KULTURA E MIRËNJOHJES

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin, vjeshtë 2023

Kultura e mirënjohjes

(Mbi pjalmin e saj n’për kohë…)

1.

Washington, mot i largët.

Askush s’e kish parë t’qante ndonjëherë James Blaine, këtë politikan të rryer e kryesues i Kongresit amerikan.

As të pranishmit e asaj dite nuk do t’vërenin lotët e tij, sepse u përlotën dhe vetë e, madje, nuk përpiqeshin të fshihnin currilin e tyre.

Nuk ishin veç fjalët a toni që i përcyste, por poaq personi që i deklamonte me naltësi njerëzore. Charles Sumner, kongresist tashmë i vdekur i Massachusettsit, kje armiku më idhnak i Jugut. Dhe, papritur, Lucius Lamar që vinte pikërisht nga shteti jugor i Mississipit, në kuvendimin e paharruar, nuk hezitoi të fliste me pietet të hollë për të. Për reflektimet e tij pajtestare në fundjetë. Kongresistët u përmbytën emocionesh dhe njëri prej tyre, Kelly i Pennsylvanisë, pohonte me admirim se fjala e jashtëzakonshme e Lamarit do të bredhë si referencë okulte nga goja në gojë e nga zemra në zemër…

Kjo skenë plot dhimbje e hir, ndodhte njëj dite të denjë për kujtesë, në vitin e largët 1874, kur ndjeshmëritë negative Veri-Jug gëlonin akoma ndër shpirtërat amerikanë.

2.

Berlin,122 vjet më pas.

Kohë e vend tjetër. Por atmosferë dhe emocione të ngjashme në Reichstagun hijerëndë. Kancelari i posakurorëzuar Schröder i drejtohet përulshëm Helmut Kohlit që gatitej të linte punët e epërme të shtetit: Zotni kancelar federal, njerëzit në Gjermani kurrë nuk do të harrojnë atë që ju keni bërë për ta…

E atij, i përmalluar e prekur thellë, do t’i rridhnin lotët. Ishin xyfur si kundërshtarë në kampe zgjedhjesh, kishin këmbyer fjalë mohimi dhe kontestuar alternativat e tyre programore, por tani secili ndihej i konsideruar në statusin e vet. Schröder që vinte me elan e vizion të rinuar dhe Kohl që hynte madhërisht drejt e në legjendë.

Në fakt, nuk ishte vetëm fituesi që e pati të lehtë për t’vlerësuar të mundurin. Po këtë takt të fismë gjentilence do t’a përshfaqte dhe i mposhturi prej tij. E kisha menduar provincial, theksonte Helmut Schmidt për Kohlin që do t’pushtetonte menjëherë pas tij, mirëpo tash, në aktin e bashkimit gjerman, shoh mjeshtrinë e tij prej një burrështeti të madh.

3.

Një yrt i vogël e i praruar nga fletnajë vjeshte, tash vonë, viti 2016, diku në jug të Gadishullit ilirik.

Në një tavolinë të thjeshtë pret, jo pa ankthin e dëshirimit, patriarku i letrave shqipe, Kadare. Pas pak, shoqëruar nga e shoqja, ecën ngadalë e me flokët e gjatë që i shpupuriste era, ardhësi i rrallë.

Ishte poeti kombëtar Dritëro Agolli. Të çmoj mbi veten, i thotë ai gati me intonim testamenti, mikut të penës q’e priste, teksa lamtumirej në mbarim t’këtij takimi në muzgun e jetës.

4.

Këto fragmente vezullie do të trokisnin si pikëza shiu në dritare mendimi, për të parathënë diç, një kumt, një shpresë…A mund t’a imagjinojmë, ndaj, me sytë e së ardhmes, një të tillë etikë njerëzore, mësimnxënje politike apo vetëmohim atdhetar në një kohë të dytë arbnore?

Europa e re e filozofisë libertare posa është ngjizur dhe, pra, krejt e natyrshme të ngjajë e turbullt në horizont. Veçse, po përceptuam këtë si të vërtetë, aherë ç’do t’i bënim pyetjes që rrëzon lehtësisht komoditetin ngushëllues të përgjigjes: a s’dëshmuan kulturën e mirënjohjes amerikanët tepër herët, një shekull e ca përpara në vorbën ende të tymtë të luftës civile?

Vështirë, që këtej, të jetë i pritshëm trollëzimi i kësaj qytetnie, sepse, kushedi, ndoshta është vetë Dhéu, tradita e errtë robnore a rrezja e faktorit otoman që frenon atë.

Megjithatë, një shkëndijë do fekste shkurt si xixëllonjë në terrin e deshpërimit. Ishte Agolli, mbrothësia e tij, që shqiptoi fjalët historike…E tash na vjen si shenjë besimi se ai s’ka zbritur i vetmuar e për pak kohë nga qielli, me një mision të bukur por, ende, të paarritshëm për të tjerë..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura