LIDERËT E SKADUAR!
Këta “liderë” partiak me egon e tyre të sëmurë për pushtet, tashmë e kanë delegjitimuar vetveten në çdo aspekt, dhe si të tillë janë të skaduar dhe të pavlefshëm!
Nga Sheradin Berisha, më 23 qershor 2025
1. Në Kosovë për 25 vjet rresht pas luftës, autoriteti suprem i partive politike ishte dhe mbetet Lideri! Janë pikërisht ata ‘liderë’ të cilët me përfundimin e luftës grabitën qindra milonë marka gjermane, franka zvicerane e dollarë amerikanë nga fondi i 3%’it dhe fondi “Vendlindja Thërret”. Janë ata të njejtit dhe pasuesit e tyre që i shtuan pasuritë e tyre në saje të kontrabandës me derivate të naftës, me pompa të benzinës, me narkotikë, me cigare, pastaj me lojrat e fatit, me bixhozin etj.
2. Në këtë mënyrë u krijuan dhe u zhvilluan partitë lideriste me anëtarësi klienteliste! Këto parti: LDK, PDK, AAK, NISMA, AKR, Lista Ibrahim Rugova, Lista Serbe, nga vitit 2010 Lëvizja Vetëvendosje, pastaj Alterantiva, Lista Guxo etj., ushtrimin e pushteteve (legjislativin dhe ekzekutivin) e ndërtuan mbi bazën e legjislacionit që buron nga Kushtetuta e Ahtisarit. Dhe duke i pas nën kontrollë të gjitha bordet, agjencitë publike, administratën shtetërore etj., raportet liderë – klientelë u ndërtuan në mënyrë piramidale, si kompani biznesi për punësim e abuzim me paranë publike!
3. Kjo klasë lideriste gjatë ushtrimit të pushtetit (në bashkëqeverisje) në kuadër të sistemit kanë ndërtuar struktura mbrojtëse!
– Kanë ndërtuar:
A. Struktura brenda bordeve dhe agjensive publike të tenderimit për PASURIM;
B. Struktura brenda AKI-s për mos HETIM;
C. Struktura brenda policisë për SIGURIM;
D. Struktura brenda prokurorisë për mos AKUZIM;
E. Struktura brenda gjyqësisë për mos DENIM!
Dhe në këtë mënyrë përmes pushtetit Kosovën e shndërruan në shtet të liderit!
4. Prandaj për ta ndalur këtë abuzim të tmerrshëm, Kosovën “sui generis” të Ahtisarit duhet ta bëjmë shtet normal të Adem Jasharit!
Dhe pa humbur kohë fillimisht duhet të ndërrohet lidershipi aktual partiak (tashmë i skaduar) me një lidership të Ri, i cili do të jetë bashkëpunues (në këtë kohë të vështirë që po kalojmë) në krijimin e një qeverie stabile të shumicës shqiptare, për të bërë:
A. ndryshimin e kushtetutës së Ahtisarit;
B. reformë substanciale në ligjin për zgjedhjet;
C. reformë në administratë dhe agjensitë publike;
D. reformë në gjyqësi;
E. reformë në prokurori;
F. reformë në polici;
G. reformë në AKI;
H. Ligjin e Lustracionit…
5. Nëse me këto reforma nuk e bëjmë Kosovën shtet normal, nuk do të kemi asnjë institucion funksional! Përkundrazi do të kemi pushtete lideriste – abuzive, nepotiste, korruptive dhe jo vetëm, ashtu siç i kemi për 25 vjet rresht!