Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Kush do ta mbrojë Kosovën
Për shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës institucionet kryesore të vendit kishin bërë gati një program që dallonte nga vitet paraprake sikur që e kishin pregatitur një poster ku , midis tjerash ishte një zotim se: “ne të dalim zot Kosovë…” duke nënkuptuar se “dalëzotësit ishin kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit , Glauk Konjufca në krye të një ushtrie virtuale me qindra dhe mijra luftëtarë anekënd botës që luftën e bëjnë kryesisht nga profilet e rrejshme. Këtyre luftëtarëve iu bashkangjiten edhe patriotët e dëshmuar për lirinë e Kazakistanit si Dimali , Donika Shvarci, Mefi, Hekuran Teneqja, Kaçketë Dezertori , Cen Ikanaku, Rozeta e Panxhabit, Bekim Koqja ( si përforcim nga Maqedonia e Veriut), “rrogëtarët e Luginës“ në me krye komisarin politik të gatshëm për çdo sakrificë kur është afër fundeve të ndonjë ministreshe , Besnik Hiçmosgjëja . Në prapavijë e keni Jeton Qurroin, strategun e njohur që nga koha e ish – Jugosllavisë, i gatshëm të bëjë gjënë e duhur e që asnjëherë nuk i ka shërbyer popullit shqiptar apo Kosovës përveç se në emër të këtyre “ idealeve “ ka vjelur miliona e miliona euro , pa e vënë në rrezik as fijen e flokut . Paraardhësit e tyre biologjikë ( jo të gjithëve ) por edhe të atyre që sot janë aziluar duke bërë shtatë palë qejfe në VV ua kanë lënë amanet që kurrë mos ta harrojnë mëmën ….Jugosllavi dhe Serbi kurse njerkën Kosovë ta përdorin për rifreskim të këtij amaneti. Duhet të jeni së paku pacient në baza të rregullta te Nexhmedin Shala e të besoni se të lartcekurit dhe ata që shkojnë pas tyre do ta bënin edhe sakrificën më të vogël për Kosovën . Do të sakrifikonin aq sa kanë sakrifikuar paraardhësit e tyre biologjikë dhe politik duke mos bërë asgjë ! Ose , duke i shërbyer atyre që po e rrezikojnë sigurinë e Kosovës . Nuk ka asnjë mëdyshje se kundërshtimin , qoftë edhe me jetë në mbrojtje të Kosovës , Shqipërisë dhe shqiptarëve , kudo që jetojnë do ta bëjnë ata që lanë asht e rrashtë për Kosovën , Shqipërinë dhe shqiptarinë . Nëse jo ata që për shkak të moshës së madhe nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë , sipas parimit se dardha bie nën dardhë , këtë do ta bënin pasardhësit e tyre biologjikë të sistemuar në Policinë e Kosovës , Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të vendit . Do ta bënin sepse e kanë kodin gjenetik të trashëguar nga ata që në rrethana të jashtëzakonshme e bënë luftën për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar e që asnjëherë nuk kanë pasur nënë tjetër përveç Nënës Shqipëri. Sakrifica antologjike e Komandantit Legjendar Adem Jashari , bashkë me familje që i kishte edhe bashkëluftëtarë , e familjes Haradinaj , Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës , Zahir Pajazitit , Fehmi dhe Xhevë Lladrovci , Remzi Ademajt , doktor Hafir Shalës dhe Xhevat Hazirit , Agim Ramadanit dhe Sali Çekut dhe heronjve të tjerë të Kombit si dhe martirëve , veteranëve të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës , invalidëve të luftës që gjymtyrët dhe shëndetin e lanë si garantues kundër robërisë , ish të burgosurve politikë që kaluan tmerre nëpër llogoret e ish Jugosllavisë e që u torturuan nga paraardhësit e një numri të “ kuadrove “ të VV –së sikur edhe trashëgima kombëtare , politike dhe ushtarake e pengjeve që po mbahen në Hagë , me kontribut shumë domethënës të disave që mbajnë poste të larta në Kosovë , janë garantues se ka kush ta mbrojë Kosovën kurse këta që virtualisht dhe mediatikisht deklarohen se : “ do ta mbrojnë Kosovën… “ këtë , pa asnjë dyshim do ta bënin nga një distancë e sigurisë së plotë për ta dhe familjet e tyre nga Australia , SHBA , Norvegjia , Gjermania , Zvicra , Franca , Italia , Turqia , Izraeli dhe , disa , për shkak të meritave , pa asnjë dyshim do të luftonin nga Serbia . Mos e dhashtë Zoti të ketë luftë në Kosovë se …se .., këta “ dalzotës “ së Kosovës do të vepronin si mbreti Zog që shpejt e shpejt mori rrugën për Greqi , Egjipt , Francë dhe Afrikë të Jugut , jo për të luftuar por për ta bërë “ rrush dhe kumbulla “ pasurinë e shqiptarëve . Dhe , së fundi , Kosovës , Shqipërisë dhe shqiptarisë i dalin zot ata që e mësuan abetaren kombëtare dhe politike të të Përjetshmit , Bacë Adem Demaçi për ta vazhduar shkollimin , deri në nivelet akademike në llogoret e ish – Jugosllavisë , që nga Goli Otoku , Stara Gradishka dhe Lepogllava , Zenica dhe Foça , Zabella , Pozharevci dhe Nishi e deri te Spuzhi dhe Idrizova , llogore ku qëndruan ata që luftuan dhe , në një pjesë të tyre edhe takuan Kuptimin për Liri , Pavarësi dhe Bashkim Kombëtar , Bacë Adem Demaçi.
Nuk rishkruhet historia në rrethana të histerisë
Gjykata Raciste Speciale në Hagë , me arrestimin , gjykimin dhe dënimin e kreut ushtarak të UÇK-së si dhe bartësve më të lartë të posteve shtetërore në Kosovën e pasluftës ( presidenti Hashim Thaçi , kryetarëve e Kuvendit të Kosovës , Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli , shefit të GP të VV –së , Rexhep Selimi ) , pastaj të drejtuesve të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së , Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj , Salih Mustafës , Pjetër Shalës dhe “ penguesve të drejtësisë “, për qëllim të deligjitimojë luftën e fundit në Kosovë e udhëhequr nga UÇK-ë , relativizimin e krimeve të Serbisë , barazpeshimin e përgjegjësive po i përdorë si mjet për arritjen e qëllimit final; rishkrimin e historisë si dhe kundërshtimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës përmes kriminalizimit të luftës dhe udhëheqësve më të lartë të saj që tani , ose janë dënuar ose janë në proces të gjykimit.
Në prag të shënimit të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës pati përpjekje të rishkruhet historia e re e Kosovës duke huazuar diçka edhe nga Gjykata Speciale Raciste e Hagës. Sot në Kosovë kemi Albin Kurtin kryeministër, personalitet me fuqinë e Zeusit , sidomos për vartësit e tij. Albin Kurti, mund edhe të mos pajtohen me mua disa shokë , ka një histori si pjesë e stafit të Zyrës së UÇK-së në Prishtinë të Bacës Adem Demaçi , si udhëheqës i protestave studentore , si i burgosur politik në Serbi pasi u mor si rob lufte dhe për shkak të qëndrimit të drejtë dhe të fortë , si para gjykatës në Nish , ashtu edhe gjatë vuajtjes së dënimit . Kishte qëndrim të drejtë dhe parimor edhe për Konferencën e Rambujesë . Pas përfundimit të luftës ishte i afërt me Bacën Adem deri në çastin kur u “ pavarësua “ dhe i pengonte ombrella kombëtare dhe politike e Bacës. Këtu edhe filloi theqafja e Albinit të dikurshëm dhe shfaqja e Albinit në një rol tjetër , marrja e pushtetit me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet duke kombinuar metodat e “ Të Urtëve të Sionit “ , Nikollo Makiavellit dhe Klauzevicit . Madje , ua kaloi që të treve në luftë për pushtet duke i bërë të duken karikatura . Vjosa Osmani u bë presidente , pa asnjë të kaluar dhe pa asnjë meritë . U bë presidente falë vullnetit të Zeusit , Albin Kurtit. E tashmja e saj mbështetet në filozofinë politike të Sellmës dhe të Valdrinit dhe fleksibilitetit , deri në dorëzim , pa asnjë kusht ndaj Albinit . Karrierën politike aktuale e ka si notere e Albin Kurtit . Në planin ndërkombëtar , si këshilltare politike dhe ushtarake e Zellenskit dështoi keq . Po vepron si të ishte motra e Cezare Borxhias duke helmuar mjedisin ku vepron. Glauk Konjufca , me një emër ilir dhe mbiemër aspak shqiptar, për shkak të moshës nuk ka pasur të kaluar të lavdishme çlirimtare për dallim nga babai që ishte i burgosur politik. E tashmja e Glaukut do të mbahet mend si shërbyes civil i Albin Kurtit . E ardhmja , çfarë do të jetë e ardhmja , mashtrues i imtë apo pendues i madh . Por duhet ta pranojmë një cilësi që e ka , oportunist e shkuar oportunistit .
Një ditë para festës zyrtare qeveria e Kosovës kishte bërë gati një spot promovues për ditën e pavarësisë , sa mashtrues aq edhe përjashtues. Aty , në rolin e Azem Bejtës dhe Shotë Galicës ishin Albini dhe Vjosa . Baca Adem Demaçi si dhe Hashim Thaçi nuk ishin askund , madje as si hijezim i sfondit ku “ shkëlqenin “ dyshja politike e njohur si Boni dhe Kllajd. Ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari , jo se e nderojnë apo e respektojnë por se manipulojnë me të . Krijohej përshtypja se pavarësia e Kosovës u shpallë atë ditë dhe se historia gjithashtu u shkrua atë ditë , me protagonist tjerë . Çdo gjë para kësaj dite u retushua . Cfarë veprimi mizor dhe çfarë shkelje brutale e historisë ! Të nesërmen , në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës , KM Kurti e bëri një përmirësim të rishkrimit të historisë duke përmendur edhe emrat e Bacës Adem Demaçi , presidentit Thaçi dhe Rugovës. Realisht , ua njohu rolin teknik , sidomos presidentit Thaçi. Tha se Hashim Thaçi e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë dhe se e ka nënshkruar duke bërë përpjekje të asgjësojë rolin e Hashim Thaçit si akterit kryesor për pavarësimin e Kosovës , që nga angazhimi i tij politik para lufte , pjesëmarrjes së tij në luftën çlirimtare , njeriun kryesor në Konferencën e Rambujesë , kryesori në bisedimet e Vjenës dhe , pa asnjë dyshim , i pari në mesin e më të merituarve për pavarësinë e Kosovës. Realisht , gjithmonë kam menduar , ashtu mendoj edhe sot se njeriu më meritor dhe më i përshtatshëm për ta lexuar Deklaratën e Pavarësisë , prej të gjallëve që kishte krijuar dhe mbronte veprat e krijuara ishte Bacë Adem Demaçi . Kështu do të duhej të mendonte dhe vepronte edhe Hashim Thaçi mirëpo ai mendoi ndryshe dhe veproi ndryshe. Pastaj , pasi Baca Adem Demaçi nuk u lejua ta bëjë këtë , pa asnjë dyshim se Hashim Thaçi ishte ai që duhej ta lexonte këtë deklaratë dhe asnjëri tjetër. Nga aspekti kombëtar , politik dhe pragmatik do të ishte e palejueshme që këtë Deklaratë ta lexojë dikush që asgjë nuk ka bërë për luftën dhe që deri dje ka qenë pjesë e institucioneve represive të Jugosllavisë. Në aspektin njerëzor , kombëtar dhe moral askush tjetër nuk duhej të ishte në foltore të kuvendit të Kosovës përveç Bacë Adem Demaçit . Shihe ti çfarë leshkoje jam , e përmendi aspektin njerëzor dhe moral ! Për mua nuk paraqet problem pse Hashim Thaçi e ka lexuar dhe nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë por pse atë Deklaratë e kanë nënshkruar bashkëpunëtorët e djeshëm të Jugosllavisë dhe Serbisë duke u rehabilituar për një veprimtari antikombëtare !
Kufiri midis marrëzisë dhe lavdisë është sa një fije peri prandaj nuk është aspak lehtë ta kuptoni se ku dhe kur përfundon lavdia dhe ku dhe kur fillon marrëzia .
Albin Kurti le të merret me retorikë , i shkonë , mos të merret me histori sepse dështon. Kësaj radhe ka shpëtuar para ligjit shkaku se për pesë minuta deshi ta merr një identitet tjetër ….identitetin e Hashim Thaçit dhe , pasi ta ketë lexuar Deklaratën e Pavarësisë të bëhet përsëri Albin Kurti. Fort e çuditshme kjo për mua , e pakuptueshme !
20 shkurt 2024 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA