ANALFABETI I SHEKULLIT XXI-të

Analfabeti i shekullit XXI

Nga Prof Enver N. Rexhaj – Prizren, më 20 nëntor 2025

Në thellësinë e mendimit bashkëkohor, thënia se “analfabetët e shekullit XXI nuk do të jenë ata që nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë, por ata që nuk mund të mësojnë, të çmësojnë dhe të rimësojnë”, na fton të rimendojmë vetë kuptimin e dijes.

Kjo thënie – në origjinal i atribuohet futuristit Alvin Toffler, i cili ka një mesazh shumë të qartë dhe të fuqishëm për kohën moderne.

Në një botë ku informacioni qarkullon me shpejtësi marramendëse dhe e vërteta evoluon bashkë me të, dija nuk është më një thesar statik, por një proces i gjallë, një rrjedhë e pandërprerë që kërkon gatishmëri për ndryshim.

Filozofikisht, kjo thënie sfidon idenë tradicionale të dijes si posedim dhe e vendos theksin tek dija si transformim. Njeriu i këtij shekulli nuk matet nga ajo që ka mësuar, por nga aftësia e tij për t’u liruar nga njohuritë që nuk i shërbejnë më dhe për të përqafuar të reja që kërkojnë kohërat.

“Të çmësohesh” bëhet një akt i guximshëm ekzistencial: një pranim i kufizimeve tona dhe një hapje ndaj së panjohurës.

Në këtë kontekst, analfabetizmi nuk lidhet me mungesë aftësish teknike, por me ngurtësinë shpirtërore dhe intelektuale. Analfabet është ai që kapet pas së djeshmes, që refuzon të rishikojë bindjet e veta, që trembet nga ndryshimi. Ndërsa i ditur është ai që mbetet nxënës i përhershëm i jetës, që e sheh çdo ndryshim si mundësi të re për t’u rimenduar dhe riformuar.

Kështu, mesazhi i autorit na thërret të jetojmë me vetëdijen se dija nuk është fundi, por rruga; jo një objekt, por një proces i përhershëm i vetërikrijimit. Vetëm ai që mëson, çmëson dhe rimëson arrin ta përballojë lirinë dhe peshën e kohës moderne.

————————–

FUQIA E REFLEKTIMIT

https://pashtriku.org/fuqia-e-reflektimit/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura