Nga Asllan Muharremi
Kalimi në Suedi
Në Stacionin e trenit në Stokholm, dolën dhe më pritën Xhafer Durmishi e Shukri Demiri. U përqafuam dhe u gëzuam që u bëmë bashkë përsëri. Me Xhaferin, ky ishte takimi i parë pas atij të Shtutgartit, para mbi një viti e gjysmë. Edhe Shukriun po e takoja pas gati dy vitesh.
Kisha vizituar disa kryeqytete të vendeve evropiane, por asnjëri prej tyre nuk më ishte dukur më i bukur dhe më atraktiv se sa Stokholmi, qytet ky që po më mahniste me bukurin e tij. Njeriu mund të banonte në një skaj të qytetit e megjithëkëtë brenda disa minutave mund të arrinte, me ndihmën e metros, në qendër të qytetit. Qyteti kishte disa biblioteka dhe ato ishin shumë të pasura me libra në shumë gjuhë të botës. Nëpër biblioteka kishte edhe një numër të konsiderueshëm të librave në gjuhën shqipe.
Pas disa ditë qëndrimi e pushimi në Stokholm, falë ndihmës së Xhafer Durmishit dhe konsultimeve të tij me avokatin Kjell Jönsson, u drejtova tek organet policore dhe e bëra kërkesën e strehimit politik.
- Xhafer Durmishi dhe Asllan Muharremi
Ndonëse, pas parashtrimit të kërkesës për azil politik isha vendosur në një hotel në St. Eriksplan, me Xhafer Durmishin dhe Shukri Demirin takohesha çdo ditë. Takimet dhe bisedat e gjata me Xhafer Durmishin dhe Shukri Demirin i konsideroja si një ndihmë të madhe edhe për ta kuptuar më drejtë gjendjen e Lëvizjes sonë dhe veprimtarinë e saj në emigracion. Xhafer Durmishi kishte një përvojë të jashtëzakonshme në këtë fushë. Nga ai kam mësuar shumë nga veprimtaria e Jusuf Gërvallës, përvoja e tij me personalitete të tjera të emigracionit tonë, por edhe nga përvoja e tij e kontakteve me diplomacinë shqiptare.
Qysh para përplasjes në mes Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit, bashkatdhetarët tanë e merrnin në gojë shtetin shqiptar dhe qëndrimin e tij lidhur me luftën tonë, por edhe lidhur me drejtësinë e qëndrimeve të krahut të Sabri Novosellës dhe atij të Xhafer Shatrit. Nuk ka dilemë se ashtu si për bashkatdhetarët tanë, ashtu edhe për mua dhe të gjithë shokët e mi, qëndrimi i shtetit shqiptar ishte i rëndësisë së jashtëzakonshme. Kështu unë e kuptoja këtë punë dhe tek kjo çështje unë nuk shihja asnjë të keqe. Mirëpo interpretimi sipas politikës ditore, i përpjekjeve tona, por edhe i të gjithë veprimtarëve, pa marrë parasysh krahun që përfaqësonin, ishte një çështje shumë e bezdisshme. Punonjës të përfaqësive diplomatike shqiptare, i interpretonin veprimet tona, jo gjithmonë ashtu siç ishin, por në përputhje me direktivat që merrnin nga Tirana apo në përputhje me interesat e politikës ditore shqiptare që gjithashtu diktohej nga Tirana.
Shokët tanë kudo që ishin kërkonin nga ne që të konsultoheshim me “Shtëpinë e madhe” dhe të mos bënim asgjë pa marrë mendimin e saj! Ky qëndrim krijonte probleme të paparashikueshme dhe shumë telashe në përpjekjet tona për liri.
Sa isha në Zvicër e Gjermani, shokët tanë që kishin qenë për vizitë në Shqipëri apo që kishin takuar ndonjë punonjës të ndonjë ambasade shqiptare sillnin tek ne mesazhe të ndryshme, të cilat shpeshherë ishin edhe të pakuptueshme. Kështu, bie fjala, një shok i yni gjatë një vizite apo kontakti me përfaqësues të shtetit shqiptar, ishte pyetur për Xhafer Durmishin: ku ndodhet, me çka po merrej dhe pyetje të tjera? Pastaj shokët vinin me vrap dhe na pyesnin përse nuk po i kontakton Xhafer Durmishi-Skënderi ata të “Shtëpisë së Madhe”?! Pse po e nxirrni organin “Zëri i Kosovës” pa u konsultuar me shtetin shqiptar e të tjera e të tjera pyetje, që fatkeqësisht nuk ishin vetëm pyetje?
Sabri Novosella pas përplasjes me Xhafer Shatrin thoshte se e ka përkrahjen e shtetit shqiptar. Edhe shokët e krahut të Xhafer Shatrit e thonin të njëjtën gjë!
Kjo krijonte një konfuzion dhe dëshpërim të madh të masa e mërgimtarëve tanë. Thashethemet krijonin huti edhe tek shokët tanë. Me fjalë të tjara, Ambasadat Shqiptare, në njëfarë mënyre, na “mbanin” në grusht dhe gjithçka varej prej qëndrimit të tyre. Ajo mund të na ngrehte në qiell, por edhe të na fuste “nëntë pash nën dhe”! Mjaftonte të na e bënin me gisht dhe e “pat puna jonë”! Ti mund të ishe njëqind për qind me çështjen shqiptare, të ishe shkrirë për lirinë e popullit e vendit tënd, por kjo nuk mjaftonte, sepse një fjalë e “shtëpisë së madhe”, të bënte jo vetëm të dyshimtë, por edhe “antishqiptar”!
Shteti shqiptar dhe përfaqësuesit e tij nëpër botë, nga përkrahës të një vije tjetër politike në “Zërin e Kosovës”, para përplasjes në mes Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit, pas daljes së dy numrave të parë të “Zërit të Kosovës” me adresë në Suedi dhe pas jetësimit të përçarjes në mes nesh, ndërrojnë “mendje” dhe bëhen kritikues të “përçarjes”! Ky qëndrim shkaktoi shumë telashe në radhët tona! Unë nuk lëshova të shara publike për këtë “lojë” të shtetit shqiptar, por pati nga ne të atillë, si Sabri Novosella që duke e ndier vetën të tradhtuar, ua shaloj “nënën kriminelëve të Tiranës”! Sabri Novosella ishte nisur nga Stambolli për Gjenevë, pas këshillimeve me Ibrahim Qavollin. Ai kishte të drejtë të ndjehej i mashtruar e tradhtuar nga shteti shqiptar dhe politikbërësit e tij.
- Asllan Muharremi dhe Sabri Novosella
Sabri Novosella banonte rreth 700 kilometra në Jug të Suedisë dhe tani unë nuk kisha kontakte me te. Shkak i përplasjes së tij me Xhafer Durmishin, Haxhi Berishën, Elmaz Ademin, mua dhe shokët tjerë ishte qëndrimi i tij i ri ndaj “Zërit të Kosovës” në Suedi. Dikush i kishte thënë Sabri Novosellës se “Zëri i Kosovës” që po del në Suedi është një organ që po citon Sitpe Shuvarin dhe në mënyrë indirekte e kishte akuzuar edhe Sabri Novosellën, që ishte në përkrahje të tij – si “titist”! Si dukej Sabriu e kishte “gëlltitur karremin” dhe kjo ishte për keqardhje!
Shumica e shokëve e “dënuan” këtë sjellje të Sabri Novosellës dhe ishin të mendimit se “Zëri i Kosovës” që redaktohej nga Xhafer Durmishi, të vazhdonte të ishte zëri i vërtetë i Kosovës dhe luftës së drejtë të popullit tonë për barazi në kuadër të Federatës jugosllave. Edhe unë isha përkrah Xhafer Durmishit dhe punës së tij të madhe dhe të drejtë në organin “Zëri i Kosovës”.
Përkundër faktit se “Zëri i Kosovës” ndiqte një vijë të drejtë politike dhe në përputhje me interesat e luftës së popullit tonë për liri dhe barazi në kuadër të Federatës jugosllave, largimi i Hysen dhe Avdyl Gërvallës nga Kosova dhe manipulimi i përfaqësuesve të shtetit shqiptar me ta, në lojën e përpjekjeve për bashkimin e të gjitha grupeve politike, nuk ngeli pa gjurmë edhe në grupimin tonë politikë dhe në vazhdimin e nxjerrjes së “Zërit të Kosovës”. Shumë shokë u lëkundën dhe nisën të përkrahin “nismën” e Hysen Gërvallës për bashkimin e të gjitha grupeve politike shqiptare. Shokët në Zvicër, Gjermani dhe nëpër vende të tjera kërkonin nga Xhafer Durmishi dhe ata që ishin pranë tij që t’i bashkoheshin thirrjeve të Hysen Gërvallës.
Xhafer Durmishi kishte një përvojë të gjatë, por edhe të hidhur me udhëheqës si Xhafer Shatri, Ibrahim Kelmendi dhe Abdullah Prapashtica dhe nuk hidhej lehtë në grackë, ashtu siç po hidhej Hysen Gërvalla dhe shumë përkrahës të tij. Ai nuk priste se do të dilte diç e mirë nga përpjekjet për bashkim që i kishte “iniciuar” Hysen Gërvalla, prandaj pas një letre që i dërgon Hysen Gërvallës e kundërshton një bashkim të tillë. Qëndrimi i shokëve rreth kësaj letre ishte i ndryshëm, por shumica u rreshtuan pas Hysen Gërvallës. Me këtë pushoi edhe mundësia e daljes së organit “Zëri i Kosovës” që botohej në Suedi.
- Hysen Gërvalla dhe Asllan Muharremi
Nuk kaloj shumë kohë dhe shokët që besonin në bashkimin e propozuar nga Hysen Gervalla e kuptuan drejtësinë e qëndrimeve të Xhafer Durmishit. Megjithëkëtë, për shkak të shumë faktorëve “Zëri i Kosovës” që lexuesve shqiptarë në tetë numrat e tij ua përcolli mesazhin e lirisë, nuk u aktivizua asnjëherë.
Vizita e Rexhep Ahmetit në Stokholm
Pranverën e vitit 1986, pas një udhëtimi të gjatë, së pari nga Kosova në Francë e pastaj nga Parisi në Stokholm, më vije për vizitë shoku im Rexhep Ahmeti. Kjo ishte vizita e dytë e tij në shërbim të përpjekjeve tona për liri dhe i dërguar nga shokët në Kosovë.
Rexhep Ahmeti na njoftoi mua dhe Xhafer Durmishin për gjendjen e radhëve të Lëvizjes në krahun e shokëve që kisha lënë në Kosovë dhe që kishin si fushë veprimi Mitrovicën, Vushtrrinë dhe Prishtinën. Rexhep Ahmeti përcolli tek ne edhe qëndrimet e shokëve të Lëvizjes në Kosovë lidhur me veprimtarinë në vend, por edhe lidhur me ndihmën që i duhej asaj nga emigracioni.
Gjatë javës sa qëndrojë tek ne në Stockholm, Xhafer Durmishi dhe unë e njoftuam Rexhep Ahmetin lidhur me gjendjen e organizatës sonë dhe pasojat e përçarjes që kishin plasur para dy vitesh.
Gjatë qëndrimit të Rexhep Ahmetit në Stockholm, e kam kërkuar një takim me Alçi K. dhe Zenel M. që ishin punonjës të Ambasadës Shqiptare në Stockholm.
Duke e takuar shokun nga Kosova me përfaqësues të shtetit shqiptar unë dëshiroja që Rexhep Ahmeti të dëgjonte drejtpërdrejtë qëndrimin e shtetit shqiptar. Gjithashtu me këtë takim dëshiroja që shteti shqiptar të informohej për zhvillimet në Kosovë e Jugosllavi.
Pas një jave qëndrimi në Stokholm, Rexhep Ahmetin e përcolla për Kosovë. Kisha besim të plotë në të dhe se ai do t’jua përcillte shokëve qëndrimet tona si dhe kështu do t’i ndihmonte ata të nxirrnin konkluzione të drejta për kahjet e veprimtarisë që do të zhvillonin në Kosovë.
Vizita e Shyqëri Imerit në Stockholm
Vjeshtën e vitit 1986, disa muaj pas vizitës së Rexhep Ahmetit, nga Kosova vije përsëri Shyqëri Ymeri. Edhe Shyqëri Ymeri vije me porosi të shokëve, nëpërmjet vëllait tim Shabanit, i cili vazhdonte të mbetej lidhje e shokëve Xhemajl Pllanës, Ferki Morinës dhe shokëve tjerë. (Kishte ndodhur një gabim dhe Shyqëri Imeri, së pari ishte nisur nga Kosova në Francë dhe pas një pushimi të shkurtër në familjen e Ibush Bytyqit dhe ndihmën e tij niset për Stokholm.)
Qëllimi i vizitës së Shyqëri Imerit ishte vazhdimi i bisedës me Rexhep Ahmetin dhe shpjegimit, deri në detaje, të çështjeve që kishim shtruar gjatë takimit me te. Shokët në Kosovë (Xhemajl Pllana dhe Ferki Morina dhe shokët tjerë të cilët Shyqëriu nuk i njihte me emra) kërkonin qartësimin e gjendjes së Lëvizjes në emigracionin, sidomos gjendjen e LRSSHJ-së dhe sidomos qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me luftën tonë.
Gjatë javës sa qëndroi tek unë, Shyqëri Ymerin, e informova për të gjitha çështjet që kishin shtruar shokët në Kosovë. Shokët i informova edhe për përçarjen në radhët emigracionit, ashtu siç i informova edhe për gjendjen e rëndë organizative të krahut tonë të LRSShJ-së si dhe për vazhdimin e qëndrimit të shtetit shqiptar në raportë me veprimtarinë tonë politike.
Shyqëri Ymerin gjithashtu e kam takuar me Alçin K. dhe Zenel M. Me qëllim që përfaqësuesit e shtetit shqiptar të informoheshin drejtpërsëdrejti për gjendjen politike në Kosovë, por që edhe shoku im ta dëgjonte drejtpërsëdrejti nga goja e tyre qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me përpjekjet tona për liri.
***
Verën e vitit 1986, Suedia, ma njohu statutin e refugjatit politik, sipas paragrafit 3 të Konventës së Gjenevës. Me këtë mori fund sorollatja ime nëpër Evropë dhe pasiguria që më shoqëroj që nga dita kur u largova nga Kosova ime e shtrenjtë. Tani kisha një vend qëndrimi dhe pune, ku do të mund të nisja jetën time larg atdheut tim.
Meqë gjatë kohës së pritjes, për përgjigje në kërkesën time, unë kisha ndjekur kursin e mësimit të gjuhës suedeze dhe falë edhe njohjes së pakët të gjuhës gjermane, e mësova gjuhën suedeze sa për komunikim me njerëzit dhe për të përcjell zhvillimet në vendin që më kishte pranuar në gjirin e tij.
Menjëherë pas marrjes së lejes së qëndrimit dhe punës, u lajmërova në Entin e Punësimit dhe pas pak ditësh arrita ta gjej një punë. Punoja si drejtues i një makine që prodhonte gypa të gomës për kamionë. Detyra ime ishte të bëja bashkimin e telave të hollë metalikë dhe një shtrese me gomë dhe pastaj t’i lidhja me një litar dhe t’i fusja në një furrë ku goma shkrihej dhe telat metalikë ngelshin në brendinë e saj. Nuk m’u deshtë shumë kohë dhe u bëra specialist i kësaj pune!
Pas disa ditësh në vendin tim të punës me erdhi një burrë që ishte para pensionimit dhe u prezantua se ishte emigrant i moçëm nga Shqipëria. U gëzova që takova një vëlla. Një ditë më pas u paraqit edhe një vëlla tjetër nga Shqipëria. Të dy më pyesnin se nga isha dhe përse isha larguar nga Kosova?
Disa ditë më vonë, një mëngjes, hyra në dhomën e ndërrimit të rrobave dhe aty e gjeta bashkatdhetarin tim nga Shqipëria. E përshëndeta me “Mirë mëngjes!” Ai nuk ma ktheu përgjigjen! Pas pak ia përsërita edhe njëherë përshëndetjen dhe ai u kthye nga unë dhe më tha:
‒ Mos më përshëndet! Unë e di se kush je! Ti je shok i Adem Demaçit e Jusuf Gërvallës. Ju jeni me Shqipërinë dhe komunistët..!
I habitur e shikoja dhe nuk dija se ç’t’i them. Në krahun e majtë të gjoksit, për herë të parë ia pash, se e kishte varur një emblemë të flamurit kuq e zi pa yllin me pesë stepa!
– Në rregull. Ne luftojmë për “Kosovën-Republikë”, – i thashë dhe u largova nga dhoma.
Pak kohë pas vendosjes sime në Stokholm së bashku me shokët e mi, Xhafer Durmishi dhe Shukri Demiri, kohë pas kohe e vizitonim Shoqatën e Miqësisë Suedi-Shqipëri. Në lokalet e Shoqatës së Miqësisë kam pasur nderin të njihem personalisht me shumë veprimtarë të devotshëm, në mesin e të cilëve edhe njohësit e shkëlqyeshëm të gjuhës shqipe Ullmar Qvick dhe Lars Morin.
Shoqata e Miqësisë Suedi-Shqipëri e nxirrte edhe një revistë që quhej “Albanien och Vi” e cila lexuesin suedez e njihte me historinë e popullit shqiptar, por edhe zhvillimet dhe gjendjen në Shqipërinë e kohës sonë. Në faqet e revistës prezantoheshin edhe shkrimtarë të shquar shqiptarë, shkrime historike dhe përshtypje të vizitorëve suedez nga udhëtimet nëpër Shqipëri.
Në fillim të vitit 1987, gjatë një vizite që i bëmë Shoqatës së Miqësisë Suedi-Shqipëri, së bashku me Shukri Demirin, mësuam se gjatë verës që do të vinte, për vizitorët nga vendet Skandinave do të bëhej një udhëtimi turistik në Shqipëri.
Meqë kisha punuar disa muaj dhe e kisha krijuar mundësin materiale për ta realizuar ëndrrën time të kahershme për ta vizituar Shqipërinë, së bashku me Shukri Demrin biseduam dhe vendosëm që edhe ne ta vizitojmë Shqipërinë. Disa ditë më vonë shkuam në Shoqatën e Miqësisë dhe u regjistruam si vizitorë të mundshëm.
Diku kah mesi i qershorit 1987, e kemi bërë pagesën dhe marrë vesh se Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Suedi, i kishte rregulluar edhe vizat për ne.
(VIJON)
© Pashtriku.org
______________________________
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (39)
Nga Asllan Muharremi