GJOKË DABAJ: NJË INSTITUCION GJITHSHQIPTAR – PROBLEM QË SHQIPTARËT DUHET TA ZGJIDHIN

 Durrës, 18. 03. 2013 – Po lexoj fragmente nga jeta e një patrioti shqiptar të Jugut. Ishte emigrant në Bullgari, ishte anëtar i shoqërisë atdhetare “Dëshirë”, kish ardhur në vendlindje me një sasi abetaresh, për t’ua shpërndarë bashkëkrahinasvet. Një kushëri i tiji, duke e ndjerë rrëzikun, i afrohet dhe i thotë: “Ç’të duhet që merresh me këto punë?! A s’po sheh që qeveria (turke) është kundër?! A s’po sheh që edhe kisha është kundër?! Ke 3 fëmijë për të rritur! Ke gruan në pikë të hallit! S’ka bukë jot shoqe për të ushqyer veten dhe kalamajtë!” Kushëriri patriot ia ktheu kushëririt “pragmatist”: “A s’u lodhe së foluri?!”
Jetëshkrimi thotë që, më në fund, kushëririt “pragmatist” iu mbush mendja që kushëriri jetërrëzikues kish të drejtë, e mori edhe vetë një abetare, mësoi të shkruajë e të lexojë shqip e u bë edhe ai atdhetar. U bë atdhetar, por s’qe i mjaftueshëm, sepse, pas disa vjetësh, të kushëririn abetareshpërndarës e vranë të tjerë bashkëfshatarë të tij, të cilëvet nuk u ishte mbushur mendja se duhej të mësonin shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Ata ishin spiunë të gatshëm të Greqisë, i pagoi Greqia dhe e vranë rilindësin shqiptar.
Pas një të këtillë tragjerdie nga më uluritëset, ne na lindin një varg pyetjesh:
– Pse një greku, qoftë edhe më të kufizuarit mendërisht, nuk kish nevojë, as në kohën e Turqisë, t’ia mbushte mendjen dikush se duhej të mësonte shkrim e këndim greqisht?!?
– Pse një sërbi, qoftë edhe gjysmëbudallai, nuk kish nevojë, as në kohën e Turqisë, t’ia mbushte mendjen dikush se duhej të mësonte shkrim e këndim sërbisht?!?

– Pse një sllavomalazezi, i cili, në ato kohë, ushqehej me mish dhie të vjedhur, nuk kish nevojë t’ia mbushte mendjen dikush se duhej të fliste malazezisht dhe se fëmijët duhej t’i çonte, ashtu barkbosh, në shkollë, për të mësuar shkrim e këndim në gjuhën sllavomalazeze?!?
Përgjigjja është e thejshtë dhe e qartë, për cilindo njeri që i ka njohuritë sado pak të kompletuara. Ata, grekët, sërbët dhe malazezët, I KISHIN INSTITUCIONET!
Për grekët, qysh kur kanë ardhur në këtë gadishull, para nja 3500 vjetësh, puna e parë ka qenë: T’i bëjnë të vetat perënditë e vendësvet dhe t’u luten atyre në gjuhën e vet. Mbarë apo mbrapsht, por në gjuhën e vet! Ky ka qenë INSTITUCIONI i tyre çudibërës! Kur u përhap krishtërimi, puna e parë që bënë grekët, ishte:
– Ta predikonin fenë e re në gjuhën e vet dhe ta shkruanin Biblën në gjuhën e vet! I përkthyen të 2 Dhjatat prej hebraishtes në gjuhën greke, thuajse 3 shekuj para se ato të përktheheshin në gjuhën latine. Pas kësaj, ata, shekuj me radhë, u përpoqën për t’u shkëputur nga Kisha Romake dhe ia arritën, më 1054-n.
Pse?
Sepse deshën të kenë INSTITUCIONIN e vet.
Sllavët e krijuan INSTITUCIONIN e vet që në sh IX, me ndihmën e Qirilit e të Metodit. Në vitin 1219, sërbët e konsoliduan edhe më shumë INSTITUCIONIN e tyre, duke themeluar Kishën Pravosllave Sërbe Autoqefale. E bënë këtë, për ta ndarë INSTITUCIONIN e tyre nga INSTITUCIONI i grekëvet.
Ne, të cilët, në të gjithë shekujt, i kishim që të gjitha mundësitë për t’i pasur INSTITUCIONET tanë, nuk i krijuam ata. Nuk i krijuam, ose i patëm, por nuk i ruajtëm! Kjo nuk e ndryshon thelbin e çështjes.
Thelbi është që, edhe në kohën kur Martin Luteri do ta shkruante gjermanisht krejt Biblën, Imz. Pal Engjëlli ynë shkruante vetëm një fjali në gjuhën arbërishte, ndërsa krejt tekstet e qarkorevet të tija i shkruante në latinisht.
Marin Barleti e shkruante në gjuhën latine Historinë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në një kohë kur, mu në krahun tjetër të Liqenit të Shkodrës, në një pllajë mali, mbuluar më shumë me borë se me bar, shtypeshin libra fetarë në gjuhën jolatine! Për këdo që i ka ende të gjallë 2 nerva, kjo është një vajmedet për ne!
I vetmi, që dimë ne, i cili u përpoq i pari të marrë një nismë kombëtare mirëfili INSTITUCIONALE, ka qenë Dom Gjon Bdek Buzuku, pas të cilit, ndonëse u ndoq edhe nga 2 a 3 të tjerë, megjithatë, nuk u krijua kurrfarë INSTITUCIONI, me anë të të cilit arbërit do të mund ta mbronin vetëveten EFEKTIVISHT.
Kemi arritur, më në fund, siç thonë jugorët, rromapërtoma, deri në sh XXI. Jemi më mirë se në shekujt e mëparshëm, falë, mbi të gjitha, rilindësvet tanë, por, prapëseprapë, jemi për faqe të zezë! Jemi kombi më i prapambetur në Europë! Kroacia, e cila nuk ka dalë shtet më vete as më 1912-n, as më 1919-n, Kroacia, e cila ka dalë shtet më vete në fund të sh XX, pra 80 vjet mbas nesh, po bëhet anëtare e BE-së, në një kohë kur ne, as për kandidat të BE-së nuk po na pranojnë.
Pse ndodh kështu me Kroacinë?
Ndodh kështu me Kroacinë, sepse ajo e ka pasë INSTITUCIONIN e vet vetëruajtës, gllagolicën kishtare, qysh në shekujt e Mesjetës. Me anë të gllagolicës kishtare, dmth me anë të veprimit ETNOINSTITUCIONAL në kishë, ndonëse me zor të madh, kroatët e kanë krijuar identitetin e vet, e kanë ruajtur, e kanë konsoliduar dhe kanë dalë, në sh XXI, si një komb i barabartë me të gjithë kombet e tjerë të Europës. Kanë dalë të barabartë, ndonëse, në shekujt e fundit, s’kanë qenë asnjëherë shtet më vete.
Unë e kam parashtruar, tashmë prej disa vjetësh, kërkesën që shqiptarët DUHET ta krijojnë INSTITUCIONIN e Përkujdesjes Gjithshqiptare, por pakkush është bërë i gjallë për ta mbështetur. Kam vepruar ashtu siç ka vepruar edhe Dom Gjon Bdek Buzuku para 500 vjetësh. As atë s’e dëgjoi njeri (aq sa duhej), as mua, me sa duket, s’po më dëgjon njeri (aq sa duhet). Kuptohet, “aq sa duhet”, në shkallën e një lëvizjeje kombëtare, është më pak se një zero.
Shtetet i kemi, por nuk mjaftojnë! Partitë i kemi, por nuk mjaftojnë! Religjionet i kemi, por nuk mjaftojnë! Shoqatat i kemi, por nuk mjaftojnë! Nuk mjaftojnë, sepse që të gjitha janë parciale. JANË INSTITUCIONE, por asnjëra prej tyre nuk i përfshin të gjithë shqiptarët. Ne na duhet një INSTITUCION, i cili të mund të na përfshijë të gjithëvet. Unë e kam quajtur Përkujdesja Gjithshqiptare. Ju quajeni si të doni, por vetëm mos e neglizhoni një të këtillë kërkesë! Një të këtillë kërkesë, që të parët tanë mallkimisht e kanë neglizhuar, e pakta këtu e 30 shekuj! Mallkimisht dhe mjerimisht neglizhuar! Prandaj jemi në këtë shkallë: Strehë muxhahedinësh!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura