Nga Prof. Dr. Sabit Syla
-26-
Informacion mbi Kosovën dhe Metohinë
Historikisht është provuar se popullsia shqiptare që banon në Kosovë e në Metohi është autoktone dhe se ajo është vendosur atje shumë kohë përpara se sa të vinin sllavët në Ballkan. Por, me gjithë këtë, përfaqësues të tendencave shoviniste serbe si përpara ashtu edhe në ditët e sotme, përpiqen të mbrojnë tezën se gjoja popullsia shqiptare e këtyre viseve është vendosur aty si mysafire pas ardhjes së sllavëve. Kjo tezë e gabuar filloi më tepër të përhapet gjatë shekullit XIX, atëherë kur u krijuan shtetet nacionale të Serbisë, Greqisë dhe të Bullgarisë, dhe kur tek sundimtarët serbë u duk tendenca që të zmadhonin sa më tepër territorin e tyre në kurriz të viseve shqiptare të Kosovës e të Metohisë.
Për copëtimin dhe ndarjen e Shqipërisë janë interesuar edhe grekët. Më 1867, në qytetin Moedling afër Vjenës, u përfundua midis Serbisë dhe Greqisë një marrëveshje për copëtimin e Shqipërisë. Konferenca e Berlinit, më 1878, dhe më vonë Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, shërbyen si akte zyrtare ndërkombëtare për shkëputjen padrejtësisht të Kosovës e të Metohisë nga Shqipëria dhe aneksimin e tyre Serbisë. Popullsia shqiptare e Kosovës dhe e Metohisë i ka kundërshtuar me luftë këto vendime të të huajve për shkëputjen nga Shqipëria dhe aneksimin me Serbinë.
Por, për ekzistencën e një shumice dërmuese të popullsisë shqiptare mbi atë sllave në Kosovë e Metohi, nuk kanë mundur të flasin ndryshe as statistikat e vet organeve qeveritare greke e jugosllave, me gjithë falsifikimet e bëra prej tyre. Në fakt edhe sot e kësaj dite popullsia e këtyre viseve vazhdon të jetë në shumicën më të madhe shqiptare. Sipas statistikave jugosllave të vitit 1961, nga 963 988 banorë që kishte gjithsej në Kosovë e Metohi, 646 631 vetë janë shqiptarë. Me qëllim që të sllavizohen këto krahina, që prej shekullit të kaluar e gjerë në ditët tona, kundrejt popullsisë shqiptare ushtrohet me forcë një politikë shkombëtarizuese dhe shfarosëse. Paralele me këtë bëhet kolonizimi i vendit më elementë sllavë që sillen nga thellësia e territorit jugosllav. Në lidhje me këtë politikë, në librin me titull: “Kolonizimi i Serbisë Qendrore”, botuar në Sarajevë, më 1968, G. Krstiq, komisar i reformës agrare, midis të tjerash ka shkruar: “Në fund të vitit 1927 elementi nacional sllav në krahinën e Kosovës (distrikti i Prishtinës) ka mundur të rritet nga 24% që ishte më 1919, në vetëm 37% të popullsisë totale”.
Për shkombëtarizimin e Kosovës e të Metohisë nga elementi autokton shqiptar, borgjezia e vjetër serbe dhe revizionistët e sotëm jugosllavë ndjekin dy rrugë kryesore: 1) atë të emigrimit në masë të popullsisë shqiptare jashtë Jugosllavisë; dhe 2) të shpërnguljes së elementit shqiptar nga krahinat e Kosovës për në viset e tjera të Jugosllavisë, ku me kalimin e kohës mundohet që ata të asimilohen me elementin sllav.
Qeveria jugosllave përfundoi më 1926, një marrëveshje me Turqinë për riatdhesimin e popullsisë turke nga Jugosllavia. Por, në fakt disa pozita të kësaj marrëveshjeje u shfrytëzuan për të përzënë popullsinë shqiptare nga Kosova për në Turqi, duke e konsideruar atë si turke, vetëm për faktin e pasjes së fesë myslimane. Sipas shtypit turk nga Jugosllavia për në Turqi në bazë të kësaj marrëveshjeje duhet të emigronin 300-400 000 vetë. Sipas një llogaritjeje të bërë nga Legata shqiptare në Ankara, në vitin 1928, në Turqi gjendeshin 27-30 000 familje shqiptare të shpërngulura nga Kosova, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913. Më 1938 u nënshkrua një tjetër marrëveshje midis Jugosllavisë dhe Turqisë, në bazë së cilës parashikohej riatdhesimi i 250 000 vetëve, të ashtuquajtur turq. Shpërngulja e tretë e madhe e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi u bë pas vitit 1948, sidomos duke filluar nga vitet 1951-1952. Për të nxitur këtë emigrim, organet jugosllave krijuan kushte shumë të rënda jetese për popullsinë shqiptare, me qëllim që si të vetmen alternativë shpëtimi ata të zgjedhnin largimin nga vendlindja. Paralele me këtë, organet jugosllave kanë krijuar kushte favorizuese e lehtësuese për kryerjen e formaliteteve të nevojshme për t’u shpërngulur nga kosovarët për në Turqi.
Gjendja e mjerueshme ekonomike e detyruan shqiptarin kosovar të largohet nga vatra e tij për të gjetur punë në krahina të ndryshme më të zhvilluara dhe më të pasura të Jugosllavisë. Në qytete të ndryshme të Jugosllavisë, si: Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë etj., gjen shqiptarë të cilët në përgjithësi merren me punë të rënda krahu, si: hamej, druvar, qymyrxhi, fshesaxhinj etj., porse një pjesë e tyre nuk janë instaluar definitivisht në këto qendra, sepse, familjet i kanë lënë në Kosovë. Kohët e fundit ka filluar një proces tjetër: nga shqiptarët kosovarë që mbarojnë studimet në republikat e ndryshme të Jugosllavisë një pjesë nuk kthehet më në Kosovë, por martohen e krijojnë familje në qytetet e mëdha për mos t’u kthyer më në botën dhe prapambetjen e vendlindjes. Megjithëse në regjistrimet e popullsisë në Jugosllavi bëhen mashtrime, duke i konsideruar një pjesë të shqiptarëve si turq, vetëm për faktin e pasjes së fesë myslimane etj., prapë se prapë edhe nga këto regjistra mund të nxirren disa konkluzione e për më tepër të demaskohen lodrat e ndryshme që bëjnë organet jugosllave kundrejt popullsisë shqiptare.
Në bazë të regjistrimit të fundit të bërë në Jugosllavi, në vitin 1961, shpërndarjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi dhe përbërjen e popullsisë në Kosovë e Metohi, paraqitet sa vijon:
Tabela nr. 1. Shpërndarja e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, më 1961
Gjithsej shqiptarë | 914 760 vetë | ||
Në Kosovë, gjenden | 646 631 | Vetë ose | 70.69% |
Në Maqedoni | 183 108 | Vetë ose | 20.02% |
Në Mal të Zi | 25 803 | Vetë ose | 2.82% |
Në Serbi pa përfshirë Kosovën | 51 173 | Vetë ose | 5.60% |
Në Bosnjë-Hercegovinë | 3 642 | Vetë ose | 0.40% |
Në Kroaci | 2 124 | Vetë ose | 0,23% |
Në Slloveni | 282 | Vetë ose | 0.03% |
Në Vojvodinë | 1 195 | Vetë ose | 0.13% |
Tabela nr. 2. Përbërja e popullsisë në Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë, më 1961
Gjithsej në Kosovë banojnë | 963 988 | Dhe nga këta | ||
1. Shqiptarë | 646 631 | Vetë ose | 67.03% | E popullsisë |
2. Serbë | 227 016 | Vetë ose | 23.54% | E popullsisë |
3. Malazezë | 37 582 | Vetë ose | 3.89% | E popullsisë |
4. Turq | 25 764 | Vetë ose | 2.67% | E popullsisë |
5. Kroatë | 7 251 | Vetë ose | 0.75% | E popullsisë |
6. Maqedonas | 1 143 | Vetë ose | 0.12% | E popullsisë |
7. Sllovenë | 510 | Vetë ose | 0.5% | E popullsisë |
8.Tëndryshme |
Shënojmë se në tabelën nr.1 nuk pasqyrohet shpërngulja e asaj popullsie shqiptare në republikat e ndryshme të Jugosllavisë që ka shkuar atje për të punuar provizorisht, sepse ata duke lënë familjet e tyre në Kosovë, vazhdojnë të mbeten të regjistruar gjithmonë si banorë të Kosovës. Po t’i bëhet një studim i thellë statistikave zyrtare të botuar në Jugosllavi, mund të nxirren të dhëna interesante që demaskojnë makinacionet dhe falsifikimet e ndryshme që bëjnë autoritetet jugosllave me paraqitjen e numrit të popullsisë shqiptare, me qëllim që të fshehin shpërnguljet e mëdha të kësaj popullsie. Në fakt edhe ashtu janë këto statistika zyrtare, tregojnë shumë gjëra. Për shembull: në tre regjistrimet e bëra pas çlirimit në Jugosllavi, numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare paraqitet sa vijon:
Më 1948 | Shqiptarë | në | Jugosllavi | 750 431 |
Më 1953 | Shqiptarë | Në | Jugosllavi | 754 345 |
Më 1961 | Shqiptarë | në | Jugosllavi | 914 760 |
Nga të dhënat e mësipërme del se gjatë pesë viteve, 1948-1953, në numrin e popullsisë shqiptare kemi një shtesë vetëm prej 3 814 vetë, kurse gjatë periudhës 8-vjeçare, 1953-1961, kemi një shtesë prej 160 513 vetë. Po në bazë të statistikave jugosllave zyrtare jepen për gjithë këtë periudhë edhe rritja natyrale e popullsisë së Jugosllavisë të ndarë sipas republikave, dhe veçantë për Kosovën e Metohisë. Tani, në rast se marrim për bazë të dhënat vjetore zyrtare për rritjen natyrale të popullsisë së Kosovës e të Metohisë për periudhën 1948-1953, dhe ta aplikojmë këtë për tërë popullsinë shqiptare në Jugosllavi, del se gjatë kësaj periudhe në popullsinë shqiptare duhet të kishim një rritje natyrale prej 93 965 vetash. D.m.th. se, më 1953, në Jugosllavi duhet të kishte gjithsej 846 396 vetë. Meqenëse sipas statistikave jugosllave, më 1953, në Jugosllavi ka gjithsej vetëm 754 343 shqiptarë, atëherë mund të bëhet pyetja se ç’u bënë me 92 051 shqiptarë. Përgjigjja është e thjeshtë dhe e tregojnë vetë faktet e jetës, pjesërisht ata kanë shkuar për në Turqi dhe pjesërisht janë të nderojnë me forcë kombësinë e tyre nga shqiptarë në turq. Një fakt tjetër që hedh dritë në këtë çështje është edhe ky: në bazë të statistikave të vitit 1948, gjithsej në Jugosllavi kishte 97 954 veta me kombësi turke, ndërsa sipas statistikave të vitit 1953, numri i përgjithshëm i turqve arrin në 259 535 vetë, ose, me një shtesë prej 161 381 vetë, gjë që nuk është e mundur të jetë si shtim natyral i kësaj popullsie.
Gjendja ekonomike, kulturore, shëndetësore dhe sociale e Krahinës së Kosovës e të Metohisë, është nga të gjitha pikëpamjet më të ulët se sa në territoret e tjera të Jugosllavisë. Me gjithë falsifikimet që mund të jenë bërë, kjo pasqyrë del edhe nga vetë vjetoret statistikore jugosllave. Si popullsi dhe si sipërfaqe, Krahina e Kosovës dhe e Metohisë është afërsisht sa gjysma e Krahinës Autonome të Vojvodinës. Kosova, më 1961, ka një popullsi prej 963 988 banorë dhe një sipërfaqe prej 10.887 km2, kurse Vojvodina ka një popullsi prej 1 854 965 vetë dhe një sipërfaqe prej 21.506 km2. Por, siç do shihet më poshtë, diferenca në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe të gjendjes shoqërore, arsimore e kulturore është shumë më e madhe: 1) Më 1961 prodhimi shoqëror në Kosovë e Metohi arrinte në 58 856 milionë dinarë, kurse në Vojvodinë në 345 381 milionë dinarë. 2) Më 1961, në Kosovë e Metohi kishte gjithsej 430 ndërmarrje ekonomike në sektorin shoqëror, ndërsa në Vojvodinë 2 528 ndërmarrje të tilla. 3) Më 1962 në Kosovë janë përdorur 43 423 tonë plehra kimike, ndërsa në Vojvodinë 527 209 tonë. 4) Më 1961, në Kosovë janë investuar për ndërtime 46 milionë dinarë, ndërsa në Vojvodinë 875 milionë dinarë. 5) Më 1961, në sektorin e tregtisë në Kosovë ka pasur gjithsej 1 460 shitës me pakicë, ndërsa në Vojvodinë 5 683. 6) Më 1961, në Kosovë e Metohi kishte të siguruar në sigurimet shoqërore për çështje shëndetësore gjithsej 89 166 persona, ndërsa në Vojvodinë 420 188 vetë. 7) Në vitin shkollor 1961-1962, kanë mbaruar shkollën fillore në Kosovë e Metohi 6 394 nxënës, kurse në Vojvodinë 22 755 nxënës, ndërsa në arsim të lartë në Kosovë e Metohi janë diplomuar 201 vetë, në Vojvodinë 1 003 vetë. Veç kësaj, duhet të kemi parasysh se të çfarë kombësie i takojnë këta 201 persona në Kosovë. S’ka dyshim se pjesa më e madhe e tyre janë sllavë. 8) Më 1961, në Kosovë kishte 6 biblioteka shkencore, ndërsa në Vojvodinë 34 të tilla. 9) Më 1961 në Kosovë kishte 3 muzeume, ndërsa në Vojvodinë 23. 10) Në vitin 1961-1962, në Kosovë kishte një teatër profesional, ndërsa në Vojvodinë 5. 11) Më 1962, në Kosovë kishte 40 kinema, kurse në Vojvodinë 297 kinema. 12) Në Kosovë, më 1962 pati 3 gazeta e revista periodike me një tirazh të përgjithshëm 1 919 000, ndërsa në Vojvodinë pati 106 gazeta me një tirazh të përgjithshëm 27 366 000. 13) Më 1961 në Kosovë pati gjithsej 7 spitale me 1 416 shtretër dhe 91 doktorë, ndërsa në Vojvodinë pati 23 spitale me 8 958 shtretër dhe 429 doktorë. Numri i të sëmurëve të vizituar brenda një dite tek një doktor në Kosovë, gjatë vitit 1961, është më i madh se në çdo vend tjetër të Jugosllavisë dhe arrin në 23 vota, kurse mesatarja për tërë Jugosllavinë është në 14 veta. Në Kosovë, më 1961 pati 6 dispanseri antituberkulare, kurse në Vojvodinë 30 të tilla. Dispanseri për fëmijë në Kosovë pati 6, kurse në Vojvodinë 42. Në këtë kohë, në Kosovë kishte 25 farmaci, ndërsa në Vojvodinë 192 të tilla. 14) Është interesat se sa i përket gjyqeve, këtu vërehet raporti proporcional i popullsisë, kështu që në Kosovë ka 21 gjyqe, ndërsa në Vojvodinë 46. Megjithëse shumica dërmuese e popullsisë në Kosovë e Metohi vazhdon të jetë me element shqiptar, pjesëmarrja e shqiptarëve në organet e pushtetit lokal është shumomë e vogël se sa ajo e elementit sllav.
Edhe në arsim bëhet një diskriminim i madh karshi popullsisë shqiptare. Fëmijët shqiptarë mund të kryejnë me vështirësi në gjuhën amtare vetëm disa klasë të shkollës fillore, ndërsa më tutje ata janë të detyruar t’i vazhdojnë vetëm në shkollat me gjithë sllavë. Shumë të drejta, edhe nga ato më elementare e mohojnë popullsinë shqiptare që banon në Jugosllavi. Popullsia shqiptare vazhdon t’u rezistojë me këmbëngulje këtyre masave diskriminuese. Si rezultat i kësaj, herë pas herë janë organizuar programe nga ana e organeve zyrtare. Udhëheqja jugosllave përpiqet shumë që popullsinë shqiptare të Kosovës ta ndërsejë kundër mëmës Shqipëri, por në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë herë rezultate, veçse të korruptojë disa elemente të degjeneruar.
Përse i përket qëndrimit që duhet të mbajmë ne lidhur me popullsinë shqiptare që banon në Jugosllavi, Partia jonë e ka bërë gjithmonë të qartë si gjatë luftës nacionalçlirimtare, ashtu edhe pas çlirimit. Në raportin që dha në Kongresin IV të PPSH-së, shoku Enver Hoxha, lidhur me këtë çështje ka thënë: “Tragjedia e popullsisë shqiptare që jeton në Jugosllavi është e njohur nga të gjithë. Partia jonë ka ngritur dhe do të ngrejë zërin e saj kundër ndjekjeve, shpërnguljeve në Turqi dhe kundër gjithë politikës shoviniste shfarosëse, që ndiqet në Jugosllavi kundër vëllezërve tanë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, dhe Rrafshit së Dukagjinit. Partia jonë këtë e bën si një detyrë të lartë humanitare duke u nisur nga pozita marksiste-leniniste. Ajo do ta bëjë këtë përderisa popullsisë shqiptare prej 1 milion frymësh, t’i sigurohen në Jugosllavi të drejtat e plota që i përkasin si pakicë kombëtare, në bazë të parimeve dhe të së drejtës ndërkombëtare”.
Jovan Andoni
-27-
Republika Popullore e Shqipërisë Tepër sekret
Ministria e Punëve të Brendshme Tiranë, më 7/II/964
Drejtoria e Parë
Nr. 0Z/6-11
Relacion përmbledhës mbi vazhdimin e politikes shoviniste të Qeverisë jugosllave, për shkombëtarizimin e asimilimin e shqiptarëve të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi
Dihet se Qeveria jugosllave, me qëllim shkombëtarizimi e asimilimi të popullsisë shqiptare në Kosovë e vise të tjera në Jugosllavi, që pas luftës e deri në vitin 1965, pati përdorur forma e metoda të ndryshme, nga krimet më të shëmtuara e deri në shpërnguljen e një numri të madh shqiptaresh për në Turqi e vende të tjera, veprime këto që, Partia e Qeveria jonë i demaskoi me kohë dhe deri në njëfarë mase u preu hovin.
Nga ndjekja dhe studimi i të dhënave që kemi disponuar në këtë drejtim, del qartë dhe vërtetohet plotësisht, se jugosllavët kanë vepruar e veprojnë në mënyrë sistematike, dhe vitet e fundit, sidomos gjatë vitit 1963, kanë shtuar në mënyrë të theksuar aktivitetin e tyre. Vlen të theksohet se, ndryshe nga veprimtaria e mëparshme, e cila zhvillohej në mënyrën më vulgare, demaskonte para botës bandë titiste, dhe se me ato forma nuk do të ishte e mundur që t’ia arrish qëllimit, tani veprojnë në bazë të një plani e afati të caktuar, duke përdorur forma e metoda shumë të rafinuara, me anën e të cilave kanë mundur të arrijnë disa rezultate, të cilat sa vijnë e shtohen dhe po bëhen shumë të rrezikshme për popullin e krahinat shqiptare në atë vend. Megjithëse qëllimi dihet, por duke marrë parasysh fjalët e veprimtarinë e personaliteteve qeveritare që prej Rankoviqit, Kardelit, Bllazho Jovanoviqit, Dushan Mugoshës e tjerë, nënkuptohet se jugosllavët parashikojnë qe brenda 10-20 viteve, të arrijnë që Kosova e Rrafshi i Dukagjinit të popullohen me më tepër se 50% sllavë dhe në këtë mënyrë, t’i përjetësojnë këto krahina shqiptare, duke e bërë fakt të kryer. Kështu, profesori Koraç, në shtator 1963, u thoshte studentëve shqiptarë të albanologjisë në Prishtinë, “Kosova është nja nga zonat më të begatshme të Evropës. Është detyrë jetike e gjeneratës tonë të sigurojnë Kosovën për jetë e mot, si pjesë të pandashme të Jugosllavisë, ndërsa gjeneratës së ardhshme i mbetet ta shfrytëzojë këtë xhevahir të ekonomisë sonë”. Po në ketë mënyrë shprehen dhe shumë të tjerë. Çështjet që do të përmendin shkurtimisht më poshtë vërtetojnë qëllimin e vërtetë të tyre.
I. Shpronësomi i fshatrave shqiptare me anën e “kooperativave” fermave bujqësore, caktimin e zonave të gjuetisë dhe për mbjellje bimësh industriale
Aktualisht, shpronësimi është forma kryesore që përdoret gjerësisht e në mënyrë sistematike për shkombëtarizimin e asimilimin e krahinave shqiptare në Jugosllavi. Gjatë vitit 1963, sidomos kjo formë ka marrë proporcione të gjera. Detyra të posaçme lidhur me këtë, u janë ngarkuar të ashtuquajturave “kooperativa” bujqësore, të cilat në koordinim veprimesh me fermat shtetërore, po shpronësojnë fshatarët shqiptarë, sipas një plani të filluar që prej vitit 1955-1956.
“Kooperativat”, janë krijuar nga shteti pas vitit 1950, janë në dorë të shtetit dhe shumica e nëpunëseve janë sllavë. Këto nuk disponojnë veçse një fond të kufizuar tokash, por ishin të pajisur me mjete të mekanizuara, pleh kimik, farë, agronome etj., dhe merreshin me punimin e tokave individuale sipas planit të shtetit. Në fazën fillestare të veprimtarisë së tyre shpronësuese, më 1955-1965, me qëllim që të lenë fshatarët shqiptarë pa kafshë pune, Qeveria jugosllave hodhi parullën e domosdoshmërisë së punimit të tokave me mjete të mekanizuara e “moderne”. Paralelisht, me mënyra të ndryshme, grumbullonin mishin, nxisnin e favorizonin shitjen ose therjen e qeve. Në këtë periudhë u shfaros një pjesë e konsiderueshme kafshësh pune. Pasi në këtë drejtim u arritën disa rezultate, duke avancuar më tej sipas planit të caktuar, nga viti 1958 “kooperativat”, filluan të shtien në dorë e të punojnë tokat e lëna djerrë nga fshatarët për mungesë kafshësh pune, të cilat siç do të flasim më poshtë, i kalonin në administrimin e fermave shtetërore që në atë kohë merreshin me punimin e tokave kodrinore.
Nga viti 1960 e këtej, titistët zhvilluan dhe vazhdojnë të zhvillojnë një propagandë të madhe për shtimin e prodhimeve dhe “përmirësimin” e konditave materiale të shqiptarëve, duke i paraqitur “kooperativat” si “ndihmë” dhe “fakt” të kujdesit që tregon Qeveria jugosllave në këtë drejtim. Paralel kësaj, “kooperativat” filluan të intensifikojnë e të shtrijnë veprimtarinë e tyre shpronësuese ndaj fshatarëve shqiptarë në të gjithë Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Në fillim duke propaganduar që shqiptarët të lidhin kontratë kundrejt pagesë për të punuar tokat me mjete të mekanizuara, “specialistët” dhe farën e “kooperativës”. Por, pasi gjetën rezistencë, nën pretekstin se duhet ndërtuar “socializmi” të shtohet prodhimi etj., vunë konditë të domosdoshme dhe imponuan fshatarët që nga ana tjetër të grumbullonin prodhimin me një çmim të ulët që fshatari të mos jetë në gjendje t’i shlyej detyrimet ndaj “kooperativës” në të gjitha prodhimet etj. Kështu, një familje duhet t’i paguajë “kooperativës” për një hektarë tokë 38 000 dinarë, nga të cilat 7-8 000 dinarë për plugim, 5 000 për lesim, 4 000 për pleh kimik, për farë të “zgjedhur” 14 000 dinarë, tatim shtetëror 7 000 dinarë. Kësaj shume duhet t’i shtohen tatimet për “kooperativën” e shtetin, 1 000 dinarë për banesën, 700 dinarë për çdo lopë, për qengjin, qenin, pulat, karrocën, pendën e qeve, kalin, deri tek ujët e pusit.
Duke i ngarkuar me tatime e taksa të shumta e duke i lënë pa kafshë pune, në shumicën e rasteve fshatarët jo vetëm qe s’kanë mundësi të punojnë tokën, por, as të shlyejnë detyrimet. Në rastin e parë, kur fshatari nuk lidhë kontratë me “kooperativën” për të punuar tokën, “kooperativa” ja merr atë me detyrim, e punon vetë, duke e përvetësuar të gjithë prodhimin. Në rastin e dytë, kur fshatari nuk shlyen detyrimet, gjë që ndodhë shpesh “kooperativa” ja sekuestron tokën dhe e shet me një çmim fare të ulët. Zakonisht, në kondita e krijuara, blerësit e vetëm të tokave janë bërë fermat shtetërore. Po ka raste e sidomos në vitin 1962-1963, edhe vetë “kooperativat”, kanë mbajtur e po mbajnë, toka, bile shumë të konsiderueshme.
Me parullën demagogjike për të punuar tokat e lëna djerrë, merat e përbashkëta të fshatarëve dhe tokat kodrinore: që pas lufte, jugosllavët krijuan edhe fermat shtetërore, të cilat në fillim u ngritën me pretekste të ndryshme për të punuar tokat e “varfra” “kodrinore” në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Maqedoninë etj., ku kish shqiptarë dhe filluan të punonin e të mbillnin në ato vende. Më vonë, sidomos pas shpërnguljes me forcë të shqiptarëve për në Turqi e në thellësi të Jugosllavisë, tokat e të cilëve u morën në përgjithësi pa shpërblim nga fermat, e sidomos, duke blerë tokat e sekuestruara nga “kooperativat”, ata u shtrinë në fushat e ndryshme të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e viseve shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Në këtë mënyrë, jo vetëm që “kooperativat” dhe fermat u zgjeruan, por, ato u shtuan si numër në të gjitha vendet e sipërmenduara, duke futur nën patronazhin e tyre toka të gjera. Për shembull “kooperativa” e Prizrenit, gjatë vitit 1963, ka marrë toka prej katundit Gjonaj të Hasit, gjatë bregut të Drinit të Bardhë, e deri ne afërsi të Pejës. Dy “kooperativat” me qendër në Vrellë e Gjurakovc të Istogut, së bashku me një fermë, kanë shpronësuar pothuajse të gjitha tokat e këtij rrethi etj.
Në bashkëpunimin me “kooperativat”, veprojnë në të njëjtën kohë fermat shtetërore. Kështu, gjatë vitit 1963, ferma “Progres” e Prizrenit, ka marrë të gjitha tokat kodrinore e një pjesë fushore të 7-8 katundeve të këtij rrethi. Ferma “Ereniku” e Gjakovës, shtoi tokat e veta deri në kufi me Pejën. Ferma “Dubrova” e Istogut, ka kufirin e tokave deri në Drinin e Bardhë afër Pejës, në rrethin e Drenicës. Ferma të tilla, ka në Podujevë, Vuçitërnë e gjetkë. Duke zbatuar urdhrin e Kardelit, që dha në pranverën e vitit 1963, kur ishte në Pejë e Gjakovë, që fushat e Pejës të mbillen krejtësisht me panxharsheqer “kooperativat” shpronësuan një numër fshatrash në këtë zonë dhe vazhdojnë të shpronësojnë të tjera. Ndërsa, fshatrat e shpronësuar të këtyre tokave e të tjera, duke refuzuar në pjesën e tyre më të madhe të shpërnguljes, janë shndërruar në punëtorë të “kooperativës” apo fermës, kanë marrë toka të këqija kodrinore, ose me kafshët e tyre mbajnë lëndë druri apo gurë për ndërtim rrugësh e banesash. Një pjesë kanë shkuar nëpër qytetet dhe janë shndërruar në punëtorë krahu.
Për shpronësimin e viseve shqiptare, jugosllavët po aplikojnë një formë tjetër për zbrazjen e plotë dhe të menjëhershme të tyre. Që prej vitesh, ata kishin zhvilluar gradualisht të merrnin një sërë masash kundrejt fshatarëve të krahinës së Rugovës, të vetmet burime ekonomike të të cilëve janë të ardhurat nga blegtoria e pyjet. Në fillim u ndalua në fidanishte pyjore. Në këtë mënyrë fshatarët u detyruan të pakësojnë gjënë e gjallë. Pastaj u ndalua kategorikisht prerja e drunjëve, gjë kjo që u hoqi atyre dhe burimin tjetër pas blegtorisë. Më së fundi, pas vizitës që bëri në këtë krahinë Rankoviqi e Bllazho Jovanoviqit, në pranverën e vitit 1962, ata dhanë urdhër që i gjithë territori i Rugovës, të shpallet “park federativ gjuetie”. Në këtë mënyrë filluan masat e presionit e të frikësimit kundrejt rugovasve, të shoqëruara me një fushatë propagandistike nxitëse për t’u shpërngulur në viset e tjera të Jugosllavisë. Duke iu bërë jeta e padurueshme, shumë shqiptarë rugovas janë detyruara të shpërngulën. Nga sa dihet deri më tani, prej trembëdhjetë katundeve të këtij rrethi janë larguar më se 50 familje. Ata që kanë mbetur janë detyruar t’ju përballojnë taksave të renda të pushtetit jugosllav e persekutimeve të organeve të UDB-së.
Për të mbuluar të gjithë veprimtarinë e sipërme vlen të theksohet se kohët e fundit që nga Kardeli dhe krerë të tjerë titistë, flasin shpeshherë bëjnë zhurmë në këtë drejtim se “forma e kooperativës dhe e fermave që po aplikohet së pari në Kosovë, bëhet për eksperimentimin mbi ndërtimin e socializmit në Jugosllavi, për të parë rezultatet që do të japë ajo në Kosovë”, nënkuptohet se kjo është vetëm për të mbuluar qëllimin. Jo vetëm fshatarët, por edhe artizanet shqiptare në qytete, ju nënshtrohen taksave, tatimeve e presioneve të tjera ekonomike, me qëllim që edhe këta të shpronësohen. Sipas ligjit të ashtuquajtur të “vetadministrimit”, një komision njerëzish të privilegjuar të artizanatit, së bashku me nëpunësit shtetërorë caktojnë taksat e zejtarëve, të cilat nuk janë kurrë stabilë e vinë duke u shtuar në të gjithën. Veç kësaj artizanet, duke u konkurruar nga punishtet shtetërore, vinë duke u shkatërruar.
Si rezultatet i shpronësimeve të bëra në fshatra dhe qytete, masa e të papunëve shqiptarë vjen duke u shtuar dhe aktualisht, siç del nga të dhënat tona në më shumë se 80 000 vetë, të cilat enden nëpër qytetet, duke kërkuar të bëjnë punë më të rënda kundrejt një pagese minimale. Krerët titistë u bëjnë thirrje atyre që të shkojnë në krahinat e tjera jugosllave, ku do të gjënë kondita dhe pagesë më të mirë. Ndërkohë, në Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit, me pretekste të ndryshme sillen elementet sllave, si “përgjegjësia”, “teknike”, e “specialiste” duke iu paguar 50% më tepër të rrogës që kanë pasur në vendin e mëparshëm. Kështu, inkurajimi bëhet i dyfish, si për shqiptarët që largohen nëpër vendet e tjera të Jugosllavisë, ashtu edhe sllavëve për të ardhur dhe instaluar në viset shqiptare. Qëllimi këtu është fare i qartë.
- Vazhdimi i politikës shfarosëse me anën e vrasjeve, burgosjeve torturave e nxitjes së vëllavrasjeve
Për ta bërë jetën e shqiptarëve me të padurueshme, i detyrojnë të largohen nga vendlindja, jugosllavët vazhdojnë si më parë shfarosjen fizike të tyre. Akuzat që ju bëjnë shqiptarëve, në vitet e fundit, janë përdorimi i akuzave të vjetra, të cilat për një kohë ishin pezulluar dhe me mënyra të ndryshe filluan t’i vënë përsëri në jetë: “vrasje sllavesh”, “ballistë”, “bashkëpunimin me fashizmin para vitit 1944”, ”irredentiste”, “lidhej me Shqipërinë”, “tentativë arratisje”, krijim kombinacionesh me provokatorë etj., të cilat në situata të favorshme i shfrytëzojnë në stil të gjerë. Me anën e këtyre motiveve të cilat përdoren në të gjitha viset e banuara nga shqiptarët, Qeveria jugosllave ka kryer një numër arrestimesh dhe vrasjesh të patriotëve të pafajshëm. Faktet në këto drejtime janë të shumta, vetëm gjatë vizitës së Brezhnjevit dhe Hrushovit në Jugosllavi, arrestuan mbi 165 shqiptarë në Prishtinë, 40 në Gjakovë dhe një numër mjaft të madh në Pejë, Shkup, Gostivar e vende të tjera. Vetëm gjatë vitit 1963 në rrethin e Prishtinës, Pejës, Gjakovës e tjerë, arrestuan më shumë se 300 persona, shumica e të cilëve i përkasin inteligjencës, rinisë dhe personave që dyshoheshin për aktivitet patriotik. Ndërsa, duke shfrytëzuar rastin e tërmetit në Shkup, në mes të ditës qëlluan e vranë mbi 15 shqiptarë. Arrestime e dëbime kryejnë dhe kundrejt fshatarëve që rezistojnë t’u lëshojnë tokat “kooperativave”. Pavarësisht nga çarmatimi që i bënë në vitin 1956, nën pretekstin e dorëzimit të armëve ku kryen krimet më të shëmtuara, në vitet e fundit në të gjithë viset shqiptare përdorin përsëri akuzën për “mbajtje armesh” dhe kryejnë arrestime dhe tortura të shumta.
Një nga format më të djallëzuara që kanë vënë në jetë vitet e fundit dhe që sa vjen po e shtojnë, është nxitja e vëllavrasjes midis shqiptarëve, duke i nxitur jo vetëm gjaqet e vjetra, por me kombinacione të ndryshme krijojnë gjaqe të reja. Për zgjerimin e tyre, oficerët e UDB-së me anën e agjenturës, organizojnë rrëmbime dhe çnderime vajzash e grash kosovare dhe pastaj i shtyjnë të vriten, ndërsa ligjet me qëllim inkurajimi parashikojnë dënime të lehta. Për të maskuar nxitjen e vëllavrasjes, prej kohësh kanë organizuar nëpër katunde “komisione pajtimi” të cilat në vend që të kryejnë “misionin”, bëjnë të kundërtën. Qëllimisht këto “komisione” marrin vendime që nxisnin vëllavrasjet dhe shpeshherë me pretekstin për të evituar vrasjet, mbyllin për një kohë te gjatë familje të tëra në shtëpitë e tyre, në mënyrën që t’u bëhet jeta e padurueshme dhe si rrjedhim të detyrohen të vrasin njeri-tjetrin ose të shpërngulen. Nga të gjitha veprimet kriminale që përshkruam më sipër, vihet re se popullsisë shqiptare i bëhet jeta e padurueshme dhe si rrjedhim, mjaft shqiptarë që humbasin durimin, detyrohen të largohen nga trualli i tyre për në Turqi, ose thellësi të Jugosllavisë.
III. Pakësimi i shkollave shqipe
Krahas formave të tjera shkombëtarizuese, një rendësi e veçantë i është kushtuar dhe i kushtohet lënies në prapambetje arsimore e kulturore të viseve shqiptare në Jugosllavi, gjë e cila duket nga fakti se 40% e popullsisë ose 406 000 shqiptarë prej moshës 7 deri me 40 vjeç, janë analfabetë. Kjo përqindje mund të ishte më e madhe, por jugosllavët të detyruar nga demaskimi i Partisë dhe Qeverisë sonë dhe rezistenca e popullit kosovar, filluan të manovrojnë për mashtrimin e shqiptarëve e të botës së jashtme, duke hapur disa shkolla dhe një fakultet në Prishtinë, të cilat i trumbetuan dhe i trumbetojnë akoma si gjëra me rendësi të madhe për të drejtat që gëzon Kosova në kuadrin “Bashkim-vëllazërimit” jugosllav dhe se “fakulteti i Prishtinës do t’ia kalojë atij të Tiranës”. Por paralelisht, me pretekste të ndryshme, vitet e fundit sidomos më 1962-1963, mbyllen një numër të konsiderueshëm shkollash në Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit, ndërsa në Maqedoni e Mal të Zi, me përjashtime të rralla kanë mbyllur pjesën më të madhe e po shkojnë drejt eliminimit të tyre. Për të maskuar qëllimin, këto masa i mbulojnë me mungesën e arsimtarëve shqiptarë “paaftësinë e tyre” etj., të cilët vitet e fundit i kanë arrestuar dhe pushuar nga puna, duke i akuzuar si “nacionalistë” dhe epitete të tjera. Për të mbuluar këto “mungesa” dhe me qëllim që të paraqiten se interesohen në këto drejtim, hapin shkolla turke, më tepër shkolla të përziera që përfshijnë 33% të shkollave në Kosovë dhe kohët e fundit “klasat eksperimentale”, në të cilat nxënësit kosovarë duhet të mësojnë në gjuhën serbokroate. Në vitin 1963, u bë analiza e “rezultateve” dyvjeçare të kësaj forme, duke planifikuar që në të ardhmen e afërt ta përgjithësojnë këtë “zhvillim” të ri. Në këto shkolla nxënësit mësojnë lëndë të tilla si, historia sllave, patriotizmi jugosllav, regjimi titist etj. Për historinë e Shqipërisë nuk flitet asgjë.
Rajone të tëra shqiptare nën administrimin e Malit të Zi e të Maqedonisë, si: Plava, Gucia, Tutina, Rozhaja, Ohri etj., nuk kanë asnjë shkollë shqipe. Kohët e fundit janë mbyllur shkolla në Strugë, Gostivar, Tetovë etj. Është mbyllur shkolla shtatëvjeçare shqipe e Orllanit në Podujevë e Llapashticës në Prishtinë e shkolla të tjera. Ndërsa, në vitin 1963, në Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë etj., me sa dimë ne, janë pushuar 127 arsimtarë kosovarë, me motivacion se janë të pavlefshëm për arsimin, pasi edukojnë rininë me ndjenja “nacionaliste”. Për të gjetur pretekstin dhe për të influencuar akoma më tepër me mbylljen e shkollave shqipe, jugosllavët kanë penguar e pengojnë botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Si rezultat 70-80% e lëndëve në të gjitha shkollat, zhvillohen në serbisht, duke e justifikuar se kjo është gjuhë zyrtare, “e përpunuar” dhe se ndihmon në ngritjen e nivelit kulturor. Ndërsa, shqipja paraqitet si “primitive” “e papërpunuar” etj. Profesori i letërsisë jugosllave, Zvete Gjurasheviç, ka thënë: “Gjuha shqipe, i ngjan tingullit ose më mirë me thënë, zhurmës që bënë guri i futur brenda në një kovë prej teneqeje, pasi të jetë tërhequr zvarrë nga një fëmijë i shthurur”. Ndërsa, profesori i Gjimnazit të Pejës, Danillo Stihiq, para nxënësve ka thënë: “Gjuha shqipe, po të marrim supozimin më të volitshëm për ju kosovarët, do të flitet në Kosovë edhe 30-40 vjet akoma. Ne të gjithë – vazhdoi ai – i përkasim bashkësisë së madhe jugosllave, ku, për arsye të justifikueshme do të flitet vetëm gjuha serbo-kroate, prandaj herët ose vonë, me dashje ose pa dashje, të detyruar nga realiteti i jetës, ju duhet të merrni këtë rrugë që largpamësit tonë politikë na kanë treguar”.
Për të ecur drejt planit të eliminimit të plotë të shkollave shqipe, titistët që në vitin 1951, propaganduan dhe filluan hapjen e shkollave turke në shumë vise të Kosovës, si: Prizren, Prishtinë, Gjilan, Tetovë etj., duke përdorur në këtë rast edhe terrorin për ata që nuk donin t’i ndiqnin. Këto shkolla jo vetëm që ekzistojnë, por, ata përpiqen t’i zgjerojnë më tepër edhe tani së fundi, me pretekstin e “lirisë” së fesë, kanë hapur mejtepe duke nxitur prindit që të dërgojnë fëmijët e tyre në to”. Kjo politikë ndiqet edhe në shenjën e bursave për studime të larta, gjë që kuptohet nga fakti se vetëm 32% e bursave të dhëna në Kosovë, u kanë takuar shqiptarëve, ndërsa të tjerat i kanë marrë sllavët që banojnë atje. Në rast se i bëjmë krahasim zhvillimit të arsimit në Kosovë me atë të Malit të Zi, rezulton se këta kanë numër të barabartë shkollash, kurse popullata e Kosovës është dyfishi i Malit të Zi. Ndërsa, për fëmijët kosovarë ata kanë krijuar lloj-lloj pengesash për të mos u arsimuar, kurse fëmijëve serbë u krijohen të gjitha lehtësirat.
IV. Falsifikimi i historisë e sllavizimi i artit shqiptar
Qeveria jugosllave me të gjitha mënyrat mundohet të falsifikojë historinë e popullit të Kosovës e të Shqipërisë. Ata mundohen ta paraqesin Kosovën si tokë të sllavëve të vjetër të jugut, se kosovarët janë “sllavë që me kalimin e kohës janë shqiptarizuar”, se “shqiptarët kanë shkuar në Kosovë aty nga fundi i shekullit XII si mysafirë”, se “Prizreni, e Peja kanë qenë djepi i Serbisë së vjetër”, se “Skënderbeu ka qenë malazez e i martuar me një endacake shqiptare”. Lidhjen e Prizrenit e shpjegojnë në kuadrin e luftërave ballkanike, pa treguar synimet e rëndësinë e saj, ndërsa kryengritjet e Kosovës të viteve 1908-1910, nuk i përmendin fare, kurse për marshimin e ushtrive serbe në tokat shqiptare e trumbetojnë si “kthimin më madhështor të tyre në tokën e Serbisë së lashtë”. Këtu duket qartë qëllimi i tyre për eliminimin e kombësive të tjera, duke krijuar vetëm kombësinë e gjuhën jugosllave, siç e propagandojnë ata “në shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Kësaj politike i ndihmon edhe lënia në personalitetet kulturore të artit shqiptar. Udhëheqësit e Kosovës e personalitetet kulturore të Jugosllavisë thonë: “Ju shqiptarët keni pas fatin që letërsinë e kulturën ta krijoni pas Luftës së Dytë Botërore, duke u nis të jetoni në mënyrë të kulturuar vetëm në periudhën e artë të socializmit specifik”.
Me qëllim që të shuajnë çdo ndjenjë nacionale në shkrimtarët e rinj kosovarë, organet jugosllave i orientojnë ata që të shkruajnë për tema që i interesojnë regjimit titist dhe frymës së “bashkim-vëllazërimit”. Në të kundërtën, censura e rreptë ndalon botimin dhe merr masa karshi autorëve siç është rasti i shkrimtarit Adem Demaҫi e të tjerë. Duke parë influencën e madhe që ka letërsia shqiptare në atë kosovare, Ministria e Arsimit e Serbisë, nën parullën “të njihet letërsia e popujve jugosllavë”, urdhëroi që në gjuhën shqipe të përkthehen kryesisht veprat e shkrimtarëve jugosllavë dhe faktet tregojnë se ¾ e përkthimeve janë nga këta shkrimtarë. Po kështu, ata pengojnë hapjen e qendrave të kulturës e artit shqiptar. Në Kosovë, ka vetëm një teatër dramatik shqiptar dhe tre shoqëri teatrale si në Pejë, Prizren e Gjakovë. Numri i bibliotekave është shumë i pakët, ku 75% të librave janë në gjuhën serbe. Shumë më e keqe është gjendja në Malin e Zi, ku për më se 30 000 shqiptarë që banojnë atje, kanë vetëm një bibliotekë, në fondin e së cilës, vetëm 3% e librave janë në gjuhën shqipe. Po të bëhen krahasime me krahinat e tjera, del një tablo e trishtueshme. Republika e Serbisë me 6 milionë banorë, ka 50 herë më tepër biblioteka e 72 herë më tepër se Kosova teatro. Këta dy meshkuj tregojnë qëllimin jugosllav kundrejt krahinave shqiptare.
Për sa i përket muzikës e folklorit shqiptar, ekziston e njëjta gjendje. Në reporterët e shfaqjeve paraqiten shumë pak këngë e valle shqiptare, duke e argumentuar këtë se, gjoja folklori shqiptar është “i varfër e primitiv” dhe se ai “nuk ndihmon në ngritjen e nivelit kulturor të popullit”. Duke e trajtuar në këtë mënyrë folklorin shqiptar, ata në të njëjtën kohë përhapin sa më shumë muzikën, këngët e vallet jugosllave, me parullën “e uniformizimin e artit e të kulturës të popujve të Jugosllavisë”. Kuptimplotë janë thëniet e Dushan Mugoshës, në vitin 1963, me rastin përvjetorit të revistës “Jeta e re”, i cili midis tjerash tha: “Në veprat shqipe duhet të rrahë zemra e jugosllavizmit”.
V. Përpjekjet për degjenerimin moral të rinisë dhe nxitja për t’u martuar me sllavët
Në mënyrë që ta largojnë rininë kosovare nga çështjet nacionale, jugosllavët kanë filluar një veprimtari të gjerë për degjenerimin e tyre si me anën e muzikës, vallëzimeve, shëtitjeve me vajza serbe etj., qëllimi i të cilëve është tërheqja në këto “argëtime” e sa më shumë të rinjve e të rejave kosovare dhe korruptimi i tyre. Në tetor 1961, profesori i Fakultetit Juridik të Beogradit, Voisllav Bakiq, në ligjëratën e mbajtur në Prishtinë, i bëri thirrje rinisë kosovare “për një jetë më të mirë seksuale”. Në konferenca e leksione të përgatitura, u flitet të rinjve që “të bëjnë një jetë të qytetëruar” dhe në të njëjtën kohë kritikojnë rëndë të gjithë ata që kundërshtojnë këtë proces degjenerimi, duke i cilësuar “prapanike”.
Ideologët titistë, thonë se “deformimi fizik i vajzës shqiptare të Kosovës, e ka burimin në mënyrën patriarkale të jetës së saj” dhe se “emancipimi i saj duhet të bëhet vetëm me anën e moralit specifik jugosllav, dhe jo me anën e moralit primitiv që ndrydh ndjenja”. Për të dhënë shembull të këtij morali “specifik”, ata kanë sjellë në qytete të ndryshme të Kosovës vajza të degjeneruara sllave për të shtuar korrupsion e degjenerimin e rinisë kosovare. Me anën e radios, shtypit e konferencave, kritikohen “fanatikët që nuk u japin “liri” vajzave të tyre. Ata përkrahin e nxisin martesat e djemve kosovarë me vajza serbe e anasjelltas. Çdo martesë e këtillë propagandohet me të madhe në shtyp e radio si shembulli i “bashkim-vëllazërimit”.
VI. Sjellja e stabilizimi i sllavëve në vendet e banuara nga shqiptarët
Qysh në vitin 1945 jugosllavët ndanë krahina të ndryshme shqiptare dhe i kaluan nën vartësin administrative të Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë, me qëllim që nga njëra anë tokat shqiptare të mos formonin një tërësi, gjë që do të shtronte më vonë problemin e krijimit të një republike shqiptare në federatën jugosllave dhe nga ana tjetër të minimizoheshin ekzistenca e popullsisë shqiptare në ketë vend. Sa më sipër, vlen të vihet në dukje se edhe në kohën e tanishme, bëhen plane për shkëputjen e krahinave të tjera nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit. U mësua se gjatë bisedave që ka bërë Bllazho Jovaniviqi, në pranverën e vitit 1962, me autoritetet e pushtetit lokal të Pejës, kishte vënë në dukje planet e Qeverisë jugosllave për të kaluar krahinën e Pejës nën administrimin e republikës së Malit të Zi. Komente rreth kësaj çështjeje vazhdojnë edhe në kohën e tanishme.
Paralel me largimin e shqiptarëve për në thellësi të Jugosllavisë e Turqisë që është bërë e bëhet vazhdimisht, si rezultat i masave shkombëtarizuese e asimiluese, jugosllavët po sjellin sllavë në këto krahina duke i stabilizuar kryesisht në vendet strategjike dhe ekonomike si në Prishtinë – qendër politike e administrative; Mitrovicë – qendër minerale-industriale; Pejë – vend strategjik-ekonomik dhe Podujeva – kufi me Serbinë. Është për t’u theksuar se struktura e popullsisë në këto krahina, ndryshon vazhdimisht në favor të elementit sllav. Në rast se në vitin 1946, përqindja e popullsisë sllave në Kosovë, nuk i kalonte 18% ajo tani është rritur në 30%. Për ngritjen e përqindjes të elementit sllav jugosllavët kanë ndërtuar e po ndërtojnë qendra industriale, nyje hekurudhore dhe ndërtesa të reja banimi ku stabilizohen kryesisht sllavët e ardhur si “inxhinierë”, “specialistë”, “arsimtarë”, “kuadro parti e pushteti”. Kështu, në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës, është në ndërtim e sipër një qytet i ri, ku përqindja e popullsisë serbe është mbi 85%. Dërgimi në mënyrë sistematike dhe të pandërprerë në këto krahina i sllavëve, justifikohet me mungesën e kuadrove shqiptare e propagandohet me parullën e “bashkim-vëllazërimit”.
Në të vërtetë jugosllavët me qëllim mërzitje nga njëra anë dhe nxitje nga ana tjetër, kanë krijuar një gjendje të vështirë ekonomike për shqiptarët në Kosovë. Ata kanë përcaktuar pagat e specialistëve, mësuesve, profesorëve, punëtorëve e të tjerë shqiptarë në një minimum që nuk arrin fare për jetesë, p.sh. një profesori i paguajnë 15-20 000 dinarë, një punëtori 8 000 dinarë, një tekniku 15-18 000 dinarë. Me qëllim “përmirësimi” të jetesës, zhvillohet një propagandë e madhe për të shkuar në thellësi ku ju caktojnë rroga nga 30-40 000 dinarë, ndërsa sllavët që në thellësi kanë rroga mbi 30 000 dinarë, i nxisin të vinë në Kosovë duke iu paguar edhe 50% më shumë. Në këtë mënyrë nga njëra anë veprojnë për të larguar shqiptarët, dhe nga ana tjetër për të sjellë sllavët.
Konkluzione
Për sa më sipër, konkludojmë:
1. Pasi krimet e shumta dhe dëbimet e më se 50 000 familjeve që bënë në vitin 1956, të cilat u demaskuan nga Partia e Qeveria, e nuk dhanë rezultatet që priteshin, kuptohet se jugosllavët mbas kësaj kohe kanë hartuar dhe punojnë sistematikisht në bazë të një plani të caktuar, në të cilën parashikojnë një numër veprimesh dhe kombinacionesh të gërshetuara që ndihmojnë njëra-tjetrën. Sipas planit dhe veprave që kryen, del e qartë se titistët kërkojnë me çdo kusht që brenda një afati minimal t’ia arrijnë qëllimit strategjik, shkombëtarizimin dhe asimilimin e popullit shqiptar në Kosovë, Rrafshit të Dukagjinit, viseve shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, popullimin e tyre me mbi 50% sllavë, për të cilën nga ana taktike shfrytëzoi çdo situatë e rast të favorshëm për të sheshuar pengesat dhe kundërveprimet. Format më të rrezikshme që i ndihmojnë qëllimit, në kohën e sotme janë “kooperativat” dhe “format” me anë të të cilave, duke përdorur dhe dhunën rrëmbejnë tokat e fshatarëve dhe i largojnë ata nga trualli i tyre. Ndërsa, format dhe veprimet e tjera, megjithëse edhe ato lozin rol me rendësi, tani për tani janë ndihmuese.
2. Para kësaj gjendjeje, popullsia dhe sidomos inteligjenca e rinia shqiptare, e orientuar nga vija e drejtë e Partisë sonë e shikojnë qartë dhe me shqetësim rrezikun e politikës djallëzore të jugosllavëve, përpiqen të bëjnë një rezistencë te organizuar, duke demaskuar politikën asimiluese dhe propagandojnë për të qëndruar në truallin atëror me parullën “Fifty-fifty”, (me kuptimin mos me u largu, se po arritën sllavët, 50% humbin çdo shpresë për liri dhe kombësi), shkruajnë parullën kundër qeverisë titiste, dhe bëjnë përpjekje për t’u organizuar, luftuar etj. Rezistenca aktualisht bëhet nga individë dhe grupe të vogla, kështu që ajo është e pafuqishme për të ndaluar veprimtarinë kriminale dhe djallëzore për asimilim. Të gjitha këto kanë bërë që situata në Kosovë të jetë mjaft serioze dhe e rrezikshme, populli atje është shumë i preokupuar dhe çdo shpresë e ka drejtuar tek Partia dhe Qeveria e RP të Shqipërisë.
Propozime
Me qëllim që të demaskohet politika asimiluese e shkombëtarizuese e klikës revizioniste të Beogradit, të inkurajohen drejt forca patriotike që të jenë në gjendje t’i bëjnë një rezistencë aktive, propozojmë: a) Në rast se lejon situata, është mirë të demaskojë në mënyrë sistematike dhe të bëjnë të qartë për popullin shqiptar në Jugosllavi e botën e jashtme qëllimet, format e metodat që përdorin jugosllavët, duke përdorur materialet që keni grumbulluar si edhe deklaratat e emigrantëve kosovarë të ardhur vitet e fundit. Përdorimi i këtyre materialeve do të ndihmojë për demaskimin e veprimeve kriminale, gjë që do të jep një impuls të ri popullsisë shqiptare të atyre viseve të rezistojë e të mos largohet nga vendlindja. Kjo punë do ndihmojë deri në njëfarë mase për të ndërprerë hovin e veprimeve djallëzore të jugosllavëve. b) Të shihet mundësia që pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, të krijohet një sektor për studimin e historisë, folklorit, letërsisë e tjera të krahinave shqiptare në Jugosllavi. Ky institucion, në bazë të fakteve shkencore, të demaskojë falsifikimet e historianëve titistë, të cilët i paraqesin tokat shqiptare në Jugosllavi, si sllave e të tjera. Përhapja e këtyre materialeve jo vetëm që do të zhvillojë ndjenjat patriotike, por do t’iu japë forca e argumente bindëse për të demaskuar falsitetin e historianëve sllave e të tjera. c) Me këtë rast mendojnë dhe sugjerojnë se po qe e mundur të studiohet mundësia që në tekstet tona shkollore, të cilat përmbajnë vetëm disa gjera të zbehta, e në disa raste jo të sakta, të vihen materiale mbi Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit e viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, në mënyrë që brezi ynë i ri, të njihet me to dhe të edukohet me frymën e dashurisë për popullin e tërësinë tokësore të vendit tonë.
Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme
Drejtor i Drejtorisë së Parë
Gjenerallejtënant
(Zoi Themeli)
(VIJON)
© Pashtriku.org
_________________________________
DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (16)
Nga Prof. Dr. Sabit Syla