NJË VËSHTRIM KRITIK MBI KATËR POEZI TË POETIT KUJTIM MATELI

NJË VËSHTRIM KRITIK MBI KATËR POEZI TË POETIT KUJTIM MATELI

Nga Delo Isufi

Duke lexuar vargjet e poetit Kujtim Mateli, nuk ka sesi të mos ndihesh i trazuar në shpirt e mendime. Unë, nga katër vëllimet poetike:

“Kur mendon për të tjerët”

“Qetësojmë shpirtin e trazuar”,

“Eci mbi një fije shprese” dhe

“Mos u mposhte o njeri”,  zgjodha nga një poezi për secilin libër.

Në këto katër poezi të poetit Kujtim Mateli, fjala poetike rrjedh si një lumë i qetë që buron nga thellësitë shpirtërore dhe zbret nëpër brigjet e ndjeshmërisë njerëzore, duke mbartur me vete dhimbjen, mallin, dashurinë dhe kujtesën. Janë poezi që të kujtojnë natyrën e Përmetit, vendlindjen e poetit: tokë e njerëzve të urtë, të mençur, me kulturë të hollë, ku lulet çelin me një butësi të veçantë dhe zogjtë cicërojnë si të dinin sekretet e shpirtit njerëzor.

Nga libri: “KUR MENDON PËR TË TJERËT”

PËRMETARES

Fytyra-dritë mëngjesi,

Hap i lehtë si erë e prillit,

Zëri yt mbush hapësirat,

Tok me zërin e bilbilit.

Shkon në punë e dora jote,

Sendin bën të flasë me gojë,

Fryn një fllad, çel manushaqja,

Kush të pa e s’ëndërroi?

Hijeshon rrugën ku ecën,

A kur shkon në festivale,

Fustani zbritur nga qielli,

Si ylber i rënë në male.

Mbushet skena me dritë mali,

Me freski, ëmbëlsi zgjoi,

Hapi yt – puhizë pranverë,

Kush të pa e të harroi?

Kjo poezi është një himn për bukurinë dhe shpirtin përmetar. Që në vargun e parë, epiteti “fytyra-dritë mëngjesi” hap një horizont drite dhe freskie. Krahasimet (“si erë e prillit”, “si ylber i rënë në male”) e bëjnë figurën e vajzës pothuaj qiellore.

Personifikimi (“sendin bën të flasë”) i jep asaj fuqi krijuese, ndërsa manushaqja që çel është një simbol i gjallërisë dhe bukurisë natyrore. Këtu ndihen qartë aromat e luleve dhe dëgjohen onomatope të fshehta në cicërimat e bilbilit, që shoqërojnë çdo varg.

Kjo poezi është si një mëngjes pranveror në Përmet: plot dritë, aromë lulesh dhe këngë zogjsh. Vargjet e Kujtim Matelit këtu janë të lehta si puhiza, të ëmbla si mjalti i maleve dhe të pastra si burimet e këtij qyteti të bekuar.

Nga libri “QETËSOJMË SHPIRTIN E TRAZUAR”

DHIMBJE

U nise në udhë të kurbetit

Duke kaluar gryka e qafa malesh,

Qielli i vrenjtur të thosh:

Nxito pak më shumë,

Muzgu të këshillon: të ndalesh.

Asnjë lajm nuk erdhi nga ti,

Asnjë fjalë e mirë s`trokiti

Tek derë e shtëpisë sate,

Filluan të dridheshin gotat e bufesë,

Nga dhimbja e një nëne.

Dy lisa me rrush ruheshin për ty

Gjer në vjeshtën e fundit,

Gjersa kalbeshin në shi dhe në erë,

Priste mbi tavolinë gota e qumështit,

Djathi në feta i prera.

Po ty nuk të pamë,

Portën e avllisë s’e shtyve asnjëherë.

Të lodhi rruga e bora e egër,

Në shpatin perëndimor të një mali

Vendose përgjithmonë të shplodhesh.

Një shqiponjë këlthet pllajës së verbër,

Në dërgon sinjale ku ndodhesh.

Poezia “Dhimbje” është një elegji e thellë për kurbetin, ku dhimbja nuk rrëfehet, por rrjedh si një heshtje e rëndë mbi vargje. Metafora “udhë e kurbetit” shndërrohet në fat tragjik, ndërsa personifikimi i qiellit dhe muzgut (“të thosh”, “të këshillon”) e bën natyrën bashkëvuajtëse me njeriun. Këtu natyra merr zë e bëhet pjesë aktive e dramës njerëzore. Kjo i jep poezisë një dimension të gjallë dhe të prekshëm.

Këtu, simboli i lisave me rrush është një nga figurat më të bukura: ai përfaqëson pritjen e gjatë, dashurinë familjare dhe kohën që kalbet në mungesë. Hiperbola e mungesës totale (“Asnjë lajm…”) e thellon boshllëkun shpirtëror. Ndërsa tingulli “Filluan të dridheshin gotat e bufesë” sjell një onomatope ogurzezë që e mbështjell poezinë me trishtim.

Kjo poezi ka edhe një antitezë të heshtur mes jetës që pret dhe vdekjes që ka ndodhur larg, pa dëshmitarë. Shqiponja në fund bëhet simbol i shpirtit që endet mbi male, si një jehonë e përjetshme.

Vargjet e Kujtim Matelit këtu janë si gjethe të lagura nga vesa e dhimbjes; ato nuk bërtasin, por të depërtojnë ngadalë në shpirt, si një kujtim që nuk shuhet kurrë. Në këtë poezi hasim një ngarkesë të fortë emocionale, ku kurbeti shndërrohet në një simbol tragjik të ndarjes dhe humbjes.

Nga libri: “ECI MBI NJË FIJE SHPRESE”

TË PRISJA…

Dashuri e bekuar,

U vonove për të ardhur tek unë,

Shpirti më kishte ngecur në degën e tharë,

Nuk di si ecej më tutje.

Sëpatat e trishtimit kishin prerë degë e hardhive

Asnjë pikë vere nuk vinte nga vreshtat

Të qetësonte shpirtin e dëmtuar nga pritjet e gjata,

Nga vështrimet e kota në humnera kujtimesh,

Si një gardh mesjetar mes nesh që qëndronte heshtja

Të prisja të vije…

Kjo poezi është një tablo e pritjes së gjatë, ku koha rrjedh si një plagë e hapur. Metafora “shpirti më kishte ngecur në degën e tharë” shpreh një gjendje pezullimi ekzistencial. Personifikimi i “sëpatave të trishtimit” i jep dhimbjes forcë shkatërruese, ndërsa mungesa e verës nga vreshtat është një simbol i tharjes së jetës dhe gëzimit.

Krahasimi “si një gardh mesjetar” është i fuqishëm: ai krijon një mur të pakalueshëm emocional. Heshtja këtu bëhet figurë qendrore, një alegori e ndarjes dhe e pamundësisë për komunikimim me dashurinë e vonuar dhe kohën që nuk kthehet më.

Vargjet e poetit përmetar janë si hardhi që presin të japin fryt, por qëndrojnë të thata nën peshën e kohës. Ato kanë një bukuri të heshtur, si një vresht në muzg, ku edhe era duket se ecën me kujdes për të mos prishur qetësinë e dhimbjes.

Nga libri: “MOS U MPOSHT O NJERI”

NË ÇASTE VETMIE

Seç më kujton ky zog,

Shpesh bëhem gati ta përzë me gurë

Ta ngrejë më tutje folenë.

Ah! Qenka fëmijëria ime

Kthyer në cicërima malli,

Më vjen pranë sa herë vetëm më gjen.

Së fundi, në poezinë “Në çaste vetmie”, kemi një kthim intim në vetvete. Zogu bëhet një simbol i kujtesës dhe i fëmijërisë. “Fëmijëria ime kthyer në cicërima malli” është një metaforë e jashtëzakonshme, ku edhe tingulli (onomatopeja e cicërimës) merr ngarkesë emocionale. Këtu kemi një antitezë mes dëshirës për ta larguar zogun dhe nevojës për ta mbajtur pranë, që në thelb është përballja mes harresës dhe kujtesës. Poezia merr trajta alegorike, ku zogu nuk është më thjesht zog, por vetë e kaluara që rikthehet në vetmi.

Kjo poezi është një perlë meditimi dhe kujtese e poetit Kujtim Mateli. Vargjet këtu janë si cicërima në agim mbi degët e një peme të thjeshta në dukje, por të mbushura me një mall të thellë ku zogjtë cicërojnë aty gjatë gjithë vitit. Këtu, Kujtim Mateli arrin të kthejë kujtesën në tingull dhe vetminë në një dialog të butë me shpirtin.

Në tërësi, këto poezi janë si një kopsht përmetar ku lulëzojnë ndjenjat: dhimbja si një lis i rëndë, dashuria si një manushaqe e brishtë, kujtesa si cicërima zogjsh në agim. Ato ndërthurin mjeshtërisht figurat letrare: metaforën, krahasimin, personifikimin, hiperbolën, simbolin, antitezën, epitetin, onomatope-në dhe alegorinë, duke krijuar një univers poetik ku fjala nuk është vetëm shprehje, por përjetim.

Në këtë univers, lexuesi nuk mbetet spektator, por bëhet bashkudhëtar në një rrugëtim që nis nga dhimbja e kurbetit, kalon në pritjen e dashurisë, ndalet te bukuria e jetës dhe përfundon në qetësinë e kujtesës: aty ku, mes luleve dhe cicërimave të zogjve, shpirti gjen paqen e vet.

__________

KATЁR TEZAT E STUDIUESIT KUJTIM MATELI PЁR DODONЁN DHE EPIRIN

https://pashtriku.org/kat%d1%91r-tezat-e-studiuesit-kujtim-mateli-p%d1%91r-dodon%d1%91n-dhe-epirin/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura