Aderimet politike nga Partia në parti, të ngjashme me transferimet e futbollistëve nga Klubi në klub
Nga Arif Ejupi – Gjenevë, më 11 dhjetor 2025
Në Kosovë, aderimet partiake po ngjajnë gjithnjë e më shumë me transferimet e futbollistëve nga njëra skuadër tek tjetra: pa “dashuri ndaj stemës”, pa besnikëri konstante dhe shpesh me arsyetime që qytetari nuk i kupton kurrë.
Nuk është kalimi problem por është arsyeja pse ndodh kalimi. Në demokracitë e konsoliduara, lëvizjet politike ndodhin për shkak të dallimeve ideologjike ose programeve të papajtueshme.
Në Kosovë, në shumicën e rasteve, ato ndodhin për shkak të rehatisë personale, akomodimit në pushtet apo zhvendosjes drejt “kampit fitues”.
Shembujt janë të shumtë dhe të njohur për publikun: Kalimi i Edita Tahiri nga LDK në struktura qeverisëse të PDK-së u përjetua si goditje për elektoratin tradicional të LDK-së. Militantët, që dikur e shihnin si figurë simbolike të partisë, u ndjenë të tradhtuar kur e panë në një qeveri që deri dje e kritikonin zëshëm.
Ngjashëm veproi edhe Gjergj Dedaj, i cili nga pozicionet e pavarura politike u rreshtua në kampe të tjera pa shpjegime bindëse për publikun.
Milihate Tërmkolli kaloi nga LDK, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke lënë pas një elektorat që e kishte mbështetur për vite si figurë identitare të LDK-së.
Nuredin Ibishi ndërroi fanellën politike nga PDK në LDK, duke e shtuar edhe më shumë konfuzionin tek zgjedhësit.
Hysen Berisha është rast tipik i shëtitjes politike: AKR, LDK, PDK – një itinerar që vështirë të shpjegohet me ndryshim bindjesh.
Largimi i Fatmir Limaj nga PDK dhe krijimi i Nismës bashkë me Jakup Krasniqi dhe Bilall Sherifin ishte si largimi i një boshti të tërë të një skuadre që pretendon titullin e më të mirit.
Sabri Kiçmari – një fanatik i PDK-së, i cili më pas kaloi në Vetëvendosje dhe u emërua Ambasador në Japoni; është rast klasik i manovrës politike për avantazh personal.
Kjo katërshe ishte shtyllë e PDK-së, vite me radhë, prandaj krijimi i një subjekti të ri nuk u përjetua si protestë ideologjike, por si ndarje për pushtet dhe dominim.
As Lëvizja Vetëvendosje nuk mbeti jashtë këtij fenomeni. Nga radhët e saj u larguan figura si:
- Shpend Ahmeti
- Dardan Molliqaj
- Visar Ymeri
- Dardan Sejdiu
- Salih Salihu
- Shqipe Pantina
- Aida Dërguti
- Fatmir Humolli
- Ilir Deda etj.
Këto nuk ishin vetëm largime individësh, por çarje strukturore brenda një subjekti që pretendonte identitet ideologjik të fortë.
Rasti Deda, kur mendja racionale nuk përshtatet me militantizmin. Ilir Deda përfaqëson një kontrast të fortë me të tjerët. Ai nuk iku për pushtet. Ai nuk ndërroi parti për karrige.
Ai u largua sepse nuk mund të funksiononte në një ambient që shpërblen besnikërinë e verbër më shumë se mendimin kritik.
Ai ishte “mesfushori organizator” në një skuadër që kërkonte sulm të verbër dhe përplasje, jo qetësi dhe strategji.
Mimoza Kusari-Lila nisi karrierën politike në AAK, krijoi Alternativën dhe më pas u rreshtua me Vetëvendosjen, ndërrim partie që tregon jo evoluim ideologjik, por rikalkulim pushteti.
Donika Kada-Bujupi dhe Xhafer Gashi u shfaqën në AAK e LDK, sipas valëve politike të momentit.
Në Kosovë po ndodh ajo që është më e rrezikshme për një demokraci:politika po zbrazet nga idetë dhe po mbushet me manovra.
Në këtë “kampionat”: fitojnë ata që ndërrojnë fanellë, humbin ata që kërkojnë konsistencë, përçmohen ata që kërkojnë parim, mbijetojnë ata që përshtaten.
Kur politika shndërrohet në treg, qytetari mbetet gjithmonë blerës i mashtruar.
——————-
AS VOTË, AS VARR NË ATDHE
Disa shpirtligë e zemërprishur,
mërgimtarit që e la vendin jo me fajin e tij,
po ia mohojnë votën
dhe varrimin në Atdhe.
Mërgimtari i tretur nëpër botë me vite,
i ushqeu me bukë
e i bëri me strehë këta shpirtshitur,
që sot ia mohojnë
edhe një pëllëmbë tokë për varr.
Aty ku lindi e u rrit,
ku e përkundi dora e nënës në djep,
ku e shijoi përkëdheljen e ngrohtë
të gjyshërve.
Mërgimtari i përbuzur,
i katandisur nëpër botë,
ato dy metra vend për varr
i paguan,
ashtu siç i pagoi Faik Konica i Madh.
Pastaj, qirruni, o ju horra
e shpirtprishur,
në ekranet gri e zi!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 9 dhjetor 2025
P. S. Kjo poezi është një thirrje e fortë kundër padrejtësisë që u bëhet mërgimtarëve shqiptarë, të cilëve sot u mohohet jo vetëm vota, por edhe e drejta për t’u prehur në tokën e tyre. Një protestë morale që ngrihet mbi dhimbjen, dinjitetin dhe sakrificën e brezave në mërgim.