeografikë dhe etnografikë të përvijuar qartas. Rrjedhimisht, ndaj fqinjëve të vet, do t’i duhej të merrte rolin e pushtuesit”.  Ai vazhdon dhe thotë: ”… Për t’u krijuar një shtet serb me pesë deri në pesë milionë e gjysmë serbë, populli serb do të duhej të ishte në raport armiqësor me bullgarët, me kroatët dhe me rumunët. Do të duhej të merrte rolin e pushtuesit, siç veprojnë hungarezët sot”.   

Svetozar Markoviqi ishte kategorikisht kundër idesë që Principata e Serbisë të merrte rolin e “Piemontit të sllavëve të jugut” dhe kundër politikës së ekspansionit territorial të Serbisë, që do të nënkuptonte aneksimin e rajoneve dhe të vendeve përreth, etnikisht të përziera. Markoviqi prerazi hidhte poshtë të referuarit në “të drejtat historike” me fjalët “parimi i kombësisë heq dorë nga të gjitha të drejtat historike”. E konsideronte të dëmshëm bashkimin e tokave serbe sidomos duke iu referuar Perandorisë së Dushanit, “për arsye se serbët e kohës së tij kanë jetuar në katër shtete: në Austri, në Turqi, në Serbi dhe në Mal të Zi”. Në vend të kësaj Markoviqi propozon krijimin e Federatës Ballkanike, përkatësisht lidhjen e popullit serb me popujt e tjerë të Ballkanit dhe me sllavët e jugut.

Markoviqi thekson se shteti i ri serb, i krijuar me pushtime, doemos do të bëhej shtet ushtarako-policor dhe forcën e vet do ta harxhonte për t’u mbrojtur prej armiqve të jashtëm, duke e lënë pas dore zhvillimin e vet mendor dhe kulturor. Ai vlerëson se ideja e Serbisë së Madhe shkon në favor të politikës që synon të përcaktojë në Serbi pushtetin e pakufishëm të dinastisë së Obrenoviqëve. Këtë “ide të madhe” ai e konsideronte si pretekst për t’iu shmangur problemeve të brendshme shumë më të rëndësishme të Principatës së Serbisë. Ai paralajmëron se “ideja revolucionare për bashkimin e popullit serb është shndërruar në ide të dëmshme për interesat e popullit”.

*   *   *

Reagimet e Austro-Hungarisë ndaj Serbisë së Madhe – Zgjerimin e Serbisë, Austro-Hungaria e konsideronte kanosje për tërësinë tokësore të saj. “Naçertanien” e Garashaninit, Austro-Hungaria e ka shti në dorë në mënyrë sekrete dhe e ka arkivuar në vitin 1883. Monarkia Habsburge me rreptësi u është kundërvënë pretendimeve të Principatës së Serbisë fqinje ndaj rajoneve historike të kurorës habsburge, të banuara me sllavë të jugut. Dinastia e Obrenoviqëve ndiqte politikë pro-austriake, kështu që planet mbi ekspansionin territorial të Serbisë në atë kohë, ishin drejtuar kryesisht kah rajonet e Perandorisë Osmane.

            Gjatë luftës ruso-turke të viteve 1877-1878, autoritetet serbe dhe malazeze e kanë ndihmuar kryengritjen e popullsisë krishtere në Hercegovinë dhe në Bosnjë, kundër sundimin osman. Qysh gjatë luftës, ndërmjet kancelarit shtetëror rus, princit Gorçakov, kancelarit gjerman Bizmarkut dhe kryetarit të qeverisë austro-hungareze, Andrashit është arritur pajtimi se në rast fitoreje të serbëve, Fuqitë e Mëdha nuk do të tolerojnë krijimin e shtetit të madh serb. Në vitin 1878, Austria e pushton Bosnjën dhe Hercegovinën, për të cilën pritej se pas mbarimit të luftës ruso-turke, do t’i takonte Serbisë. Pas pushtimit të Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 1878 dhe aneksimit të saj në vitin 1908, austro-hungarezët gjithnjë më tepër do të vijnë në konflikt me politikën serbe të bashkimit.

Pamundësinë për t’u shtrirë në perëndim, Serbia përpiqej ta kompensonte me ekspansionin në lindje. Në vitin 1885 kjo solli luftën me Bullgarinë. Lufta serbo-bullgare shpërtheu në nëntor të vitit 1885. Mbreti Millan Obrenoviq (Milan Obrenović; Marasheshti, Rumani, 1854 – Vjenë, 1901), i pakënaqur me bashkimin e Bullgarisë dhe të Rumelisë lindore, e sulmoi Bullgarinë. Serbia kishte plane për hegjemoni ndaj rajoneve sllave të Ballkanit, ndaj ishte prerazi kundër këtij bashkimi. Lufta mbaroi me fitoren e bullgarëve. Pas kësaj disfate, ideologët serbë i përjashtojnë bullgarët nga planet për krijimin e shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut. 

Agresionin ndaj Bullgarisë, politikani serb Vlladan Gjorgjeviq (Vladan Đorđević, ) e arsyetonte kësisoj: “Në mesjetë, një pjesë e madhe e sllavëve të Ballkanit ra nën pushtetin e bullgarëve. Është detyrë historike e serbëve t’i çlirojnë sllavët nga kanët bullgarë, të shtrydhin prej venave të tyre gjakun mongol dhe t’i bashkojnë në shtetin e madh serb të sllavëve të jugut, që nga Beogradi deri në Selanik dhe që nga deti Adriatik deri në Detin e Zi”.

Shënim: Aleksandër Gorçakov (Aleksandr Mihailoviç Gorçakov, 1798-1883) – diplomat, poltikan rus; ministër i Punëve të Jashtme i Rusisë; 

Bizmarku (Otto Eduard Leopold von Bismarck-Schönhausen, 1815-1898) – shtetar prus dhe gjerman;

Andrashi, kryetar i Qeverisë austro-hungareze;

Vlladan Gjorgjeviq (Vladan Đorđević, Beograd, 1844 – Baden, Austri, 1930) – politikan serb, mjek, oficer dhe shkrimtar; kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Serbisë; autor i librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd 1913)           

*   *   *

Ideologjia serbomadhe vazhdon edhe në fillim të shekullit XX. Në vitin 1903, me grusht shteti përmbyset dinastia e Obrenoviqëve, ndërsa qeveria e re, prej Austro-Hungarisë, gjithnjë më tepër fillon të kthehet kah Rusia. Austro-Hungaria, në të cilën gjithnjë më tepër marrin hov idetë jugosllave, reagon me trysni politike, propagandistike dhe ekonomike. Kjo shkakton reaksion në formë të irredentizmit serb që kthehet kah Perëndimi.

Në fillim të shekullit XX u krijuan disa formacione paraushtarake dhe organizata revolucionare, qëllimi i të cilëve ishte bashkimi i të gjitha rajoneve serbe, përkatësisht i sllavëve të jugut, me Mbretërinë e Serbisë e cila shihej si “Piemont i sllavëve të jugut”.

Dalin në skenë grupet e armatosura: Cërna ruka (Crna ruka / Dora e Zezë), Mlada Bosna (Bosna e Re) dhe Narodna odbrana (Mbrojtja Popullore).

Emri zyrtar i grupit “Cërna ruka” ishte “Bashkim ose vdekje”. Ishte shoqëri sekrete oficerësh. Synonte krijimin e Serbisë së Madhe. Udhëheqës i këtij grupi komplotist ishte oficeri serb Dragutin Dimitrijeviq Apis (Beograd, 1876 – Selanik, 1917). Apisi ishte kapiten i Shtabit Madhor të Ushtrisë së Mbretërisë së Serbisë. Ishte një prej organizatorëve të komplotit të oficerëve që kreu puçin në natën midis 28 dhe 29 majit (11 qershor) të viti 1903, me ç’rast u përmbys dhe u vra në dhomën e gjumit mbreti Aleksandar Obrenoviq bashkë me gruan – mbretëreshën Draga Mashin. Me këtë rast u vra në shtëpinë e vet edhe kryetari i qeverisë, i konsideruar si arkitekt i fitoreve ushtarake më të mëdha serbe, gjenerali Dimitrije Cincar-Markoviq (Dimitrije Cincar-Marković, 1849 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903); u vra ministri i Mbrojtjes, gjenerali Millovan Pavlloviq (Milovan Pavlović, 1842 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903); u vra adjutanti i parë, gjenerali Llazar Petroviq (Lazar Petrović, 1855 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903); u vranë edhe dy vëllezërit e mbretëreshës – Nikodije Llunjevica (Nikodije Lunjevica, 1881 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903) dhe Nikolla Llunjevica (NikolaLunjevica, 1881 – 11. qershor /o. s. 30 maj/ 1903).

Mbretëresha Draga Mashin (Draginja “Draga” Mašin / Draga Milićević Lunjevica, 1864 – 11.06.1903) ishte vejushë. U martua me mbretin Aleksandar Obrenoviq. Ishte 12 vjet më e moshuar se ai. Fëmijë nuk kishin. Ishte pro-austriake.  

Puçistët e sollën në fronin serb Petar Karagjorgjeviqin (Petar Karađorđević, 1844-1921). Pas kësaj përmbysjeje, aleanca ndërmjet Serbisë dhe Austro-Hungarisë – u ndërpre. Serbia ndërkaq, sërish iu kthye lidhjeve me Rusinë dhe Francën. Në procesin e Selanikut, Apisi u dënua me vdekje. U pushkatua më 26 qershor 1917.

“Cërna ruka” kishte për qëllim t’i bashkojë “të gjitha krahinat serbe: Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë e Vjetër dhe Maqedoninë; Kroacinë, Slloveninë dhe Sremin; Vojvodinën; bregdetin (Dalmacinë). Pas zgjerimeve territoriale të Serbisë në luftërat ballkanike, Cërna ruka u përqendrua në rajonet që ishin në përbërje të Austro-Hungarisë, gjë që kulmoi me Atentatin e Sarajevës (1914).

*   *   *

Organizata rinore “Bosnja e Re” (Mlada Bosna)ka lindur rreth vitit 1904. Studiuesit serbë e cilësojnë si organizatë revolucionare. Ka luftuar kundër pushtimit, pastaj edhe aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës – Austro-Hungarisë. Anëtarë të caktuar të kësaj organizate kanë bashkëpunuar me grupin “Crna ruka” (Dora e Zezë). Anëtari i “Bosnjës së re” Gavrillo Principi,me mbështetjen e grupit “Crna ruka” dhe me armët nga Beogradi, më 28 qershor 1914 kreu atentat në Sarajevë ndaj pretendentit austriak të fronit Franc Ferdinand  dhe gruas së tij Sofia. Austro-Hungaria e mori atentatin si shkas për luftë kundër Serbisë që u shndërrua në luftë botërore.   

Shënim: Gavrillo Principi (Gavrilo Princip; Oblaj, Bosansko Grahovo, të BH-së, 1894 – Terezin, Bohemi, Çeki, 1918) vdiq nga tuberkulozi për shkak të kushteve të këqija në burg. Aty e humbi edhe dorën.

Franc Ferdinand (Franz Ferdinand, 1863-1914) pretendentit austriak i fronit;

Sofia Hotek (Sophie Chotek von Chotkowa, Dukesha Hohenberg, 1868-1914) – pasardhëse e një familjeje të njohur aristokrate çeke; më vonë grua e papranuar e Franc Ferdinandit; kishin tre fëmijë. 

*   *   *

Në kohën e Krizës aneksioniste (1908) u formua organizata paraushtarake serbe “Mbrojtja Popullore” (Narodna odbrana). Qëllimi i saj ishte që Bosnjën dhe Hercegovinën t’ia bashkëngjitë Serbisë. Organizata i dërgonte nga Serbia Bosnjës njësite çetnike për të luftuar kundër Austrisë. Gjatë luftërave ballkanike, nëpërmjet kësaj organizaterekrutoheshin vullnetarë për të luftuar në Maqedoni.     

*   *   *

            Në vitet 1904-1908, shtetet ballkanike të sapoformuara – Greqia, Serbia dhe Bullgaria, e nisën luftën për aneksimin e rajoneve të Maqedonisë dhe të pjesëve të tjera të Ballkanit, të cilat pas Kongresit të Berlinit (1878), mbetën në përbërje të Perandorisë Osmane. Në Maqedoni jetonin popuj të cilët në pikëpamje të gjuhës, të fesë dhe të përkatësisë etnike dalloheshin ndër vete, si: sllavo-maqedonas, shqiptarë, bullgarë, grekë, turq, romë, vlleh. Propaganda serbe dhe bullgare ishte e orientuar ndaj sllavo-maqedonasve të cilët në atë kohë, në pikëpamje kombëtare, ende ishin të papërcaktuar. Propaganda greke ishte e orientuar kah grekët si dhe kah sllavët e Maqedonisë së Egjeut. Tre shtetet e sipërthëna synonin të kryenin serbizimin, bullgarizimin dhe helenizimin e sllavo-maqedonasve. Pretendimet ndaj Maqedonisë, nacionalistët serbë i arsyetonin me faktin se në kohën e car Dushanit ajo ka qenë në përbërje të “Serbisë së Madhe”. 

*   *   *

Gjeografi serb Jovan Cvijiq (Jovan Cvijić, ) duke qenë i interesuar për përparimin politik të Serbisë, shpesh e humbte objektivitetin e vet shkencor. Segmente të caktuara të punës së tij shfrytëzohen si “arsyetim shkencor” i politikës serbomadhe. Ai angazhohej për zgjerimin territorial të Mbretërisë së Serbisë kah jugu, në rajonet në të cilat serbët nuk ishin popull shumicë apo në të cilat fare s’ka pasur serbë. Kjo ka të bëjë sidomos me rajonet e Maqedonisë dhe të Shqipërisë veriore. Sipas tij, për t’u zhvilluar ekonomikisht, Serbia patjetër t’i aneksojë ato.

Për ekspansionin serb, Cvijiqi shpikte “arsyetim shkencor”. Sipas tij, me vendimet e Kongresit të Berlinit, “Serbia është vend i rrethuar”, serbët ndërkaq – “popull i burgosur”. “Për t’i pavarësuar, Serbia patjetër të dalë në det” – thotë ai. Politikën e jashtme të Serbisë, Cvijiqi e orientonte kah zotërimi i bregdetit të Adriatikut, si të bregdetit kroat, ashtu edhe të bregdetit shqiptar. Në një anë pohonte se Dubrovniku është qytet ku ka serbë, në anën tjetër mbronte të drejtën e Serbisë për bregdetin shqiptar, përkundër faktit se aty nuk ka popullsi serbe. 

“… për t’u bërë ekonomikisht e pavarur, Serbia patjetër të ketë dalje në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar:qoftë me zotërimin e territoreve, qoftë duke fituar të drejta ekonomike dhe komunikacioni në atë rajon. Vërtet kemi të bëjmë me një rajon që në pikëpamje etnografike është i huaj, por medoemos të zotërohet për shkak të interesave ekonomikë tejet të rëndësishëm, pikërisht për nevoja jetike” – thotëCvijiqi.     

Në vitet 1906 dhe 1918 Cvijiqi hartoi një seri hartash me të cilat pretendimet serbe në rritje ndaj Maqedonisë janë arsyetuar duke i shpallur maqedonasit për grup etno-lingiustik të serbëve. Hartat etnografike të Cvijiqit të publikuara në vitet 1906, 1909 dhe 1913 dallohen midis tyre. Ato i kanë përcjellë nevojat e shtetit serb në lëmin e politikës së jashtme. Sipas Cvijiqit, çështja serbe duhet të zgjidhet me forcë

*   *   *

Ekspansioni territorial serb në luftërat ballkanike – Zgjerimin territorial më të madh, Mbretëria e Serbisë e arriti në vitin 1913. Në prag të luftërave ballkanike, kryeministri i Mbretërisë së  Serbisë Millovan Millovanoviq (Milovan Milovanović, 1863 – 18.06.1912) deklaron: “Ose do të bashkohet populli serb, ose i tërë Ballkani s’do të jetë tjetër përpos një varrezë e madhe”. Njihej me nofkën Ballaçko. Ka qenë jurist, diplomat, politikan. Një prej krerëve të Partisë Popullore Radikale. Në vitin 1884 diplomoi drejtësinë në Paris. Pas katër vjetëve, po në Paris mbron tezën e doktoratës. Me t’u kthyer në Beograd, ligjëron të drejtën shtetërore.

Në luftërat ballkanike shteti serb realizon zgjerime territoriale të konsiderueshme dhe vendos pushtet mbi popullata joserbe: shqiptarë, maqedonas, bullgarë, turq, boshnjakë e të tjerë. Pas luftës, Maqedonia e Vardarit, Sanxhaku dhe Kosova pushtohen, përkatësisht  aneksohen nga Mbretëria e Serbisë. Aneksimin e këtyre rajoneve, Serbia e arsyetonte duke iu referuar “të drejtave historike”. Pretendimet serbe janë mbështetur edhe me pohimet për “shkallën qytetëruese më të lartë të serbëve, ndaj shqiptarëve”. Gjatë pushtimit të Kosovës në vitin 1912, ushtria serbe ka kryer krime të mëdha ndaj shqiptarëve. Raportet flasin për ekzekutimet masive të popullsisë shqiptare, për shkatërrimet e rënda të qyteteve shqiptare, për djegien e fshatrave, për plaçkitjen e shtëpive, për therjen e njerëzve, për përdhunimin e grave dhe për mizoritë ndaj popullsisë civile. Qëllimi i krimeve ka qenë që kërkesat serbe për zgjerime territoriale të përcillen me “pastrim etnik” dhe me manipulimin statistikor para konferencës së Fuqive të Mëdha e cila do t’i përcaktojë kufijtë e ri. Gjatë tetorit dhe nëntorit të viti 1912, ushtria serbe hyri edhe në Shqipëri, duke mbërritur deri në pikën strategjike më të rëndësishme, siç është porti i Durrësit. Kryeministri i Serbisë Nikolla Pashiqi përsëriste paprerë se Serbia në asnjë mënyrë nuk duhet të heqë dorë nga porti në detin Adriatik. Pas kanosjes ultimative të Fuqive të Mëdha, Serbia u detyrua të tërhiqet nga territori i Shqipërisë, e cila nga fundi i viti 1913 ishte njohur nga ndërkombëtarët.                         

E detyruar të tërhiqet nga Shqipëria, Serbia kërkon kompensim territorial në Maqedoni. Për këtë arsye ajo ra në konflikt me Bullgarinë. Në Maqedoni, Serbia zbatonte politikën e serbizimit sistematik. Maqedonia u shpall Serbi jugore, gjuha e maqedonasve u shpall dialekt jugor serb. Në raste të caktuara, popullsisë vendore i imponoheshin edhe emra serbë. Ngjarjet e luftërave ballkanike çuan në përplasjen e ideologjisë serbomadhe me ideologjinë bullgaromadhe. Konflikti shqiptaro-serb, sa vinte e acarohej.         

*   *   *

Politika serbomadhe has në kritikën e socialdemokratit serb Dimitrije Tucoviqit (Dimitrije Tucović, 1881-1914). Është autor i librit “Serbia dhe Shqipëria: kritikë ndaj politikës pushtuese të borgjezisë serbe” (Srbija i Albanija: jedan prilog kritici zavojevačke politike srpske buržoazije). Tucoviqi ka qenë jurist, politikan, gazetar dhe publicist, udhëheqës dhe teoricien i lëvizjes socialiste në Serbi, një prej themeluesve të Partisë Socialdemokrate Serbe. E ka kritikuar ashpër politikën serbomadhe të qeverisë së Nikolla Pashiqit. Sipas Tucoviqit, fushata luftarake serbe ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë assesi nuk mund të quhet çlirimtare, por pushtuese për arsye se po kryhet kundër vullnetit të popujve të atjeshëm.

Zaptimin e Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, Tucoviqi e dënoi si pushtim imperial. Ai i kundërvihej ekspansionit territorial të Serbisë dhe angazhohej që të gjitha vendet, baras me Serbinë, të hyjnë në Federatën Ballkanike të përbashkët. Ai thotë: “Grupimi dhe reciprociteti i vendeve dhe i popujve të Ballkanit është e vetmja rrugë që shpie në çlirim ekonomik, kombëtar dhe politik”. Sipas tij, “borgjezia serbe, duke proklamuar politikën pushtuese ndaj Shqipërisë, për herë të parë nga fytyra e popullit serb e hoqi tisin e një populli të ndershëm që lufton për çlirimin e vet”. Pas masakrës ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Tucoviqi deklaroi zëshëm: “Është kryer tentim vrasjeje me paramendim ndaj një kombi të tërë. Kemi të bëjmë me vepër kriminale për të cilën duhet mbajtur përgjegjësi”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura